Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Papersosmerite e demokracise liberale dhe Shqiperia

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 16 vite më parë

Mustafa Nano
Papersosmerite e demokracise liberale dhe Shqiperia

.. Për të huajt, Shqipëria mund të jetë një vend ekzotik në shumë drejtime, por nuk do të ishte plotësisht e drejtë të shihej kështu edhe në planin politik. E them këtë, pasi sëmundjet e rënda në realitetin politik shqiptar duhen parë të lidhura në një masë të madhe me papërsosmëritë e vetë demokracisë liberale. Me këtë nuk po mohoj prapambetjen, cenet e rezistencën ndaj modernitetit në botën shqiptare; përkundrazi, janë këto të fundit që i theksojnë e i dramatizojnë papërsosmëritë e demokracisë liberale deri në atë pikë, sa të dukemi në sytë e të tjerëve si një vend egzotik.

Tek papërsosmëritë e demokracisë liberale do të nënvizoja:

Demokracia liberale nuk është domosdoshmërisht një regjim meritokratik. Zgjedhjet e lira nuk është e thënë të japin vendimin më të drejtë; ato thjesht japin një vendim që duhet respektuar se s‘bën. Është fjala vjen George W. Bush amerikani më i prerë e më i përshtatshëm për të drejtuar superfuqinë e vetme të planetit? Shumica e njerëzve (edhe shumica e amerikanëve) e kanë tanimë përgjigjen të gatshme e në majë të gjuhës: jo, ai nuk është amerikani i duhur. E megjithatë, populli amerikan i dha atij dy mandate radhazi.

Mund të vazhdohet edhe me ilustrime të tjera të pafundme, të cilat dëshmojnë se verdikti popullor që del nga zgjedhjet e lira nuk është e thënë të jetë më i drejti. Edhe? Edhe hiç. Nuk është ndonjë hatá. Nuk kemi ç‘t‘i bëjmë kësaj pune. Kështu ka qenë e kështu ka për të qenë. Në këto rrethana duhet të bëjmë çmos të ndërtojmë një sistem ligjor e institucional, i cili të minimizojë dëmet që mund të vinë prej këtij fakti, gjë që verifikohet tashmë në një numër vendesh, përfshirë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është pikërisht kjo që thekson me shumë të drejtë Thomas Friedman: sistemi amerikan i ligjeve dhe i institucioneve është i ndërtuar nga mendje gjeniale në mënyrë të tillë, që ai të mund të drejtohet pa asnjë problem edhe nga një budalla.

Ja, kjo është ajo që ne nuk po mundim të bëjmë në Shqipëri. Nuk po mundim ta ndërtojmë një sistem të tillë, e për rrjedhojë, budallenjtë tanë bëjnë dëme që ç‘ke me të.

Procesi i vendimmarrjes në regjimet e demokracisë liberale është i ngathët e ngalakaq. Nuk mund të jetë ndryshe. Diktaturat nuk heqin fare për të marrë vendime (të kuptohemi, nuk është se po më del nga mendja, që vendime të tilla janë në të shumtën e rasteve të natyrës kriminale), ndërsa në demokraci vendimmarrja është më e komplikuar. Dhe kuptohet pse. Është një kosto që paguhet në emër të lirisë; edhe në emër të lirisë për të protestuar kundër një vendimi. Janë një numër aktorësh që marrin pjesë në procesin e vendimmarrjes, ashtu siç janë një numër aktorësh të tjerë, të cilët nuk marrin pjesë në këtë proces, por kanë hëm mundësinë ta monitorojnë këtë proces në mbrojtje të interesave e bindjeve të tyre, hëm hapësirën për të kundërshtuar qoftë procedurat, qoftë rezultatin. Ajo që ndodhi për javë të tëra me kompaninë ajrore, Alitalia, është një shembull që e ilustron më së miri këtë dukuri.

Gjërat komplikohen ca më shumë, kur vjen puna për të marrë vendime shumë të domosdoshme, por në të njëjtën kohë jo popullore. Përderisa janë të domosdoshme, ato duhen marrë një orë e më parë. Por fakti që janë jo popullore, i bën maxhorancat të hezitojnë e të mos veprojnë. Ndryshe, do të humbisnin terren elektoral, e tok me të, zgjedhjet e radhës.

Pikërisht kjo papërsosmëri e demokracive liberale (e shtyrë deri në skaj me mjete shqiptare, kuptohet) ka bërë që maxhorancat në Shqipëri ose të marrin vendime të gabuara e të padrejta (për të fituar vota), ose të mos marrin asnjëherë vendimet e duhura (për të mos humbur vota). Shembull? Maxhoranca e sotme ka legalizuar gjithë qejf shtëpitë e dhjetëra mijëra shqiptarëve të ndërtuara në toka e troje të grabitura. Dhe këtë e ka bërë në dëm të atyre, që janë shumë më të paktë në numër (disa qindra) e që i kanë patur dhe i kanë në pronësi këto toka e troje. E nëse këta të fundit kompensohen, kjo do të thotë që gjithçka bëhet mbi kurrizin e të gjithë të tjerëve. Kanë vepruar kështu të shtyrë veç nga hesape elektorale. Opozita nuk e ka hapur gojën, pasi edhe ajo bën hesape elektorale.


Pushteti në veçanti e establishment-i politik në përgjithësi janë shumë të mbrojtur. Dhe këtu nuk e kam fjalën për imunitetin, të cilin ndoshta e meritojnë; e kam fjalën për impunitetin, që është i patolerueshëm. Parimi i madh, që përbën zemrën e demokracisë liberale, dmth "të gjithë janë të barabartë përpara ligjit", është ende thjesht një iluzion. Në demokraci, ashtu si në regjimet totalitare që denoncon George Orwell-i, "dërrat janë më të barabartë se të tjerët". Prej tetë shekujsh egzistojnë Magna Carta e Habeas Corpus dhe praktikat juridike që burojnë prej tyre, të cilat kanë synuar qysh në fillim të drejta të barabarta për të gjithë, e megjithatë, barazia përpara ligjit mbetet një parim i deklaruar, por jo i sendërtuar në praktikë.

Shqipëria është një shembull skandaloz në këtë drejtim. Politikanët nuk qeverisin, por sundojnë; sundojnë në kuptimin e plotë të fjalës në shpërfillje të plotë të ligjit e të institucioneve. Dhe nuk u hyn asnjë gjëmb në këmbë; kanë impunitet.

Janë të pashmangshme këto papërsosmëri? Janë papërsosmëri fiziologjike e intrinsikale? Ndonjëra sosh, po. Por fakti që të gjitha këto dukuri verifikohen në masa e mënyra të ndryshme në vende të ndryshme, do të thotë se impakti i tyre mund të minimizohet. Është interesante të vihet re, që këto sëmundje, a cene, a limite, janë më të buta në ato vende, që së pari kanë një traditë demokratike më të madhe, e që së dyti investojnë më shumë në fushën e arsimit (në këtë mes nuk është fjala për arsimin, që prodhon shkencëtarë e nobelistë të së ardhshmes, por për arsimin që prodhon qytetarë të së ardhshmes, i arsimit që kultivon toleranca, empati, responsible citizenship).

Giovanni Sartori, i pakënaqur nga papërsosmëria e tregut politik, ku mashtrimi (në ndryshim nga tregu i lirë në planin ekonomik) është i pandëshkueshëm, shpreson pikërisht tek përgatitja politike e civike e publikut deri në atë masë, sa ai të mos mund të mashtrohet.

Post Scriptum

Ky shkrim është i bazuar mbi një pjesë të vogël të ideve të hedhura në festivalin kulturor ndërkombëtar të Torinos "Torinospiritualitá", i cili u mbajt javën e shkuar e, në të cilin isha i ftuar për të marrë pjesë e për të mbajtur një leksion me titull "T‘ia nisësh nga fillimi: një perspektivë sociale e politike.


Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama