Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Zgjedhjet europiane dhe kriza shqiptare

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 15 vite më parë

Skënder Minxhozi
Zgjedhjet europiane dhe kriza shqiptare

Dhjetë ditë më parë ndodhi rënia e zhurmshme e krahut politik të Presidentit Sarkozi në Francë. Një cunam politik mbi Presidentin, siç e quajti prestigjiozja franceze “Le Monde”. Një javë më vonë, kolegu i tij italian, Silvio Berluskoni, nuk pësoi të njëjtin fat, megjithëse shumëkush kishte parë më shumë se një ngjashmëri në këto dy votime të mes-mandatit, si për kreun e shtetit francez, ashtu edhe për Kavalieren e shumëpërfolur italian. Nuk është vetëm fakti se bëhej fjalë për zgjedhje lokale në dy vende të qeverisura nga një e djathtë me tipare të lexueshme populiste, por edhe shumë aspekte të tjera, përfshirë skandale dhe peripeci politike që kishin komplikuar jetët e dy politikanëve të fortë në të dy anët e Alpeve europiane.

Këto dy zgjedhje, bashkë me rezultatet e tyre, nuk arritën të krijojnë një tendencë, një kthesë apo një ndryshim kursi, që do ta ndihmonte sadopak të majtën europiane, që të dilte nga tuneli i errët ku ka hyrë gjatë pesëvjeçarit të fundit dhe që ka parë demokracitë më të mëdha të Europës së Bashkuar të kalojnë ose të përgatiten të kalojnë djathtas. Fitorja e Papandreut në Greqi ishte, siç po provohet përditë, një ngjarje specifike që lidhet me një situatë po ashtu specifike që po kalon fqinji ynë jugor.

Fitoret e Merkelit, Sarkozisë dhe Berluskonit, humbjet e thella të socialdemokratëve në Austri dhe tërmeti politik që pësoi e majta në Holandë apo Portugali e Hungari, janë padyshim goditje të rënda për aksionin politik të së majtës europiane, e cila numëron aktualisht një disavantazh të ndjeshëm numerik në Parlamentin Europian. Nëse ky trend preokupues do të ndalej me kaq, kjo do të ishte gjithsesi gjysma e së keqes. Pas qoshes qëndrojnë zgjedhjet e qershorit në Britaninë e Madhe, ku Gordon Braun mund të paguajë një dekadë e gjysmë lodhje të britanikëve të tij me qeverisjet laburiste. Po ashtu, pozita e Zapateros në Spanjë është e keqe dhe nëse edhe ai do të humbte, kuadri politik i Europës do të ishte më se pesimist për të majtën.

Kjo stinë e thatë nëpër të cilën po shkel e majta në Europë u detyrohet shumë faktorëve. Shkollat e mendimit politik rreshtojnë në këtë listë të zezë mungesën e figurave karizmatike, krizën e ideve dhe atë të ideologjisë që i ushqen ato, mbetjen prapa të vizionit të majtë për zhvillimet e reja nëpër të cilat shkel Europa e sotme dhe elasticitetin e munguar në trajtimin e sfidave të rrezikshme si ekonomia, siguria etj., me të cilat përballen qytetarët europianë.

Në ambientin tonë provincial dhe periferik, kjo përplasje krahësh politikë përjetohet më së shumti në optikën e përkrahjes ose jo të kauzës tonë të integrimit nga ana e qeverisjeve të kontinentit, apo edhe për rreshtimin e tyre në favor apo në disfavor të krerëve tanë politikë. Ky vizion i ngushtë mbështetet në mënyrë të pashmangshme në konceptin meskin që ne kemi ende për Europën, të cilën e shohim si një hapësirë ku mund të gjejmë punë, ku mund të shkojmë për të vizituar të afërmit tanë të ikur prej vitesh në emigracion, apo prej nga mund të vijë ndonjë kartëmonedhë jeshile (natyrisht në formë granti dhe jo kredie). Por kriza elektorale e pas 28 qershorit, me kompleksitetin e saj dhe rrethin vicioz që ka krijuar rreth problemit të hetimit të kutive të votimit, duket se e ka thirrur edhe më fort në kauzë Europën e Bashkuar dhe protagonistët e saj politikë.

Rreth zgjedhjeve shqiptare dhe për zgjedhjet shqiptare, po luhen gjatë muajve të fundit manovra politike. Jo vetëm në Tiranë, por edhe në Strasburg, Bruksel e Vjenë. Delegacione të mazhorancës dhe opozitës shqiptare kanë arritur të sensibilizojnë dukshëm (brenda nocionit të peshës dhe rëndësisë që ka Shqipëria në skakierën kontinentale), përfaqësues dhe institucione ku logjikohet në bazë të krahut politik. Kemi parë sesi përfaqësues të Këshillit të Europës, Asamblesë Parlamentare të OSBE-së apo eurodeputetë, janë rreshtuar më shumë se një herë në favor të homologëve të tyre politikë në Tiranë, duke u futur jo rrallë në detajet e një sherri që e njohin pak ose aspak. Fytyrës së njohur të Doris Pakut, kësaj ikone të improvizuar të politikës europiane që merrej me Shqipërinë, i janë shtuar emra dhe kombësi nga më të ndryshmet. Turq, çekë, sllovenë e plot kombe të tjera të mëdha e të vogla, kanë hyrë përmes përfaqësuesve të tyre në vallen e krizës shqiptare, duke i modeluar disa herë dukshëm qëndrimet e tyre, sipas syzeve partiake që mbajnë në vendin e tyre. Njihnim dikur Vranickin dhe Prodin, sot njohim Çavushoglunë dhe Fylen. Një ndryshim jo fort dinjitoz, e megjithatë pokeri politik me dosjen shqiptare ka vazhduar e do të vazhdojë, se herë që ne do të prodhojmë më shumë histori sesa jemi në gjendje të konsumojmë, për të perifrazuar Çurçillin.

Ky rreshtim forcash mbi baza ideologjike po rezulton një mjet i mirë propagandistik për Berishën dhe Ramën, në një ambient si ai shqiptar, ku sugjestioni i ndërkombëtarëve është bjerrur, por nuk është zhdukur. Duke qenë se tashmë kemi në xhep kartën e anëtarësisë në NATO dhe pretendojmë të avancojmë edhe drejt Bashkimit Europian, ky fokus, qoftë edhe hipokrit e i ngjyrosur i europianëve mbi hallet tona, do të vijojë të luajë rolin e tij. Veçse nuk duhet harruar kurrsesi se mjaft shpesh këto mesazhe që vijnë nga jashtë dhe që mbartin ngarkesën politike apo edhe emocionale të personave që mbajnë njërin ose tjetrin krah, krijojnë jo rrallë më shumë kaos dhe probleme, sesa prodhojnë zgjidhje. Provën e kemi para syve, ajo e ka emrin “raporti final i OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 28 qershorit”. Mjafton të lexosh akrobacitë e frazave dhe alkiminë politike të konkluzioneve, për të kuptuar se Europa e flamujve politikë nuk na ka ndihmuar në disa raste, por na ka shtyrë edhe më tej në batakun tonë të vogël ballkanik.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama