Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Duhen projekte ambicioze gazetareske

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 16 vite më parë

Mustafa Nano
Duhen projekte ambicioze gazetareske

Artikujt e Myftarit e të Nazarkos mbi shtypin e shkruar nuk bënë gjë tjetër, veçse shtuan gjëra të tjera në thesin e atyre argumentave, që flasin për një krizë të shtypit. I pari zbuloi ca gjëra nga pozitat e drejtuesit administrativ të një gazete (kjo është një optikë shumë e nevojshme në këtë debat), ndërsa i dyti theksoi shqetësime nga pozitat e punëtorit të shtypit e nga pozitat e atij që i ka jetuar në vetë të parë të gjitha epokat e shtypit shqiptar në periudhën postkomuniste. Nuk ka dyshim që sëmundjet e shtypit të shkruar në Shqipëri janë shumë komplekse dhe vështirësisht të shërueshme në harkun e një kohe të shkurtër. Përveç kësaj, shërimi nuk varet nga një "doktor" i vetëm; janë një numër aktorësh e faktorësh, të cilët duhet të ndërhyjnë në mënyrë të koordinuar. Por përpara ndërhyrjes, duhet të gërmojmë në burimet origjinale të kësaj krize, në mënyrë që të kemi mundësi të bëjmë ekzaminimin e sëmundjes apo sëmundjeve. Pa gjetur këto burime, do të ishte e kotë dhe e padobishme çdo ndërhyrje.

Dhe çfarë ka në origjinë të kësaj krize? Më së pari, ka një situatë shumë të qartë për të gjithë: asnjëra prej ndërmarrjeve të rëndësishme mass-media-tike në Shqipërinë e sotme nuk ka lindur si një projekt gazetaresk. Dua të them, se në asnjë rast (po flas për periudhën pas vitit 1997, në të cilën jemi ballafaquar me një zhvillim intensiv e ekstensiv - më pak intensiv e më shumë ekstensiv - të mass-media-s, e merret vesh që në këtë mes po lë mënjanë periudhën paragazetareske 1990-1997) nuk kemi parë një numër gazetarësh, të cilët të jenë bërë tok, të kenë ndërtuar një projekt gazete, të kenë dalë në kërkim të financimeve të nevojshme, t‘i kenë gjetur këto financime, e pas kësaj, të kenë bërë një gazetë.

Kjo pra nuk ka ndodhur. Ka ndodhur e kundërta, d.m.th kanë dalë herë pas here sipërmarrës, të cilëve u ka shkrepur në kokë ideja për të ndërtuar një gazetë, një radio a një televizion. Dhe këta kanë gjetur më pas gazetarët, të cilët janë vënë në shërbim të idesë së sipërmarrësve. Kemi të bëjmë me një dukuri apriori negative e të refuzueshme? Kjo është e diskutueshme, pasi edhe gjetkë nëpër botë vihet re të ketë ndodhur tek-tuk e njëjta gjë; veçanërisht në vende si Shqipëria, ku edhe copëra të komunitetit të gazetarëve nuk arrijnë të gjejnë solidaritet mes vedi rreth një projekti gazetaresk, i cili - duhet thënë kjo - përpara se të jetë një projekt biznesi, është një projekt intelektual e kulturor, dhe ku sipërmarrësit nuk kanë as gatishmërinë, as nxitjen, as gjakimin për të financuar projekte të pakontrolluara prej tyre apo projekte që nuk janë në funksion të hesapeve të tyre.

Kam frikë se kjo situatë nuk ç‘bëhet më me themel, ashtu siç kam dyshimin që e gjithë kjo ka qenë një fatalitet; gazetat shqiptare janë ngritur me iniciativën individuale të sipërmarrësve të ndryshëm, sepse në rrethanat që njohim e për shkak të këtyre rrethanave, mundësitë e tjera përpara se të kenë qenë të paeksploruara, kanë qenë të paeksplorueshme. Kështu që nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të bëjmë ndërhyrje në këtë sistem që kemi. Si?

E dimë tanimë, që të gjitha të përditshmet shqiptare, të para si agjenci biznesi, rezultojnë me humbje. Dhe do të rezultojnë me humbje për një kohë paparashikueshmërisht të gjatë; të paktën, deri sa ekonomia shqiptare të hyjë në binarë tërësisht kompetitivë e deri sa të lindin - prej kësaj klime kompetitive - biznese të mëdha e të qëndrueshme. Ky lloj fuqizimi i ekonomisë do të sillte një nevojë gjithnjë e më të madhe të kompanive e firmave për të promovuar shërbimet e prodhimet e tyre, dhe e gjithë kjo nevojë do të përkthehej në pará, që do të hynin në arkat e sektorit të marketingut të gazetave. E në këtë mënyrë do të krijoheshin kushtet që gazetat të mbanin vetveten. Mirëpo, siç mund të merret me mend, ky "sugjerim" e shtyn zgjidhjen për në kalendat greke .

Një ndërhyrje tjetër tek sistemi mund të vinte nëpërmjet financimeve shtetërore në ndihmë të shtypit, gjë që aplikohet në disa vende. Por kjo ndërhyrje në rastin shqiptar nuk duket e këshillueshme. Nuk do të ishte e drejtë që taksapaguesit shqiptarë të paguanin nga xhepi i tyre - përse? - për të mbajtur gjallë ca gazeta, që e ushqejnë (në fakt, e helmojnë) opinionin publik me broçkulla apo çikërrima informative; do të ishte po aq e padrejtë sa ç‘është kostoja që paguajmë për të mbajtur në këmbë një televizion publik, i cili nuk është as televizion, as publik. Përveç kësaj, në rrethanat e sotme, çdo financim shtetëror merr automatikisht targën e një financimi nga ana e qeverisë, e cila nga ana e vet do të kërkonte e do të gjente shpërblimin në formën e mbështetjes mass-media-tike.

Le të kthehemi tek gazetat që janë me humbje. Në situatën ku jemi, këto humbje bjenë mbi shpatullat e sipërmarrësve që financojnë gazeta të caktuara. Dhe ata e kanë ditur këtë gjë përpara se t‘i futen kësaj pune. Po pse i janë futur, atëherë? A mos vallë janë ca mecenatë të kohëve moderne? Në dijeninë time, në Shqipëri nuk ka sipërmarrës me shpirt mecenatesk. Ka diferenca mes tyre përsa i takon qasjes legale e morale në punën e tyre, por nuk gjenden mecenatë. Përkundrazi, ka nga ata (shumica e tyre), që i kanë llogaritur këto humbje e i pranojnë pa bërë zë, pasi pikërisht nëpërmjet gazetës mbrojnë biznese jo fort të kopsitura nga pikëpamja ligjore apo ushtrojnë presione mbi agjencitë e tenderimit e mbi agjencitë qeveritare, që kanë për detyrë të mbajnë nën kontroll botën e biznesit. Përveç kësaj, nuk duhet përjashtuar mundësia që ndonjë syresh t‘i pranojë të gjitha këto humbje vetëm për hir të mundësisë që i jepet për të qënë protagonist i jetës publike.

E keqja nuk ndalon këtu. Këta kanë marrë përsipër të përballojnë humbje të tilla në funksion të qëllimeve të mësipërme, por çështja është që nuk janë të gatshëm të përballojnë humbje të tjera, të cilat do të ishin të nevojshme për të mbajtur gjallë një shtyp serioz, dinjitoz e në funksion të një opinioni publik të shëndetshëm. Kjo është arsyeja që arkat e gazetave janë të varfëra, që gazetarët rendin nga një redaksi në tjetrën në kërkim të një page pak më të lartë, që gazetarëve nuk u paguhen sigurimet (këto janë probleme që ngrinte me të drejtë Myftari në shkrimin e vet).

E vetmja zgjidhje për të mos i lënë të dhembshme humbjet e padobishme e për të motivuar rritjen e humbjeve të dobishme (ato në funksion të rritjes profesionale të shtypit e në funksion të dinjitetit të gazetarëve), mbetet ajo që sugjeron Nazarko: një gazetë duhet të financohet nga një numër sipërmarrësish. Këtë ligji nuk e pengon, por do të ishte mirë ta diktonte. Kjo, jo vetëm do të ndante humbjet, por edhe do t‘u jepte një kuptim këtyre humbjeve (është bukur të shpenzosh tok me të tjerët në emër të një kontributi publik); nuk është çudi që në këto rrethana sipërmarrësit të shfaqeshin më të gatshëm për të rritur investimin në të mirë të gazetës. Nga ana tjetër, kjo gjë nuk do t‘u jepte arsye sipërmarrësve që ta shihnin gazetën si një kobure ekskluzive të tyren apo që të synonin komandën editoriale të saj, gjë që më në fund, do t‘u jepte gazetarëve më tepër liri e më tepër mjete për të kryer punën e tyre.

Po të isha në vend të Myftarit, nuk do të prisja ndërhyrjen e Kuvendit apo të qeverisë në këtë drejtim; përkundrazi, do të lëvizja vetë për të "rekrutuar" sipërmarrës të tjerë për ta bërë "Shqip"-in një ndërmarrje joint venture, dhe këta sipërmarrës do t‘i ndillja me një projekt të qartë e ambicioz. Sa kohë që këtë gjë nuk e bën ndonjë grup gazetarësh, nuk do të ishte keq ta bënte një manager i gazetës.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama