Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Keshtu ndodh kur futbolli ngaterrohet me politiken

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 10 vite më parë

Mustafa Nano
Keshtu ndodh kur futbolli ngaterrohet me politiken

Nuk e kisha menduar se në Beograd do të ndodhte ajo që ndodhi. Në të vërtetë, ndeshja mes Serbisë e Shqipërisë ish-paraprirë nga një tension i madh, gjë që ishte vënë re më së pari te një inkurajim mediatik i atyre serbëve që donin ta shndërronin këtë ndeshje futbolli në një luftë kombesh, e te refuzimi që autoritetet serbe i bënë kërkesës shqiptare për një numër biletash për tifozët e saj në stadiumin “Partizani”, por prapëseprapë, njerëzit që ndillnin e parathoshin probleme ngjanin si paranojakë.

Nuk u desh shumë, megjithatë, për të kuptuar se paranojakët nuk ishin dhe aq paranojakë. Pritja e himnit shqiptar me fishkëllima, dhe kori që lëshonte britma urrejtjeje në stadium (Goran Miletiç, një veprimtar serb në favor të të drejtave civile, bënte me dije dje, se në stadium ishin dëgjuar dhe thirrjet “Vritini, vritini, vritini shqiptarët”), ishin sinjal që na thosh se ajo ndeshje ish e destinuar të mos rridhte në mënyrë normale. Më pas, erdhën hedhja e mjeteve të ndryshme nga shkallët e stadiumit në drejtim të lojtarëve tanë, hedhja e balonës me mesazhe josportive që ish vepër e jona, sherri që plasi në fushë pas hovit të kotë atdhetar të Xhakës në mbrojtje të hartës së Shqipërisë së Madhe që në atë mes ish thjesht një agjent furacak, grumbullimi i lojtarëve të të dyja skuadrave rreth balonës, beteja për ta shtënë në dorë atë balonë me simbolikë nacionaliste (sa ballkanike e gjitha kjo!), fytyrat e murrëtyera të lojtarëve, hyrja në fushë e dhjetëra tifozëve, mes të cilëve dhe e “Ivanit të tmerrshëm”, përleshja e tyre me lojtarët tanë, pasiviteti pothuaj i programuar i një pjese të policisë serbe, dhuna e frikshme e tifozëve serbë mbi tanët në momentin që këta të fundit po hynin në dhomat e zhveshjes pas ndërprerjes së ndeshjes etj., etj. Nuk ka asnjë dyshim se serbët nuk ditën ta administronin këtë ndeshje futbolli. Madje, u krijua përshtypja se ata, me veprimet e mosveprimet e tyre, para, gjatë e pas ndeshjes, bënë çmos që situata të degjeneronte. Një pjesë syresh ishin të vetëdijshëm qysh në të nxehtë mbi përgjegjësitë e tyre të natyrës policore, sportive e deri shtetërore. Kjo dukej më së pari në fytyrën e Branisllav Ivanoviçit, vështrimi e grimasat e të cilit, të kapura nga kamerat në momentin që lojtarët po futeshin brenda para kohe, dukej sikur thoshin: Pse vallë duhej t’ia vinim këtë njollë vetes? Mua më erdhi keq për Ivanoviçin në atë moment, e më erdhi mirë që Lorik Cana, me të mbërritur në Tiranë, nuk harroi të nënvizonte sjelljen korrekte në fushë e në ambientet e brendshme të stadiumit të lojtarëve të kombëtares serbe. Ishte një gjë që u vu re edhe gjatë lojës. Pati edhe mes tyre që kishin hyrë në fushë si zevzekë nacionalistë, e jo si futbollistë, por të shumtët ishin korrektë. Dhe ishin këta të fundit që e kanë vuajtur më së shumti atë që ka ndodhur.

Nuk po zgjatem më shumë me këtë anë të medaljes. S’ka mbetur ndonjë gjë për të thënë. I kanë thënë më mirë të tjerët. Madje, pa u vonuar asnjë sekondë. Dua të fokusohem pak në anën tonë. Në fillim më vjen të theksoj një emocion të bukur patriotik, që provova për shkak të shpirtit sportiv, dinjitetit e korrektesës që lojtarët tanë demonstruan deri në momentin fatal. Nuk pati asnjë provokim e asnjë sjellje mistrece nga ana e tyre në fushën e lojës, ndonëse ishin duke luajtur në një ferr. Përkundrazi, ata bënë ndonjë gjest të bukur shtensionues, siç ishte ai i Lorik Canës që, në një moment të lojës, e kapi plot empati e në shenjë ndjese në të dyja faqet një futbollist serb të pakënaqur me një ndërhyrje të gabuar ndaj tij. Ishte një sjellje shembullore. Chapeau!

Por me palën tonë kanë të bëjnë dhe gjëra të tjera, që na bëjnë me faj. Dhe me “palën tonë” nënkuptoj të gjithë ata shqiptarë që në një mënyrë a në një tjetër janë bërë protagonistë këto dy ditë. Të nesërmen e ndeshjes, d.m.th. dje, gazetat e Tiranës, me ndonjë përjashtim, ishin në një gjendje harbimi. Edhe sikur të ishin bërë nga tifozët që dolën në orën tre të natës të prisnin kombëtaren tonë, ato gazeta nuk do të ishin shkel e shko më shumë se aq. Ishin si trakte lufte, që synonin të nxisnin, inkurajonin, merrnin me të mirë e t’u mbanin anën emocioneve të egra nacionaliste. Nuk u dëgjua qoftë dhe një zë që të thosh se ajo balona me hartën e Shqipërisë që u telekomandua nga jashtë stadiumit dhe u la të fluturonte mbi fushën e lojës ishte një provokim i panevojshëm, ishte një gjest politik që nuk kish pse ta bënte pis ngjarjen sportive. Sigurisht, kjo nuk kish të bënte me lojtarët tanë, e në këtë kuptim do të ishte e tepërt dhe e padrejtë që të penalizohej edhe kombëtarja jonë prej UEFA-s (ka pasur ndonjë zë në shtypin ndërkombëtar që ka lënë të nënkuptohet se mund të ketë sanksione mbi të dyja skuadrat). Por hareja që ka lindur në botën shqiptare, sportive e jo sportive, prej atij gjesti, ashtu si edhe prej Xhakës që fluturoi si shigjetë në mbrojtje të posterit fluturues me simbolikë politike e nacionaliste, e prej grushteve që tanët u dhanë serbëve, të lë një shije të diskutueshme. Është për të ardhur keq që këto gjeste u bënë njësh me përpjekjet e palës serbe për ta interpretuar atë ndeshje në mënyrë josportive, duke ua relativizuar peshën e ligësinë këtyre përpjekjeve. Dhe kështu, edhe pse në një masë të vogël, ne u bëmë palë në mënyrë fare të panevojshme në prishjen e ndeshjes, e cila do të prishej po njësoj në atë klimë tensioni e animoziteti, me të cilën ishte mbështjellë, jo për faje tonat. (Si sportdashës, më erdhi keq, pasi ajo balonë u ngrit në momentin kur loja ishte e bukur e kur tanët kishin marrë në dorë frenat e ndeshjes).

Kjo histeri e shtypit u vu re ca më shumë në televizione, qysh në minutat e orët që pasuan ndërprerjen e lojës. Dhe nuk kuptohet mirë, nëse gazetarët ndiqnin tërbimin e tifozëve apo e provokonin këtë tërbim. Apo ishte elita politike, intelektuale e sportive që e prodhonte këtë klimë? Duhet thënë se mesazhet politike ecnin në këtë linjë. “Keqardhje për fqinjët që lanë nam”, thoshte Kryeministri Rama. E nuk është se kjo që ka thënë nuk është e vërtetë, por problemi është se ky qëndrim nuk është shumë kryeministror. “Fluturo shqipe”, ia bënte Lulzim Basha me një patetizëm fëminor. “Shqiponjat fluturojnë lart”, i mbante iso Erion Veliaj. Të njëjtën gjë thosh në titullin kryesor të lajmeve të djeshme edhe Top Channel-i. “Barbarët u mundën”, ia bënte ish-kryeministri Berisha. “Serbët janë turpi i Europës”, shkruante Erjon Braçe në profilin e tij në Facebook. Ndërsa Granit Xhaka, futbollisti shqiptar që luan me Belgjikën, kish gjetur një mënyrë luftarake për t’i bërë homazh të vëllait, Taulantit. “Ne do ta luftojmë përjetë Serbinë”, shkruante ai në Twitter. E kështu me radhë.

Me sa më sipër, nuk më shkon mendja të ngarkoj me përgjegjësi palën tonë për atë që ndodhi në Beograd. Jo, s’do të kish asnjë logjikë të bëhet kjo gjë, pasi filmi që kemi parë tregon të kundërtën. Por me reagimin e bërë ne demonstruam se të njëjtin gabim mund ta bëjmë edhe ne. Gjëra të tilla ndodhin të gjitha herët, kur një ndeshjeje futbolli i jepen qëllime, funksione e simbolika josportive. Dhe ne, ashtu si dhe serbët, nuk treguam as këtë herë se një ndeshje futbolli, qoftë dhe kundër Serbisë, dimë ta marrim për aq sa është, d.m.th. për një ndeshje futbolli.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama