Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Qendrimi ndaj vlerave dhe identiteti politik i shqiptareve

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 16 vite më parë

Mustafa Nano
Qendrimi ndaj vlerave dhe identiteti politik i shqiptareve

Në korpusin elektoral shqiptar ka grupe të mëdha homogjene zgjedhësish, të cilët, çfarëdo që të ndodhë e sido që të rrjedhin zhvillimet, nuk janë të prirur të ndryshojnë kredot dhe orientimin e tyre politik. Duhet thënë, se një dukuri e tillë, dmth masa të tëra të kallkanosura në pikëpamje elektorale, nuk është një dukuri shqiptare. Kudo, në të gjitha vendet e shoqëritë, qoftë dhe në ato vende e shoqëri, ku zgjedhësit janë më të sofistikuar në pikëpamje intelektive e më të zëshëm e më kërkues në pikëpamje civiko-politike, vihen re njerëz me identitet elektoral të fiksuar njëherë e mirë. Kjo vjen edhe prej besimit të tyre të palëkundur tek një kauzë e caktuar, por vjen edhe prej respektimit të një tradite familjare, e cila nuk është e lehtë për t‘u mposhtur nga përpjekjet humane për të adoptuar një orientim e një optikë individuale.


Tradita, qoftë në planin individual, qoftë në atë kolektiv, është një element i rëndësishëm identiteti, dhe çdo çalltisje për ta qortuar, revizionuar apo - akoma më keq - për ta braktisur e për ta hedhur poshtë, do të kërkonte ose një motivim të fortë egoist apo egzistencial (një interes jetik apo një ambicje të madhe, fjala vjen), ose një vetëdijë revolucionari, ose një formim kulturor e ideologjik, i cili na bën që tradita të na duket si një tabú për të mos u respektuar apo për t‘u mundur. Nëse nuk kemi motivime e atribute të tilla, një çalltisje kësodore do të rrezikonte që ta shkundte frikshëm të gjithë qënien tonë, dhe është pikërisht për këtë arsye, që shumica e njerëzve "lindin" nga prindër të djathtë/ të majtë, mbeten të djathtë/ të majtë dhe rrisin e edukojnë fëmijët e tyre për të qënë të djathtë/ të majtë. Në SHBA-të gjenden njerëz, për të cilët të qënit republican apo demokrat, përpara se të jetë një orientim politik, është një status, një titull apo një dokument trashëgimie. Po kështu dhe në vende të tjera, ku demokracia është me moshë shekullore. Shkurt hesapi, për të gjithë ata që e marrin seriozisht politikën, tradita është kallauzi i parë në xhunglën e qëndrimeve politike. Është aq e vërtetë kjo sa, edhe kur ke marrë vendimin e madh për t‘i bërë bisht traditës, bën vaki ta përjetosh të gjithën si tradhëti të madhe që i bëhet një "urdhëri" të përcjellë e të ardhur në linjë gjaku.


Mund të mendohet se në Shqipëri mungon kjo lloj tradite, e në këtë kuptim, mund të shihen si të papërligjura rreshtimet e qëndrueshme tradicionale. Por nuk është tamam kështu. Së pari, e gjithë periudha postkomuniste tetëmbëdhjetëvjeçare përbën tanimë një traditë, dhe janë me mijra të rinjtë e të rejat që ndodhen nën trysninë e kësaj tradite të bartur në mënyrën më të gjallë e më luftarake nga prindërit e tyre. Këta të fundit nga ana e vet vijojnë të vetpërkufizohen politikisht mbi bazën e qëndrimit të hershëm ndaj regjimit komunist të Enver Hoxhës. E ndërsa koha që ka rrjedhur ka bërë që qëndrime të tilla të çgëlqerizohen, është dialektika e egër demokratike që u jep një smalt të ri e që - kjo është më e sakta - i mban të ngrira. Dua të them, që ka plot "të majtë", të cilët sot nuk heqin shumë për të dënuar regjimin komunist të Enver Hoxhës, e që megjithatë mbeten "të majtë", ashtu siç ka plot "të djathtë", të cilët nuk janë më dakord me ata që bënë të tyren kauzën antikomuniste 18 vite më parë, e që megjithatë mbeten "të djathtë". Është pra edhe "guerrilja" politike e Tiranës, që i mban me hir, me pahir, në llogoret tradicionale. "Ata" kanë mbetur "ata"; "ne" kanë mbetur "ne".


* * * * *


Kur fola për të majtët e të djathtët në Shqipëri, termat i kalla mes thonjëzave. Nuk është e rastit kjo gjë. Mendoj gjithë ditën e ditës, se në shumicën e tyre, të majtët/të djathtët shqiptarë nuk janë esencialisht të majtë/ të djathtë. Dhe kjo nuk vjen prej faktit, që ata kushtëzohen nga tradita; përkundrazi, vjen prej faktit që ata kushtëzohen nga një traditë, e cila nuk ka të bëjë realisht me të majtën e të djathtën. E majta dhe djathta shqiptare janë dy enë të boshatisura; më saktë, dy enë të mbushura me fanatizëm, urrejtje për palën tjetër, rendje pas interesave të ngushta personale, adhurim për udhëheqësin, e gjëra të këtij lloji. Gjetkë, kategorizimet e majtë/e djathtë mund të gjykohen edhe si absurde e të kota (kjo tentativë për t‘i zhvleftësuar këto dy kategorizime nuk është e këtyre kohëve tona, kur e majta dhe djathta janë bërë të pacipa e kanë zënë të veshin qyrkun e njëra-tjetrës; gjysëm shekulli më parë ishte filozofi francez Raymond Aron ai, që refuzonte t‘i jepte kuptim dikotomisë e majtë/e djathtë), por ato kanë patur e kanë amá një përmbajtje materiale. Gjetkë pra, respekti për traditën është dhe respekt për këtë përmbajtje, ku dallojmë nga njëra anë vlerat e qëndrimin ndaj tyre, e nga ana tjetër qëndrimin ndaj recetave të ndryshme (shpesh herë të kundërta) të drejtimit e të qeverisjes së botës, të cilat kanë të njëjtin pretendim: të sigurojnë paqe, mbrothësi, drejtësi, demokraci, etj, etj.

Si duhen përkufizuar shqiptarët politikisht, nëse bazohemi në qëndrimin ndaj këtyre vlerave (po i lë mënjanë recetat qeverisëse, jo sepse këto nuk janë të rëndësishme kur vjen puna në përcaktimin e identitit tonë politik, por sepse qëndrimi ndaj tyre nuk është dhe aq i hetueshëm)? Teza, sipas së cilës shqiptarët janë kryesisht e përgjithësisht të majtë (kjo është një tezë që dëgjohet të thuhet aty-këtu nga njerëz të dijshëm) nuk duket shumë e themeltë. Nëse e majta dhe e djathta konceptohen në mënyrën shqiptare, kjo edhe mund të hahet, por nëse i referohemi kategorive "shkencore" të së majtës e të djathtës, me fjalë të tjera, nëse i dekontekstualizojmë shqiptarët, situata rezulton disi e paqartë.

Në qëndrimin ndaj vlerave, shqiptarët janë sipas të gjitha gjasave të djathtë. Kjo e vërtetë nuk e ka burimin tek një orientim i qëllimshëm e i kërkuar zgjedhësish e qytetarësh të stërvitur me ushtrime të demokracisë, të mësuar me funksionimin ligjor të rendit e të institucioneve shtetërore dhe të sprovuar në beteja kulturore; përkundrazi, e ka burimin tek një qasje e tyre konservatore. Si? Shqiptarët janë konservatorë? Po, janë konservatorë, por në këtë pikë duhet të kuptohemi: shqiptarët janë konservatorë për shkak të prapambetjes së thellë, e jo për shkak të bindjes njimend konservatore, sipas së cilës zhvillimi harmonik e paqësor i botës, përpara se të vijë prej eksperimentimeve e ndryshimeve radikale të rendit të gjërave, vjen ose prej konservimit të asaj që është arritur e provuar si një gjë e suksesshme, ose prej evolucionit fiziologjik të kësaj gjëje në rrjedhat e kohës.

Por për çfarë vlerash është fjala? Është fjala për po ato vlera, qëndrimi ndaj të cilave ndan të majtën nga e djathta edhe në kohët e në botën e sotme. Fjala vjen, autoriteti, familja, feja, kombi, paqja (përmenda termin "vlerë", por të kuptohemi, koncepte e nocione si këto nuk kanë për të gjithë vlerën e "vlerës"). Duke përjashtuar fenë, me të cilën shqiptarët kanë ca hesape të ngatërruara (tek besimtarët shqiptarë dallohet një qasje e qartë pagane e supersticioze, për të mos thënë besëtyte; fakti që në kremtimin e Shna Ndout marrin pjesë më shumë myslimanë se sa të krishterë, e dëshmon më së miri këtë gjë), në qëndrimin ndaj vlerave të tjera vihet re një pozicionim i djathtë. Shqiptarët, në kundërshtim me ç‘mendohet e ç‘besohet, e duan dhe e respektojnë autoritetin, dhe me autoritet duhet të kuptojmë të parin e familjes e të klanit, shtetin e fortë, ligjin, statusin social e politik, apo trupa e struktura të tjera të vjetra e të reja, të cilat kanë patur apo kanë "komandën" (që nga Kanuni i qëmotshëm i Lekë Dukagjinit e deri tek polici apo gjyqtari i sotëm). Edhe viti ‘997 është gabim të shihet - gjë që e bëjnë shumë vetë - si një demonstrim i shpërfilljes së autoritetit shtetëror, pasi kriza e atij viti ishte absolutisht produkt i mendjeve të mbrapshta politike, që gjakonin të mbanin me çdo kusht karriket e pushtetit.

"Qeveria e kap lepurin me qerre", thonë shqiptarët. Kjo fjalë e urtë nxjerr në pah më mirë se çdo gjë tjetër besimin tek autoriteti. Dhe këtu është vendi të bëhet një parantezë: thonë "qeveria" e jo "shteti" apo "ligji", dhe me këtë, ndonëse shprehin tutën prej autoritetit, nxjerrin në shesh një vizion arkaik të këtij të fundit; por kjo nuk i nxjerr si dhunues apo shpërfillës të autoritetit; përkundrazi, i nxjerr si njerëz të paprekur prej prurjeve (duke filluar me parimin habeas corpus e duke përfunduar me parimin check & balance), që e kanë relativizuar prej kohësh autoritetin egzekutiv.

Shqiptarët, më shumë se të gjithë të djathtët e botës, e kanë të shenjtë familjen. Sigurisht, është një shenjtërim alla shqiptarçe, ku nuk nënkuptohet gjithmonë pakti midis partnerësh besnikë e luajalë, por është pikërisht justifikimi i harbimeve jashtëmartesore, që e bën këtë shenjtërim më të prekshëm. Fakti që në Shqipëri qortohen e shihen me sy të keq ata që i japin fund një martese të fikur, e jo ata që e përqeshin familjen me harbime jashtëmartesore, përbën një hipokrizi kolosale, por në të njëjtën kohë na lejon të marrim vesh optikën e ngrirë mbi familjen, e cila nuk mund e nuk duhet të preket në asnjë rrethanë e për asnjë arsye. Është kjo optikë e ngrirë mbi familjen, që i bën shqiptarët të urrejnë homoseksualët, dhe në këtë pikë kemi të bëjmë me një qasje skajshmërisht të djathtë.

Duke ecur më tej, duhet thënë se shqiptarët janë gati që të gjithë nacionalistë. Sikur ndarja midis të majtëve e të djathtëve të bëhej vetëm e thjesht mbi bazën e qëndrimit ndaj kombit, në Shqipëri do të kishim veç të djathtë, ndërsa të majtët, dmth njerëzit që ndihen të bezdisur prej njëjtësimit me identitete impersonale/ kolektive me bazë etnike, duhet të gjenin vend për t‘u fshehur. Natyrisht, jemi prapë aty, tek optika e papërpunuar dhe e papërditësuar mbi kombin, por kjo nuk i heq asgjë faktit, që shqiptarët janë nacionalistë. E si të gjithë nacionalistët, ata nga njëra anë janë racistë, nga ana tjetër nuk dinë e nuk duan t‘i japin munxët luftës.

E vërteta është se qëndrimi jo refuzues ndaj luftrave nuk shpjegohet veç me nacionalizimin, por duke e lënë mënjanë ngasjen për një shpjegim të plotë (ky është argument më vete), duhet nënvizuar fakti që kemi të bëjmë sërish me një orientim politikisht të djathtë. Asnjë zë nuk u ngrit në momentin, që qeveria shqiptare mori vendimin për të dërguar ushtarë në një luftë totalisht të gabuar, siç ishte ajo e Irakut. Dhe është vendi për të thënë që ky vendim u mor nga një qeveri e majtë.


* * * * *


Kur vjen puna tek recetat e programet qeverisëse, ne kemi rast të shohim plot orientime të majta (e thashë edhe pak më sipër, që ky është një argument më vete, jo dhe aq i kollajtë për t‘u shtjelluar për shkak të vështirësisë për të lexuar sjelljet e qëndrimet e zgjedhësve e për shkak të mungesës së gjurmimeve sociologjike) . Por përsa i takon orientimit politik mbi bazën e vlerave, përfundimi është i qartë: shqiptarët janë "fiziologjikisht" të djathtë. Çështja është që shqiptarët nuk e dinë këtë gjë; edhe sikur ta dinin, aq do t‘u bënte.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama