Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kushtetuta, bojkoti dhe mandatet

Shkruar nga: Kastriot Islami  
Botuar më: 15 vite më parë

Kastriot Islami
Kushtetuta, bojkoti dhe mandatet

Bojkoti i Parlamentit është një praktikë e vendeve me demokraci problematike  Një vend tipik në bojkot sistematik e ciklik është Bangladeshi. Në parim bojkoti është i papranueshëm dhe pothuajse gjithnjë vetëvrasës për forcën politike që e aplikon. Përgjithësisht rezulton si një praktikë e mbështetur në mentalitetin e vjetër për të ndryshuar një gjendje problematike me mjete e veprime radikale. Jo rrallë mendohet se duke bojkotuar do të krijohet destabilitet politik nga mungesa e opozitës në Kuvend. Bile, ka raste kur drejtuesit e grupimit që aplikojnë bojkotin mendojnë se përmes krijimit të destabilitetit politik ose maxhoranca do të dorëzohet, duke pranuar kushtet e vendosura prej saj me synimin për të realizuar zgjedhje të parakohshme, ose komuniteti ndërkombëtar do të ndërhynte për të gjetur kompromisin që zgjidh kërkesën e tij, e cila po ashtu paraprin realizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Gjë që nuk ka ndodhur dhe nuk ka shumë gjasa të ndodhë, për faktin e thjeshtë se komuniteti ndërkombëtar nuk kërkon të bëhet palë e taktikave të tipit ballkanik e tanimë të përsëritura për të arritur qëllimet politike “duke mos dëgjuar nga njëra anë këshillat e partnerëve ndërkombëtarë për mos aplikimin e bojkotit dhe duke tentuar të tërheqë nga ana tjetër ndërkombëtarët në gjetjen e kompromisit për kryerjen e zgjedhjeve të parakohshme përmes destabilitetit politik”. Rruga e arritjes së qëllimit politik për zgjedhje të parakohshme përmes destabilitetit politik nga bojkoti dhe protestat nuk ka gjasa të jetë e suksesshme dhe konsiderohet e tejkaluar për Shqipërinë e një precedent i rrezikshëm pa asnjë mbështetje ndërkombëtare.

Ky precedent i konsideruar i rrezikshëm, jo vetëm nuk do të kishte përkrahje ndërkombëtare, por në momentin adekuat nëse evantualisht do të ishte e nevojshme do të goditej publikisht, ndërkohë që mesazhet publike dhe jopublike kanë qenë të qarta. Ky projekt me shumë gjasa do të dështojë dhe PS herët a vonë do të futet në Kuvend pa arritur të sigurojë hapjen e kutive të votimit; në këtë rast asnjë lloj alibie nuk do të mund të shërbente më për të justifikuar të gjithë sjelljen absurde të deritanishme. E vetmja mënyrë do të ishte, duke u kërkuar falje militantëve e shqiptarëve, si dhe të gjithë atyre që e këshilluan të vepronte ndryshe... kjo do të ishte kostoja minimale që duhet paguar, sepse nëse do të fillonte zvarritjet për të vazhduar të njëjtin avaz me teknologji tjetër do të bëhej akoma edhe më qesharake...

Komuniteti ndërkombëtar është kundër bojkotit...

Shqipëria është po ashtu një vend tipik që e ka aplikuar bojkotin e Kuvendit në mënyrë të përsëritur e sistematikisht gjatë 18 vjetëve pas vendosjes së demokracisë, por gjithnjë pa asnjë efikasitet politik. Arsyet kanë qenë në thelb gjithnjë të njëjta, mos njohje se legjitimitetit të rezultatit zgjedhor dhe kushtëzim i pjesëmarrjes në punimet e Kuvendit me kërkesën për zgjedhje të parakohshme. Kjo po ndodh edhe pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, ndonëse e paraprirë me kërkesën për hapjen e kutive të votimit.

Në asnjë rast faktori ndërkombëtar nuk e ka mbështetur bojkotin, bile e ka dënuar atë si një praktikë jo të këshillueshme për një sistem demokratik, siç është rasti i Shqipërisë i shoqëruar me shumë probleme e defekte. Tentativat për të fituar mbështetjen ndërkombëtare për bojkotin dhe arritjen e qëllimeve politike përmes tij janë dhe do të jenë të dështuara. Interpretimet dhe (keq)përdorimet e qëndrimeve të ndërkombëtareve për këtë aspekt mbeten një teknologji e vjetër  dhe jo e suksesshme as edhe për konsum të brendshëm demagogjik të militantëve sepse nuk janë afatgjata minimalisht. Asnjë grupim politik në Shqipëri nuk ka nxjerrë përfitim politik nga aplikimi i bojkotit dhe me mënyrën si është aplikuar gjithnjë forca politike ka dalë e humbur dhe e dobësuar edhe për shkak të mungesës së një strategjie dalëse që minimalisht “ruan faqen”...

Bojkoti dhe mandati i deputetit...

Këtë radhë bojkotin e Kuvendit e ka shoqëruar edhe debati për mandatet e deputetëve. Debati është sa politik, aq edhe kushtetues. Bojkoti as lejohet dhe as pengohet nga pikëpamja ligjore e kushtetuese. Por fryma e një kushtetute demokratike e përjashton bojkotin, sepse presupozon që deputeti është zgjedhur për të përfaqësuar zgjedhësit në Kuvend dhe jo për qëndruar jashtë tij. Edhe në rastet kur vlerësohet se sistemi demokratik ka probleme fryma e Kushtetutës është e tillë që synon zgjidhjen e problemeve duke qëndruar brenda sistemit dhe jo duke dalë jashtë tij apo kundër tij. Nëse debati për mandatet do të mbetej në planin politik atëherë „është e pamundur të hiqen mandatet e deputetëve të opozitës” sepse kjo do t’i shërbente përkeqësimit të situatës politike dhe jo zgjidhjes. Nëse debati do të vendosej vetëm në planin ligjor atëherë Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit tregojnë kuadrin se si trajtohet çështja e “mandatit të deputetit”.  Natyrisht në asnjë rast nuk do të shmangej interferenca e përbërëses politike edhe në këtë trajtim ligjor.

Aspekti kushtetues dhe politik i trajtimit të mandatit të deputetit...

Zgjidhja politike për “hapjen e kutive” duket e pamundur përderisa kërkohet një zgjidhje që kërkon të gjejë emërues të përbashkët midis kërkesës politike së opozitës “për legjitimitet të cunguar të Kuvendit” dhe qëndrimit të prerë të maxhorancës “për legjitimitet të plotë” të saj. Ka shumë gjasa që kësaj situate pa zgjidhje t’i bashkëngjitet edhe debati për mandatet e deputetëve meqenëse Kushtetuta përcakton edhe disa afate në trajtimin e mandatit të deputetit dhe Rregullorja e Kuvendit ngarkon “... drejtuesin e seancës...” me disa kompetenca në rastin kur „...deputeti nuk pranon të betohet ose i shmanget betimit...”.

Sigurisht që ky debat do të zhvillohej nëse bojkoti do të zgjaste nga opozita jashtë kufijve logjikë apo kur do të vlerësohej nga maxhoranca se interesat e vendit do të cenoheshin, vlerësim që natyrisht do të ishte politik dhe pjesë e kalkulimeve politike të maxhorancës dhe opozitës. Në fund të fundit momentin e përfshirjes së “trajtimit ligjor të mandateve” përmes veprimit të “kryetarit të radhës” e ka në dorë maxhoranca. Ky do të ishte një moment tjetër që do të lehtësonte apo rëndonte klimën politike, por nuk mendoj në asnjë rast do të ndihmonte zgjidhjen politike që duket momentalisht e paarritshme. 

Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit mbi mandatin e deputetit..

Pa dashur të jap një sugjerim politik për trajtimin e mandatit të deputetit sepse gjykoj në çdo rast nuk do të ndodhte „mbarimi i mandatit” sepse së pari PS do të kthehej një ditë në Kuvend, por qoftë ndoshta edhe për arsye të aplikimit të Kushtetutës për deputetin si individ (jo në shumës) (mendoj se asnjë deputet nuk do të lejonte in ekstremis të humbte mandatin po t’i referohemi faktit se në nenin 70 pika 1 të Kushtetutës thuhet: “Deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues”) apo qoftë për shkak të trajtimit të arsyeshëm politik të kësaj çështjeje.

Është shumë e rëndësishme që të njihet saktësisht nga publiku trajtimi nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit çështja e „fillimit, ushtrimit dhe mbarimit të mandatit të deputetit...” në mënyrë që të njihet edhe kuadri kushtetues i veprimit politik në çdo rast. Sepse në fund të fundit për një vend ku synohet të aplikohet shteti ligjor dhe për më tepër mund të implikoheshin institucionet e rëndësishme të Kuvendit dhe të Gjykatës Kushtetuese është e rëndësishme të njihet kuadri kushtetues brenda të cilit mund të zhvillohen veprimet apo taktikat politike. Kjo për të mos ciftuar një situatë komplekse politike me një krizë eventuale kushtetuese nga një trajtim jo adekuat i çështjes së mandateve.

Mandati i deputetit „fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur..”, pra në rastin konkret të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 me shpalljen përfundimtare të listës së deputetëve nga KQZ në 1 gusht 2009. Ky përcaktim jepet i qartë në nenin 71 pika 1. të Kushtetutës ku thuhet: “Mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga Komisioni përkatës i Zgjedhjeve”.

Ushtrimi i mandatit fillon pasi kryhet betimi sepse në nenin 72. të Kushtetutës thuhet qartësisht se: “Para fillimit të ushtrimit të mandatit deputetët bëjnë betimin në Kuvend”. Kjo shërben për të bërë interpretimin se mandati bëhet të themi “ekzekutiv” vetëm pas betimit pra deri në momentin e betimit ai është vetëm një “mandat i fituar” dhe “i aplikueshëm potencialisht”. Kjo me sa duket shërben edhe si bazë për të trajtuar të gjithë privilegjet dhe imunitetin e deputetit të cilat bëhen të aplikueshme vetëm kur fillon ushtrimi i mandatit. Në një kuptim më konkret të gjithë privilegjet fillojnë vetëm pasi bëhet betimi pra vetëm pasi fillon ushtrimi i mandatit.

Rastet e mbarimit të mandatit të deputetit jepen në nenin 71 pika 2.a-dh) të Kushtetutës. Në fakt në këtë rast ka nevojë për një sqarim/interpretim lidhur me dallimin e termave që përshkruajnë kur mandati „mbaron” apo „është i pavlefshëm”. Në nenin 71 pika 2. thuhet shprehimisht se: “Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit: a) kur ai nuk bën betimin; b)   kur heq dorë nga mandati; c) kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjidhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70 paragrafët 2 dhe 3; ç) kur mbaron mandati i Kuvendit; d) kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend; dh) kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

Po t’i referohemi nenit 4 pika 5 të Rregullores së Kuvendit që ka për qëllim të detajojë përcaktimin kushtetues në rastin kur deputeti nuk bën betimin bëhet fjalë për „mbarim të mandatit” pra bazuar në këtë „qartësim” që rregullorja i bën kushtetutës rezulton se në nenin 72 pika 2 a) bëhet fjalë për mbarim të mandatit. Sidoqoftë në të dy rastet „mbarim i mandatit” apo „bërje e tij e pavlefshme” pasoja do të ishte e njëjtë (megjithatë ndoshta konstitucionalistët mund të kishin interpretim tjetër për këtë aspekt që do ta mirëprisja).
Në nenin 71 pika 2. a) thuhet se mandati mbaron kur deputeti „nuk bën betimin”. Ky është vetëm një përcaktim kushtetues ndërkohë që detajimi se çfarë do të thotë se „nuk bën betimin” dhe procedura jepen në rregulloren e Kuvendit.

Nisur nga fakti që Rregullorja nuk është kontestuar si një akt antikushtetues dhe për më tepër është miratuar me konsensus të plotë (kjo nuk ka natyrisht vlerë për të vlerësuar kushtetutshmërinë e Rregullores) atëherë detajimi në Rregullore i përcaktimit kushtetues të „mbarimit të mandatit” në formën siç jepet në nenin 5 pika 4 të Rregullores kur deputeti „..nuk pranon të betohet ose i shmanget betimit.. „ është tanimë i pranuar. Në fakt në këtë detajim të bërë nga rregullorja ka dy elementë 1) „deputeti nuk pranon të betohet” që do të thotë se në këtë rast do të duhet te ekzistonte një akt verbal apo deklarativ institucional i deputetit që „nuk pranon të betohet” ose 2) „deputeti i shmanget betimit” përcaktim që lë hapësirë interpretimi në kuptimin që „shmangien nga betimi” do të mund ta vlerësonte: “...

Drejtuesi i seancës, në këshillim me Sekretarinë e Përkohshme”, siç përshkruhet nga neni 5 pika 4 e Rregullores së Kuvendit. Por natyrisht kjo nuk do të mund të ndodhte në asnjë rast pa një komunikim apo bashkëveprim paraprak e individual me deputetin përkatës para se të arrihej në grumbullimin e të gjithë informacioneve, vlerësimin e arsyeve dhe bërjen e arsyetimit që çojnë në përfundimin për „shmangien e betimit” e më tej „mbarimin e mandatit”.. 

Në nenin 72 pika 2. d) thuhet se: “Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm..” „... kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend...”. Edhe në këtë rast çështja është e interpretueshme lidhur me faktin cila vlerësohet „mungesë pa arsye” dhe për më tepër debati do të kthehej në politik lidhur me faktin nëse „bojkoti quhet mungesë me arsye apo jo”.

Në vend të përfundimit...

Bojkoti është një veprim politik që gjykoj nuk do të realizojë presionin e mjaftueshëm as për „hapjen e kutive të votimit” dhe as së bashku me „protestat” nuk do të mund të sigurojnë arritjen e qëllimit politik të zgjedhjeve të parakohshme (do të uroja të isha i gabuar në këtë përfundim racional dhe të „triumfonte” opsioni emocional dhe për mua krejtësisht demagogjik). Pavarësisht motivit dhe argumenteve skenari „i bojkotit apo i bojkotit plus protesta” për të detyruar maxhorancës të pranojë „hapjen e kutive të votimit, ose „zgjedhje të parakohshme” ose „destabilitet politik” jo vetëm nuk kanë shumë gjasa të ndodhë, por përsëris do të konsiderohej një precedent i rrezikshëm që nuk gjen mbështetje as nga publiku vendas dhe as ndërkombëtare.

Ciftmi i bojkotit me çështjen e mandateve të deputetëve ndonëse i pashmangshëm nga këndvështrimi kushtetues e ligjor do të shoqërohej me komplikim të situatës politike. Çështja e mandatit të deputetit është qartësisht e trajtuar në Kushtetutë dhe në rregulloren e Kuvendit, ndërkohë që trajtimi në bllok i mandateve të deputetëve të opozitës do të kthehej në një debat të nxehtë politik, por pa ndikim as në humbjen e mandateve dhe as në arritjen e qëllimit politik nga opozita përmes bojkotit dhe/ose protestave. Natyrisht këto debate do të mbylleshin nëse PS do t’i kthehej normalitetit me prezencën e saj në kuvend dhe do të përdorte të gjithë potencialet e kapacitetet e saj për të investiguar e vlerësuar çfarë ka ndodhur me realizëm në zgjedhjet e 28 qershorit e implementuar rekomandimet e OSBE/ODHIR në funksion të mbrojtjes së votës së lirë në të ardhmen.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama