TIRANA, NJË METROPOL I NGESHËM E GJUMASH

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 10 vite më parë

Mustafa Nano
TIRANA, NJË METROPOL I NGESHËM E GJUMASH


Zululand

Nuk më qëllon shpesh të zgjohem herët në mëngjes, ngaqë prej vitesh i kam imponuar vetes një regjim të ndryshëm nga ai i herakëve: fle vonë, e zgjohem vonë. Por dje m’u desh ta prish këtë regjim. E tok me magjinë e ditës bash në momentin që ajo po fekste, zbulova dhe diçka tjetër. Tirana është një qytet fare pa jetë në orët e para të mëngjesit. Në orën 05:00? Në orën 06:00? Hm, më keq akoma. Edhe në orën 07:00, pothuaj e tërë Tirana është ende në gjumë.

Doni një pamje të Tiranës në agim? Po ju tregoj atë që pashë dje midis orës 06:00-07:00. Në rrugë kish shumë pak makina. Madje, m’u duk se më shumë pashë njerëz që u grahnin biçikletave, sesa makinave. Stacionet e autobusëve mbi Komunën e Parisit ishin pa njerëz, ndërsa prapa xhamave të dritareve të autobusëve urbanë të faniteshin veç dy-tri fytyra të përgjumura. Nuk më kish ndodhur të shihja ndonjëherë autobusë pothuaj të boshatisur nëpër rrugët e Tiranës; ishte një pamje surreale.
Nëpër trotuare kishte tek-tuk njerëz që bënin hiking me qenin e tyre, por më shumë kish qen që bënin “hiking” për hesap të tyre. Veç në orët e para të mëngjesit mund të kuptosh se sa shumë qen pa zot ka Tirana. Në atë orë të ditës janë gjithashtu të përgjumur, e syri t’i sheh rëndom rrotull kazanëve të plehrave, tok me ca njerëz, të cilët zhyten me kokë brenda këtyre kazanëve për të nxjerrë prej andej hedhurina ushqimore, që për ta kanë vlerën e një malli luksoz, dhe kanoçe birrash e coca-cola-sh. Asnjëherë s’e kam marrë vesh se ç’bëjnë me ato kanoçe.

Kafenetë e hapura në orën 06:30 janë të rralla. Dhe në shumicën e tyre sheh që janë duke pastruar çfarë është ndotur një natë më parë, gjë që të bën të mendosh se sapo e kanë vënë të nxehet makinën e ekspresit. Në njërën prej tyre u futa dje. Kafja donte një copë herë të bëhej, e ndërkohë i dhashë karar të dilja për të blerë gazetat, me idenë për t’u kthyer pas ca minutash. Kioskat aty pranë, ku unë zakonisht blej gazetat, ishin të mbyllura. I hipa sërish makinës, dhe e mbajta frymën te kioska e kryqëzimit të rrugës së presidencës me rrugën e gjimnazit “Petro Nini”. Shitësi po zbërthente me përtaci dengjet e freskëta me gazeta, dhe të ngjante se, po të kish mundësi, do t’ia fuste gjumit mú aty, mbi tezgën prej dërrase. Dhe gjumi do ta merrte lehtë-lehtë, jo vetëm sepse nuk ish ngopur me të, por edhe sepse aty rrotull ishte qetë. Ora ishte 07:00, dhe Tirana flinte akoma. Nuk mund të gjesh në botë një metropol kaq të ngeshëm, e të përgjumur. Sigurisht, nuk mund të presësh që Tirana të jetë si New York-u i Sinatra-s, që “doesn’t sleep”. Por afërmendsh, një metropol që mezi zgjohet nuk është shenjë e mirë.

Dhe kjo s’ka lidhje me sezonin e pushimeve. Tirana është gjithmonë e shkretë në orët e para të ditës.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama