Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Qasje idiotike ne politiken shqiptare

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 17 vite më parë

Mustafa Nano
Qasje idiotike ne politiken shqiptare

Para dy ditësh na dëgjuan veshët çudinë kryeministrore të radhës. "Do ta shndërroj Shqipërinë në një superfuqi energjetike në rajon", tha kreu i qeverisë sonë. Dhe këtë objektiv - sipas tij të realizueshëm - e lidhi me objektivin për të ndërtuar sa më shpejt një (ndoshta më shumë se një) impiant bërthamor të prodhimit të energjisë. Ky Kryeministër, pasi e bëri Shqipërinë një parajsë të investitorëve të huaj nëpërmjet strategjisë kinse ndjellëse "Shqipëria, një euro", pasi na bëri të eksportojmë energji elektrike, pasi realizoi dhe shkripëzimin e ujit të detit (janë të gjitha premtime lunatike të bëra kohë pas kohe, s‘ka gjë se tanimë i ka marrë era), na premton më në fund për të na bërë një superfuqi energjetike të rajonit. Ndoshta pas pak kohësh do t‘i rikthehet objektivit tjetër, atij të ndërtimit të një tuneli nën Adriatik, për të na lidhur në rrugën më të shkurtër me fqinjin tonë perëndimor, që në fakt ka për autor një tjetër Kryeministër të Shqipërisë, Pandeli Majkon.

Ç‘është ky virus idiotësie që vibron në trurin e një numri politikanësh shqiptarë? Si është e mundur që nuk u punon sistemi i frenimit, kur vjen puna që u lindin në kokë pallavra të kësaj natyre? Është një marrí, që herë pas here kap thjesht ata, apo është një marrí që u vjen si frymëzim nga poshtë, d.m.th. nga shoqëria, të cilën përfaqësojnë politikisht dhe e cila i lejon të shtyhen deri në këtë farë feje me broçkulla të padëgjuara e kolosale? Si është e mundur që nuk del dobare një zë nga brenda politikës, për t‘u thënë: hej, miq, kemi rënë dakord t‘ju bëjmë kabull gjithçka, por nuk mund t‘ju lejojmë të flisni si në një çmendinë?

* * *

Kjo puna e energjisë bërthamore është disi e komplikuar dhe me sa duket, Kryeministri shqiptar ka mundur apo ka dashur të informohet veç në mënyrë poetike lidhur me të. Ose - kjo ka gjasa që më shumë - ai as që e ka idenë se ç‘janë centralet e energjisë bërthamore. Thjesht ia fut kot. Siç bën rëndom.

Është e vërtet që kohët e fundit centrale të tillë janë sërish in vogue. Ka kaluar shumë kohë nga aksidenti në Three Mile Island të Pensilavisë (1979) dhe nga shpërthimi i Chernobyl-it (1986). E për këtë arsye, kjo distancë kohore prej tragjedisë na ka bërë në një farë mënyrë t‘i harrojmë efektet e tyre (nga shpërthimi i Chernobyl-it kanë gjetur vdekjen rreth 4000 vetë). Përveç kësaj - kjo është më e rëndësishme - teknologjia bërthamore ka bërë përparime të dukshme në harkun e dy dekadave të fundit, gjë që do të thotë se këto centrale kanë një patentë sigurie më të madhe (në ndryshim nga kohë të shkuara, një reaktor bërthamor mund të fiket automatikisht, d.m.th. pa nevojën e dorës së njeriut, në situata të emergjencës) dhe se menaxhimi i mbeturinave bërthamore, ndonëse mbetet një problem i madh, është padiskutim më eficent. Janë vetëm këto përparime teknologjike që e kanë nxjerrë në skenë modën e centraleve me energji bërthamore? Jo, është dhe nevoja e vendeve të fuqishme për energji, gjë që i bën këto vende të injorojnë nga halli një sërë dizavantazhesh, shqetësimesh, frikërash e pasigurish. Karburantet tradicionale edhe po shterojnë, edhe janë në duart e qeverive jo fort miqësore me botën perëndimore (vendet arabe të Lindjes së Mesme, Rusia, etj). Si një ngushëllim në këtë mes sillet fakti, që lënda e parë më e rëndësishme për energjinë bërthamore (uraniumi), gjendet në vende shumë miqësore. Më tej, menaxhimi i centraleve bërthamore (pasi këta të fundit janë ndërtuar), nuk është shumë i kushtueshëm. Më në fund, centralet bërthamore, krahasuar me impiante tradicionalë të prodhimit të energjisë, janë më ekologjikë.

Të gjitha këto pra kanë bërë që qeveritë dhe shoqëritë e vendeve të rëndësishme perëndimore t‘i drejtojnë sytë edhe njëherë tjetër nga energjia bërthamore. Franca e ka bërë me kohë këtë gjë. Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po planifikojnë të merren seriozisht me to. Finlanda është duke ndërtuar një reaktor me energji bërthamore. John Howard, Kryeministri i Australisë, ku ka me shumicë uranium, por ku nuk ka asnjë reaktor, ka filluar të mendojë se energjia bërthamore është e paevitueshme. E kështu me radhë.

Por pse Shqipëria nuk mundka t‘u bashkohet këtyre vendeve? Për dy arsye shumë të thjeshta: së pari, ndërtimi i një centrali me energji bërthamore, është jashtëzakonisht i kushtueshëm. Dikush në shtypin shqiptar përmendte kuturú para dy ditësh shifrën 2 miliardë euro, por në fakt kostoja e ndërtimit është të paktën nja tre-katër herë më e madhe. Dhe kaq do të ishte mjaft për ta klasifikuar deklaratën kryeministrore si një idiotësi të pashoqe. Ku do t‘i gjejë Shqipëria kaq pará? Nuk ka ku t‘i gjejë asgjëkund. Ia fut krejt kot kush mendon, se ata që do t‘i hedhin këto pará, janë vetë investitorët e bankat e huaja të fuqishme. Po pse do t‘i hedhkan në Shqipëri? Për sytë e bukur të Kryeministrit? Këtu, për shkak të mungesës së stabilitetit politik, për shkak të mungesës së energjisë elektrike e të infrastrukturës në përgjithësi, për shkak të administratës e të qeverive të korruptuara, nuk po vjen askush për të hedhur qoftë dhe 1 milion euro në një investim të zakonshëm fitimprurës. Mund të përfytyrohet lehtë në këto rrethana "gatishmëria" e ndonjë banke apo ndonjë investitori për të hedhur 10 miliardë euro. Veç nëse këto banka e këta investitorë janë më të marrë se sa Kryeministri ynë, gjë që nuk ka si të jetë e mundur.

Por nuk mbaron këtu. Edhe sikur të gjendeshin këto para (supozim kot më kot, kuptohet), askush në botë nuk do t‘i jepte ok-in Shqipërisë për të ndërtuar një central të energjisë bërthamore. Centrale të tilla mund t‘i ndërtojë vetëm një vend me një shtet të fuqishëm, ku siguria e rendi janë ushqim i përditshëm dhe i garantuar për të gjithë qytetarët, ku stabiliteti politik e qeveritar është një gjë e marrë, si e dhënë e pamohueshme, e ku terroristët e kanë tmerrësisht të vështirë të hedhin në erë impiantet nukleare. Është Shqipëria një vend që i ofron këto sigurira? Kjo është një pyetje po aq idiotike sa edhe premtimi kryeministror për të ndërtuar impiante nukleare. Është idiotike, pasi Shqipëria është një vend, ku deri para se të vinte në pushtet ky Kryeministër, hidheshin në erë shtyllat e tensionit të lartë (e keni vënë re që, prej momentit që Berisha nuk është më në opozitë, shtyllat elektrike nuk hidhen më në erë?) e ku qeveris një njeri, që ka frikë të shkojë në vendin e tij të lindjes (ka mbi dhjetë vjet që ai nuk shkon në Tropojë).

Merret vesh pra, që premtimi për të ndërtuar impiante bërthamore në Shqipëri është një zhgjëndërr e shpifur, me të cilën nuk ia vlen fare të merresh, ashtu si nuk ia ka vlejtur të merresh me premtime të tjera të Kryeministrit lidhur me shkripëzimin e ujit të detit, me platformën "Shqipëria, një euro", me rishikimin e historisë, me luftën ndaj korrupsionit, me luftën ndaj komunizmit etj., etj. Duhet të bëjmë mirë që këtë njeri ta lëmë në idiotësinë e vet.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama