Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Fundi logjik i EURO 2008 – “pjesë” e të cilit kërkoi të bëhej edhe Shqipëria…

Shkruar nga: Besnik Dizdari  
Botuar më: 16 vite më parë

Besnik Dizdari
Fundi logjik i EURO 2008 – “pjesë” e të cilit kërkoi të bëhej edhe Shqipëria…

* Historia prej së cilës mësojmë dhe nuk mësojmë… Kultura e futbollit që marrim dhe që nuk marrim…

I. Përfundoi. Përfundoi me fitoren e Spanjës.

Për të mbërritur në këte “vendim” të pamshirshëm, EURO 2008 u përshkua në ngjarje sa të ngjashme me të 12 sivëllezërit e tij, të lindur njeri mbas tjetrit qysh nga vitit 1960, po aq dhe me të tjera.

Kështu apo ndryshe, qysh nga viti 1954 kur te sekretari i moshuar i UEFA-s së sapothemeluar, 71-vjeçari Henri Delaunay, lindi ideja e një kampionati për të gjithë kombet e Evropës, futbolli evropian mund të krenohet për fuqizimin e tij, ndonëse në përmbajtjen tekniko – taktike, edhe në Shekullin XXI, ai mbetet rob i Shekullit XX. Nuk ka risi mirëfilli, nuk ka revolucion të futbollit, nuk ka çudira të mëdha, nuk ka protagonistë të rinj të cilët papritmas arrijnë në Olimpin e lartësisë së Kampionatit. Duke mbetur kësisoji krejt i veçuar rasti i Greqisë 2004.

Një risi megjithate është e pranishme: futbolli evropian përmes Kampionatit të tij kontinental gjithnjë e më fort vjen e përhapet dhe fuqizohet si një dukuri sociale, kombëtare, kulture, historike, kënaqësie estetike dhe shpirtërore. Kjo mbase është dhe befasia e tij, nëse vërtet mund të flasim për një befasi të viteve të fundit, që qëndron mbi çdo taktikë apo teknikë, treguesit më pak të zhvilluar të futbollit shqiptar, për të cilat mëtohet të flitet me kompetencë të rrallë edhe gjatë pasqyrimit të EURO 2008 në hapësirat gazetareske kombëtare, të shkruara e të folura.

Historia na kujton ndërkaq, se ka patur një Kampionat Britanik që zhvillohej qysh më 1884; ka patur dhe një Kampionat Ballkanik qysh më 1929 ku madje një vend i vogël si Shqipëria qe shpallë kampione (1946); ka patur edhe një "Svehla Pokal" - Kupa Ndërkombëtare e Evropës Qendrore të një Austrie, Hungarie, Çekosllovakie, Zvicre e Italie të viteve 1935, '47, '54.

Dhe mbi themelet e tyre, në një farë mënyre të brishta, është ngritur Kupa e Kombeve të Evropës falë idesë së madhe largpamëse të 71-vjeçarit të UEFA-s në të largëtin 1954.

"Një kampionat për të gjithë Evropën!", - tha asokohe Delaunay. Çka dukej si një utopi, teksa në zyrat e selisë së UEFA-s tashmâ bisedohej. Delenay dukej tejet optimist, ndonëse vitet që kishte mbi supe sikur ia shtypnin mendimin. Ai vdes papritmas duke lënë mbas një trishtim që të krijonte përveç të tjerave, një vepër e lënë përgjysëm. Për fat vazhduesi quhej Pierr Delaunay. Eshtë i biri. të cilit i duhen vetëm 7 muaj, që më 8 qershor 1956 ai të bëhet si dhe i ati sekretar i përgjithshëm i UEFA-s. Puna e parë e tij sapo ulet para skrivanisë ku vetvetiu ende ndjehej prania e babait, është realizimi i idesë së madhe të një Kampionati për gjithë Evropën. Ishte një trashëgimi familjare e shéjtë. Hungarezi Shebesh, greku Constrantas, austriaku Frey dhe spanjolli Pujol janë emrat që ai i shënon në bllokun e tij. Së bashku me vetë atë, pesëshja ka mbetur në histori si komisioni i studimit të projektit të madh të Henri Delaunay.

Ka qenë 27 shkurt 1957. Keln i Gjermanisë. Kongresi i jashtëzakonshëm i UEFA-s. Para saj ata lëshojnë mbi tryezat e punës së secilit projektin e tyre. Papritmas kishte lindur Kupa e Evropës, Kampionati Evropian i Kombeve. Pranimi është unanim! Henri Delaunay kishte thuajse dy vjet që nuk jetonte më. Rrallë një bir kishte përjetësuar kësisoji veprën e të atit. Pierre Delaunay ka të drejtë të çlodhet. Në Kupën të lartë 50 centimenta e të rëndë 8 kilogram skalitet në argjend për të shndritur përjetë emri i babait: "Henry Delaunay". Që ka mbetur përjetë, ndonëse në Kongresin e UEFA-s të Londrës më 1966, emërtimi u ndërrua nga Kupa e Kombeve në Kampionati Evropian të Futbollit.

Ky ishte përjetësimi i idesë pionieristike.

Qysh asokohe edicionet janë plot 13. Në 48 vjet jetë të saj, 1960-2008 Kupën e Kombeve “Henry Delenay” e kanë fituar rradhazi BRSS, Spanja, Italia, RF Gjermane, Çekosllovakia, RF Gjermane, Franca, Hollanda, Danimarka, Gjermania, Franca, Greqia. Ndonëse topi është i rrumbullakëtë, në të 13 edicionet e tij, Kampionati vetëm dy herë iu nënshtrua kapriciove të rrotullimit të kësaj sfere të vogël, për të cilën dikush thotë se simbolizon vetë rruzullin e Tokës së shoqërisë njerëzore: më 1992 kur fitoi Danimarka e cila shkoi në fundoret vetëm për shkak të përjashtimit politik të Jugosllavisë dhe më 2004 kur për shkak të një qëndrimi mbinjerëzor të gjakimit (pasionit) për futbollin, fitoi Greqia, e cila në edicionin e parë më 1963 eliminohej sepse nuk pranonte të ndeshej me Shqipërinë Komuniste.

Dhe në 11 edicione të tjera fitonte logjika e vërtetësisë së zhvillimit të futbollit.

Më 1960 fiton BRSS i Lev Jashin, Igor Neto, Voinov, Ivanov, Mes-hi e Metreveli; më 1964 Spanja e Iribar, Amancio dhe Suarez; më 1968 Italia e Zoff, Burgnich, Facchetti, Mazzola e Rivera; më 1971 RF Germane e Maier, Beckenbauer, Gerd Muller, Netzer; më 1976 Çekosllovakia e Viktor, Ondrus, Panenka, Nehoda; më 1980 RF Germane e Schumacher, Stielike, Briegel, Schuster e Rummenigge; më 1984 Franca e Platini, Tigana, Giresse; më 1988 Holanda e R. Koeman, Van Basten, Riijkard e Gullit; më 1992 Danimarka e Schmeichel e B.Laudrup; më 1996 Gjermania e Sammer, Hassler, Bierhoff e Klinsmann; më 2000 Franca e Barthez, Thuram, Desailly, Lizarazu, Trezeguet, Deschamps, Zidane, Henry; më 2004 Greqia e Zagorakis e Chairisteas; më 2008 Spanja e Casillas, Senna, Sergio Ramos, Iniesta, Fernando Torres, David Villa.

Duke u munduar kështu që në përzgjedhjen e emrave të këtyre kampionëve të 48 vjetëve t’ia arrijmë të veçojmë personalitetet më ndikuese të suksesit të madh të secilit komb futbollistik. Të sipërmendurit janë artistë të futbollit, ajo racë që në futbollin e sotëm “teknologjik” apo “industrial”, rrezikon të shuhet… Për të mbërritur te ky Kampionat, i njohur si EURO 2008, i cili shpalos më tepër risi sociale të një gjeopolitike madje, në të cilin doemos ende nuk arrin të përfshihet Shqipëria sportive.

Treguesit asisoji janë marramendës. 1 milion spektatorë për 31 ndeshje. Dhe 1 miliard telespektatorë. 8 qytete të dy shteteve pritëse të ndeshjeve midis plot 1032 km. largësi përudhëtuese Vjenë – Gjenevë. 1 milion “punonjës” në stadiumet. 1500 njerëz për çdo ndeshje si punëtorë të palodhur të sigurisë dhe organizimit. Dhe tribuna VIP deri me dy kate për 1000 personazhe të tillë, të cilët 40 vjet më parë nuk kanë qenë kurr më shumë se nja 40. Dhe rreth 8000 gazetarë, 29.000 orë trasnmetim televiziv në 234 kanale për 200 vende të botës. 27.000 policë dhe 3000 ushtarë të Austrisë. 15.000 ushtarë të Zvicrës dhe 2500 policë të huaj. 350.000 euro për 284 kontrolle antidoping. Dhe 180 milion Euro buxhet.

Kjo ishte ana gjigande “josportive” e EURO 2008, i cili prej gati katër vjetësh qëndron ndër duart e dymbëdhjetë njerëzve,të cilëve nuk iu përmend emri asnjëherë në 23 ditët e këtij qershori 2008, ndonëse ata ishin sunduesit, ideatorët, ekzekutuesit e Kampionatit të 13-të Evropian të Futbollit: Peter Gillieron, H, Herbert Hubel, Gianni Infantino, Lars-Ake Lagrell, Marios N. Lefkaritis, Giorgio Marchetti, Friedrich Stickler, David Taylor, Ralph M. Zloczower, Martin Kallen, Christian Mutschler, Christian Schmolzer. Juristë, ekonomistë, industrialistë, të diplomuar deri dhe në letërsi, administratorë, futbollistë të vjetër, diplomantë të shkencave politike e juridike, njerëz të tregëtisë – të gjithë portrete që vërtetojnë rënien gjithnjë e më fort të futbollit evropian në duart e profesioneve të tjera të jashtë futbollti. Ua “zë frymën” vetëm personaliteti futbollistik i Michel Platini, presidenti i UEFA-s.

II.
E prapëseprapë (është vërtet e tmerrshme që autorët “stoikë” të Fjalorit të gjuhës zyrtare shqipe i vejnë kësaj fjale dy “ë”) sunduesi mbetet sporti, në rastin tonë futbolli i drejtpërdrejt i fushës prej të cilit rrjedhin të gjitha të tjerat, ndonëse janë këto “të tjera” që e sundojnë ate.

Dhe pa shumë risi fitoi Spanja…

Ndonëse asgjë nuk shpëtoi pa mënjanime, arritje dhe mosarritje, kthesa dhe monotoni, shpërthime dhe qetësi. Flet vetë Renditja jozyrtare e EURO 2008 që është kjo:


Shteti     P.  F.   B.   H.   G.

1. Spanja 16 5 1 0 12-3

2. Gjermania 12 4 0 2 10-7

3. Rusia 9 3 0 2 7-8

4. Turqia 7 2 1 2 8-9

5. Kroacia 10 3 1 0 5-2

6. Holanda 9 3 0 1 10-4

7. Portugalia 6 2 0 2 7-6

8. Italia 5 1 2 1 3-4

9. Rep Çeke 3 1 0 2 4-6

10.Suedia 3 1 0 2 3-6

11.Rumania 2 0 2 1 1-3

12.Austria 1 0 1 2 1-3

13.Zvicra 3 1 0 2 3-3

14.Polonia 1 0 1 2 1-4

15.Franca 1 0 1 2 1-6

16.Greqia 0 0 0 3 1-5


Siç shihet i gjithë “sensacioni” - kurrnjiherë nuk ka ndodhur që një turne Evropiani apo Botërori të shpëtojë pa një sensacion - është se dy Kampionet e fundit të Evropës, Franca (2000) dhe Greqia (2004) u renditen të fundit: në vendet 15 dhe 16, ku natyrisht ajo që rëndon më fort është Franca renditur e parafundit, e 15-ta, ndonëse është edhe Nënkampione e Botës në fuqi!

Dhe pa kakofoni, në gjithë shkallët e tjera të Renditjes logjika është në barazpeshën e logjikës së periudhës që kalojnë shumica e Kombëtareve të shteteve të Evropës. Ndërkaq, përfundimi i Holandës dhe Portugalisë në vendet 6-7, ndonëse ishin skuadrat të cilat në ndeshjet në grupe paraqitën futbollin më të bukur, nuk duket se përbën befasinë e madhe. Sepse dihet se kur mbërrihet te ndeshjet me eliminim të drejtpërdrejtë, futbolli shpalos jashtë vullnetit të këmbës së njeriut - tejet e pakomandueshme sidomos në shpejtësi e sipër - vendimet më të çuditshme. Kështu ka ndodhur gati gjithmonë. Madje nuk paraqet befasi as vendi i tretë i Rusisë dhe as i katërti i Turqisë.

Rusia dihet që është një vend i madh dhe përmes BRSS ka arritur në pesë Kampionate të Botës. Ka qenë një herë Kampion dhe dy herë në Nënkampion. Rusia 2008 që për kah géni futbollistik është një lloj BRSS, dhe e cila më 2008 dha edhe Kampionen e Evropës në klubet (Zenith), na kujton qartë se nga mbas ka gjithë atë histori. Dhe nuk të çudit me çka arriti.

“Jemi bronzi i Kampionatit të Evropës. Ej Rusi! Do të takohemi prap kështu”, siç foli në ekstazë “Sport Ekspres” i Moskës. Duke vazhduar më tej “e vjetra “Sovjetskij Sport”:

“Rusia na riktheu shpresën per t’u bërë pjesë e shkëlqimit të ardhshëm të futbollit”. Duke vazhduar me deklaratën e trajnerit Hiddink: “Ne duhet të krenohemi jo vetëm me rezultatin, por me lojën që treguam. Jam krenar me djemtë e mi për ate çka bënë në këte Kampionat”.

Pavlyuchenko, Arshavin, Kolodin, Sychev… I kujtoj në dy ndeshjet me Shpresën e Shqipërisë: 1-0 më 16 tetor 2002, në Stadiumin ”Traktor” të Vollgogradit (Stalingrad) në një ditë tipike të zymtë të dimrit rus nën tymnajën e një mjedisi “industrial” të viteve ’50 që dilte prej oxhakut të vjetër të uzinës së traktorëve të atjeshëm, teksa shpaloste rénë e zezë mbi stadium; por sidomos i kujtoj në 4-1-shin e “Selman Stërmasit” të Tiranës, ditë me diell të një shkatërrimi “të zakonshëm” shqiptar, të një loje të papërmbajtëshme që papritmas sot më miniaturë më ngjason me lojërat më të bukura që paraqiti Rusia në EURO 2008…

Dhe Moska që i priti si fitimtarë, edhe pse mbas humbjes së thellë 0-3 me Spanjën. Ky është kuptimi i sotëm, largpamës për futbollin, nën ndikimin e kulturës dhe historisë së tij…

Për fat, nuk mund të themi se ka hyrë në Shqipëri apo se dukuritë e historisë dhe të kulturës së tij po përqafohen përsëmbari në mjedisin publik futbollistik shqiptar. Ndonëse Shqipëria ishte shteti që i kushtoi hapsirën më të madhe publike EURO 2008, gazetat e shumta sortive të saj, simbas një kërkimi të shpejtë, jo vetëm nuk patën një rritje të tirazhit, por madje mjaft prej tyre edhe rënie. Në fund të fundit, kjo tregon rënie dhe mosinteresim kulturor të ndikimit të futbollit evropian midis nesh. Një temë e përmasave kjo që të nxit një studim të llojit social-sportiv.

Merret me mend se EURO 2008 në Shqipëri më shumë se askund mbase qe një dukuri thjesht televizive dhe ndoshta loteriste e përmasave gjigande hapësinore, shpesh dhe jologjike. Qofshim të gabuar, por nuk besojmë përshembull, se përfshirja deri në skaj e shndërrimit të politikanëve në komentatorë sportivë (ngjet vetëm në Shqipëri); e qeshura tej mase që shoqëronte “talk show”-t e shumtë - që në shqipet do të thotë “spektakël televiziv i fjalës dhe i bisedës” - tejet të ngjashëm midis tyre, kushtuar EURO 2008; përfshirja krejt e pajustifikueshme e vajzave të bukura të paditura rreth futbollit; diskutimet “taktiko-teknike” deri në një vetkënaqësi (edhe këtu mrekullia gjuhësoree: tri “ë” në një fjalë të vetme) duke harruar se ndeshjet shihen në TV, e fusha gjithnjë të jipet vetëm në copëza (pjesë) të sipërfaqes së saj, e pra të bëhet aq i vëshitirë kuptimi i përimtë taktik; dëshira deri për kritika shqiptare të përmasave krejt të papranueshme sidomos kur kujton vendin që Shqipëria zë në zhvillimin e kritikës sportive evropiane të shkruar, të pame e të folur; dhe mbi të gjitha, pikëpamjet prej tifozi të shumicës së “kritikëve” të vetësigurtë së bashku me vetshpalljen publike pa asnjë mëdyshje si një tifoz i një shteti të caktuar deri dhe i gazetarit, komentatorit apo diskutuesit, nuk besojmë se i japin Shqipërisë së vogël, modeste, problematike, ende në hapat e parë të zhvillimit të saj modern në të gjitha fushat e jetës, një koherencë të natyrshme në përvetësimin e kulturës, mendimit dhe zhvillimit historik të futbollit të sotëm evropian.

Merret me mend se një Kampionat Evropian në fund të fundit është thjesht sa dëfrim shpirtëror dhe kulturor për popujt, dhe si i tillë duhet marrë, por ky “gjakim” ksenoman shqiptar asesi nuk mund të thuhet se sjell diçka të mirë për vetë zhvillimin e futbollit ndër ne. Pa harruar kurrnjiherë edhe një “italianizim” snob të mendimit dhe anësisë futbollistike, çka për fat në Shqipëri, mbërrin deri aty ku nuk ka arësye të mbërrijë: në mjedisin gazetaresk, që përbën një nga veprimtaritë më serioze të jetës shoqërore falë funksionit më të parë të tij: informimit të drejt të opinionit publik. Qoftë edhe përmes një “talk show” televiziv.

E për një çast të duket se harruam Turqinë, e cila simbas “mendimit shqiptar” qe ”befasia e madhe”e Kampionatit. E përimtuam të martën e shkuar. Pa përsëritur, edhe në këte rast, në të shumtën, arritja turke çoi tek një vështrim gati paternalist prej Shqipërisë 3.5 milionëshe ndaj Turqisë 70 milionëshe. Në një kohë që, siç kemi shkruar, dukuria turke asesi nuk qe një befasi. Turqia në katër më të mirat e Kupës së Kombeve, Kupës së Evropës apo Kampionatit Evropian, siç i thonë sot, mbas një prej ndeshjeve më dramatike, më spektakolare që ka njohë Evropa, veçse ia shton vlerën e përfshirjes historike të futbollit turk në eliten e futbollit evropian. Dhe në tanësi, arritja e bujshme turke përmbledh një ngjitje po aq spektakolare: më 2000 në tetëshen më të mirë të Evropës, më 2002 e treta e Kampionatit Botëror, më 2008 në katërshen sunduese të Kampionatit Evropian. Pa harruar Galatasaray-n – Kampione e Evropës në vitin 2000. Kjo është thjesht vazhdimësia turke,jo befasia turke.

III. E pra, në këte kuptim, çfarë do të simbolizonte fundorja e mbrëmbjes së shumëpritur të Vjenës së 29 qershorit 2008 në elegantin “Ernst Hapel-Stadion”?

Na duket mjaft kuptimplotë përkufizimi i dy të mëdhenjve të EURO 2008 që i bëri “France Football” para ndeshjes. Tek është në stilin e tij:

“Nationalmanschaft shpalosi efikasitetin e saj, ndërsa Selecion pati përparësi kontrollin e topit. Ecuria e Gjermanisë ishte e paqëndrueshme në të pesë takimet e saj të para të EURO. E filloi me alegri me një fitore (2-0) ndaj Polonisë, kjo para se të dënohej prej ligjit të Kroacisë (1-2) dhe të fitojë në mënyrë “meskine” me Austrinë (1-0). Në një të katërtat befasoi Portugalinë (3-2) ndonëse mendohej kjo favoritja; dhe mandej kalon falë Turqisë me një treshe golash që mund të kishte qenë edhe në të mirë të kësaj të fundit. Nga ana e saj, Spanja nuk ka humbë asnjë prej të pesë ndeshjeve. Një rreth i parë që përshkohet përballë Rusisë (4-1), Suedisë (2-1) dhe Greqisë (1-0). Në një të katërtat ajo di ta mposhtë Italinë me 11-metërsha dhe bën edhe një shpalosje tjetër me Rusinë (3-0). Ky është formacioni i Luis Aragones, që shkëlqen. Shkëlqen me një stil të bukur të një loje kombinuese së cilës të duket se ai ka ndër duar “çelësin” e topit. Aragones luajti një 4-1-3-2 të bashkuar, në mënyrë që të mbulojë terrenin dhe të sundojë përmes pasimeve të shkurtë në çastin e sulmit. Spanjës i pëlqen ta mbajë shumë kontrollin e topit dhe falë një mesi shumë teknik i simbolizuar prej dyshes Xavi-Iniesta, të çon te luksi i monopolizimit të topit, duke pritur me durim çastin e shpërthimit. Spanja di të sulmojë duke u kujdesur edhe për anët e mbrapme të saj, sidomos falë lojës së madhe të Senna-s. Në këte turne djemtë e Aragones kanë gjuajtur 104 herë (20.8 herë për ndeshje) dhe iu deshtën 15 gjuajtje për të shënuar 3 gola në gjysmëfundoren me Rusinë. Përkundrazi, Gjermanisë i mjaftuan 3 gjuajtje për t’i shënuar 3 gola Turqisë, çka i shkon për shtat stilit gjerman. Eshtë një realizëm dhe saktësi çarmatosëse për kundërshtarin. Pa harruar se Gjermania ka gjuajtur thuajse dy herë më pak se kundërshtari (58 gjuajtje). Grupi ndërroi taktikën gjatë turneut. E nisi me 4-4-2 për ta shndërruar në 4-2-3-1, duke përforcuar dinamizmin e një Schweinsteiger dhe të një Podolski. Ndërkaq, të dielën Spanjës i duhet të përtërijë taktikën e saj për shkak të mosluajtjes së David Villa-s dhe të përforcimit më tej të Fabregas-it, me një 4-2-3-1 që e lumturoi në pjesën e dytë të ndeshjes me Rusinë. “Futbolli është një sport që luhet me 11 vetë dhe në fund është Gjermania që fiton”, ka thënë shumë kohë më parë Garry Lineker. Dhe është Nationalmanschaft që e ka justifikuar këte thënie të kombëtarasit të vjetër anglez. Me 13 fundoret (finalet) e saj (botërore dhe evropiane), me 3 titujt e Botërorit (1954, 1974, 1990) dhe me 3 titujt kontinentalë (1972, 1980, 1996), Gjermania është gjithmonë një makinë e frikshme fitimtare. Dhe gjithë brezat e saj frymëzohen prej një gjendje shpirtërore po fitimtare: ajo nuk ndjehet kurr e mposhtur. Gjermania e versionit 2008 është pamja e paraardhëve të vet: ajo nuk ndjehet kurr e mposhtur, është e sigurtë në forcën e saj, dhe din të ringrihet përherë me këmbët e veta. Nga ana e saj Spanja ka kohë që mendon të ringrihet. Qysh prej titullit të saj 1964 dhe humbjes së saj në fundoren e EURO 1984 kundër Francës së Michel Platini (2-0), ajo ishte goditur prej fatit të keq pa kaluar më përtej një të katërtave. Spanja vazhdon ndërkaq, të shkëlqejë dhe të fitojë. Ndonëse tashmâ ajo di se mund të fitojë edhe pa shkëlqyer. Të dielën do t’i duhet diçka më tepër për të mposhtë Gjermaninë që mbetet e përjetshme”.

XXX  Një fitore ishte arritur megjithtate, pa u zhvilluar fundorja e së dielës. Kishin triumfuar Kampionati i Gjermanisë dhe i Spanjës. Në fundoren e një dite më vonë, Gjermania do të kishte në 11-sh, 8 lojtarë të Bundesligës. Spanja 9 lojtarë të Primiera Division. Mos ndoshta nuk qenka i vërtetë “shkombëtarizimi” i kampionateve kombëtare?...

Dhe çfarë ndodhi? “France Football” parashikoi me pagabueshmëri në portretizimin e Spanjës. Rrallë ka ndohur që portreti paraprak i një Kampioneje të Evropës të vërtetohej në fushë 24 orë më vonë. Por “France Football” duket se “gaboi” me Gjermaninë, e cila hap mbas hapi si kurrnjiherë erdhi duke u dorëzuar. Çka shkaktoi që mbi Vjenën e futbollit të binte qetësia e parakohshme e një kampioneje të paralajmëruar. Fitoi Spanja mbas 24 vjetëve, duke marrë Kupën “Henri Delaunay” nga duart e njeriut i cili ia kishte rrëmbyer 24 vjet më pare: Michel Platini – kapiteni i Francës Kampione e Evropës 1984, presidenti i UEFA-s 2008.

Ajo nuk ishte një përsëritje historie, megjithate, ishte një invers historie. Nuk është këtu vendi të zgjatemi me fundoren e “Ernt- Hapel Stadion” 48 orë mbrapa, sepse këto 48 orë kanë mjaftuar për të shtérrun gjithçka ka ndodhur në mbrëmbjen e pashlyeshme shumëngjyrshme të Vjenës. Sidomos për kah stili i fillimit dhe mbarimit të një nate futbollistike “danubiane”, siç është quajtur dikur futbolli austro-hungarez, që për ne shqiptarët ka meritën sepse 95 vjet më parë, na ka dhuruar ndeshjen e parë zyrtare të futbollit: Shkodër, gusht 1913. Dhe se në këte 2008 i dha fanelën e lojës shqiptarit të parë në një turne të fundores (finales) në një Kampionat Evropian: Ronald Gercalliu të Austrisë.

E vërteta është se fundorja e madhe e Vjenës nuk pati një kronikë. Në stilin e përmbajtjen e vet ajo qe “e varfër”, thuajse e ngushtuar vetëm në episodin e golit të vetëm të 24 vjeçarit të Liverpool-it, Fernando Torres dhe rasteve të humbura po prej spanjolëve të tjerë të tij. Asgjë më tepër se kaq. Kjo fundore ndër më të qetat në përmbajtjen kronikale në histori madje, ishte pëmbyllja e një suksesi të bukur, madje tejet të vonuar të futbollit të Spanjës, që i ka dhënë futbollit botëror shumë, shumë. Në rradhë të parë me Realin e saj legjendar, po dhe me Barcelonën e një shpirti të pangjashëm. Spanja ka qenë shteti, i cili më 1956-57 mirëpriti futbollistët epokalë të revolucionit hungarez të futbollit, po dhe të lirisë, të cilët i mallkoi Partia Komuniste Hungareze, po edhe ajo e Shqipërisë, madje deri në mërzi: një Pushkash, një Kocish, një Zakariash, duke i shpëtuar historisë së futbollit një stil që do të shuhej në Hungarinë e futbollit më të bukur të epokës. Sepse Spanja shpëton gjithnjë dhe vetvetiu ruan vlerat më të vyeshme të futbollit. Për fat pa luajtur për vite të tana role të dorës së parë me Kombëtaren e saj.

Ose vetëm më 1964 dhe... “vetëm më 2008. 6 ndeshje, 5 fitore, vetëm 1 barazim, 12 gola të shënuar, vetëm 3 të pësuar, 16 pikë të fituara! Askush si ajo sepse për herë të parë ndodh që në një turne me 16 skuadra pjesëmarrëse, Kampionia e Evropës të ketë këte bilanc madhështor në histori.

Ajo ishte një Spanjë e pagabueshme. Mbas kaq vitesh, papritmas shfaqet një kampione e një futbolli “të qetë” në pamje tëjashtme, me shpërthime të vogla, por të mprehta, me gola të paramenduar dhe jo spontanë, mbi të gjitha me kolektivitetin shembullor, ndoshta pa rolin e yjeve shpërthyes. Kjo ishte Kampionia e futbollit kolektiv, pa protagonizëm dhe protagonistë, pa lider të mirëfilltë, por e futbollit racional, të një teknike thuajse matematike në kuadrate gjeometrikë që i kishim harruar, dhe që u panë në çdo cep të fushës, në çdo vijë të formacionit, në këmbët e çdo futbollisti. Futbolli evropian nuk fitoi diçka të re, por ndoshta paralajmëroi se Shekulli XXI, mund të jetë shekulli i 11 futbollistve të barabartë, duke i dhënë goditje futbollit “industrial” dhe “teknologjik” të fitimit marramendës dhe të paarsyeshëm në paranë që ka emrin panevropian si të EURO 2008 futbollistik: euro!

Nga të 22 futbollistë Spanja nuk arriti të nxirrte në fushën e lojës vetëm një njeri, portjerin e saj të tretë Andrea Palop të Seviljes, i vetmi që ishte spektator në 570 minuta lojë! Rrallë një Kampione e Evropës e ka fituar titullin me 22 lojtarë të shkëmbyer kësisoji.

Ajo ishte Spanja e një trajneri 70-vjeçar, me emrin Luis Suarez Aragones. Ishte njeriu i cili 34 vjet më parë, më 1974, si sulmues 36-vjeçar i Atletico të Madridit, mbas fundores së Kupës së Kampioneve të humbur 0-4 me Bayern të Munihut, braktiste futbollin dhe brenda pesë muajve i shndërruar në trajner, bënte Kampione të Botës me klubet, Atleticon e Madridit të tij, qytetit ku kishte lindur. Asnjëherë një trajner nuk e kishte bërë Kampione të Botës skuadrën e tij vetëm mbas pesë gjashtë muajve që ishte bërë trajner. Po kështu asnjëherë një trajner nuk do të vononte kaq shumë, duke pritur me durim stoik plot 34 vjet për t’u bërë Kampion i kontinentit të tij dhe për t’i marrë Gjermanisë së Bayern të Munihut revanshin e rinisë së tij, tashmâ përmes madhështisë së Kupës së Kombeve, duke i rrëmbyer fundoren e titullit të EURO 2008, edicionit të 13-të asaj që mban mbishkrimin “Henri Delaunay”. Për herë të parë në histori Gjermania pushon kaq gjatë: 18 vjet pa fituar një titull botëror. 12 vjet pa fituar një titull evropian! “France Football” ka “gabuar” rëndë në portretizimin e Gjermanisë 2008…

Edhe për Shqipërinë ndërkaq, mbetet vetëm një kujtesë historie: me tri prej katër të parave të EURO 2008, çuditërisht ajo ruan ngjarje të saj të bujshme “episodike”: 0-0 Germanisë më 1967, 3-1 Rusisë më 2003 dhe 2-0 e 4-1 Turqisë më 1998 dhe 2001. Për një çast të duket se dikush jemi edhe ne, se diçka kemi bërë edhe ne. Vërtet?...

Historia prej së cilës mësojmë dhe nuk mësojmë… Kultura e futbollit që marrim dhe që nuk marrim…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama