Zoti minister, nuk jane mjeket e paafte problemi i shendetesise

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 5 vite më parë

Mustafa Nano
Zoti minister, nuk jane mjeket e paafte problemi i shendetesise

Nisma e Ministrisë së Shëndetësisë për të rimarrë në provim mjekët ka qenë një gjë e padëgjuar këtyre anëve. Për sa më takon mua si qytetar e si gazetar, fillimisht mendova se një gjë e tillë duhet të jetë praktikë e njohur në vende të ndryshme të botës, por pas një gjurmimi në web, nuk munda të gjej ndonjë praktikë të ngjashme. Tritan Kalo, mjeku infeksionist i QSUT-së, linte të kuptohej – në një ndërhyrje pasionante që ka bërë para tri ditësh në Komisionin parlamentar për Shëndetësinë – se kjo është një praktikë amerikane, por unë nuk gjeta ndonjë info që të më thoshte se edhe shteti federal amerikan apo ndonjë prej shteteve atje, organizojnë testimin e herëpashershëm të mjekëve. Nuk kam ditur ta bëj search-in? Ndoshta. E vetmja gjë që gjeta, megjithatë, është një program me emrin “Continuing Medical Education”, dhe me ç’kam marrë vesh, ky program po ndiqet edhe në Shqipëri, ku e kanë marrë aq seriozisht sa edhe emërtimin e tij e kanë përkthyer germë për germë, duke na e sjellë në gjuhën tonë në një formë që nuk ngjit shumë e nuk të bie mirë në vesh: Edukimi Mjekësor në Vazhdim. Mund t’i kishin bërë një shqipërim më të mirë. Por pavarësisht kësaj, shumë mjekë shqiptarë e kanë ndjekur këtë program dhe kanë marrë certifikata e kredite që provojnë faktin se kanë nxënë diçka në kurset e këtij programi.

Kthehemi te shpikja “gjeniale” e Ministrisë sonë. Kam folur me shumë mjekë gjatë ditëve të fundit, dhe më duhet të them se ka mes tyre një topitje të përgjithshme. Të kuptohemi, nuk është se janë të gjithë që i japin munxët kësaj nisme. Jo, një pjesë edhe e mirëpresin, e në këtë mes motivohen – kjo është ajo që unë kam kuptuar – edhe nga një pakënaqësi e hakmarrje e tyre ndaj të paaftëve që, në një mënyrë a në një tjetër, ose bëjnë ligjin, ose janë përhapur shumë, shí si një flamë, në sistemin shëndetësor në Shqipëri. Një pjesë syresh pra e shohin këtë testim edhe si një rast ideal për të nxjerrë zbuluar apo për të diskredituar, ca mjekë të pazotë që kanë kapur qoshe të rehatshme apo poste të rëndësishme e që, kur bëhen tok, nuk lënë të aftët të ngrenë kokë. Janë pikërisht këta të paaftë që i bëjnë rezistencë, më shumë se të tjerët, çdo ideje për ta reformuar nga themelet sistemin shëndetësor.

Tani, në teori a në letër ky testim edhe mund ta ketë këtë motivim (ashtu si mund të ketë edhe qëllimin për të marrë në mbrojtje pacientët, jeta e shëndeti i të cilëve vihen në rrezik prej mjekut të paaftë), por në praktikë askush nuk beson se kjo ka për të ndodhur. Dhe ky mosbesim lidhet edhe me faktin që kjo nismë thjesht është lëshuar, por nuk është shpjeguar. Askush nuk di se si do të bëhet ky testim, kush do t’i marrë në provim mjekët, kush do t’i marrë në provim ata që janë caktuar për të marrë në provim të tjerët, pse vlerësimi i marrë pas këtij testimi do të na vleka më shumë se diplomat e marra në universitete kombëtare e ndërkombëtare, më shumë se certifikatat e marra në kurse të ndryshme trajnimi e kualifikimi apo më shumë se vite të tëra përvoje në vend e jashtë vendit, cili është niveli i kompetencës dhe i aftësive që do të testohen, pse duhet t’i nënshtrohen të njëjtit test si mjekët e Tiranës, ashtu edhe ata të rretheve, në një kohë që këtyre të fundit as që u duhen ca njohuri që kanë bëjnë me zhvillimet high-tech të mjekësisë etj., etj. Në këtë pikë ka shumë të drejtë doktor Kalo (Tritani), kur shprehet se “nuk mund të merret një test i gatshëm i nivelit pasuniversitar nga një vend tjetër e të përkthehet në shqip, pasi ai test është bazuar në kurrikulat e në nivelin e përgjithshëm të standardit të kujdesit shëndetësor të atij vendi”.

Duhet shpresuar që ministrit t’i ketë shërbyer e gjithë koha që ka kaluar qysh prej shpalljes së nismës së tij për t’u thelluar ca më tepër në këtë çështje, e për të hequr dorë nga kjo çalltisje bizarre. Edhe sikur të na jepeshin garanci se – po supozoj kotmëkot, kuptohet – testimi në fjalë do të kryhej në mënyrë të përsosur, kjo nuk është gjëja e parë që duhet bërë në funksion të reformimit të shëndetësisë. Duhen bërë ndërhyrje të tjera, të cilat do të duhej të synonin largimin e bandave politike nga spitalet e nga i gjithë sistemi i shëndetësisë, do të duhej të synonin luftën ndaj korrupsionit në administrimin e parave publike dhe mbi të gjitha do të duhej të synonin shkurajimin e ndalimin e një praktike që tanimë është pranuar prej të gjithëve si të ishte një zakon a normë e vjetër socio-morale, atë të pagesës nën dorë që pacienti i bën mjekut për shërbime spitalore që ligji i ka parashikuar të jepen gratis. Paratë që jepen nën dorë në rrethana të tilla, ndonëse legjitimohen me një sistem të degraduar shpërblimi në sektorin publik të shëndetësisë (edhe mua, ndonëse po bilbilos nga faqet e gazetave kundër kësaj dukurie, ma thotë mendja se, si mjek, do të merrja pará nën dorë për sa kohë që rendi i gjërave është ky që është), parátë pra që jepen nën dorë janë megjithatë një praktikë që e komprometon qysh në rrënjë deontologjinë e profesionit të mjekut dhe e poshtëron sa s’ka ku të shkojë qytetarin-pacient. Duhet ndaluar kjo praktikë në shëndetësi. Dhe kjo nuk bëhet duke futur ndonjë mjek në burg (siç ndodhi para ca muajsh), as duke akuzuar mjekët “e korruptuar” en bloc, siç bëhet në shtyp. Kjo bëhet duke rithemeluar sistemin. Për këtë duhet të mendojë ministri. A Kryeministri, nëse është ky që qëndron pas kësaj nisme. Por për këtë duhet të ngrenë zërin edhe mjekët. E në këtë kuptim është për të ardhur keq që këta të fundit nuk janë bërë të gjallë në asnjë rast tjetër për të denoncuar apo për të mos lejuar, degjenerimin e sistemit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama