C‘trashegimi po na le kjo klase politike?

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 11 vite më parë

Mustafa Nano
C‘trashegimi po na le kjo klase politike?

Gjatë fushatës presidenciale në SHBA, të zinte veshi që rivalët Obama e McCain u referoheshin edhe themeluesve të shtetit, baballarëve të kushtetutës, ish-presidentëve, ish-senatorëve e ish-kongresmenëve të të gjitha kohëve. Kjo ndodhte gati në të gjitha tubimet, që ata organizonin. Ndodhte sidomos në tubimet e rëndësishme, ku edhe pjesëmarrja e njerëzve ishte më e madhe e ku edhe audience-a televizive e transmetimeve të drejtëpërdrejta pritej të ishte gjithashtu e madhe. Kemi të bëjmë me diçka të kërkuar dhe të stisur me zor nga ana e spin doctor-ëve të kandidatëve me synimin për të bërë përshtypje të mirë? Apo kemi të bëjmë thjesht me respektimin e një tradite amerikane, në themel të së cilës është simpatia dhe empatia ndaj pjesës më të madhe të atyre që kanë drejtuar kombin herë pas here?

Sigurisht, është edhe njëra, edhe tjetra. Por ka dhe një arsye të tretë, pa të cilën kjo kuturisje do të ngjante budallaqe dhe krejt e pakëshillueshme: ata që kanë drejtuar shtetin amerikan kohë pas kohe ia kanë dalë mbanë të lënë një trashëgimi të dallueshme, e cila diku është e natyrës morale, diku është e natyrës politike, diku e natyrës patriotike e diku tjetër e natyrës - mund të duket e çuditshme, por është fakt tanimë - intelektuale e kulturore. Kjo e fundit është më e vërtetë kur bëhet fjalë për etërit themelues të shtetit e të kushtetutës, të cilët ishin ose patriotë 24 karatësh, ose njerëz me një orientim të fortë moral e religjioz, ose njerëz të armatosur me dije e me kulturë të jashtëzakonshme. Për ilustrim do të ishte mjaft të përmendeshin emrat e mëdhenj të George Washington-it, Thomas Jefferson-it, John Adams-it, James Medison-it, Alexander Hamilton-it, Benjamin Franklin-it, të cilët në të shumtën e rasteve nuk ishin vetëm njerëz me staturë të fortë morale e me pasione të forta patriotike; përkundrazi, ishin edhe profesionistë të zotë (juristë, diplomatë, etj), edhe njerëz të penës, edhe njerëz të kulturës (gati të gjithë ishin produkte të iluminizimit e të iluministëve europianë), etj, etj.

Pikërisht mbi këto themele e mbi këtë trashëgimi u është dashur të punojnë presidentëve të mëpasshëm të SHBA-ve. Mund të mendohet me të drejtë se është një trashëgimi që, për shkak të përmasave të veta, mund të luajë një rol shtypës e asfiksues mbi të gjithë ata që pretendojnë të mbajnë gjallë e të pasurojnë endërrat e aspiratat e këtyre etërve themelues, por nga ana tjetër është pikërisht kjo trashëgimi që frymëzon, motivon e mobilizon në beteja miliona amerikanë. Dhe kështu, trashëgimia pasurohet e pasurohet. Ja pra, kjo është arsyeja që kjo trashëgimi kaq e rëndë e kaq e rëndësishme nuk mund të injorohet nga ata që synojnë të hynë si qeraxhinj në Shtëpinë e Bardhë. Kjo është arsyeja që Barack Obama e John McCain iu referuan gati çdo ditë emrave, bëmave e fjalëve të Lincoln-it, të Roosevelt-it, të Kennedy-it, të Martin Luter King-ut, të Ronald Reagan-it, e kështu me radhë.

E vërteta është, që kjo gjë ndodh kudo; ndodh edhe në Britaninë e Madhe, edhe në Gjermani, Francë, Itali, etj. Po në Shqipëri? Etërit themelues të kulturës e të shtetit shqiptar (është fjala kryesisht për eksponentët e Rilindjes sonë Kombëtare) na magjepsin në mënyrën e tyre; na magjepsin me forcën e tyre morale e me pasionin e tyre patriotik, na magjepsin në kuptimin, që kanë guxuar të hedhin e mbjellin farën e modernitetit në një tokë, ku kjo farë nuk kish gjasa të mbinte, por na magjepsin edhe me trashëgiminë doktrinale që na kanë përcjellë (disa nga shtyllat solide që përbëjnë këtë trashëgimi janë shteti e shoqëria laike, respekti për gratë, vokacioni i qartë perëndimor, etj; pa këto shtylla ne mund të rrezikonim të ishim gjithë kohën një yrt i harruar i botës perëndimore).

Më pas, kjo trashëgimi e tyre është ndjekur e respektuar, por nuk është pasuruar kushedi se çfarë. Kultura shqiptare vijoi të ecë për shumë kohë (deri në vitin 1944) në këtë rrugë të çelur prej tyre, por politika, qysh në krye të herës, ka qënë kjo që është sot, dmth e komanduar dhe e sunduar nga cubë e horra gjithëfarësoji, që nuk na kanë lënë ndonjë trashëgimi, me të cilën mund të mburremi e së cilës mund t‘i referohemi. Në këtë mes mund të përjashtohet deri diku Ahmet Zogu për një numur bëmash, si ngritja e një shteti të qëndrueshëm e funksional e përpjekjet për ta oksidentalizuar shoqërinë shqiptare, dhe Fan Noli për staturën e vet të madhe morale e patriotike dhe për kontributin e tij në lëmin e kulturës. Por nuk duhet lënë pa thënë, që nga Ahmet Zogu nuk ka mbetur asnjë frazë domethënëse, asnjë mendim e asnjë reflektim me ngarkesë politike (me siguri nuk ka thënë asgjë të tillë), ndërsa nga Fan Noli nuk ka mbetur asnjë vepër e asnjë trashëgimi konkrete e natyrës ekskluzivisht politike (përjashtojmë këtu një aktivitet kohëshkurtër e të vrullshëm parlamentar).

Më pas, vjen një bosh i gjatë, që vazhdon deri në ditët e sotme. Dhe ja ku erdha aty ku doja. Po shtroj menjëherë pyetjen: cila është trashëgimia që kanë lënë apo që po na lënë udhëheqësit politikë shqiptarë të periudhës postkomuniste, të cilët, në ndryshim nga udhëheqësit politikë të vendeve të tjera demokratike, nuk qeverisin një a dy mandate, por qeverisin në harkun e një gjenerate të tërë? Në planin moral, këta janë hajdutë me damkë (bazuar në çfarë kanë thënë vetë ata në adresë të sho-shoqit). Në planin patriotik, ata janë sjellë si mercenarë, renegatë e palaço (duke iu qurravitur ambasadorëve, duke u varur pas xhaketave të diplomatëve e politikanëve të rëndësishëm të kontinentit e të globit, duke u tërhequr prej hunde nga Nicolas Gage-i apo nga Damir Fazlliç-i, etj). Në planin e performance-ës së qeverisjes, ata janë fajtorët e dështimeve të mëdha në harkun e 20 viteve të fundit. Në planin social ata janë përgjegjësit kryesorë për këtë gjendje amok-u e anomie të shoqërisë sonë. Në planin politiko-institucional ata janë shpikësit e kulturës të demonizimit e të delegjitimimit të kundërshtarëve politikë, strategët e vjedhjes së votës, autorët e ndërtimit të kësaj administrate publike tërësisht të politizuar, nxitësit e një fryme antiligjore e antiinstitucionale, frenuesit e reformave të mëdha e të nevojshme, etj, etj. Në planin e doktrinës politike ata janë ….. Çfarë janë? Përfytyroni pak Kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, teksa është duke mbajtur një fjalim kuvendor në vitin 2025 (duhet shpresuar të mos jetë Sali Berisha, apo ndonjë Berisha tjetër)! Këtij kryetari do t‘i duhet t‘i referohet trashëgimisë doktrinale, mbi të cilën është ngritur partia e tij. Edhe? Cila është kjo trashëgimi? Absolutisht një hiç i madh. Në mos, janë ato fjalimet parlamentare me kusarë, me motele, me bushtra, me putana, me fraza të llojit "do të të vras", etj, etj, të paraardhësit të tij Sali Berisha.

Mund të përfytyrojmë edhe kryetarin e partisë Socialiste në një kogres të vitit 2020, dhe rezultati do të jetë po ai. Do të mungojë trashëgimia, së cilës mund t‘i referohesh. Dhe vërtet, çfarë mund të kujtohet me respekt e me admirim në historinë e socialistëve në harkun e njëzet viteve të fundit? Fjalimet e Fatos Nanos me fraza të llojit "unë jam Fatos Nano e prapa më vjen historia"? Belbëzimet politike të Ilir Metës? Krusmën shtërzuese të Edi Ramës? Festat në homazh të brigadave partizane të luftës së II botërore? Trafikun e influencës nga njëri fraksion tek tjetri brenda partisë? Mbledhjet e KPD-së në stilin e cabaret-eve?

Ja, kjo është situata. Mos po tregohem i padrejtë duke mos përmendur ndonjë cilësi, virtut, arritje, të këtij establishment-i politik? Ndoshta, me pak sforcim, edhe mund të gjejmë ndonjë cilësi apo arritje, por këto janë krejt të parëndësishme e të papërfillshme. Esenca e klasës sonë drejtuese është ajo që përbën trashëgiminë për t‘u hedhur poshtë në ditët e nesërme. Ose të paktën, trashëgiminë, të cilën asnjë njeri patriot, i moralshëm, i arsyeshëm e i ditur, nuk mund ta shohë si pikë orientimi apo referimi në të ardhshmen.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama