"Retorika nacionaliste", arrogance oligarkike…

Shkruar nga: Kastriot Islami  
Botuar më: 5 vite më parë

Kastriot Islami
"Retorika nacionaliste", arrogance oligarkike…

Pas deklarimit “arrogant”, tipik oligarkik të Ramës për “bashkimin Kosovë-Shqipëri përmes rrugës klasike/tradicionale” nëse të dy vendet s’do të mund të”bashkoheshin” në BE, kanë arritur reagimet e shpejta nga BE dhe SHBA, të cilat e kanë konsideruar së paku “provokuese” këtë deklaratë të klasifikuar si”nacionaliste”. Madje, edhe të nesërmen, Rama, pasi është pyetur nga gazetarët për reagimet amerikane e evropiane, ka vijuar të përgjigjet “me gjeste e verbalisht”, përsëri në mënyrë arrogante, duke lënë të kuptohet se “nuk e vras mendjen” se çfarë thonë SHBA e BE ndaj qëndrimeve e deklarimeve të mia. Perceptimi i përgjithshëm është se deklarata e Ramës ishte shprehje arrogante, tipike oligarkike ndaj kërkesave/presionit në rritje të ndërkombëtarëve për shkak të keqqeverisjes e kriminalizimit të maxhorancës së tij, por edhe për shkak të dështimeve në qeverisje, rritjes së pakënaqësisë popullore nga paaftësia qeverisëse dhe sidomos shtimit galopant të papunësisë e varfërisë. Ky lloj reagimi oligarkik, i mbështjellë me vello “nacionaliste”, është tipik për drejtuesin e një klientele të pasur, të korruptuar e të inkriminuar, sidomos kur bëhet fjalë për një vend të varfër, qytetarët e të cilit ndihen të palumtur, pesimistë e të dëshpëruar për të ardhmen e tyre. Fatmirësisht, nga ana tjetër, kësaj arrogance SHBA e BE i janë përgjigjur flakë për flakë, në sintoni të plotë midis tyre përmes një reagimi të fortë, për të mos thënë “i janë përgjigjur me një shuplakë paralajmëruese”… Retorika nacionaliste, arroganca oligarkike e qeverisë, e aplikuar jo vetëm ndaj qytetarëve të vendit, por edhe provokuese ndaj partnerëve të rëndësishëm dhe reagimi i shpejtë e i fortë, amerikan e europian, janë tregues të qartë të një situate të brendshme të tensionuar për të mos thënë shpërthyese…


1. Retorika e Ramës, shprehje e “arrogancës oligarkike”…


Nuk ka më asnjë dyshim se Rama është kryetari i maxhorancës më të kriminalizuar në Europë, drejtuesi/përfaqësuesi i “regjimit” të “Oligarkisë, Banditizmit e Krimit” në Shqipëri. Retorika e tij “nacionaliste” është lexuar dhe duhet lexuar, e madje duhet klasifikuar vetëm e thjesht si shprehje e arrogancës kundër Perëndimit, arrogancë tipike për një drejtues/përfaqësues të “Oligarkisë, Banditizmit dhe Krimit”. Kështu ka ndodhur e po ndodh me të gjithë “homologët” e tij në “republikat postkomuniste oligarkike”. Në rastet e ngjashme, kjo lloj arrogance është shoqëruar/pasuar nga përpjekje fillimisht të maskuara, e më tej të hapura, për të gjetur zgjidhje/investime/projekte me “partnerë të tretë”, jashtë partneriteteve strategjike, thjesht e vetëm për të ruajtur e forcuar pushtetin personal si përfaqësues i “oligarkisë, korrupsionit, krimit e banditizmit” pa pasur mbi krye “kritikat për avancimin e demokracisë, shtetin ligjor, drejtësinë e pavarur apo respektimin e të drejtave të njeriut”, që vijnë nga Perëndimi. Kjo është një spirale e pashmangshme, në të cilën janë përfshirë të gjithë “homologët” përfaqësues të oligarkisë në vendet postkomuniste… Reagimi aktual perëndimor vlerësohet adekuat dhe në kohën e duhur, mbetet që shqiptarët ta lexojnë qartësisht…


2. Qëndrimi konstruktiv i Shqipërisë për çështjen kombëtare…


Gjatë 25 vjetëve, Shqipëria është vlerësuar përgjithësisht për “konstruktivitet” si për sa i përket rolit e kontributit të saj në rajon, po ashtu edhe çështjes së Kosovës apo më gjerë, “çështjes kombëtare”. Shqipëria në NATO dhe Kosova e pavarur janë dy nga arritjet historike të shqiptarëve të realizuara në dekadat e fundit, në sajë të “rolit e politikës konstruktive” dhe “rezonimit pothuajse perfekt” të qëndrimeve të Shqipërisë me partnerët strategjike, SHBA e BE. Për më tepër, të gjitha forcat politike kryesore parlamentare apo drejtuese të vendit, në këta 25 vjet kanë pasur qëndrim unik lidhur me i) anëtarësimin e Shqipërisë në NATO e BE, ii) pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e saj si shtet i pavarur në NATO e BE; iii) bashkëpunimin intensiv, të thellë, të gjithanshëm, specifik, e tjerë midis Kosovës e Shqipërisë. Gjithçka tjetër ka qenë retorikë individësh për interesa të momentit dhe me impakt përgjithësisht jo pozitiv për avancimin e Shqipërisë drejt BE apo të Kosovës drejt implementimit të pavarësisë e anëtarësimit të saj në institucionet globale, europiane, rajonale e të tjera.


3. “Tezat” e shumëkuptimta për “bashkimin Shqipëri-Kosovë”…


Në realitet, në asnjë nga dokumentet programore të PD, PS apo të partive të tjera parlamentare, s’ka as teza dhe as qëndrime eksplicite të shprehura për “bashkimin e Shqipërisë me Kosovën” apo, thënë më shkoqur, për krijimin e një “shteti të vetëm shqiptar” (sipas formave të ndryshme që qarkullojnë të tilla si Shqipëria Reale, Shqipëria Etnike, Shqipëria e Madhe e të tjera). Madje, në të gjitha takimet e rëndësishme me partnerët strategjikë apo në mbledhjet/konferencat e rëndësishme të institucioneve globale, europiane, rajonale e të tjera, drejtuesit shqiptarë u janë përmbajtur me kujdes dhe konstruktivitet tezave i) Shqipëria në NATO e BE dhe ii) Kosova shtet i pavarur, në NATO e BE. Dhe s’kanë zhvilluar asnjëherë në mënyrë shteruese tezën e “krijimit të një shteti të vetëm shqiptar” qoftë në kuadër të integrimit në BE, qoftë në “rrugë klasike”. Retorikat për “bashkim kombëtar” kanë qenë gjithnjë ambiguitet apo/dhe spekulative, dhe kjo është bërë qëllimisht për të i) mashtruar publikun shqiptar përmes qëndrimeve gjoja “nacionaliste/patriotike” dhe ii) pasur hapësirën e mjaftueshme për t’u shpjeguar partnerëve strategjike se “gjithçka deklarohet është brenda qëndrimeve konstruktive e asgjë s’ka ndryshuar”…


4. “Bashkimi kombëtar” në BE apo në rrugën klasike, i pasinqertë…


“Bashkim kombëtar”, brenda BE apo në rrugën klasike, pra nëse Shqipëria e Kosova s’do të bëheshin pjesë e BE, do të thotë të krijohet një shtet i vetëm shqiptar, me një kuvend, me një qeveri, me një president e të tjera e të tjera. Përndryshe, nëse brenda BE të dyja vendet, Shqipëria e Kosova, do të përfaqësoheshin me presidentët e tyre përkatës, parlamentet e tyre, qeveritë e tyre, e të tjera e të tjera, në këtë rast s’mund të bëhet fjalë realisht për “bashkim kombëtar”, por për dy shtete të pavarura, popullsia e të cilave është me kombësi shqiptare, që bashkëpunojnë ngushtësisht midis tyre, madje më ngushtësisht e intensivisht se me çdo vend tjetër të BE. Përfundimi është i qartë, retorika e “bashkimit kombëtar në një shtet të vetëm shqiptar”, qoftë në BE, qoftë përmes rrugës klasike/tradicionale, është minimalisht e pasinqertë, sepse këtë tezë drejtuesit shqiptarë nuk e kanë më së pari të pasqyruar në asnjë nga dokumentet programore të partisë që drejtojnë, në asnjë nga dokumentet e bashkëpunimit të Shqipërisë me NATO e BE, në asnjë nga rezolutat e Kuvendit e të tjera. Do të kishte një rrugë për të realizuar këtë qasje, nëse ndonjë forcë politike apo drejtues politik do ta synonte atë seriozisht : i) qëndrimi të pasqyrohet në dokumentet programore të partisë që drejton e të bëhet publik; ii) qëndrimi të formulohet në formën e një dokumenti, i cili do të ishte më efikas t’u bëhej me dije edhe partnerëve strategjikë; iii) në dokument të jepeshin të gjitha detajet e kësaj qasjeje, madje duke sqaruar se ç’do të thotë realizim i saj në rrugë “klasike/tradicionale” dhe iv) të jepeshin mjetet, mënyrat, veprimet e kalendarët përkatës për arritjen e këtij synimi. Nëse s’ndiqet kjo rrugë, atëherë e gjithë kjo do të trajtohet si një “retorikë” për interesa individualë politikë dhe asgjë më shumë, duke prodhuar njëkohësisht zhurmë, provokime, reagime të papërshtatshme, inefikasitet e vonesa në axhendën integruese, dëmtim/dyshime në marrëdhëniet strategjike e të tjera.


5. Retorika “nacionaliste” e Ramës, qëllimi, reagimet, efektet…


Deklarata e Ramës për “bashkimin kombëtar” tingëllon sa mediokre, aq edhe qesharake, sepse ajo bëhet për dy qëllime kryesore i) së pari, për të larguar vëmendjen nga keqqeverisja e vendit, hallet e problemet e panumërta të shqiptarëve e nga kërkesa e perëndimit për dekriminalizimin e maxhorancës dhe ii) së dyti, për të mashtruar kosovarët përmes një “qëndrimi nacionalist”, sepse kështu ndoshta do të mund të perceptohet si lider i të gjithë shqiptarëve. Mesazhi nga BE e SHBA ka qenë qartësisht kundër “retorikës” së Ramës… Në thelb mesazhi është perceptuar nga shumica e publikut shqiptar si një “shuplakë” e fortë ndaj arrogancës tipike oligarkike të Kryeministrit shqiptar dhe/ose paralajmërim për të penguar lëvizjen e tij të ngjashme me drejtuesit arrogantë e të korruptuar në vendet postkomuniste. Nga ana tjetër, opinioni i përgjithshëm është se reagimi i fortë i Perëndimit s’ka të bëjë me ndikimin apo përmbajtjen e deklaratës, sepse shqiptarët kudo dhe partnerët e kanë të qartë sa të pabesueshme e të parëndësishme janë ato, aq më tepër kur vijnë nga një person që askush s’e merr seriozisht në aspektin patriotik.


6. Rama as nacionalist, as patriot ndikues në hapësirën shqiptare…


Realisht Ramën nuk e merr askush seriozisht, as si patriot dhe aq më pak si nacionalist, as në hapësirën shqiptare, as në rajon dhe as gjetiu, sepse e njohin shumë mirë dhe për më tepër e kuptojnë shumë mirë qëllimin e kësaj deklarate të bërë nga drejtuesi i maxhorancës më të kriminalizuar në Europë. Edhe kur Rama luajti cirk në Beograd para Vuçiç, veçse bëri për të qeshur shumicën e shqiptarëve, por edhe partnerët, duke zhgënjyer ndoshta ndonjë drejtues europian që kishte pritshmëri tjetër. Po ashtu, të gjithë aleatët në BE e SHBA e dinë shumë mirë se ndikimi i deklaratave “nacionaliste” të Ramës në hapësirën shqiptare është pothuajse zero dhe të gjithë janë tallur me deklaratat e tij fundit, të pabesueshme e mediokre. I vetmi “sukses” i Ramës mbetet reagimi i pakuptimtë e disproporcional i Beogradit, shpresoj të mos ketë qenë i koordinuar. Së fundmi, shpjegimi se deklarata e tij është kuptuar si presion ndaj Brukselit për anëtarësim të shpejtë të Shqipërisë në BE, të bën realisht të ndihesh i turpëruar nëse ky ka qenë një nga qëllimet… Sepse shumica e shqiptarëve e kanë të qartë se ajo është thjesht shprehje e arrogancës oligarkike dhe asgjë më pak apo më shumë…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama