Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ciklet e polarizimit

Shkruar nga: Blendi Kajsiu  
Botuar më: 15 vite më parë

Blendi Kajsiu
Ciklet e polarizimit

Pakkush e priste polarizimin aktual pozitë–opozitë, sidomos po të kemi parasysh se situata paraelektorale që nga shpërthimi i Gërdecit ka qenë mjaft miqësore midis PD dhe PS. Si mund të shpjegohet një polarizim i tillë? Përgjigjja e thjeshtë është se polarizimin e shkaktoi Edi Rama për të mos njohur zgjedhjet. Ndonëse e vërtetë, një përgjigje e tillë është e pjesshme sepse anashkalon një sërë momentesh të tjera në historinë e tranzicionit tonë, kur polarizimi politik është rritur. Ndaj në këtë artikull do tentojmë të ofrojmë një përgjigje, që e shpjegon polarizimin e skenës politike në mënyrë ciklike. Pra, kemi të bëjmë me një fenomen që ndodh herë pas herë dhe jo me një dukuri të veçuar që buron nga interesat e një politikani të caktuar edhe përse këto interesa mund të jenë pikënisja e polarizimit. Prandaj rrënjët e këtij fenomeni nuk duhen kërkuar thjesht tek interesat apo karakteri i një politikani në veçanti, por tek deformimi i demokracisë shqiptare në përgjithësi. 

Një vështrim i shpejtë i tranzicionit shqiptar nxjerr në pah faktin se polarizimi politik merr jetë pikërisht atëherë kur palët politike fillojnë të ngjasojnë gjithnjë e më shumë me njëra–tjetrën. Pra, polarizimi politik shqiptar është një fenomen që buron nga ngjashmëria e tepërt dhe jo nga ndryshimet e thella mes palëve politike. Ai zhvillohet dhe shërben për dy qëllime. Nga njëra anë fsheh ngjashmëritë themelore sociale, ideore dhe politike mes palëve. Nga ana tjetër krijon distancën mes tyre duke i detyruar aktorët dhe faktorët socialë të pozicionohen me njërën apo tjetrën palë.  Në mungesë të diferencave reale politike apo sociale mes palëve distancimi dhe diferenca bëhet nëpërmjet akuzave, denoncimeve dhe sharjeve të ndërsjella. Prandaj sharjet dhe etiketimet janë themelore në polarizimin politik shqiptar. Kemi të bëjmë me një polarizim që krijon iluzionin e diferencës dhe zgjedhjes në skenën politike duke luajtur kështu ‘lojën e demokracisë’ tamam kur diferenca dhe zgjedhja në skenën tonë politike mungon apo reduktohet.

Kështu polarizimi midis PD-së dhe PS-së ishte më i lartë pas dhe jo para 1992 kur diferencat mes tyre ishin më të thella si politikisht ashtu edhe shoqërisht. Mjafton të kujtojmë që para vitit 1992 PD dhe PS, jo vetëm kishin programe politike thellësisht të ndryshme, por edhe përfaqësonin shtresa të ndryshme shoqërore, PD kryesisht shtresat urbane dhe PS kryesisht ato rurale. E megjithatë polarizimi PD-PS rritet pas vitit 1992 teksa programet dhe shtresat shoqërore që ato përfaqësojnë ngjasojnë gjithnjë e më shumë. Në vitin 1996 kur antikomunizmi i PD-së arrin kulmin me ligjin antigenocid, PS-ja nuk ishte aspak kundër reformave neoliberale, as kundër shpejtësisë së tyre, por vetëm kundër mënyrës korruptive sesi ato zbatoheshin nga Partia Demokratike. Kulmi i polarizimit politik në Shqipëri arrihet në vitet 1997–1998 me rënien e piramidave dhe vrasjen e Azem Hajdarit. Ndonëse të rëndësishme këto ngjarje shërbyen edhe si pretekste dhe jo thjesht si shkaqe për polarizimin e situatës. Ajo që vëmë re në periudhën 1997-1998 është kulmimi i ngjashmërisë mes PD-së në opozitë dhe PS-së në pushtet. Me të ardhur në pushtet PS-ja dhe aleatët e saj jo vetëm vijuan, por edhe thelluan pikërisht ato reforma neoliberale dhe procese privatizimi që shpesh i kishin kritikuar kur ishin në opozitë. Për më tepër socialistët vijuan dhe thelluan partneritetin me të njëjtët aktorë dhe faktorë ndërkombëtarë si BE, NATO, FMN, Banka Botërore apo SHBA-të. Në fakt PS-ja e përqafoi konceptin neoliberal të tregut të lirë dhe shtetit të vogël edhe më fort se PD-ja gjatë qeverisjes së saj, edhe pse për nevoja praktike shteti jo gjithmonë reduktohej (d.m.th., për punësimin e militantëve PS-ja shpesh krijonte vende punë në administratë). Me të ardhur në pushtet PS-ja hoqi dorë nga çdo politikë proteksioniste për të nxitur prodhimin vendas, edhe si pasojë e presionit ndërkombëtar.

Një diference reale mes PD-së dhe PS-së filloi të krijohej vetëm disa vite pasi pushteti i PS-së filloi të degradonte në një korrupsion gjithnjë e më të dukshëm që u denoncua edhe nga fushata katarsis e Fatos Nanos. Me kalimin e viteve dhe në krahasim me korrupsionin socialist, ‘korrupsioni blu’ i demokratëve gjatë periudhës 1992–1996, dukej gjithnjë e më i largët dhe gjithnjë e më i vogël. Në këto kushte korrupsioni gradualisht u bë një element diferencues mes PD-së dhe PS-së në përgjithësi, dhe Berishës dhe Nanos në veçanti. Jo rastësisht parulla elektorale e PD-së në 2005 ishte ‘me duar të pastra’. Ky diferencim u vesh edhe me politikanët e rinj të KOP-it, sikurse u spërkat edhe me një profil më neoliberal të PD-së që propagandohej nga grupe vullnetarësh si ‘liberalët e djathtë’, që më shumë se njohuri reflektonin dashuri për idealin e tregut të lirë. Me pak fjalë në vitin 2005 mes PD-së dhe PS-së tashmë ishte krijuar një diferencë dhe distancë reale politike. Dhe jo rastësisht 2005 ishte një fushatë pozitive në tërësinë e saj. Aq sa në fjalimin e tij (tepër të gjatë) në kongresin e PD-së në vitin 2005 Sali Berisha as nuk e përmendi Fatos Nanon. 

Në të gjitha rastet e mësipërme shikojmë se pikërisht kur aktorët politikë fillojnë të ngjasojnë së tepërmi situata polarizohet duke krijuar distancën apo diferencën e munguar mes tyre. Kjo është ajo që po ndodh edhe sot. Ngjashmëria mes Ramës dhe Berishës ka kulmuar pothuajse në çdo aspekt. Nëse deri dje të dy liderët ishin të ngjashëm në përmbajtje sot ata janë të ngjashëm edhe në formë. Deri dje përmbajtja e tyre ishte identike; të dy ishin lider autoritar, që qeverisnin nëpërmjet rrjeteve klienteliste dhe shpesh korruptive, në qeveri apo bashki. Ama nga ana formale Berisha dhe Rama ndryshonin. Opozita e Ramës ndryshe nga ajo e Berishës ishte institucionale dhe jo antiinstitucionale. Madje pothuajse të gjitha rregullat e lojës dhe institucionet zgjedhore u bënë me pjesëmarrjen e saj. Sot kemi një Ramë që edhe në formë i ngjan Berishës dje në opozitë. Sot Rama ashtu sikurse Berisha dje është antiinstitucional; ai nuk njeh zgjedhjet, bojkoton parlamentin dhe mobilizon ‘politikën e rrugës’ nëpërmjet mitingjeve opozitare. Me pak fjalë kemi një Ramë që përdor instrumentet politike të Berishës që deri dje i denonconte. 

Pikërisht tek ky kulmim i ngjashmërisë përmbajtjesore dhe formale duhet kërkuar edhe polarizimi aktual i skenës politike. Kemi të bëjmë me një polarizim që buron edhe nga pasiguria e secilit aktor përballë kundërshtarit, si pasojë e mungesës së një identiteti të ndryshëm të ofertës politike të secilit lider. Në kushte të tilla të dy liderët janë në një garë të dëshpëruar dhe shpesh qesharake për të diferencuar vetveten nga tjetri. Kështu Berisha thotë në parlament se Rama rreh gruan në publik. Nënteksti është se në ndryshim nga Rama ai e respekton gruan e tij. Rama na thotë se Berisha është gënjeshtar. Nënteksti; ndryshe nga Berisha unë nuk gënjej.  Kemi të bëjmë me një garë që ngjason me ato lojërat në gazeta me titull ’gjeni diferencën’ mes dy figurave në pamje të parë identike. Në këto kushte thirrjet e ndërkombëtarëve që palët të gjejnë gjuhën e përbashkët të konsensusit janë krejt pa kuptim. Palët po përplasen pikërisht sepse gjuhën, idetë, mënyrën e qeverisjes e kanë të përbashkët dhe jo të ndryshme.  Konsensusin ata do ta arrijnë vetëm pasi polarizimi politik të ketë krijuar një distancë dhe diferencë të mjaftueshme për të fshehur ngjashmëritë që do dalin në pah kur ata të ulen krah për krah në tryezën e bisedimeve.

Natyrisht kjo nuk do të thotë se polarizimi duhet marrë lehtë. Për sa kohë ai synon që të krijojë diferencën e munguar mes palëve, dhe për sa kohë palët nuk kanë një identitet të ndryshëm përmbajtjesor apo formal diferenca mes tyre mund të krijohet vetëm nëpërmjet një polarizimi konfrontues. E thënë thjeshtë, diferenca krijohet duke mohuar, denoncuar apo denigruar tjetrin, pra duke u përplasur me të. Ama kjo është një situatë që mund të degjenerojë shumë lehtë pasi ajo karikon dhe mobilizon palët duke theksuar rrezikun që paraqet pala tjetër. Kështu Rama i mobilizoi të vetët përballë rrezikut Berisha, dhe Berisha i mobilizoi të vetët përballë rrezikut Rama. Më shumë sesa rreth liderit të tyre si socialistët ashtu edhe demokratët u mobilizuan kundër liderit kundërshtar. Në të dyja rastet mobilizimi buron nga urrejtja e tjetrit dhe jo nga dashuria për veten. Kjo vihet re edhe në debatin publik ku analistët ndahen jo në ata që mbrojnë, por në ata që sulmojnë Berishën dhe ata që sulmojnë Ramën.

Dhe kjo ndodh sepse si PD edhe PS nuk kanë ndonjë identitet të ndryshëm përmbajtjesor, të dyja flasin në të njëjtën mënyrë dhe për të njëjtat gjëra, integrimi, zhvillimi, demokracia, vizat.  Të dyja me të njëjtat premtime i drejtohen popullit në përgjithësi dhe asnjë shtrese sociale në veçanti. Ajo që i diferencon është vetëm kundërshtia mes tyre, e cila duhet theksuar pikërisht kur palët fillojnë e ngjajnë deri në atë pikë sa procesi demokratik humbet kuptimin. Ndaj ky lloj polarizimi do vazhdojë në skenën tonë politike për sa kohë palët politike nuk arrin të krijojnë identitete përmbajtjesore. Pra, një identitet politik që mobilizon grupe dhe shtresa të gjera sociale dhe jo interesa të ngushta individësh apo klanesh. Ama diçka e tillë është e pamundur në kuadrin e krizës së përgjithshme të sistemit tonë politiko-ekonomik, që buron nga mospërputhja mes asaj që presupozon sistemi politik dhe asaj që prodhon sistemi ynë ekonomik. Pra mos përputhja mes demokracisë pluraliste që ne po përpiqemi të ndërtojmë dhe efekteve të ekonomisë neoliberale që po përpiqemi të implementojmë. Këtë mospërputhje që përbën edhe thelbin e krizës sonë do ta shtjellojmë në një artikull tjetër me titullin e gjetur “Kriza jonë”.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama