Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kurthi i negociatave

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 15 vite më parë

Skënder Minxhozi
Kurthi i negociatave

Në 26 nëntorin e shkuar, Kryeministri Berisha mbajti në Parlament një fjalim, pas të cilit shumë shqiptarë patën dëshirë të përsërisin frazën fataliste, që aq mirë e kanë mësuar përmendësh në këto njëzet vjet: Ky vend nuk bëhet! Në harkun e 40 minutave, Sali Berisha hodhi në erë të gjitha urat e komunikimit që kishte ndërtuar në katër vjet me Edi Ramën, duke hedhur mbi të akuza dhe fyerje që s‘i kishte bërë për Fatos Nanon, Ilir Metën dhe pjesën tjetër të socialistëve.

U duk si fundi i botës, por si gjithnjë, Shqipëria është një vend i çudive. Pa u mbushur muaji nga ai shkarkim publik nervash, po shtohen ftesat që krerët e dy kampeve të gjejnë një zgjidhje për krizën. Presioni ndërkombëtar gjithashtu e kërkon me ngulm diçka të tillë. Dhe këtu duket se llogaritë nisin nga e para.

Berisha i ndien qartë risqet e një hapjeje eventuale, qoftë edhe të njërës prej rreth 5000 kutive që sot flenë në bodrumet e Pallatit të Kongreseve apo në depot e Lundrës. Ky proces hileqar dhe me një përfundim të nënkuptuar qysh në krye të herës (dy partitë e mëdha i dinë mirë monstruozitetet që përmbajnë ato brenda), mund të sjellë shumë më tepër sesa thjesht transparencën e pjesshme ose tërësore të zgjedhjeve. Si politikan i vjetër, Kryeministri e di që edhe në rast se nga një hetim (domethënë rinumërim) eventual i votimeve, dalin në sipërfaqe zullumet e komisionerëve të të gjitha krahëve dhe koston kryesore politike për diskreditimin e procesit elektoral e paguajnë kryesisht fitimtarët. Kjo sepse Edi Ramës i intereson më së pari jo sesa vota ka humbur, por sesa i pabesueshëm do të shfaqet në tërësi procesi elektoral para shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve. Sa më keq, aq më mirë, është deviza pragmatiste e opozitës sot. Duke nisur nga zgjedhjet. Ose e thënë ndryshe, nga certifikata zyrtare e pushtetit të sotëm të Berishës dhe Metës.
Në këto kushte, nyja e kutive duket sa e pakalueshme, aq edhe e panegociueshme. Dy terma që rrëzojnë ende pa u tharë boja, çdo tentativë për një zgjidhje politike. Të paktën kështu siç janë rreshtuar sot palët nëpër llogoret përkatëse. Berisha thotë se është i gatshëm ta presë edhe 20 vjet opozitën që të hyjë në Kuvend. Rama nga ana e tij lëshon "piskamën" nga një qytet në tjetrin "Hap kutitë ose ik"! Të dy e dinë se një hetim i zgjedhjeve do ta destabilizonte në mënyrë të pakthyeshme skemën politike aktuale, duke delegjitimuar procesin elektoral, duke zhvlerësuar Parlamentin dhe qeverinë e dalë prej tij dhe duke e shtruar më fort se kurrë nevojën e zgjedhjeve të parakohshme.

Berisha dhe Rama e kanë të qartë se nuk po kacafyten sot për një grusht votash të numëruara shkel e shko, por për çështjen e pushtetit të ardhshëm, për jetëgjatësinë apo jetëshkurtësinë e qeverisjes aktuale. Secili prej tyre e di fort mirë se kjo është një betejë ku nervat e forta dhe rezistenca në fushën e lojës, janë elemente esenciale për fitoren mbi tjetrin. Të dy nuk lodhen së kalkuluari kartat që kanë në dorë, duke blerë kohë me deklarata ultimative, sulme personale dhe forcim të gjuhës së urrejtjes.
Berisha llogarit se Rama nuk do të rezistojë gjatë nën trysninë e ndërkombëtarëve dhe presionin e heshtur brenda partisë për të hyrë në Kuvend. Ai beson se duke i prekur disa prej biznesmenëve që ka pranë, do t‘i shkurtojë kreut të opozitës burimet financiare që ushqejnë aksionin e tij politik. Më në fund, Kryeministri dhe zëvendësi i tij janë gati të luajnë gjithçka mbi kartën e liberalizimit të vizave, në pritje që ky dimër i zymtë (rregullisht problematik për qeveritë në Shqipëri), të mos sjellë surpriza negative gjatë rrugës.
Nga ana e tij, Edi Rama shpreson më së pari ta mbajë gjallë frymën e kontestimit të mitingut të 20 nëntorit. Ai llogarit se një kauzë ku kërkesa për hetimin e zgjedhjeve ndërthuret me elemente të krizës ekonomike, do të kthehet pas disa javësh në përzierje eksplozive për një qeveri që e ka të boshatisur arkën e saj dhe që rrit çmimin e energjisë dhe nuk paguan pagat e buxhetorëve. Rama e kupton se stina e ftohtë është aleatja e çdo opozitari. Pra dhe e tij. Natyrisht, duke shpresuar paralelisht, që presioni ndërkombëtar mbi partinë e tij për të ndërprerë bojkotin, të kanalizohet gradualisht edhe drejt qeverisë, në një qëndrim ku të shihen të dyja palët, e jo vetëm njëra prej tyre, si përgjegjëse për krizën.

Si mund të pajtohen këto dy aksione politike që synojnë ta asgjësojnë njëri-tjetrin? A mund të ketë një forcë madhore që të ulë Berishën dhe Ramën përreth një kompromisi? E më kryesorja, çfarë përmbajtje duhet të ketë kjo marrëveshje, që të marrë aprovimin e të dyja palëve?

Një përgjigje për këto pyetje nuk dihet se kur do të gjendet, por personat që pretendojnë se mund të vihen në kërkim të saj, janë ofruar tashmë. Ilir Meta, Nikoll Lesi dhe Pandeli Majko, secili nga pozicione, frymëzime dhe përllogaritje të ndryshme, kanë kërkuar në 48 orët e fundit që dy "demat" e politikës të harrojnë shpejt e shpejt sharjet ‘me libër shtëpie‘ dhe t‘u kthehen bisedimeve. Ata janë shprehur të gatshëm të lehtësojnë një proces të tillë. Këto nisma të ndrojtura dhe me nëntekste të dyshimta (në rastin e Metës), rikthejnë në skenë dilemën proverbiale të të gjitha krizave shqiptare: atë të zgjidhjeve të gjetura nga brenda politikës tonë, apo të një kompromisi të ardhur pas një ndërhyrjeje të huaj.

Por me sa duket ky proces afrimi nuk vjen ashtu vetvetiu. Ai ka nevojë të maturohet dhe mbi të gjitha, ai s‘mund të vijë nëse nuk janë krijuar disa kushte paraprake. Së pari, kredibiliteti i negociatorëve. Për shembull, kushdo, përveç Ilir Metës, mund të jetë negociator mes Berishës dhe Ramës. Zoti Meta nuk është i paanshëm në këtë sherr. Ai është zëvendësi i njërit prej krerëve në konflikt. Fakti që ai kërkon të faktorizohet në këto kohë të vështira, ka pak ose aspak rëndësi për procesin e afrimit mes Berishës dhe Ramës. Indirekt, një element i tillë i jep terren ndërmjetësimit të ndërkombëtarëve. Së dyti, në momentin aktual palët duken ende jo të përgatitura për një proces negociatash. Ato kanë ende energji negative për të harxhuar kundër njëra-tjetrës. Dhe për sa kohë ato të mos jenë lodhur, do të thotë se ato nuk do të merren vesh. Kjo është e qartë. Së treti, dhe më e rëndësishmja (që na çon te njëra nga pyetjet e mësipërme) duhet përcaktuar mirë për çfarë do të negociohet. Hapje e pjesshme kutish, të drejta dhe garanci suplementare për opozitën, bashkëqeverisje në një kabinet tranzicioni, bashkim i zgjedhjeve lokale me ato të përgjithshmet? Apo diçka e ndryshme nga këto? Sot dimë ende shumë pak mbi atë që mund të jetë kompromisi i ardhshëm, pasi Berisha dhe Rama nuk janë të gatshëm që të ketë një të tillë. Por shumë shpejt gjërat mund të ndryshojnë dhe dy krerët e mësipërm bëjnë mirë të përgatiten qysh tani. Dimri pritet të jetë i gjatë dhe i vështirë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama