Çlirimi i Shkupit

Bisedimet shqiptaro-turke u zvarritën disa ditë për shkak të qëndrimit të Ibrahim Pashës, i cili po përpiqej t’i ngushtonte sa më shumë kërkesat shqiptare. Diskutimet u zhvilluan më shumë rreth çështjeve të tjera, që nuk qenë parashtruar me shkrim në 14 pikat e Hasan Prishtinës. Ibrahim Pasha e kaloi në heshtje edhe çështjen e caktimit të një komisioni të veçantë, që do të kontrollonte zbatimin e kërkesave të shqiptarëve, sepse qeveria e re nuk kishte ndërmend të zbatonte lëshimet që do të ishte e detyruar t’u bënte atyre. Përveç kësaj, mendohej se ngritja e këtij komisioni do të kuptohej si njohje e autonomisë së katër vilajeteve, gjë që do të çonte, sipas përfaqësuesve të Stambollit, në cenimin e tërësisë territoriale të Perandorisë.
Meqenëse kryengritësit, edhe pas mbarimit të afatit të caktuar nuk morën asnjë përgjigje për kërkesat e paraqitura në 14 pikat e Hasan Prishtinës, u vendos të marshohej drejt Shkupit. Më 11 gusht hyri atje grupi i parë i kryengritësve, i përbërë nga 200 veta me Zefin e Vogël dhe me Bajram Daklanin në krye. Bajram Daklani, sipas gazetës “Shkupi”, shpalosi në qytet flamurin kombëtar shqiptar. Më 13 gusht hynë forcat e komanduara nga Isa Boletini. Forcat kryesore të kryengritjes, rreth 6 000 veta, hynë në Shkupin e çliruar më 15 gusht, të udhëhequra nga Bajram Curri. Ushtarët osmanë nuk bënë asnjë qëndresë. Numri i kryengritësve në Shkup arriti në më shumë se 30 000 veta. Prej tyre afër gjysma qenë të armatosur vetëm me ndonjë kobure ose shpatë. Të paarmatosurit u pajisën me armë pasi u shpërthye depoja e ushtrisë. Bajram Curri, sapo hyri në Shkup, hapi burgun dhe liroi 960 të burgosurit e pranguar aty.
Nga Shkupi grupe kryengritësish marshuan drejt Tetovës, Kumanovës e Preshevës dhe i çliruan edhe këto qytete, duke liruar gjithashtu të burgosurit. Një grup kryengritësish u drejtua për në Velesh.
Megjithëse kryengritësit nuk arritën të ngrinin administratën e tyre dhe megjithëse atyre u mungonin veshjet dhe ushqimet, falë masave të rrepta të parapara nga udhëheqësit e shqiptarëve kundër shkelësve të rendit publik nuk pati raste vjedhjeje, vrasjeje, abuzimesh ose shpërdorimesh.
Lajmi i çlirimit të Shkupit i dha një hov të ri kryengritjes edhe në viset e tjera të Shqipërisë. Shqiptarët e mbledhur në Milot vendosën të sulmonin Durrësin, por kjo nuk u arrit të bëhej për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet krerëve të tyre. Nga kjo gjendje përfituan autoritetet turke, të cilat sulmuan më 14 gusht forcat kryengritëse në afërsi të Durrësit dhe i detyruan të tërhiqeshin në Shijak. Këtu u zhvillua një përpjekje e ashpër, ku mbetën të vrarë 13 kryengritës. Pas kësaj forcat kryengritëse u tërhoqën në zonën e Milotit.
Nga mesi i muajit gusht edhe Komiteti i Korçës lëshoi një thirrje; në të ai nxirrte në pah rreziqet para të cilave ndodhej atdheu, ftonte të gjithë shqiptarët të bashkoheshin me forcat kryengritëse që ndodheshin në male, të ndihmoheshin vëllezërit gegë dhe të luftohej për të fituar autonominë. Me vendim të komitetit, u vra komandanti i xhandarmërisë Rexhep Palla, i njohur për qëndrimin e tij të egër ndaj shqiptarëve.
Më 14 gusht kryengritësit hynë në qytetin e Fierit, ndërsa më 15 gusht çeta e Përmetit (e komanduar nga Mehmet Pavari) dhe çeta e Spiro Bellkamenit hynë në këtë qytet. Forcat osmane si dhe në raste të tjera nuk bënë qëndresë. Në Gjirokastër, në Leskovik, në Prevezë e në Filat u organizuan mitingje, në të cilat u shpall “Bashkimi i toskëve me kërkesat e njohura kombëtare”. Këto deklarata iu bënë të njohura vezirit të madh dhe kryetarit të senatit.
Qeveria e re osmane kishte ende në Shqipëri forca të mëdha, të cilat mund t’i përdorte kundër shqiptarëve. Ajo urdhëroi komandantin e Korparmatës V, gjeneralin Kara Said pashën, të përgatiste trupat për të marshuar mbi Shkup. Mareshali Ibrahim Pasha u emërua gjithashtu komandant i trupave ushtarake në Kosovë. Megjithatë, qeveria ishte e interesuar të merrej vesh me kryengritësit në Shqipëri. Ky qëndrim diktohej ngaqë vazhdonte lufta me Italinë, nga shfaqja në horizont e një rreziku të ri që vinte nga aleatët ballkanikë dhe nga kujdesi që të mos u jepej shkas Fuqive të Mëdha të ndërhynin në punët e brendshme të Perandorisë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama