Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Nuk eshte problemi tek autoritarizmi

Shkruar nga: Blendi Kajsiu  
Botuar më: 15 vite më parë

Blendi Kajsiu
Nuk eshte problemi tek autoritarizmi

Jane te shumte analistet, gazetaret, politikanet, por edhe diplomatet nderkombetare, qe e identifikojne autoritarizimin si problemin themelor te demokracise Shqiptare. Te gjitha figurat kryesore politike te tranzicionit tone jane akuzuar per autoritarizem gjate ushtrimit te pushtetit. Edhe sot nje nga akuzat me te forta qe i behet Berishes eshte se ai i ka vene perfund institucionet e pavarura te shtetit dhe e gjithe qeverisja eshte njehsuar me vullnetin e tij, duke  e kthyer Shqiperine ne njefare Saligradi, po te perdorim nje shprehje te Mjaftit. Sipas ketyre zerave, ne analizen e fundit i bie qe fati i çdo qytetari shqiptar tashme eshte ne duart e Saliut. Po a eshte sot problemi themelor i shtetit shqiptar, fakti se pushteti eshte i centralizuar ne nje pale duar? Qe shteti shqiptar nuk funksionon mire ne shume hallka te tij eshte nje konstatim per te cilin mund te biem dakord mjaft lehte. Por qe shteti shqiptar nuk funksionon mire sepse e ka shtene ne dore Saliu eshte nje konkluzion, sa i thjeshte aq edhe i gabuar.  eshte e vertete qe Berisha dhe pushteti aktual jane perplasur me institucionet e pavarura, si Prokuroria apo Gjyqesori dhe madje kane dale te fituar ne kete perplasje. Ama fakti qe ekzekutivi ka arritur t’i vendose kufijte hapesires se hetimit dhe gjykimit, perkatesisht te prokurorise dhe gjykates, nuk do te thote se sot prokuroria dhe sistemi gjyqesor jane ne dore te Berishes. Ndonese me ndryshimet kushtetuese, e bera nga çifti Rama-Berisha, nje dite diçka e tille mund te ndodhe.  Po keshtu fakti qe Berisha arrin te kufizoje pushtetin e Bashkise se Tiranes nuk do te thote se Bashkia kontrollohet nga Berisha. Madje edhe ne bashkite e PD-se, kontrolli i ekzekutivit nuk eshte total pasi ne fund te fundit kryebashkiaket jane te zgjedhur direkt nga elektorati dhe per pasoje gezojne nje legjitimitet qe buron pjeserisht jashte partise. Ndaj nese flasim per pushtetin vendor, kontrolli i ekzekutivit mbi te eshte ose inekzistent, ne rastin e bashkive socialiste, ose jo total ne rastin e bashkive demokrate. Pra pushteti vendor, qe eshte nje hapesire e rendesishme e shtetit shqiptar, nuk mund te thuhet se kontrollohet nga nje pale duar te ekzekutivit edhe pse shpesh kufizohet prej tyre. E njejta gje mund te thuhet edhe per pushtete joshteterore si ai mediatik. eshte e veshtire te thuhet sot se pushteti qendror, Berisha apo edhe Rama kontrollojne ndonje media. As Tv “Klan”, as “Top Channel”, apo “Vizion Plus” nuk jane nen kontrollin e Berishes apo Rames, edhe pse u sherbejne atyre. Kompleksi mediatiko-politiko-biznes eshte nje kompleks me axhenden e tij, shpesh i mbyllur dhe manipulues, por ai nuk ka lidhje me autoritarizmin. Marredhenia media-politike nuk eshte nje marredhenie subordinimi, por perdorimi te ndersjelle. Te shikosh sot Berishen apo Ramen si maskarenjte autoritare, qe perdorin median, do te thote te shikosh vetem njeren ane te ekuacionit dhe te injorosh menyren se si mediat private perdorin Berishen dhe Ramen, apo kedo politikan te radhes ne pushtet.
Per me teper, eshte veshtire te imagjinosh nje sistem politik autoritar si ky i yni, ku media, analistet dhe gazetaret gjithe diten kritikojne dhe denoncojne ekzekutivin dhe kreun e tij. Ku televizionet dhe mediat kryesore jane ne nje pjese te mire kunder pushtetit ekzekutiv. Natyrisht, kjo nuk do te thote se media shqiptare nuk ka probleme me pushtetin, apo se ky i fundit nuk ushtron presion. Ama te thuash qe media eshte viktime e autoritarizmit do te thote te injorosh pavaresine, autonomine dhe pushtetin e mediave sot ne Shqiperi. Do te thote te injorosh edhe menyren se si shpesh me kete pushtet abuzohet. Por nese autoritarizmi nuk perben problemin themelor te shtetit apo politikes sone, aq me pak mund te themi se ai perben problemin themelor per shoqerine. Kjo nuk do te thote se mes pushtetit nga njera ane dhe qytetarit shqiptar nga ana tjeter, nuk ka probleme. Ky i fundit vuan dhe sorollatet jo pak ne zyrat e pushtetit, ku po nuk pate lidhjet e duhura, nuk mbaron pune kollaj. Por ideja se fati i qytetareve shqiptare eshte ne duart e Saliut apo te ekzekutivit, eshte nje hiperbolizim i pasakte, per faktin e thjeshte se fati i shumices se qytetareve shqiptare ka pak ose aspak lidhje me shtetin shqiptar ne pergjithesi. Shumica e qytetareve shqiptare punesimin, leket dhe mbijetesen e sigurojne me forcat e veta, ne nje sistem ku shteti nuk u jep ndonje dore. Ne kete aspekt, shumices se qytetareve shqiptare nuk ua ndjen shume as per shtetin as per Saliun, edhe pse kete te fundit mediat ia perplasin perdite ne surrat.
* * *
Ne kete pike, dikush me te drejte mund te shtroje argumentin se autoritarizmi ne Shqiperi eshte problem qe ka te beje me menyren se si ushtrohet pushteti. Problemi eshte me ‘stilin e lidershipit’. Me autoritarizem nenkuptohet pushteti qe ushtrohet ne menyre te personalizuar, duke shperfillur institucionet, ligjin dhe normat demokratike. Problemi eshte me personalizimin e pushtetit. Dhe shembulli me i mire i ketij fenomeni jane partite politike, qe jane njehsuar me liderin dhe ku mungojne forumet, institucionet, hapesirat per diskutim, debat, per pjesemarrje dhe kontroll demokratik. Keshtu, nese PD-ja prej kohesh eshte njehsuar me Berishen, PS-ja gjithnje e me teper po njehsohet me Ramen. Nderkohe, i ashtequajturi “mendimi ndryshe” ka pak ose aspak hapesire, ndersa per kontroll ligjor, statutor apo demokratik te lidershipit nga baza, as qe nuk behet fjale.
Problemi eshte se njehsimi i partise me liderin buron nga fakti qe shoqeria shqiptare eshte tejet e fragmentarizuar si pasoje e nje modeli zhvillimi, qe nuk stimulon krijimin e grupeve te gjera te interesit apo shtresave te gjera sociale. Hapja totale e ekonomise sone, terheqja e thelle e shtetit nga ekonomia, mungesa e politikave sociale dhe zhvillimore dhe de-ideologjizimi i politikes, kane prodhuar nje strukture sociale tejet te fragmentarizuar, ku mungojne grupime apo shtresime te gjera shoqerore dhe ku secili perqendrohet tek perfitimi i ngushte vetjak (kete aspekt e kemi trajtuar me gjere tek dy artikuj te meparshem, me titullin “Kriza Jone”). Ne keto kushte, partite politike shqiptare nga struktura ideologjike, apo perfaqesuese te shtresave te caktuara sociale, jane kthyer ne struktura klienteliste, qe ne vend te nevojave sektoriale, kenaqin nevoja individuale apo klanore. Diku premtohet nje ure, diku nje rruge, diku ca vende pune e diku nje tender, sipas interesave te zones, fshatit, apo biznesit ku kerkohet vota apo leku per fushate.
Per pasoje, ajo qe e mban bashke partine nuk eshte ideologjia, programi, apo interesi i pergjithshem i ndonje grupi apo shtrese sociale qe ajo perfaqeson. eshte deshira per pushtet, qe materializohet te vete lideri. Ky i fundit behet pika ku takohen, perplasen, balancohen dhe ngjizen multipliciteti i interesave brenda dhe rreth partise, te cilat jane te lidhura direkt me te dhe jo te ndermjetesuara nepermjet forumeve apo grupeve te interesit brenda partise (lideri nuk takon perfaqesues gazetaresh, biznesesh apo punetoresh, por gazetare, biznesmene dhe punetore te veçante, secili me hallet dhe interesat e veta). Per klientelen brenda dhe rreth partise, legjitimiteti i liderit nuk buron nga ideologjia apo programi qe ai perfaqeson, por nga vete pushteti qe ai zoteron si pasoje e te qenurit lider i partise. Ne momentin qe pushteti dhe legjitimiteti njehsohen te lideri si individ, ushtrimi i pushtetit nuk mund te jete veçse i personalizuar, ose i quajtur ndryshe, autoritarist. Ama ky eshte shkaku fundor i nje sere pasojash me themelore. Ndaj te thuash qe problemi me partite shqiptare eshte autoritarizmi i lidereve, do te thote t’i meshosh pasojes, duke injoruar shkakun. Demokracia ne Shqiperi çalon jo sepse pushteti ushtrohet ne menyre autoritariste, por pushteti ushtrohet ne menyre autoritare, sepse demokracia jone çalon. Dhe ketu nuk kemi te bejme me loje fjalesh, por me nje marredhenie thelbesore shkak– pasoje. Deshtimi i demokracise sone buron nga vete menyra se si eshte strukturuar dhe funksionon shoqeria shqiptare sot. Nje strukturim, qe e ben e ben te pakuptimte organizmin demokratik te procesit politik.  Ne kushtet kur partite jane kthyer ne struktura klienteliste, demokracia e brendshme ka humbur kuptimin. Demokraci e brendshme do te thote nje hapesire per shprehjen e “mendimit ndryshe”. Po çfare mendimi ndryshe ka sot brenda partive shqiptare? Ne cilen nga partite tona sot ka perplasje mes rrymave me ide te ndryshme per qeverisjen apo orientimin e partise (siç ndodhte para vitit 1997 si brenda PD-se, edhe brenda PS-se)? Perplasja madhore qe ndodh sot brenda partive eshte mes interesave dhe jo mes mendimeve te ndryshme. eshte nje perplasje qe ka ne qender luften per pushtet dhe jo debatin se çfare duhet bere me pushtetin. Kur perplasja politike reduktohet thjesht te lufta per pushtet, rotacioni prodhon nje klase te re politike, qe shpesh eshte me e keqe se e vjetra (mjafton te krahasosh Ramen me Nanon per t’u bindur ne lidhje me kete, apo te rinjte qe kane hyre ne politike me te vjeterit qe kane dale prej saj). Prandaj, theksi qe i vihet autoritarizmit si problem madhor i skenes sone politike injoron faktoret e thelle strukturore (te jashtem dhe te brendshem), qe kane deformuar demokracine shqiptare, duke u marre me persona te veçante. Injoron diversitetin e interesave te shumta mediatike, politike dhe ekonomike, qe perplasen sot mes njeri-tjetrit dhe menyren se si keto interesa i sherbejne njeri-tjetrit. Ne kete sistem askush nuk ka ne dore pultin e kontrollit. Natyrisht, dikush si Berisha, ne cilesine e kryeministrit, ka me shume pushtet dhe kontroll, por edhe ky eshte nje pushtet qe ka limitet e veta. Sado e cuditeshme qe mund t’i duket ndokujt, edhe pushteti i Berishes eshte i kufizuar nga nje mije fije balancash, interesash dhe klientelash qe ai duhet te kenaqe per te ndenjur ne pushtet. Pa permendur ketu faktorin e jashtem. Denoncimi i autoritarizmit si alfa dhe omega e problemeve te demokracise shqiptare do te thote ta reduktosh kete realitet kompleks tek sjellja e nje apo dy politikaneve, duke injoruar faktoret qe e prodhojne ate. Arsyet se perse ndodh dicka e tille do t’i shtjellojme ne vijim ne artikullin e rradhes me titull: “Po pse flitet kaq shume per autoritarizmin shqiptar?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama