Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Me njerezit e varfer e te shushatur mund te besh c‘te duash?

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 16 vite më parë

Mustafa Nano
Me njerezit e varfer e te shushatur mund te besh c‘te duash?

Në ditët përpara ndërrimit të viteve, ndërsa udhëtonim drejt Çorovodës (isha me një mikun tim, mërgimtar prej dhjetë vitesh në Britaninë e Madhe), po rrekeshim të bënim axhendën e kësaj vizite dyditore në një vend, në të cilin ne jemi rritur e në të cilin sot nuk kemi se ku të bujtim; të gjithë të afërmit tanë, kush më herët e kush më vonë, e kanë braktisur atë qytetth e janë ngulur në Tiranë. E në këtë bisedë e sipër, si dy njerëz me përvoja të shpeshta e të gjata jashtë Shqipërisë, zumë të kërkonim ngjashmëri të Çorovodës me qytete njësoj të vogla të Perëndimit.

Kuptohet, punë bajagí e ngatërruar dhe e mundimshme. Për rrjedhojë, e gjetëm veten duke përqeshur vendin tonë të origjinës, ku kemi kaluar gati gjysmën e jetëve tona e ku kthehemi herëpashere të shtyrë prej mallit; zumë të flasim medemek për sindromën e Stendhal-it që do të na persekutonte ato dy ditë (me fjalë të tjera, shock-un që do të pësonim nën magjinë e kryeveprave e mrekullive të bëra nga dora e njeriut), për muzeumet e ekspozitat që do të vizitonim, për kinematë, teatrot e operat, ku do të mund të shihnim ndonjë film, dramë apo inskenim muzikor, për arkitekturën shekullore (këtë të fundit na e solli në mendje arkitektura otomane e qytetit fantastik të Beratit, i cili u zatetet në mes të rrugës të gjithë atyre që udhëtojnë për në Skrapar), për jetën vibrante e të ethshme artistike, për dëfrime kolektive në respekt të traditës etj, etj.

Dhe kur mbërritëm …. çfarë gjetëm? Kuptohet, gjetëm atë që prisnim, e në këtë kuptim, pavarësisht nga risitë mondane dhe nga stili i mbrothët e i sofistikuar i jetesës që hamendësuam ironikisht gjatë rrugës, nuk kish se si të kapeshim në befasi. Në fund të fundit, e njëjta pamje është gjithandej në periferi të republikës: njerëz të varfër, të papunë, të pashpresë, të shushatur, jeta bjerradite e të cilëve dominohet më së shumti nga bisedat e nga pasionet e forta politike, dhe qytete të lënduar sa s‘ka ku të shkojë prej ndërtimeve kuturú, të cilat janë bërë ose nga bandat politike lokale, ose me lejen e këtyre bandave.

Në Çorovodë nuk është se është bërë ndonjë hatá në këtë drejtim, pasi braktisja që i është bërë e që i bëhet qytetit nuk shtron nevojën për ndërtime të tjera shtesë; kjo situatë nuk ka penguar amá, që qendra e qytetit, anët e rrugëve brenda qytetit dhe anët e dy lumenjve (lumi i Osumit dhe ai i Tomorricës) të pushtohen prej ndërtimesh të panumërta, një a dykatëshe, të cilat shërbejnë si bare, restorante, hotele, dyqane, kinkaleri.

Të gjitha këto janë gjëra të përmendura në një numër reportazhesh e dossier-ash të përgatitur e shkruar nga gazetarë të ndryshëm. Këta të fundit kanë harruar të përmendin dy gjëra, megjithatë; njëra sosh të nervozon, tjetra të shushat e të lë pa gojë. Më së pari, pra, është fjala për një përmendore mú në qendër të qytetit, e cila bart simbolikën e çlirimit të Skraparit nga fashistët italianë; madje, bash në bazamentin e kësaj përmendoreje të ndërtuar dy-tre vitet e fundit është shkruar qartazi: 5 SHTATOR 1942.

Të rrimë shtrembër e të flasim drejt: kjo nuk është thjesht një gjetje përtace; përkundrazi, është një biçim palavie që përqesh të gjithë skraparllinjtë; i përqesh më keq se sa i ka përqeshur regjimi i Enver Hoxhës, i cili i bëri të mburreshin e krenoheshin si mposhtësit më të parë të fashizmit italian në Evropë. Duhet të jesh i lënë nga trutë që ta besosh këtë. Por ja që paska ca njerëz që jetojnë ende me këtë sendërgji. E jo vetëm kaq; paska njerëz që këtë sendërgji duan ta shesin si simbolikën numër 1 të Skraparit. Ja, më thoni, nuk është fyese kjo? Nuk është fyese që një zonë e tërë, e banuar prej qindra vitesh nga njerëz tepër të lidhur në pikëpamje të ethosit, të kulturës, të fesë, e banuar nga njerëz që janë veshur njësoj, që kanë folur njësoj, që kanë kënduar e kanë hequr valle njësoj, që kanë prodhuar e kanë pirë një nga rakitë më të mira në Ballkan, që kanë pritur e përcjellë miq si rrallëkush në këtë botë etj, etj, nuk është fyese, pra, që pikërisht ky popull të ketë për targë a shenjë dalluese veç këtë datë, së cilës qëllimisht i është dhënë një ngarkesë heroike që në të vërtetë nuk e ka? Si nuk u ka shkuar në mendje që në vend të kësaj përmendoreje trimash në qendër të qytetit të Çorovodës të bënin, fjala vjen, imitimin në bronz të një kazani bakri tok me llullanë, nga e cila del rakia? A mos vallë janë të bindur se trimëria është një targë më identifikuese se sa çdo element tjetër i një tradite të pasur plot me gjëra të tjera? Por edhe në qoftë kështu (mua në fakt nuk më rezulton që trimëria të jetë shenjë dalluese apo cilësi identifikuese, qoftë për skraparllinjtë, qoftë për shqiptarët), pse nuk bëjnë fjalë për një trimëri me domethënie historike, d.m.th. të paasociuar me data, me ngjarje, me ideologji apo me njerëz konkretë? Kjo përmendore duhet të shembet. Banorët e qytetit duhet të mos e lënë veten të identifikohen me ca simbole, simbolika e përmendore, që në rastin më të mirë kanë të bëjnë veç me ca emocione të kallkanosura veteranësh.

Gjëja e dytë që të shock-on në Çorovodë është një xhami e stilit arabo-sunit. Ajo - siç mund të merret me mend - është ndërtuar, i është vënë dryni, dhe kaq. Nuk frekuentohet nga askush; e nuk ka se si të frekuentohet, pasi skraparllinjtë i përkasin që të gjithë sektit të bektashinjve, gjë që nuk dëshmohet veç nga teqetë e shumta që kanë ekzistuar (e në këto teqe, sidozot në atë të Prishtës, është mësuar shkrim e këndim, është mbrujtur dashuria për Atdheun tonë monadik e ende të pabërë, është bërë histori), por edhe nga një stil i shpenguar "bektashian" jetese (skraparllinjtë, kur vjen puna tek qejfi e alkooli, nuk ua vënë veshin porosive divine; ata gjithashtu i kanë respektuar gratë, bash si të ishin skandinavë; e kështu me radhë). Në këto rrethana, një dreq e di se cili ka qenë ai mendjefyell, që ka dhënë lejen e ndërtimit të kësaj xhamie ngjitur me ish-pallatin e Kulturës; nga ana tjetër, një dreq e di se si kanë rënë dakord gjithë ata erzelinj (kështu quhen njerëzit e fisëm në Skrapar) me pushtet, me ndikim e me mend, që me qytetin e tyre të lozet në këtë mënyrë.

Me këtë nuk është se po shfryj kundër xhamive. Absolutisht jo. Të njëjtën gjë do të bëja, nëse do të bëhej fjalë për ndërtimin e ndonjë kishe, sinagoge, pagode apo për ndërtim tempujsh e faltoresh të feve të tjera në Skrapar, në Skraparin që shquhet për pastërtinë e kompaktësinë "etnike e religjioze". Aty nuk para gjen të ardhur. Nuk është se skraparlinjtë nuk i kanë pranuar, por janë të tjerët që nuk kanë gjetur motive për "të mërguar" atje. Kjo ka bërë që popullsia të mbetet homogjene në të gjitha pikëpamjet, sidomos në pikëpamjen religjioze: skraparlinjtë janë të gjithë të traditës së bektashinjve. Në këto rrethana, ajo xhami është në vendin e gabuar. Edhe vetë komuniteti i myslimanëve sunitë nuk duhet të jetë i interesuar për këtë xhami, derës të së cilës nuk ia hedh sytë askush, pasi asaj i janë vënë çelësat. As hapet e as mbyllet. Të ndërtosh një xhami në Çorovodë është si të ndërtosh një kishë ortodokse në Orosh apo një mekam, tyrbe apo teqe mú në mes të Kavajës. Për këtë arsye, ajo xhami nuk duhet të ekzistojë. Tok me atë përmendoren lapërdhare në mes të qytetit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama