Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Greva dhe disa aktorë të munguar

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 14 vite më parë

Skënder Minxhozi
Greva dhe disa aktorë të munguar

Prej të premtes në darkë, kur mes turmës dhjetra-mijëshe të protestës gjarpëroi lajmi i beftë se 200 veta, deputetë dhe protestues, do të hynin të grevë urie në dyert e kryeministrisë, kanë kaluar tashmë njembedhjetë ditë. 28 çadra janë instaluar mes kryeministrisë dhe selisë së Kuvendit, në një grumbullim masiv alumini dhe plastmasi, kësaj “Meke” të re të improvizuar të politikës shqiptare. Në fakt, përtej krahasimit me vendin e shenjtë të pelegrinazhit në shkretëtirën arabike, greva e urisë e 21 deputetëve dhe 180 protestuesve socialistë ka përmbysur me zhurmë ecurinë thuajse lineare të krizës politike në Shqipëri, që nga vera e vitit të shkuar. Ky zhvillim i fundit nuk mund të krahasohet për nga efekti as me misionet ndërkombëtare, as me tryezën e Presidentit Topi dhe as me hyrjen më 6 mars të opozitës në Kuvend. Greva ka vendosur një tjetër standart në klasën politike vendase, të rrezikshëm dhe sfidues si kurrë më parë: standartin e pakthyeshmërisë
.
Përballja mes palëve tashmë është fizike. Në pak dhjetra metra ndodhen shtretërit e të ngujuarve nga e gjithë Shqipëria dhe zyra e kryeministrit, ambjentet e Kuvendit dhe selia e Presidentit. Edhe kreu i dhomës së ulët të parlamentit italian Fini, i cili vizitoi Tiranën pardje, u detyrua që t’i binte rrotull çadrave të grevës, për të vajtur nga Berisha tek Topalli. Greva ka ardhur papritur dhe është ulur këmbëkryq në zemrën e shtetit dhe institucioneve, megjithëse qeveria po shpenzon energji të konsiderueshme për të bërë sikur nuk sheh, sikur nuk dëgjon e për pasojë sikur nuk vepron në funksion të situatës së re politike.

Edi Rama ishte shumë i sigurtë në emisionet televizive para protestës së 30 prillit, se kësaj rradhe opozita nuk do ta braktiste më sheshin. Skeptikëve që i kujtonin 20 nëntorin, kur protesta erdhi e u zvogëlua numerkisht me kalimin e ditëve, ai u përgjigjej shkurt se tashmë gjithçka ishte ndryshe. Kur PS e kapi në befasi opinionin publik, mediat e padyshim edhe qeverinë, me vendimin për të nisur grevën në bulevard, u mësua se cili ishte plani real i Ramës, për ta mbajtur gjallë zjarrin e protestës edhe pa 200 mijë veta pas vetes në çdo orë të ditës. Greva modifikoi kodin politik në Shqipëri, zbuti Berishën dhe egërsoi Ramën, rifuti vendin në listën e lajmeve problematike të mediave ndërkombëtare, si dhe detyroi institucionet ndërkombëtare të riformulojnë deklaratat për krizën. Nga ana tjetër, siç u tha më lart, me pakthyeshmërinë e tij, i gjithë ky proces që tani zhvillohet në rrugë, futi në një cikël të ri zhvillimet politike në Shqipëri, duke afektuar në mënyrë të pashmangshme edhe ngjarjet e tjera që e shoqërojnë, si procesi i liberalizimit të vizave dhe ai i statusit të vendit tonë pranë BE.

Megjithatë greva vazhdon të jetë një ndërmarrje e guximshme, por deri tani disi e vetmuar. Deri të enjten, pra shtatë ditë nga fillimi i saj, aktorët e brendshëm politikë që ndodhen jashtë sherrit për arsye institucionale, kanë folur pak ose aspak. Në këtë listë (të shkurtër në fakt) spikat pasiviteti i kryetarit të shtetit. Bamir Topi, presidenti i vendit, deri tani ka shpenzuar për situatën e re të krijuar 200 metra larg zyrës së tij, një frazë që i ka lodhur jo pak agjensitë e lajmeve, për t’i zbërthyer kuptimin. Duket qartë se artikulimi i presidentit, i mjegullt dhe i papërcaktuar, ishte një lëvizje e menduar gjatë për mos marrë një pozicion dhe për të qëndruar sa më larg nga ky sherr. Presidenti foli por nuk tha asgjë. Edhe zyrtarët e Brukselit, europarlamentarët dhe funksionarë të tjerë të sistemit europian kanë folur disaa herë më tepër dhe më shpesh për grevën e urisë së 21 parlamentarëve shqiptarë, sesa Bamir Topi. Edhe krisha katolike, zakonisht e mënjanuar me të drejtë nga zhvillimet “tokësore”, u deklarua më qartë, në logjikën e saj kristiane, sesa kreu i shtetit që ka për detyrë të vigjilojë mbi unitetin e kombit dhe stabilitetin politik e social të tij. Nuk dihet se nga e gjeti presidenti Topi një ftesë për një samit euro-aziatik në Turqi, vetëm e vetëm për t’iu shmangur pranisë në Tiranë në mesin e grevës. Një truk i vjetër që politikanët e gjithë botës e përdorin sa herë që s’duan të jenë në vendin e tyre në kohë të këqia.

Pas presidentit, për arsye krejt të tjera, në listën e të munguarve të grevës hyjnë natyrisht kryeministri dhe maxhoranca e tij. Qysh në krye të herës, kur afrohej data e protestës, atëhere kur askush nuk fliste për çadra greve në mes të bulevardit, kryeministri bashkë me shumicën e tij adoptoi një taktikë që vazhdon ta ndjekë dhe sot. Berisha nuk shkoi të përplaset me opozitën në Kuvend, një ditë para protestës. Një sinjal i qartë ky që ai po tërhiqej përkohësisht, e kjo për dy arsye kryesor: së pari, duke i atakuar socialistët në atë moment të nxehtë politik, ai do t’i faktorizonte ata dhe do ta ndihmonte pa dashje impaktin mediatik dhe publik të protestës. Së dyti, Berisha dhe qeveria e tij ndodhen para një procesi tejet delikat që lidhet me liberalizimin e vizave. Çdo reagim sadopak i ngjashëm me sulmin ekstrem ndaj Ramës në 26 nëntor, do t’i prishte kredencialet e tij në sytë e ndërkombëtarëve. Kryeministri ka veshur këto ditë të ngrohta pranvere jo një, por disa lëkurë qingji, duke shpërndarë buzëqeshje ironike para kamerave, duke u marrë me kompjutera në mbledhjet e grupit parlamentar dhe duke ftuar në mënyrë të përsëritur dhe me fjalë të buta Ramën, që t’i drejtohet gjykatave për çeshtjen e kutive.

Aktori i tretë që mungon në amullinë mediatike të grevës së urisë janë padyshim ndërkombëtarët. Nëse shefat në Bruksel e Uashington japin deklarata me karakter të përgjithshëm e shpesh neutral, ambasadorët në Tiranë janë “gjahu” i preferuar i televizioneve e gazetave. Ata flasin më konkretisht, kritikojnë më konkretisht ose përkrahin më konkretisht. Vetëm se në shtatë ditët e para të kësaj greve (deri ditën e enjte), asnjëri prej ambasadorëve kryesorë në Tiranë nuk është deklaruar zyrtarisht për grevën. Një sinjal ky jo fort premtues dhe pozitiv për protestuesit dhe grevistët dhe që e ushqen edhe më tej ndjesinë e impasit ku kanë hyrë ngjarjet. Nëse diplomatët kryesorë të Tiranës janë të gatshëm të marrin rrugën deri në Lezhë për të mbrojtur me të drejtë Klodin e Big Brother, është pak e çuditshme të vëresh sesi në këtë rast i gjithë trupi diplomatik po adopton heshtjen e sforcuar ndaj një zhvillimi politik që potencialisht mund të fshehë brenda vetes farën e një konflikti të rrezikshëm politik e social në Shqipëri.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama