Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ka të moderuar në Shqipëri? Për ke do të votojnë?

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 16 vite më parë

Mustafa Nano
Ka të moderuar në Shqipëri? Për ke do të votojnë?

Fjalimi i fundit i Edi Ramës në foltoren pranë Kryeministrisë me rastin e njëvjetorit të ngjarjes tragjike të Gërdecit ishte shprehja e qartë retorike e sjelljes politike të kohëve të fundit, që ai ka adoptuar në komunikimin me publikun: tone të kontrolluara, mesazhe të buta, gjuhë e latuar, profil jo veçanërisht agresiv me kundërshtarët në pushtet dhe një qasje më antagoniste ndaj një politike gati të impersonalizuar, të cilën e ka pagëzuar me emrin disi prozaik e jo shumë ndjellës "politika e vjetër".

Nëse do t‘i hiqnim kësaj sjelljeje e këtij qëndrimi (fjalimit të para dy ditëve, gjithashtu) atë ingredientin anti-LSI të hedhur me kujdes rrufjani aty-këtu (fraza "opozita e opozitës" është e gjetur, por sidoqoftë mistrece, gjë që nuk duket fort e përligjur me sulmet që vijnë nga krahu i LSI-së), nëse gjithashtu do të injoronim rolin kabá që zë Rama në leadership-in e PS-së, nëse më në fund kjo gjuhë e kjo sjellje do të shoqërohej dhe me një program "të shtruar" elektoral e qeverisës, PS-ja e Edi Ramës do të mund të merrej fare mirë për një parti të moderuar; me fjalë të tjera, një parti e qendrës, përfaqësuese e asaj lagjes elektorale gri, ku "banojnë" zgjedhës më të qetë, më të paqtë, më tolerantë, më empathikë, më racionalë, shikimi i të cilëve hidhet sa majtës, edhe djathtas, por pa arritur asnjëherë në stacionet e largëta ekstreme; një parti e qendrës, që do të përfaqësonte politikisht e kulturalisht të ashtuquajturën middle class, sipërmarrjen e mesme, por edhe të vogël, teknokratët, profesionistët, specialistët, manage-erët, intelligentsia-n, atë pjesë të shoqërisë që i ka (apo lakmon t‘i ketë) punët më në terezi se sa të tjerët e që ka interes ta mbrojë këtë terezí.

Është kështu? Hm, nuk është tamam kështu, pasi identiteti socio-ideologjik i një partie nuk përcaktohet vetëm e thjesht nga sjellja e gjuha e leader-it (socialistët mund të jenë më të moderuar se sa demokratët, por gjithsesi nuk janë të moderuar). Ky fakt nuk e zhbën megjithatë faktin tjetër: Edi Rama, pasi ka fjetur mendjen mbi votat e socialistëve të vet, po u vardiset zgjedhësve të moderuar shqiptarë, atyre zgjedhësve që nuk kanë asgjë të përbashkët me ekstremizmin politik të këtyre anëve, atyre zgjedhësve që ose i kanë braktisur prej kohësh kutitë e votimit, ose shkojnë drejt tyre për forcë të një tabiati që po e humbet forcën e vet, atyre zgjedhësve që merren pak me llafe e shumë me punë, atyre zgjedhësve që e duan këtë vend jo nga llogorja e patriotit patetik, por nga pozitat e pragmatistit të pabujë, atyre njerëzve që e shohin hairin te respektimi i ligjit, e jo te dhunimi brutal apo anashkalimi finok i tij, atyre zgjedhësve që nuk para shohin lajme, nuk para lexojnë gazeta, nuk para marrin pjesë nëpër tubime, nuk para kanë dëshirë as të organizohen, e ndoshta - në këto rrethana - as të përfaqësohen.

Dy pyetje lindin: 1. Ka gjasa që Rama të korrë frute në këtë histori? dhe 2. Sa janë këta zgjedhës në pikëpamje numerike? Ndonëse gjuha e Ramës është me siguri më elegante e më e ngjërueshme se sa ajo e Berishës dhe e Metës, fjalët e të cilëve janë të programuara për të rënë në vesh ekstremistësh, askush nga ne megjithatë nuk është në gjendje të japë një përgjigje të qartë lidhur me pyetjen e parë, pasi nuk dimë mirë së pari deri në ç‘shkallë ka arritur demotivimi, zhgënjimi e zvjerdhja e këtyre zgjedhësve, së dyti deri në ç‘masë e shohin ata Edi Ramën si një gjë të ndryshme në moçalin politik shqiptar, e së treti se si kjo masë njerëzish ia del të pajtojë appeasement-in e tij ndaj Berishës e qasjen çmontuese ndaj Metës me gjuhën prej të moderuari në komunikimin publik. Prandaj, po ua lë përgjigjen e kësaj pyetjeje agjentëve e agjencive lokale të "Zogby"-t.

Ndërsa lidhur me pyetjen e dytë, gjërat janë më të dukshme e më të qarta. Numri i zgjedhësve të moderuar në Shqipëri është relativisht i vogël. Është i vogël në radhë të parë për një rregull universal të antagonizmit dialektik, i cili krijon dy pole magnetikë të fortë në skaje. Nuk është gabim të mendohet që shumica e njerëzve të kësaj bote kanë prirjen për t‘u sjellë si të moderuar; e bëjnë të tyren këtë prirje, ja, ashtu si Edi Rama, jo prej hirit, por prej pahirit, jo prej natyrës, por prej nevojës. Por në të njëjtën kohë e në mënyrë paradoksale, është po nevoja, tok me fuqinë ndjellëse të rrymave dominante, që bëjnë atashimin e tyre te (apo fqinjërimin e tyre me) këto të fundit. Dhe kështu, shumica e shumicës, ndonëse mendërisht janë (ose do donin të ishin) të moderuar, praktikisht e fizikisht futen në të njëjtën strehë me ekstremistët. Po, është e vërtetë që ata janë gjithmonë aty në të djathtë të së majtës e në të majtë të së djathtës, por kjo nuk e zhbën faktin e rreshtimit në të majtë apo në të djathtë, domethënë arratisjen (të paktën elektorale) prej lagjes së të moderuarve.

Kudo ku dialektika demokratike shfaqet e fortë dhe e ashpër, siç është rasti i Shqipërisë, middle-ground-i është një terren i ngushtë, e jo aq i ngrohtë; në këtë terren shumëkush ndihet ligsht, i braktisur e jashtë radhëve; ndihet gjithashtu i diskriminuar - në mos, i kërcënuar (këtejpari pushteti në veçanti e politika në përgjithësi ngrihen mbi klientelizmin, domethënë u ofrojnë mbështetje mbështetësve e penalizojnë "snobët" indiferentë). Kjo është arsyeja që middle-ground-i këtejpari është një terren pothuaj i shkretë; nga vëzhgimet e mia tepër empirike (sa do doja të kisha në dorë statistika e sondazhe të besueshme!), të moderuarit e parreshtuar mund të arrijnë gjithë-gjithë nivelin e 5%-it në korpusin elektoral. Mirëpo një pjesë e kësaj pjese është, për arsye nga më të ndryshmet, jo vetëm e parreshtuar, por edhe e parreshtueshme. Kujt i drejtohet pra Edi Rama? Përfundimi do të ishte: i drejtohet asaj që mbetet, le të themi një 1%-i, dhe kjo nuk është fare pak në terma elektoralë. Por qari i tij në fakt (qari i menduar dhe i synuar, kuptohet) nuk është këtu; qari i tij është gjetiu: gjuha e sjellja e moderuar motivon mbi të gjitha ata që janë në të djathtë të së majtës, e që jo gjithmonë marrin mundimin për të votuar, e ata që janë në të majtë të së djathtës, e që nuk e kanë për gjë t‘i japin munxët të djathtës.

Nuk ka diskutim pra që Edi Rama nuk humbet asgjë nga ky profil prej "the moderate", e për këtë arsye, është një profil që duhet ta mbajë e ta theksojë. Puna është që kjo qasje së pari nuk duhet të jetë vetëm e thjesht me funksione elektorale, së dyti nuk duhet të jetë thjesht retorike e declarative (ca bëma të Ramës nuk janë dhe aq shumë prej të moderuari), së treti nuk duhet të jetë si një monedhë, e cila dikujt i dhurohet e dikujt tjetër i hidhet në fytyrë (është koha për t‘i dhënë fund sherrit banal, fare banal, të bërë në mënyrë banale e me mjete banale, midis PS-së e LSI-së; kurrë mos u bëfshin bashkë, por le t‘i japin fund kësaj gërricjeje që ta shpif në çdo pikëpamje!), së katërti të shkarkohet prej pozave prej shpëtimtari (Edi Rama në rastin më të mirë do të bëhet Kryeministër), së katërti duhet të kompletohet me një program politiko-qeverisës, i cili, pa qenë domosdoshmërisht i qendrës, është mirë të dallohet megjithatë për një frymë larg ekstremeve tona, që deri më sot na kanë prodhuar shumë andralla.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama