Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kur lajmet i stis konteksti politik

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 16 vite më parë

Mustafa Nano
Kur lajmet i stis konteksti politik

Shumica e gazetave të djeshme dhe e edicioneve informative të pardjeshme janë hapur - gjë që ka qenë e udhës - me lajmin mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me ligjin e shumëdiskutuar të lustracionit. Dhe menjëherë pas këtij lajmi (në ndonjë rast përpara vetë lajmit) theksonin me të madhe: Berisha pranon vendimin. Kemi të bëjmë me lajm në këtë rastin e dytë? Afërmendsh jo, ngaqë pranimi i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese nuk është fakultativ; përkundrazi, pranimi e zbatimi i këtij vendimi është një gjë taksative. Këtë gjë e thotë dhe Kushtetuta jonë në nenin 132, pikën 1: "Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare…".

Atëherë, cila është arsyeja që gazetarët kanë trajtuar si lajm një gjë që s‘është lajm? Arsyeja është shumë e thjeshtë, e nuk lidhet me ndonjë gafë gazetareske. Të gjithë ne jemi mësuar, që Berisha e berishianët të sfidojnë herë pas here institucionet e ligjet kushtetuese, e në këtë kuptim, qasja korrekte ndaj këtyre të fundit përbën natyrshëm një lajm. Dhe duhet thënë që lajmet që prodhon Berisha janë të kësaj natyre, d.m.th janë në pamje të parë lajme (lajm është - përveç të tjerash - një ngjarje apo situatë, që nuk ka të bëjë me rrjedhën routine-ore të gjërave), por në thelb nuk janë aspak lajme (lajm është para së gjithash e mbi të gjitha një ngjarje apo situatë, për të cilat opinioni publik ka e demonstron një interes të madh, të kuptueshëm e të natyrshëm).

Fjala vjen, ca javë më parë, gazetat njoftonin se Berisha do të vizitonte Tropojën pas ca javësh të tjera. Normalisht një vizitë e tillë nuk ka pse të jetë lajm, por me Berishën asgjë nuk është normale. Ai ka mbi dhjetë vjet që nuk shkel në vendlindjen e tij, ku të gjithë ne të tjerët mund të shkelim. Ose gazetat tek-tuk njoftojnë, se "Berisha foli në tubimin e iks qyteti, dhe nuk përdori asnjë sharje kundër opozitës". Gazetarët e dinë që kjo sjellje, ngado që t‘i vish rrotull, nuk e meriton të trajtohet si lajm, por nga ana tjetër, fakti që sharjet kanë qenë gjithë kohën një si gjymtyrë shtesë e Berishës, na e sjell mirësjelljen e tij si një befasi mediatike. Dhe befasia në gazetari shpeshherë e ka emrin lajm, gjithashtu. Ose ca ditë më parë ndodhi që ndonjë gazetë të njoftonte se "Aleksandër Biberajn nuk e ka gjetur gjë brenda Partisë Demokratike" (pati dhe ndonjë koment, i cili e tirrte ca si gjatë historinë e Biberajt për të theksuar më në fund si një gjë tejet "të rëndësishme" faktin që Biberaj, pavarësisht "rebelimit" të tij, ishte aty ku kish qenë e ashtu si kish qenë, d.m.th anëtar i Partisë Demokratike). Ose të bën përshtypje që pothuaj asnjë gazetë nuk bën fjalë për shtyrjen antistatutore të konferencës së PD-së për Tiranën (thonë që, nën vëzhgimin krejt indiferent të "udhëheqësve të tjerë" të PD-së, është shtyrë për pas zgjedhjeve të qershorit), ashtu si nuk bëjnë fjalë fare për nxjerrjen de facto jashtë loje të organit partiak më të rëndësishëm midis dy kongresesh, d.m.th për Këshillin Kombëtar, i cili ka kohë që s‘mblidhet. Në anën tjetër, të njëjtat gazeta e televizione nuk harrojnë të njoftojnë mbi mbledhjen e konferencave konform statutit në qytetet pa asnjë valencë politike për PD-në.

Me të njëjtën logjikë, gazetat janë të prirura të informojnë me zell të veçantë mbi faktin që Berisha thotë një fjalë të mirë për kundërshtarët e vet politikë, që ai i jep dorën Presidentit të Republikës, që ai flet për Prokurorinë pa e sulmuar atë, që ai sillet në mënyrë korrekte në Kuvendin e Shqipërisë, etj., etj. Janë situata pra, në të cilat dominon korrektesa, mirësjellja, respekti ndaj ligjeve e institucioneve, e rrjedhimisht s‘kanë të bëjnë asnjë çikë me lajmin, por duke qenë se bartës i tyre është Berisha e duke qenë se një qasje e tillë është përjashtim nga rregulli (dhe këtu vijmë te një përkufizim tjetër i lajmit: rregulli nuk është lajm, ndërsa përjashtimi nga rregulli, po), gjithçka merr trajtën e lajmit.

Ja, si pardje, kur Berisha "pranoi" vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e kur ai përsëriti disa herë e kot më kot fraza të llojit "procesi i lustracionit do të bazohet në rregullat e shtetit ligjor", ose "ne jemi të detyruar që, për shkak të parimeve të shtetit ligjor, vendimin ta marrim parasysh", ose "këtë betejë do ta vazhdojmë pa ndërprerje në përputhje me rregullat e shtetit ligjor" etj., etj. Dhe gazetat u morën gjatë pikërisht me këtë pjesë të reagimit të tij. Ndërsa pjesa tjetër, ku ai ishte vetvetja, nuk kish ndjellë aq sa duhet vëmendjen e gazetarëve. Vetëm "Shqip"-i ishte fokusuar seriozisht te kjo pjesë, gjë që dilte e qartë prej titullit kryesor: Berisha, vrer kundër Kushtetueses. Të tjerat e kishin trajtuar si një sjellje të rëndomtë alla Berisha.

Është fjala për sulmet e egra që ai u bënte në të njëjtin fjalim shumicës së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, vetë vendimit të kësaj Gjykate, dhe opozitës politike. "Ky vendim është standardi i Mark Avdisë", "Gjykata Kushtetuese i dha një goditje të rëndë parimësisë…", "ata mbrojtën karriget e tyre", "PS-ja e Edi Ramës është parti e dosjeve, e krimeve …", të gjitha këto e ndonjë frazë tjetër, pra, nuk mbollën e nuk gjetën vëmendje gazetareske. Vëmendja shkoi te zotimi i Berishës, se "do të zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese".

Për gjithkënd me mendje të kthjellët e me formim minimal demokratik, kjo qasje e mass-media-s shqiptare do të dukej qesharake. Por, në fakt, qesharak është konteksti politik. Dhe për këtë të fundit nuk duket shumë e udhës të paditet mass-media.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama