Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Nje leksion amerikan, qe duhet nxene

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 16 vite më parë

Mustafa Nano
Nje leksion amerikan, qe duhet nxene

Me përfundimin e punimeve të Konventës nacionale të republikanëve (në të cilën, John McCain pranoi formalisht kandidimin për postin e Presidentit; këtë gjë, Barack Obama e bëri një javë përpara tij), ka startuar mirëfilltazi fushata e zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Në dy muajt e ardhshëm (dita e zgjedhjeve është të martën e parë pas të hënës së parë të muajit nëntor; këtë herë pra, i bie më 4 nëntor), McCain e Obama, tok me zëvendësat e tyre, respektivisht Sarah Palin e Joseph Biden, do të jenë protagonistë të pakonkurueshëm në skenën e politikës planetare. U bë kohë tanimë, që zgjedhjet amerikane nuk janë thjesht një çështje amerikane; përkundrazi, janë një çështje me interes të përbotshëm. Është e padrejtë, por është e vërtetë: votuesit amerikanë, teksa zgjedhin Presidentin e tyre, zgjedhin në të njëjtën kohë dhe njeriun, që në një masë të madhe ka në dorë të ndikojë me veprimet apo mosveprimet e veta në të gjitha zhvillimet ndërkombëtare.

Por nuk është vetëm ky fakt, që e shkakton dhe e nxit këtë vëmendje. Këto zgjedhje, ashtu si dhe zgjedhje të mëparshme presidenciale në SHBA, janë edhe një shkollë e madhe demokracie. Sigurisht, janë të shumtë zërat që e qortojnë për një mori gjërash sistemin politik e elektoral amerikan, por këto zgjedhje duhen parë si një leksion demokracie në drejtime të tjera; është fjala për atë leksion, që në forma të tjera jo kaq spektakolare, mund të merret edhe në vende të tjera në situata zgjedhore.

Ku e kam fjalën? Së pari, tek përmasa festive e këtyre zgjedhjeve. Të dyja konventat e këtyre ditëve erdhën përpara syve tanë si organizime të hareshme, ku shihje njerëz që qeshnin, që prekeshin e qanin prej gëzimit, që përqafoheshin, që këndonin, që hidhnin valle, që bërtisnin në kor, që valëvisnin flamuj e poster-a. Ishte një hare që nuk mbetej aty në sallë apo në stadium. Qytetarë të shumtë amerikanë bënin atë që shumë europianë e bëjnë veçse kur është fjala për një ndeshje futbolli: me dhjetra, me qindra e me mijra mblidheshin nëpër shtëpira, nëpër bar-e e kafene, nëpër sheshe për të ndjekur live fjalimet e kandidatëve për postin e presidentit. E jo vetëm dëgjonin, por edhe brohorisnin e festonin, njësoj sikur të ishin delegatë të konventave. E në gjithë këtë histori nuk të zinte syri asnjë grimë fanatizmi. Ishte një pasion e një entusiazëm i pastër politik; dhe ky pasion e ky entusiazëm vjen prej një sensi e prej një angazhimi të shëndetshëm civik.

Së dyti, qytetarët amerikanë besojnë tek politikanët e tyre. Mund të qëllojë që edhe të zhgënjehen nga ndonjëri syresh, por ky zhgënjim nuk i bën "të djegin jorganin për një plesht". Ata vijojnë të besojnë tek të zgjedhurit e tyre; e për këtë arsye, i nderojnë ata ashtu siç nderohet një njeri, që sakrifikon jetën e vet në emër të së mirës publike e kombëtare. Mund të merret për një besim njerëzish naivë, por - sipas meje - është ky besim përveç të tjerash që formon bazën e qëndrueshmërisë së sistemit politik amerikan. Nuk kishte gjë më të bukur të shihje delegatët e përlotur, teksa dëgjonin fjalën e Ted Kennedy-t, i cili kish ardhur të thosh të vetën në konventë, s‘ka gjë se familjarët e mjekët kishin dashur ta ndalonin në këtë moment dramatik të jetës së vet. Dhe ajo përlotje kolektive nuk e kish burimin thjesht tek sjellja heroike prej pacienti në prag të vdekjes nga ana senatorit me emër të bujshëm; ajo përlotje ishte mirënjohje e nderim për një pinjoll të një familjeje të madhe politike e për një njeri - kjo është më e rëndësishmja - që e ka shpenzuar jetën e vet në përpjekje për t‘i shërbyer kombit të vet.

Së treti, atje beteja elektorale e politike zhvillohet mes kundërshtarësh që respektohen reciprokisht. Sigurisht, si kudo gjetkë, edhe në SHBA, rivalët e pickojnë sho-shoqin, por në të shumtën e herëve këto pickime bëhen në mënyrë elegante e skrupuloze. Nuk bëhet fjalë për goditje të pabesa e të pamëshirshme. Më e rënda gjë, që Barack Obama ka lëshuar në adresë të McCain-it është fraza e thënë në fjalimin, që mbylli punimet e konventës: "Nuk është puna, se John McCain nuk merakoset për Amerikën; puna është që McCain nuk i di gjërat". Ndërsa më e rënda gjë që McCain ka thënë në adresë të Obama-s është e një natyre tjetër: ne kemi nevojë për një president, e jo për një celebrity; Obama nuk është ekspert".

Madje, ka rrethana, kur kandidatët janë vetë të parët që njohin meritat e kundërshtarit, apo që nxitojnë ta marrin në mbrojtje këtë të fundit. McCain e shtabi i tij elektoral kanë pranuar se Obama është një orator i shkëlqyer e një politikan i së ardhshmes, ndërsa kandidati demokrat nga ana e vet nuk lë rast pa theksuar shërbimet e mëdha që McCain i ka bërë SHBA-ve, qoftë me uniformën e ushtarit, qoftë nga karrikja e anëtarit të Kongesit. Dhe kur erdhi puna, që një pjesë e mirë e mass-media-s zuri të merrej me shtatzaninë e vajzës shtatëmbëdhjetëvjeçare të kandidates republikane për zv.Presidente, Barak Obama nuk u mendua gjatë për të thënë përballë kamerave e mikrofonëve, se kjo "është një çështje ngushtësisht e rigorozisht familjare, me të cilën nuk ka të drejtë të merret askush".

Dhe kjo qasje kavalereske nuk është tabiat i kërkuar i atyre "atje sipër". Përkundrazi, kjo sjellje i dallon pothuaj të gjithë, gjë që u duk në mënyrë plateale në çastin, kur Obama përmendi meritat e McCain-it. Është pikërisht ky çasti, kur tetëdhjetëmijë demokratët që mbushnin stadiumin zunë vetvetiu të duartrokisnin.

Së katërti, është interesante të vihet re që çdo moment në jetën e në biografinë e kandidatëve për postin e presidentit ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Kush konkuron në garat elektorale në SHBA, duhet të mendojë përveç të tjerave edhe situatën, në të cilën i duhet të fusë në sitë gjithë jetën e gjithë karrierën e tij, dmth familjen ku është rritur, vlerat me të cilat është edukuar në atë familje, vitet e adoleshencës me të gjitha sjelljet e mbrapshta e kontroverse të kësaj moshe, shkollimin e formimin, dashuritë e miqësitë e jetës, martesën, familjen e re, fëmijët që ka nxjerrë në dritë, e më në fund lëvizjet e qëndrimet politike, për të cilat i duhet të japë hesap deri në një.

Së pesti, ballafaqimi elektoral është i fokusuar më së shumti tek idetë, tek qëndrimet e tek programet.Edhe sikur kandidatët të kishin ngasjen për t‘u marrë me sho-shoqin apo me çështje të një rëndësie periferike, janë zgjedhësit e njerëzit e mass-media-s që vigjilojnë e që thonë njëzëri: let‘s come to the issues. Kjo do të thotë që në radhë të parë kërkohet përgjigje mbi krizën ekonomike, mbi sistemin fiskal, mbi sistemin shëndetësor, mbi emigracionin, mbi terrorizmin, mbi politikën e jashtme, etj, etj. Është pikërisht qëndrimi ndaj çështjeve të tilla apo ndaj çështjeve të tjera të ngjashme me to, që përcaktojnë sjelljen elektorale, rrjedhimisht fituesin e zgjedhjeve.

Do të ishte me vlerë ta mësonim mirë këtë leksion.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama