Sa do doja të isha Kroat!

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 11 vite më parë

Mustafa Nano
Sa do doja të isha Kroat!

Ja një fotografi e ditës së djeshme: makina që uturinin e që u binin borive rrugëve të Tiranës; prej këtyre makinave nxirrnin kokën njerëz, që sapo kishin zbuluar brenda vetes sentimente të egra euro-atlantiste; një varg i gjatë makinash të tjera kishin dalë në Rinas për të pritur delegacionin që sillte dokumentin e anëtarësimit; trafiku nëpër rrugët e Tiranës ishte totalisht i bllokuar; kamerat televizive të të gjitha televizioneve filmonin e përcillnin drejtpërsëdrejti në shtëpitë e shqiptarëve të shkretë pamje nga mbërritja triumfatore e këtij delegacioni të fantaksur. TVSH-ja (të kuptohemi, jo Taksa e Vlerës së Shtuar, por TeleVizioni Shqiptar, që funksionon me taksat tona) kish improvizuar një ekran në sheshin "Skënderbej", dhe prej andej u shpërndante të gjithë kalimtarëve pamjet e fitores, pamjet e festës, pamjet e mbërritjes së triumfatorëve alienë, deklaratat e ndërkryera të njeriut më të ndërkryer të këtyre anëve tona (ka nevojë t‘i thuhet emri?). Kudo kish makina policie, policë, sirena, poster-a të mëdhenj, flamuj kombëtarë, flamuj të Partisë së lavdishme Demokratike.

Dy ditë përpara anëtarësimit të Shqipërisë në NATO shkrova një artikull, në të cilin theksoja pa asnjë ndërdyshje rëndësinë e kësaj ngjarjeje. Por ajo që ndodhi dy ditë më pas (për dy ditë me radhë) ishte një histeri kolektive, që nuk kishte asnjë lidhje me rëndësinë e ngjarjes. Ishte një gjë e bezdisshme dhe fyese; madje, ishte - këtë po e them gjithashtu pa asnjë ndërdyshje - dhe e turpshme. Delegacione të përcjella me pompë gati perandorake, tam-tam-e të pafundme mass-media-tike, pamje kinse të përdëllyera politikanësh, qurravitje e buzëqeshje të jargavitura delegatësh shqiptarë përballë big-wig-ësh euro-atlantikë, fytyra të përflakura anchormen-ësh televizivë, që me këtë rast kishin veshur rrobat e reporterit patetik në shërbim të regjimit, apo në ndjekje të frymës së regjimit, intervista e fjalime të mbushura me mbiemra e përcaktorë të shkallës sipërore, koncerte, tubime, garë programesh televizive me temë anëtarësimin në NATO, lajme, lajme e prapë lajme të lidhura prapë me dy anët e Rhine-it të famshëm, transmetim live i ngjarjes nga Strasbourg-u, Kehl-i e Baden-Baden-i, kthim prej pushtuesish-triumfatorë në Tiranë, dyndje "spontane" e njerëzve nëpër rrugët e Tiranës me rastin e mbërritjes së udhëheqësve tanë të mëdhenj (O Zot, më vjen për të qarë dhe mua, por jo prej përdëllimit e jo prej emocioneve patriotike!), e kështu me radhë, e kështu pa fund. Festa vazhdon.

Pak më sipër, përmenda shërbimin ndaj regjimit, por edhe kapitullimin përballë frymës së regjimit. Po shpjegohem. Kemi shërbëtorët e regjimit, të cilët dallohen që larg, sidozot një numër institucionesh shtetërore, televizionin publik, televizionin "Klan", por, në anën tjetër, kemi edhe disa "institucione" kombëtare të njohura në vijimësi për qasjen anti-regjim, të cilat kanë kapitulluar megjithatë përballë frymës së regjimit (me frymë kuptoj çdo gjë që na bën ta shohim veten si shërbëtorë të politikës, qeverisë, shtetit, e jo të shohim këto të fundit si shërbëtoret tona. Kjo pra e dallon frymën e të gjitha regjimeve; afërmendsh edhe të regjimit ku po jetojmë). Çfarë kam parasysh me "institucione" kombëtare armike të regjimit dhe mike të frymës së këtij regjimi? Kam parasysh opozitën politike, e cila, jo vetëm nuk arriti ta denonconte këtë harbim të çmendur e pa kuptim, por u bë pjesë e këtij harbimi, kam parasysh mass-media-n opozitare, kam parasysh "Top Channel"-in (ishte interesante të vije re se si përthyhej në të dyja anët e Rhine-it logjika sektare e Tiranës: në të njëjtën orë të ditës, ndërsa Fevziu intervistonte ghibelini-n Berisha, Balla intervistonte guelfin Topi. Që të katërt ishin në një gjendje orgazmatike), kam parasysh një frymë të tërë homogjene, rrjedhimisht hegjemone. Kjo frymë të kall datën më shumë se sa një Kryeministër i sëmurë e bandit; kjo frymë të kall datën më shumë se sa vetë regjimi, i cili - për këtë nuk duhen më prova - po përgatitet të na vjedhë edhe rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme; kjo frymë të kall datën, pasi nxit (ose legjitimon) zhdukjen e të gjitha foltoreve, nga ku mund të dëgjohen edhe zëra të mekur heterodoksë; kjo frymë të kall datën, pasi na bën të jetojmë me idenë që në këtë botë kanë rëndësi jo dinjiteti e liria jonë individuale, po një moral e ca konvencione kolektive, mbi të cilat ngrihen pushtete arbitrare e jetëgjata; kjo frymë të kall datën, pasi shpeshherë nuk ka nevojë të të censurojnë, ngaqë ti censuron vetveten prej frikës se gjindja mund të të izolojë, ose mund të të japë munxët; kjo frymë të kall datën, pasi edhe atdheun ta bën të huaj. Këto tri-katër ditë nuk do doja të isha shqiptar; do doja të isha, fjala vjen, kroat, pasi kështu, nga njëra anë do të mund t‘i gëzohesha një si biçim afermacioni euro-atlantik të vendit tim, nga ana tjetër as nuk do të përqeshesha prej pacipësisë së regjimit, as nuk do të nëpërkëmbesha prej frymës së regjimit. Në Kroaci, në të njëjtat ditë e për të njëjtën ngjarje, nuk ka pasur asnjë lloj harbimi; festa e anëtarësimit në NATO nuk prishi asnjë axhendë të jetës kroate, e cila rrodhi normalisht, ashtu si ditët e tjera; i vetmi ndryshim kishte të bënte me një theks pakëz më të madh mass-media-tik mbi ngjarjen. Por, edhe ky ishte theks pastërtisht mass-media-tik, i pandotur prej frymës së ndonjë regjimi. Ja, prandaj do doja të isha kroat këto tri-katër ditë të shkuara. E nëse zgjedhjet e ardhshme nuk do të bëjnë gjë tjetër, veçse do të konfirmojnë këtë regjim banditësh e rrugaçësh (n‘daçi me vota të vjedhura, n‘daçi me vota të fituara ndershmërisht), unë do doja të isha kroat përgjithmonë. Në këto rrethana, po të kisha para, do t‘i bëja naftën këtij vendi, do t‘ia bëja naftën për aq kohë sa do të komandohej prej një njeriu, që nuk la gjë pa vjedhur në këtë vend (po na vjedh dhe një arritje, e cila asëll-asëll veç atij nuk i takon asnjë çikë). Do ta bëja këtë për të mos u identifikuar pa fund me atë soj shqiptarësh, të cilët janë vënë pa fund në mbështetje të tij, por edhe ngaqë historia e këtyre viteve ka treguar se kur ky vend komandohet nga ata, nuk ka vend për të tjerë, që janë të ndryshëm prej tyre. Por për fat të keq nuk kam para. Në vend të tyre kam një dëshirë: do doja të isha kroat!

Janë ca pyetje që kam pasur më së shumti në kokë këto ditët e harbimit të madh e të turpshëm, e që kanë lidhje me arsyetimet e sapobëra: Si është e mundur që ky vend të bjerë e të mbesë gjithë kohën në duart e bandave të tilla? Si i bëhet me ata shqiptarë që, më shumë se sa lajme 24 orë non stop mbi NATO-n, duan të shohin në televizor telefilmin e preferuar? Si i bëhet me ata shqiptarë, që në orët e kësaj karnavaleje zyrtare, d.m.th. në orët e bllokimit total të Tiranës, duan të shkojnë të luajnë calcetto, duan të dalin shëtitje nga liqeni, duan të bëjnë një xhiro deri në Durrës, duan të ngjiten në malin e Dajtit për të thithur pak ajër të pastër, duan të bëjnë një xhiro me biçikletë nëpër rrugët e qytetit, duan të shkojnë në kinema, në teatër, në opera, duan të shkojnë te dentisti, apo te psikologu, apo te kursi i gjuhës së huaj, te prindërit e tyre në nevojë etj., etj.? Shkurt, si i bëhet me ata shqiptarë, të cilët nuk duan t‘ia dinë për festa të tilla? A kanë të drejtë këta njerëz të bëjnë një jetë që nuk lëndohet prej axhendës së bandave me pushtet? A është ky vend edhe i tyre? A ka vend në këtë vend edhe për njerëz që nuk kanë e nuk duan të kenë asnjë lidhje me bandat në pushtet, rrjedhimisht as me gëzimet, as me hidhërimet e tyre? A mos vallë që të gjithë këta (dhe me siguri janë shumica e banorëve të këtij vendi) do të duhej të thoshin: Ah, si s‘jemi kroatë?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama