Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kriza greke sot, është kriza jonë nesër

Shkruar nga: Blendi Kajsiu  
Botuar më: 14 vite më parë

Blendi Kajsiu
Kriza greke sot, është kriza jonë nesër

Në themel të krizës aktuale greke qëndrojnë dy aspekte të ndërlidhur. Aspekti i parë dhe më i dukshëm është kriza financiare apo borxhi i madh publik, që pothuajse e falimentoi shtetin grek dhe prodhoi ndërhyrjen e BE-së dhe FMN-së. Në këtë aspekt, Greqia nuk është shumë e ndryshme nga mjaft vende të tjera të perëndimit, edhe pse shpesh kriza greke është trajtuar me të padrejtë si një deviacion ballkanik. Edhe vende si Britania e Madhe, apo edhe vetë SHBA-të, në aspektin financiar dhe përsa i përket borxhit publik janë në pozita të ngjashme me Greqinë. Ama ndryshe nga Greqia, vende të tilla kanë kapacitet ekonomik shumë më të madh sesa Greqia, për ta kaluar krizën financiare.    

Ky është edhe aspekti i dytë dhe më themelor i krizës greke, që ka të bëjë me problemet strukturore të ekonomisë së vendit fqinj. E thënë më shqip, vendi fqinj ka pak ose aspak prodhim apo sektorë ekonomik që mund të ruajnë nivelin e lartë të mirëqënies. Ekonomia greke mbahet kryesisht nga biznesi i vogël, nga turizmi, nga transporti detar (ndonëse fitimet e flotës greke nuk përfundojnë të gjitha në Greqi), dhe nga shfrytëzimi i pozicionit gjeostrategjik. Disa sektorë premtues që në të ardhmen mund të ndihmojnë rivitalizmin e ekonomisë greke janë telekomunikacioni apo shërbimet financiare, po të kemi parasysh se ekonomia greke ka një rol dominues në rajon në këta sektor.

Prandaj masat e ashpra të disiplinimit fiskal dhe shtrëngimit buxhetor të rekomanduara, si nga BE, por edhe nga FMN, në rastin më të mirë janë një zgjidhje afatshkurtër. Reduktimet e shpenzimeve buxhetore, reduktimi i administratës publike, apo shtyrja e moshës së pensioneve janë të gjitha masa që kanë të bëjnë me ‘shtrëngimin e rripit’, pra me kursimin, por në termin afatgjatë ato nuk prodhojnë burime shtesë ekonomike apo financiare. Po kështu liberalizimi apo ‘çlirimi i tregut’ nuk mund të prodhojë vetvetiu zhvillim pa një ndërhyrje të thellë strukturore, që sot nuk duket gjëkundi. Aq më tepër që një vend evropian si Greqia, nuk mund të konkurrojë me fleksibilitetin e tregut të punës me vende si Kina apo vende të tjera më të pazhvilluara se ajo. Fleksibilitet i tregut të punë’, troç do të thotë paga të ulëta dhe punësim i pagarantuar. 

Në këtë aspekt, eksperienca shqiptare do ishte një mësim i mirë për Greqinë sot. Liberalizimi ekonomik dhe fleksibiliteti ekstrem i tregut të punës në Shqipëri nuk kanë prodhuar aspak ndonjë mrekulli ekonomike në kushtet e mungesës së një strategjie zhvillimi që nxit prodhimin vendas. Produkti themelor i politikave ekonomik të ndjekura deri më sot nga Shqipëria, nën udhëheqjen e FMN dhe BB, ka qenë papunësia. Ndaj eksporti më i madh shqiptar ende mbetet krahu i punës, çka përbën edhe motorin themelor të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë gjatë tranzicionit.  Kjo nuk është një alternativë për Greqinë sot.

Por nëse Greqia mund të mësojë nga eksperienca jonë dje, ne duhet të mësojmë nga eksperienca greke sot. Është tronditës fakti se modeli ynë aktual i zhvillimit synon që Shqipërinë nesër, pas disa dekadash, ta bëjë siç është Greqia sot. Ekziston pothuajse një konsensus kombëtar se turizmi duhet të shërbejë si një nga sektorët kyç të ekonomisë shqiptare. Ashtu sikurse një nga elementët themelorë përmbajtësor të strategjisë sonë të zhvillimit mbetet shfrytëzimi i pozicionit tonë gjeostrategjik.  Hera-herës është hedhur edhe ideja e Shqipërisë si superfuqi energjetike. Ndonëse një ide e tillë duhet marrë seriozisht dhe është pozitive në parim, në realitet ajo po prodhon një Shqipëri që ngjan më shumë si koloni, sesa si superfuqi energjetike.

Kriza greke po na tregon se prioritetet tona aktuale të zhvillimit, edhe sikur të realizohen me sukses (dhe ky është një sikur i madh) nuk mund të prodhojnë një zhvillim të qëndrueshëm.  E thënë thjesht; Shqipëria nuk mund të arrijë një nivel të lartë zhvillimi dhe mirëqenie thjesht nëpërmjet turizmit, thjesht duke shitur energji, apo thjesht duke shërbyer si një pikë tranziti.  Ajo që i duhet Shqipërisë nesër dhe që i mungon Greqisë sot, është një sektor konkurrues prodhimi. Kjo do të thotë se ne sot na duhet patjetër një politikë industriale. Ne sot na duhet të përcaktojmë disa sektorë që në 20-30 vitet e ardhshëm do shërbejnë si motorë të zhvillimit tonë ekonomik. Kjo nuk do të thotë se turizmi nuk duhet zhvilluar, se pozicioni gjeostrategjik nuk duhet shfrytëzuar, apo se Shqipëria nuk duhet të rrisë eksportin e energjisë. Ama këta nuk janë sektorë që prodhojnë zhvillim të qëndrueshëm. Këta janë sektorë suplementarë që nuk mund të punësojnë gati 1 milion punëtorë shqiptarë që kanë emigruar dhe do vazhdojnë të emigrojnë, si pasojë e mungesës së vendeve të punës.   

Ndaj sot në krizë nuk është thjesht Greqia. Sot në krizë është vetë ëndrra jonë, për një Shqipëri që në rastin më të mirë nesër do të përfundojë si Greqia sot. Për më tepër, kur ne sot jemi në disavantazh në raport me Greqinë dje. Përfitimet tona nga anëtarësimi në BE do jenë shumë më të vogla sesa ato të Greqisë dje. Nga ana tjetër, ndryshe nga Greqia, ne nuk kemi as ndonjë sektor të zhvilluar financiar apo të telekomunikacioneve që të shërbejnë nesër si motorë të mirëqenies sonë ekonomike. Sot me krizën greke, ne kemi një ëndërr që po falimenton para syve tanë.  Sot ne gabimisht ende shpresojmë se futja në BE, zhvillimi i turizmit, dhe shfrytëzimi i pozicionit tonë gjeostrategjik, një ditë do ta bëjnë Shqipërinë një vend të zhvilluar. Është një ëndërr nga e cila duhet të zgjohemi sa më parë sot, në mënyrë që brezave që do të vinë mos t’i lemë trashëgim një Shqipëri që vazhdon të zvarritet e fundit në proceset e zhvillimit. Për këtë është e rëndësishme të shikojmë përtej krizave pa brum të ditës që vazhdojnë të zhvillohen me të njëjtat klishe të para 20 viteve, tashmë sa të mërzitshme, aq edhe bosh si ‘transparenca’, ‘zgjedhjet e lira’, ‘bllokmenët’ apo ‘integrimi evropian’.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama