Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kriza politike dhe amnezia e Presidentit

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 14 vite më parë

Skënder Minxhozi
Kriza politike dhe amnezia e Presidentit

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, po zhvillon aktualisht një vizitë zyrtare të Gjermani. Një eveniment protokollar i rëndësishëm, po të llogarisësh se vizita e fundit e një kreu shteti në këtë vend është zhvilluar në vitin 1998. Para këtij udhëtimi, gjatë javëve të fundit, Topi ka marrë pjesë gjithashtu në lloj-lloj inaugurimesh, ceremoni dekorimi apo festa fetare. Të gjitha këto me dalje publike, fjalë rasti apo prononcime për mediat. Deri këtu asgjë për t’u shënuar. Një axhendë normale e një figure të lartë institucionale.

Ajo që të habit në këtë qetësi thuajse olimpike të kreut të shtetit, është fakti që tashmë ai, por edhe nivelet e tjera institucionale më të larta të vendit, duken të mësuar me realitetin skandaloz të krizës politike, e cila praktikisht mban të paralizuar dhe në llogoren e retorikës së skajshme të gjithë vendin. Parlamenti është gjysmë-bosh, qeveria përdoret për makijazh politik dhe si shkop gome kundër opozitës, administrata vështron e trembur dhe e paralizuar këtë sherr tragjiko-komik, duke ulur automatikisht performancën dhe duke rritur abuzimin, pa llogaritur krizën ekonomike që qëndron kërcënuese në sfond, për sot dhe mbi të gjitha për nesër.

Vetëm pak javë më parë, Presidenti Topi dukej si njeriu i shpresës në kaosin politik shqiptar. Në fillim të shkurtit, Presidenti u shty (nën presion dhe jo me vullnet të lirë), që të organizojë një tryezë mes liderit të shumicës dhe atij të opozitës. Duket sikur ka kaluar një shekull nga ajo ditë kur Tirana dhe Shqipëria mprehën veshët dhe sytë për të dëgjuar e shikuar lajmin e mirë. Ashtu siç pritej, asgjë nuk ndodhi, megjithëse Presidenti mori përsipër të mos dorëzohej nga dështimi i parë. Konsultimet do të vazhdonin, sipas tij. Madje u caktuan formate dhe persona kontakti, që do të komunikonin me palët PD dhe PS.

Sot, vetëm pas pak më shumë se një muaji, duket sikur asgjë s’ka ekzistuar. Asgjë s’ka mbetur nga kjo superstrukturë, e cila u zhduk si mjegulla e mëngjesit. Berisha dhe Rama u janë kthyer shesheve dhe zallamahisë, retorikës së luftës dhe kërcënimeve që nisin në qendër të Tiranës e përfundojnë në Parlament. Kurse Bamir Topi duket se është rikthyer në jetën e tij të qetë prej kryetari të një shteti të rrënuar, duke pritur e përcjellë njerëz dhe duke hedhur kalimthi para kamerave ndonjë fjalë për stabilitetin politik dhe nevojën e kompromisit.

A është e mjaftueshme kjo për një President? Natyrisht që jo. Sidomos kur ka të bëjë me një klasë politike (pjesë e së cilës ka qenë dhe vetë), e cila zanatin e luftës e njeh shumë më mirë se zejen e paqes. Bamir Topi është dorëhequr tashmë nga roli i mediatorit të krizës, e kjo është për të ardhur keq, sepse askush tjetër më shumë se ai nuk ndodhet në pozicionin e arbitrit, të të baraslarguarit dhe të drejtuesit të lartë që e ka për detyrë të mos tolerojë një situatë që ngadalë po rrëshqet jashtë kontrollit.

Jo rastësisht, në shkurt, para se të shkelnin Tiranën, zyrtarët e Këshillit të Europës, e më pas edhe përfaqësues të tjerë diplomatikë, identifikuan te kreu i shtetit pikën fokale të inicimit të një kompromisi politik për të zgjidhur krizën. Kjo përzgjedhje kishte dhe ka arsye të shëndosha për të qëndruar më këmbë. Në kushtet kur qeveria është palë dhe kur Parlamenti trajtohet nga kryetarja e tij si të ishte një degë e Partisë Demokratike për Kurbinin, ndërkombëtarët me të drejtë kuptuan se presidenca ishte i vetmi institucion i lënë mënjanë gjatë muajve të krizës mes mazhorancës dhe opozitës. Statura publike e Bamir Topit dhe fakti që ai shihej ftohtë nga ish-partia e tij dhe jo pa simpati nga ish-partia kundërshtare, krijonte rreth tij atë lloj balance që mungonte në çdo forum apo institucion tjetër të shtetit. Nëse kishte dhe ka një godinë ku Berisha dhe Rama mund të arrijnë një kompromis, kjo është vetëm presidenca. Çdo pallat tjetër institucional i Tiranës është i paragjykuar. 


Problemi kolektiv i yni është se prej afërsisht njëzet vjetësh, po mësohemi me krizat, si fenomen bashkudhëtar i tranzicionit në këtë vend. Dikur ishin burgosjet e politikanëve, djegiet e gazetave, hapjet e depove të armëve dhe falimentimet e piramidave. Sot janë sërish problemet me zgjedhjet dhe tendencat autoritare të qeverisësve, në qendër të amullisë politike e sociale në Shqipëri. Duket sikur ky vend ka diku diçka që s’shkon, diçka që është kurdisur keq qysh në krye të rrugës, si ajo këmisha së cilës ia kemi mbërthyer gabim kopsën e parë. Dhe problemi është se pakkush ka vullnetin që të ngrihet seriozisht kundër këtij pajtimi me të keqen. Në horizont, gjatë vitit 2010 ndodhet liberalizimi i vizave dhe ecuria e statusit të vendit kandidat për në BE. Gjithashtu në axhendë janë edhe zgjedhjet e ardhshme lokale.

Ashtu siç po zhvillohen ngjarjet në skenën politike, do të jetë shumë e vështirë që ta kalojmë pragun e Brukselit, me thesin e krizave mbi shpinë. Europianët s’kanë ç’i duan ngatërrestarët që prej 20 vjetësh s’bëjnë dot zgjedhje në shtëpinë e tyre. Një shtet me një imazh të tillë është si ai palombari me këpucë plumbi që nuk noton dot nga pesha e rëndë e uniformës që ka veshur. Kreu i shtetit vijon të jetë sot, edhe pas dështimit të demarshit të parë në shkurt, i vetmi person dhe personalitet institucional, që mund të tentojë t’i afrojë dhe një herë palët, para se komedia politike shqiptare të na bëjë përfundimisht qesharakë në sytë e botës dhe para se ajo të shkaktojë të tjera vuajtje në planin e brendshëm. Bamir Topi mori angazhime serioze në fillim të këtij viti. Ai nuk ka pse i harron ato, sepse nëse kjo ndodh, shteti shqiptar (dhe jo zoti Topi), do të ketë dhënë edhe një provë tjetër se ne jemi të papjekur, të padenjë dhe jo të gatshëm për të shkuar atje ku jemi nisur qysh në vitin e largët 1990.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama