Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shteti prej letre

Shkruar nga: Blendi Kajsiu  
Botuar më: 14 vite më parë

Blendi Kajsiu
Shteti prej letre

Që më datë 21 janar nuk kishte grusht shteti, është e qartë për të gjithë, madje edhe për kryeministrin. Natyrisht që kishte shumë dhunë; dhunë ndaj policisë, dhunë nga policia dhe dhunë deri në vdekje ndaj demonstruesve. Por përveç përleshjes me policinë, asnjë grup nuk synoi të futej e jo më të merrte Kryeministrinë, e aq më pak pushtetin. Dhe kjo për faktin e thjeshtë se nja ‘dyqind halabakë’ me “Molotov”, gurë, çadra dhe shkopinj nuk mjaftojnë për të bërë grusht shteti, edhe në Shqipëri.

Problemi është se si ka mundësi që dy apo treqind halabakë socialistë, siç do t’i quante kryeministri Berisha, arrijnë të destabilizojnë shtetin shqiptar, tashmë anëtar në NATO dhe kandidat për në BE? Sepse duhet thënë që 21 janari e tronditi nga themelet dhe e futi në panik të gjithë strukturën shtetërore dhe pushtetore të ngritur nga PD-ja. Në këtë aspekt na tregoi se sa i brishtë mbetet shteti shqiptar dhe se sa të cekëta i ka rrënjët në shoqërinë shqiptare. Përndryshe do ishte e pamundur që një “grusht halabakësh” ta destabilizonin atë kaq lehtë.

Arsyet që e shpjegojnë këtë brishtësi mendoj se janë tri dhe të ndërlidhura. Së pari, pushteti në Shqipëri organizohet dhe ushtrohet në mënyrë klientokratike. Kjo do të thotë që pushteti jo vetëm ushtrohet në funksion të interesave të klientelës së formuar rreth pushtetit, por edhe nëpërmjet saj.  Ata që punësohen, që nga Garda e Republikës, deri tek postet e larta të ekzekutivit, janë së pari anëtarë besnikë të klientelës. Për pasojë, në momente krize janë marrëdhëniet personale klienteliste dhe jo ato institucionale që dominojnë.

Kjo na sjell tek arsyeja e dytë e brishtësisë së shtetit shqiptar. Organizmi klientelist i pushtetit do të thotë që përfitimin kryesor e ka klientela në pushtet dhe jo shoqëria në përgjithësi. Kjo bën që klientela në pushtet të qeverisë më shumë si pasojë e indiferencës së shoqërisë sesa si pasojë e mbështetjes së saj.
E thënë ndryshe, kemi të bëjmë me një qeverisje të cekët, me një pushtet që e penetron pak shoqërinë. Ndaj në momente krize, si kjo që po kalojmë, pushteti, edhe pse i dalë nga zgjedhjet, e ka të cunguar mbështetjen e gjerë sociale. Për pasojë, ai shtrëngon radhët e klientelës duke e acaruar edhe më tej situatën.

Qeverisja e cekët, ose indiferenca e shoqërisë ndaj shtetit dhe pushtetit, buron nga vetë modeli ynë i zhvillimit ekonomik. Dhe këtu vijmë tek arsyeja e tretë që shkakton destabilizimin e shpeshtë dhe të kollajtë të shtetit shqiptar.  Modeli ynë i zhvillimit jo vetëm që e nxjerr shtetin jashtë shoqërisë, por edhe prodhon një polarizim të madh social.  Ndërsa një grup i ngushtë në pushtet pasurohet gjithnjë e më shumë, shtresa të caktuara urbane dhe rurale varfërohen vazhdimisht nën vështrimin indiferent të shtetit.

Është ky fenomen polarizimi që krijon vazhdimisht një kontingjent social të varfër dhe të margjinalizuar që mund të përdoret nga çdo parti politike. Është ky kontingjent që u bashkëngjitet partive politike jo vetëm për të mbijetuar ekonomikisht, por edhe për të shprehur revoltën dhe urrejtjen ndaj atyre në pushtet. Është ky kontingjent (që përçmohet si militant dhe injorant nga elitat që jetojnë brenda unazës së vogël të Tiranës) që shpesh përbën motorin e përplasjeve politike në Shqipëri. Edhe pse ai fiton më pak prej tyre. 

Këto tre arsye: organizimi klientokratik, qeverisja e cekët dhe polarizimi social, e bëjnë shtetin tonë mjaft të brishtë. E thënë ndryshe, kemi të bëjmë me një shtet prej letre, që në fakt si shtet funksionon vetëm në letër. Është pikërisht kjo brishtësi që e bën kryeministrin tonë të çirret dhe të kërcënojë. Është një brishtësi e rrezikshme sepse mund të degjenerojë në dhunë me pasoja. Ashtu siç ndodh me një gardist militant, të mbushur me urrejtje, të pastërvitur mirë, të trembur dhe me një armë në dorë.    

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama