Çeshtja e aleances shqiptaro-greke dhe bullgaro-shqiptare (1907)

Rritja e lëvizjes së organizuar shqiptare për çlirimin kombëtar ngjalli interes të veçantë në qarqet drejtuese të Greqisë e të Bullgarisë, që shpresonin ta përdornin atë për qëllimet e tyre dhe ta drejtonin kundër rivalëve të vet, që secila palë i paraqiste si armiq të shqiptarëve.
U dalluan sidomos qarqet politike të Athinës. Gjatë viteve 1906-1907, kur u duk qartë se ideja e “një mbretërie dualiste greko-shqiptare”, e propaganduar nga Athina, kishte dështuar përfundimisht dhe se nuk do të pranohej nga shqiptarët, të cilët po luftonin në mënyrë më të organizuar për një shtet kombëtar të pavarur ose autonom, qarqet politike të Greqisë dolën me kërkesën e vendosjes së një aleance greko–shqiptare. Ky orientim u quajt në qarqet diplomatike greke dhe evropiane si një politikë realiste e njëherazi nacionale, që Athina filloi të ndiqte ndaj Shqipërisë.
Përveç organizatës greke me emrin “Lidhja shqiptaro-greke”, për afrimin ndërmjet shqiptarëve e grekëve dhe për vendosjen e një aleance ndërmjet tyre kundër serbëve e bullgarëve, filloi të punonte edhe Shoqata “Helenizmi” (“Helenizmos”), me qendër në Athinë, e kryesuar nga Nikolla Kazazi, profesor e personalitet i njohur grek.
Edhe shqiptarët, të mbetur vetëm dhe pa asnjë përkrahje përballë sunduesve osmanë, të rrezikuar nga politika shoviniste e shteteve fqinje, synonin të përfitonin nga kontradiktat ndërmjet tyre dhe të hynin në bashkëpunim me ata popuj që do të respektonin kërkesat e tyre për çlirimin kombëtar. Duke u nisur nga këto motive, Ismail Qemali, që i kushtonte një vëmendje të madhe gjendjes ndërkombëtare të Shqipërisë, e quante të dobishëm për çështjen shqiptare vendosjen e një bashkëpunimi shqiptaro-grek. Që kur ishte në Turqi, ai kishte bërë përpjekje për t’i bindur udhëheqësit e pakicave greke në Perandorinë Osmane që të bashkëpunonin me shqiptarët dhe me forcat përparimtare turke në bazë të ruajtjes së status quo-së në Turqi dhe zbatimit të reformave decentralizuese. Por kjo vijë politike hasi në kundërshtimin e qarqeve qeveritare të Athinës dhe të organizatave greke që vepronin në Greqi.
Pas largimit nga Turqia, Ismail Qemali, edhe pse i njihte lakmitë pushtuese të Greqisë ndaj Shqipërisë, duke synuar të siguronte përkrahjen e saj kundër një invazioni të mundshëm sllav, të Serbisë e të Bullgarisë, që cenonin interesat shqiptare në vilajetet e Kosovës e të Manastirit dhe ato greke në Maqedoni, arriti të lidhte një marrëveshje për një bashkëpunim shqiptaro-grek. Bisedimet e para për një aleancë shqiptaro-greke i pati filluar në vitin 1906 me kryetarin e shoqërisë “Helenizmi” Nikolla Kazazi. Në shkurt të vitit 1907 shkoi përsëri në Athinë, ku pas disa takimesh me të dhe me personalitete të tjera greke, përfundoi me ta një aleancë a lidhje shqiptaro-greke, tezat themelore të së cilës u shpallën në një manifest të posaçëm më 4 prill 1907. Ky manifest u publikua në shtypin e Athinës, në emër të “Komitetit të Lidhjes greko-shqiptare”. Po në atë ditë u nënshkrua edhe një “Protokoll i veçantë”, ku parashikohej themelimi në Paris i një “Shoqërie shqiptare”, e cila, së bashku me atë greke “Helenizmi” dhe duke qenë e barabartë me të, do të merrte masa konkrete për zbatimin e marrëveshjes.
Në të dyja këto dokumente vihej theksi në interesin e përbashkët të grekëve dhe të shqiptarëve, si popujt më të lashtë të Gadishullit Ballkanik, për t’u mbrojtur nga një agresion i ardhshëm bullgaro-serb. Shqiptarët e grekët angazhoheshin të respektonin status quo-në në Lindje, të përkrahnin reformat e Fuqive të Mëdha, por me kusht që ato të ishin radikale dhe për të gjithë popujt e Perandorisë Osmane.
Në marrëveshjen greko-shqiptare dhe në të dyja aktet e saj ishte vënë si kusht kryesor barazia e plotë midis dy palëve, nuk pranohej asnjë lloj federate greko-shqiptare, a nënshtrim i Shqipërisë ndaj Greqisë, ose ndonjë lëshim territorial ndaj saj. “Programi ynë i përbashkët, - thuhej në manifest, - është evolucioni nacional i secilës racë, por në kufijtë e saj historikë; sa kohë që do të ruhej gjendja aktuale, do të punohej për krijimin e një atdheu (shteti - shën. i aut.) shqiptar, të lirë dhe të pavarur, si edhe për rindërtimin e tokave greke, në qoftë se ndonjëherë regjimi i sotëm politik do të zhdukej”. Edhe në “Protokoll” shpallej “mbrojtja e ndërsjelltë dhe e përbashkët e të drejtave të të dy popujve, kufizimi i ambicjeve të të dy popujve brenda kufijve të tyre historikë dhe gjeografikë, duke marrë në konsideratë shumicën e banorëve që flasin një nga të dyja gjuhët”. I bindur se këto dokumente nuk do ta cenonin aspak të drejtën e shqiptarëve për një jetë shtetërore të pavarur, Ismail Qemali vinte në dukje në një nga deklaratat publike të bëra në atë kohë për marrëveshjen greko-shqiptare se “Shqipëria, që ka gjuhën e saj, letërsinë e saj, historinë dhe traditat e saj, ka të drejtë të kërkojë njohjen e saj kombëtare sipas idealeve të lirisë dhe të pavarësisë“.
Këto parime të barazisë ndërmjet dy popujve, që nuk linin asnjë shteg për cenimin nga Greqia të tërësisë territoriale të Shqipërisë, mbrojti Ismail Qemali edhe në intervistën që i dha gazetës “Tribuna” (Romë) në fundin e korrikut të vitit 1907, në të cilën theksoi se bashkëpunimi ndërmjet shqiptarëve dhe grekëve kishte si bazë “zhvillimin paralel të të dy kombeve në sferën kombëtare të secilit”. “Shqiptari, - vijonte më tej Ismail Qemali, - i njohur për gjuhën e tij, për historinë e tij dhe për ndërgjegjen e tij, do të vazhdojë të qëndrojë aty ku ndodhet efektivisht, po ashtu edhe greku”.
Por ngjarjet e mëvonshme treguan se Greqia nuk kishte ndërmend të hiqte dorë nga synimet e saj pushtuese ndaj territoreve shqiptare. Qysh në mars të vitit 1907, kur marrëveshja shqiptaro-greke ishte tanimë e përgatitur, kryeministri i Greqisë Teodokis, gjatë takimit me të dërguarin e Vjenës në Athinë, shprehu haptazi pretendimet greke për Epirin (Shqipërinë e Jugut).
Ndërkaq, bashkëpunimi dhe aleanca që Ismail Qemali lidhi me Greqinë u kundërshtua nga qarqet atdhetare shqiptare në çdo anë të Shqipërisë. Në artikujt e korrespondencat e botuara në shtypin shqiptar të kohës këto rrethe, duke marrë parasysh politikën shoviniste të Greqisë dhe synimet e saj për t’i shtrirë, pas shkatërrimit të Perandorisë Osmane, rivendikimet e saj në pjesën më të madhe të Shqipërisë, hodhën poshtë çdo mundësi për aleancë me Greqinë. Në të vërtetë, bashkëpunimi shqiptaro-grek mbeti një deklaratë e thjeshtë që nuk mundi të vihej kurrë në jetë.
Përpjekje të njëjta për vendosjen e një aleance me shqiptarët bënë në pranverën e vitit 1907 edhe qarqet politike të Bullgarisë. Në mars të atij viti ministri bullgar Genadiev i propozoi Bajram Topullit, që në atë kohë ndodhej në Sofje, të vendosnin një bashkëpunim ndërmjet çetave kryengritëse shqiptare dhe atyre bullgaro-maqedone, që vepronin respektivisht në Shqipëri e në Maqedoni. Bullgarët premtuan me këtë rast t’i furnizonin shqiptarët me armë. Ideja e një aleance shqiptaro-bullgare, me të cilën parashikohej të bashkoheshin edhe vllehët, u përkrah edhe nga përfaqësues të veçantë të kolonisë shqiptare të Bullgarisë. Por Bajo Topulli dhe veprimtarët e tjerë shqiptarë, megjithëse përkrahnin luftën çlirimtare të popullsisë maqedone, duke njohur lakmitë pushtuese të qarqeve politike të Bullgarisë ndaj territoreve shqiptare të vilajeteve të Kosovës e të Manastirit, si dhe synimet e tyre për t’i përdorur shqiptarët kundër invazionit serb e grek në Turqinë Evropiane, nuk pranuan të bashkëpunonin me ta.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama