NUK NA MBETET GJë TJETëR, VEÇSE Të SPEKULLOJMë

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 12 vite më parë

Mustafa Nano
NUK NA MBETET GJë TJETëR, VEÇSE Të SPEKULLOJMë

Gazetat më të rëndësishme shqiptare, të gjitha pa përjashtim, i ishin dorëzuar dje ngasjes për të bërë një spekullim të madh (termit "spekullim" po i marr në këtë rast kuptimin e vet origjinal, gjë që në gjuhën shqipe nuk para shtihet në punë: hamendësim i bazuar në fakte e informacione të paplota, ose marrja në konsideratë e mundësisë më të frikshme në një varg mundësish). Ky spekullim lidhej me ngjarjen, në të cilën humbi jetën sipërmarrësi Kosta Trebicka, alias dëshmitari kryesor i aferës korruptive që polli tragjedinë e Gërdecit. Dhe thelbi i këtij spekullimi është shumë i thjeshtë: Kosta Trebicka nuk ka vdekur në një aksident; ai është ekzekutuar nga njerëz që nuk e donin të gjallë.

Si është e mundur, që të gjitha gazetat shqiptare i kishin mëshuar në mënyrë korale kësaj piste, në një kohë që ngjarja është ende e pandriçuar? Ka një seri arsyesh. Së pari, gazetat janë ngutur të përcjellin në të nxehtë një perceptim intuitiv e të atypëratyshëm kolektiv. Të gjithë njerëzit, me të cilat pata rast të bisedoja lidhur me këtë ngjarje, ishin të bindur se Kosta Trebicka nuk ishte viktimë e një aksidenti. Dhe këtë bindje e demonstronin me një lloj paniku, bash sikur donin të thonin se tani e tutje nuk bëhet më shaka dhe se jeta e secilit është në rrezik. Po pse ekziston kjo bindje e ky panik? Kjo do të merret vesh pak më poshtë.

Së dyti, në këtë mes me siguri kanë luajtur rol edhe reagimet e menjëhershme të Edi Ramës e të Ilir Metës, dy prej eksponentëve më të rëndësishëm të opozitës politike në Shqipëri, të cilët nuk nguruan të hidhnin dyshime mbi (e të ngarkonin me përgjegjësi direkte apo indirekte) regjimin e sotëm dhe kreun e këtij regjimi. Është hera e parë, që Edi Rama nuk mendohet shumë për të bërë një aluzion të rëndë (në fakt, akuzë) nga pozitat e kryetarit të Partisë Socialiste në adresë të kryeministrit. Po kështu, Ilir Meta kish zgjedhur një gjuhë të troçtë e tone të forta për të veshur reagimin e vet ndaj ngjarjes. Dhe është e qartë, se ky reagim i ashpër opozitar mund të ketë kushtëzuar aty për aty si klimën politike, ashtu dhe qëndrimet mass-media-tike.

Së treti, rrethanat e vdekjes të Trebickës, së bashku me një numër koinçidencash të çuditshme, të bëjnë të mos e besosh asnjë çikë versionin e vdekjes aksidentale. Po ç‘janë këto koinçidenca e rrethana të dyshimta? Koinçidenca e parë është vetë viktima me emrin Kosta Trebicka. Pse vallë ndër tre milionë e kusur banorë të një vendi, në të cilin aksidentet rrugore marrin çdo ditë jetën e dy-tre vetëve, njëri prej këtyre të fundit duhej të ishte Kosta Trebicka? Afërmendsh, kjo pyetje mund të tingëllojë idiote e absurde (çdo viktimë e ka një emër, apo jo?), por ka një rrethanë që ia heq këtë ngarkesë idiote e absurde pyetjes: Kosta Trebicka ishte denoncuesi e dëshmitari më kryesor i aferës korruptive me pasoja tragjike të Gërdecit. Ka dhe një rrethanë tjetër, gjithashtu: Kosta Trebicka humb jetën pikërisht në momentin, që ka filluar një proces frenetik e i bujshëm hetimi lidhur me aferën në fjalë.

Të kuptohemi, thjesht po theksojmë një koinçidencë, e cila - edhe një fëmijë e kupton këtë - ngado që t‘i vish rrotull, nuk mund të shërbejë si një provë, mbi të cilën mund të ngrihen konkluzione të prera. Një koinçidencë, sado trillane dhe e habitshme të jetë, është e mundshme në këtë botë. Përderisa çdo ditë humbin jetën dy-tre vetë nëpër rrugët e Shqipërisë, askund nuk është e shkruar që njëri syresh të mos e ketë emrin Kosta Trebicka. E megjithatë, ne njerëzit, të mësuar ta shtyjmë jetën në situata të zakonshme e rëndom në një rrjedhë të pandërprerë prej tekave të rastit, nuk mund të mos shock-ohemi prej ca koinçidencave. Kështu që gazetat nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse kanë interpretuar këtë shock. Spekullimet në rrethana të tilla janë legjitime e të kuptueshme. Janë akoma më legjitime e më të kuptueshme, kur mendon që koinçidenca të tilla shoqërohen me ca pikëpyetje të tjera, që kanë të bëjnë me faktin që Trebicka paska shkuar për gjah fillikat, që aksidenti paska ndodhur në një rrafshirë, që makina e dëmtuar dhe trupi pa jetë i viktimës janë në distancë të madhe, që arma e gjahut gjendet çuditërisht afër kufomës, etj.

Së katërti (nëse ju ka dalë nga mendja, po ju kujtoj që po rrekem të shpjegoj pse mass-media gjeti karar tek një spekullim i frikshëm lidhur me ngjarjen në fjalë, duke e trajtuar këtë, jo si aksident, por si vepër të regjimit), është imazhi i kryeministrit tonë. Janë me mijëra shqiptarët, të cilët janë të sigurt që Sali Berisha mund të urdhërojë ekzekutimin e dikujt. Kjo siguri e mijëra shqiptarëve nuk ka kuptim të skualifikohet me idenë, se ata janë kundërshtarë të Berishës, e rrjedhimisht nuk u duhet vënë veshi. Nuk është e thënë të jesh kundërshtar i dikujt, e për këtë arsye të mendosh se ky dikush edhe mund të vrasë. Nuk duhet besuar gjithashtu, që këta shqiptarë vuajnë prej paranojash e prej haluçinacionesh.

Por kjo nuk do të thotë amá që këta shqiptarë kanë apriori të drejtë. Si është puna atëherë? Puna është shumë e thjeshtë. Edhe pse këta shqiptarë s‘kanë prova e fakte, që tregojnë se Sali Berisha është vrasës e urdhërues vrasjesh, ata kanë plot prova e fakte, që tregojnë se Sali Berisha nuk heziton të përdorë mizorisht vdekjen e dikujt (spektakli që ai bëri me arkivolin e Azem Hajdarit në sheshin "Skënderbej" e në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" është një nga gjërat më të shëmtuara që mund të kenë parë ndonjëherë sytë e shqiptarëve; ai spektakël ishte më makabër se sa vetë vdekja e Azem Hajdarit), që tregojnë se Sali Berisha nuk e fsheh gëzimin për vdekjen e një kundërshtari të vet (sjellja e tij me rastin e vdekjes së Dritan Hoxhës e dëshmon fare qartë këtë), që tregojnë se Sali Berisha nuk demonstron asnjë pikë emocioni human e asnjë pikë përgjegjësie politike ndaj ca vdekjeve në rrethana të dyshimta (këtu është fjala për vdekje që implikojnë regjimin e tij, siç është ajo e atij shqiptarit nga Maqedonia, për të cilin është hapur një proces penal ndaj vartësve të djeshëm e të sotshëm të Berishës, e të cilën ky i fundit e ka përcjellë me një indiferencë e ftohtësi olimpike), që tregojnë se Sali Berisha ka me vdekjen e të tjerëve një marrëdhënie shumë sportive e të shpenguar (e mbani mend atë tubimin në Tropojë, ku Berisha, i bezdisur nga ca zëra kundër tij, urdhëronte nga tribuna me këmbëngulje të vetët "t‘i kapnin e t‘ia sillnin në Tiranë gjallë a vdekur"?), që tregojnë se Sali Berisha ka mbi dhjetë vjet që nuk ka guxuar të shkojë në Tropojë, në atë qytet ku kanë ndodhur një sërë plojash me motive politike apo kinse politike, për të cilat vetë Berisha nuk e ka parë të udhës të thotë qoftë dhe një fjalë. Të gjitha këto, tok me ligjërimin e tij publik që të ngjeth mishin (unë të vras! - i tha ai një deputeti mú në sallën e Kuvendit të Shqipërisë), kanë bërë që shumë shqiptarë të besojnë, se ai s‘e ka për gjë të vrasë apo të urdhërojë një vrasje. Siç shihet, nuk është faji i shqiptarëve "paranojakë"; përkundrazi, është faji i Berishës që ngado që vete, mbjell imazhin e një njeriu, që mund të bëjë gjithçka për pakëz pushtet.

Së pesti, është vetë regjimi, që ai di të ndërtojë. Qoftë në periudhën 1992-1997, qoftë në këto vitet e fundit, ai na ka treguar se nuk di dhe se nuk dëshiron të qeverisë; përkundrazi, di dhe do vetëm të sundojë. Kjo do të thotë se ai nuk mjaftohet të bëjë kryeministrin, por bën çmos të marrë nën kontroll të gjitha strukturat e institucionet e shtetit. Në periudhën 1992-1997 i kishte nën kontroll të gjitha. Ka tre vjet që po tenton gjithashtu t‘i marrë nën kontroll që të gjitha. Nuk di të ndalet në këtë përpjekje. Nuk ka asnjë skrupull. Edhe atëherë kur të gjithë mendojnë se në rrethana të caktuara është në interes të tij t‘i vërë frena vetes, ai vazhdon me të vetën (rasti i presionit të hapur parlamentar ndaj Prokurorisë së Përgjithshme pikërisht në momentin, kur kjo e fundit po heton ngjarjen e Gërdecit, dhe në një kohë që nuk kanë munguar spekullime mbi përfshirjen e familjarëve të tij në aferën që përgatiti tragjedinë, flet më së miri për këtë gjë).

Epo, në këtë situatë, kur një njeri sundon apo tenton të sundojë gjithçka, nuk është ndonjë mëkat të besosh se vdekja e një personi problematik për sundimtarin nuk është aksidentale; përkundrazi, është e porositur. Nuk është mëkat, gjithashtu, që çdo version zyrtar mbi vdekjen e Kosta Trebickës ta marrësh për një gënjeshtër. Kjo mund të jetë dhe e padrejtë, por ata që kanë qejf të sundojnë një vend, duhet ta paguajnë këtë kosto. E meritojnë ta paguajnë këtë kosto. Në momentin, që një njeri e sheh veten veç si sundimtar, shtetasit e tij të përbuzur kanë të gjithë të drejtën për të parë çdo vdekje aksidentale si një vdekje të porositur prej sundimtarit e çdo hetim të vdekjes si një rrenë me bisht. Sundimtari nuk duhet besuar. Edhe nëse nuk është vrasës, ai duhet trajtuar si vrasës. Për një sundimtar, përparësia nr.1 është gjakimi për të sunduar. Kjo do të thotë, se gjakimi për të sunduar fqinjëron vetvetiu me krimin. Madje, më keq akoma, është një krim në vetvete. Është një krim në vetvete, qoftë dhe për arsyen, që të gjithë kundërshtarët e sundimtarit, edhe në mos qënçin të kërcënuar, janë të pambrojtur. E s‘kanë se si të jenë të mbrojtur, pasi sundimtari nuk mund të jetojë me merakun mbi jetën e kundërshtarëve të vet. Ndryshe, s‘do ishte sundimtar.

Këto janë arsyet që shpjegojnë spekullimin e shtypit. Dhe kuptohet, shtypi ka të drejtë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama