Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Iluzioni optik grek

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 14 vite më parë

Skënder Minxhozi
Iluzioni optik grek

Shteti fqinj jugor, Greqia, po kalon aktualisht njërën ndër periudhat më të zymta të historisë së saj moderne. E gjunjëzuar nga kriza e thellë financiare, Athina po përpiqet të bindë aktorët kryesorë europianë, duke nisur nga Gjermania, për marrjen e një borxhi prej 130 miliard eurosh. Në periferi të kësaj ngjarjej dramatike për një vend anëtar të Bashkimit Europian dhe të NATO-s, vazhdojnë ndërkaq lojrat e vogla ballkanike, ku Greqia nuk luan më me statusin e vendit të dështuar, por me atë të gjysëm-pronarit. Me fjalën “lojë” mund të nënkuptosh pa vështirësi të gjithë atë gamë elementesh të politikës rajonale greke, të cilat kanë synuar gjatë dy dekadave të fundit, që vakumin e lënë bosh nga blloqet e mëdha ta mbushin me prezencën politike dhe ekonomike të shtetit helen në vendet e ish-bllokut komunist.

Shqipëria ka hyrë prej kohësh në këtë axhendë të padeklaruar greke, e cila përtej elementëve të rinj të natyrës ekonomike e financiare, është e mbarsur me mjaft helme të së shkuarës. Mbi të cilat, qeveritë shqiptare dhe greke nuk kanë përtuar të hedhin të tjera helme të së tashmes.

Përgjithësisht në Shqipëri, por edhe jashtë saj, aty ku jetojnë shqiptarë, egziston një ide-shabllon, sipas të cilës e djathta shqiptare e përfaqësuar nga Sali Berisha, simbolizon krahun anti-grek ose nacionalist në politikën vendase, kurse në të kundërt, e majta e Fatos Nanos, Ilir Metës dhe Edi Ramës, ka qenë tradicionalisht e afërt me Athinën zyrtare. Qeveritë ndërroheshin në Tiranë dhe në kryeqytetin helen, kurse ky perceptim mbijetonte dhe vazhdon akoma të mbijetojë në blogje interneti, shkrime gazetash dhe opinione të gjera kudo në ambjentet publike të Tiranës e qyteteve të tjera të vendit, por edhe në Prishtinë, Shkup apo në diasporën tonë në Europë e SHBA.

Nuk është vështirë të vërehet se ky perceptim ka më shumë formën e një legjende urbane, sesa të një të vërtete të mbështetur në fakte. Duket në fakt se ai, origjinën e largët e ka në kohën kur vetë komunistët shqiptarë (të cilët u kthyen në socialistë më 1991), akuzoheshin rëndom për lidhjet me jugosllavët dhe përgjithësisht ortodoksët.

Pjesë e këtij perceptimi mbush sot e gjithë ditën trutë e një pjese të shqiptarëve, të cilët nga njëra nuk lenë rast pa humbur për të ngritur zërin për “helenizimin” e ekonomisë e shtetit shqiptar apo për privimin e të drejtave të çamëve, por nga ana tjetër refuzojnë me një kokëfortësi të habitshme të shikojnë autorët dhe përgjegjësit direktë të këtyre fenomeneve.

Përtej faktit që Berisha sigloi kredencialet e kryepeshkopit Janullatos në fillim të presidencës së tij në 1992, përtej bashkëpunimit shumë të ngushtë që ai ka pasur qysh në fillimet e PD me Micotaqisin, asokohe kryeministër, historia e heronjve fallco dhe tradhëtarëve të sajuar, gjallon edhe në ditët tonë.

Prej pesë vjetësh vendin e qeveris e djathta. Sapo u formua qeveria Berisha, një shkollë private greke u hap në Himarë, në prani të autoriteteve të dy palëve. Nuk kishte ndodhur gjatë qeverisjes së “grekut” Nano, i cili me një mijë mënyra e kishte evituar atë hap të sikletshëm në planin e brendshëm. Shkolla greke e Himarës u pasua edhe me një tjetër të tillë në Korçë, prej nga dolën më vonë disa libra historie nëpër media, ku flitej për jugun e Shqipërisë, si për një tokë greke të pushtuar padrejtësisht. Nuk shkoi shumë kohë dhe qeveria nisi konsultimet me palën greke për një marrëveshje mbi varrezat ushtarake greke në vendin tonë. MAPO mundi të botojë pjesë të kësaj marrëveshjeje, e cila ishte paraprirë në vitin 2006 nga ngjarja e Kosinës, ku kishte nisur zhvarrimi masiv i eshtrave në varrezat e fshatit, duke i klasifikuar si eshtra ushtarësh të vrarë gjatë luftës italo-greke.

Sërish qeveria Berisha hidhte hapin, kurse “kusurin” e paguante opozita filo-greke, filo-serbe dhe filo-ruse. Një deviacion optik më shumë për të qeshur se për të qarë. Dyshimi për “ortodoksët” e PS-së nuk u shua asfare as kur qeveria e zotit Berisha çoi në Kuvend në vitin 2010 një marrëveshje diskriminuese detare me Greqinë, e cila u hodh uninamisht poshtë nga Gjykata Kushtetuese, me kërkesën e vetë opozitës së majtë. Paditësit që shmangën aprovimin e marrëveshjes u anatemuan si mbrojtës së interesave greke, kurse qeveria Berisha si e vetmja mbrojtëse e tyre. Një gallatë shqiptare në kuptimin më të plotë të fjalës.

Episodi i fundit ka të bëjë me regjistrimin me bazë etnike, i cili përgatitet të mbahet së afërmi. Nën petkun e një prove emancipuese dhe europianizuese, qeveria po rrezikon seriozisht që ta rrisë artificialisht numrin e minoritarëve grekë në vend, përtej çdo shifre reale. Sërish kjo qeveri po e ruan të paprekur “cipën” e saj prej nacionalisteje. Sërish për këtë proces dëgjon aty-këtu të sulmohen ata që në fakt e kontestojnë.

Ka një dozë jo të vogël spekullimi kur flitet për tradhëtarët dhe heronjtë në këtë vend. Një spekullim që lidhet me idolatritë boshe që janë kultivuar prej kohësh në imagjinatën tonë, lidhur me të mirët dhe të ligjtë, me ata që i ruajnë interesat tona kombëtare dhe ata që i dëmtojnë ato. Megjithatë në esencë ky është një proces gradual pjekjeje dhe emancipimi i vetë opinionit publik. Sepse ne nuk kemi perceptime të rreme vetëm për këtë aspekt të veçantë që ka të bëjë me marrëdhëniet tona me shtetin helen, por edhe për shumë e shumë ngjarje e fenomene të cilat i lexojmë me sytë e zemrës dhe jo me sytë e mendjes. Urrejtja politike e kthen rregullisht Nanon ose Ramën, si në pozitë ashtu edhe në opozitë, në spiunë e tradhëtarë. Është një proces kimik i brendshëm që ka të bëjë me orientimin e shijeve dhe të bindjeve tek secili, pa u zgjatur shumë dhe pa logjikuar ftohtë rreth asaj që ndodh përreth.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama