Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ç’ është ky pulsion i rrënimit mes e brenda nesh

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 10 vite më parë

Mustafa Nano
Ç’ është ky pulsion i rrënimit mes e brenda nesh

Ditë më parë, isha në Kalanë e Lëkurësit, në Sarandë.

Me këtë rast, nën shoqërinë e tingujve të një orkestre e të interpretimit live të një këngëtari lokal, darkova në restorantin që kish pushtuar të gjithë hapësirën e brendshme të kalasë, nga e cila hapet një belvedere që ta kënaq e ngop syrin. Kish shumë njerëz, që me siguri kishin parapëlqyer ta kalonin mbrëmjen në majë të asaj kodre (kjo punë ish gjatë gjithë verës, më thanë) për shkak të pozicionit dominant të saj (prej aty duket e gjithë pjesa e vjetër e Sarandës, Ksamili e Korfuzi). Ndokush mund të shkojë në atë vend edhe për shkak të kalasë, por të shumtit e bëjnë në emër të një turizmi rekreativ e jo të një turizmi kulturor. Mirëpo rruga që të çon atje është si mos më keq. Më e shëmtuar nuk bëhet. Sikur dikush të parashutohet drejt e në atë copë rrugë që lidh qytetin me kështjellën, do të mendojë se ka rënë në një zonë lufte. Është thjesht një rrugë e hapur me ekskavator, e ngjeshur me rul, dhe e lënë ashtu, e rrethuar nga ferra dhe e mbuluar nga pluhuri që lëshojnë makinat. Këto të fundit, me të mbërritur sipër, kërkojnë një vend në një parkim të improvizuar e të rrëmujshëm.

Ata që e vizitojnë për herë të parë kështjellën kanë nevojë të kenë në duar një fletushkë, ku të shpjegohet se ç’është Kalaja e Lëkurësit, kur është ndërtuar, nga kush është ndërtuar, përse është ndërtuar e cilat janë ngjarjet historike që lidhen me të, por është e kotë. Nuk ka asnjë fletushkë. Nuk ka asnjë ciceron. As kamerierët nuk dinë të të thonë ndonjë gjë. Tani, nuk është se ka shumë gjëra për të thënë, pasi kështjella është modeste në gjithçka, por një histori të vetën ajo e ka, sidoqoftë. E në këtë kuptim, ndonjë përshkrim lakonik mund të bëhet në çdo rast. Por as që bëhet fjalë. Ajo kështjellë ishte thjesht një vend qejfi. E vetmja gjë që të linte një shije të mirë ishte shërbimi. Ne shqiptarët kemi zënë ta mësojmë pak e nga pak artin e shërbimit.

Mirëpo, pavarësisht shërbimit, ti ikën nga kështjella me idenë se ti veç në një kështjellë nuk ke qenë. Dhe nuk është shndërrimi i saj në një hapësirë argëtimi që të bën ta mendosh këtë gjë. Jo, unë e kam me ata (shteti, qeveria lokale, Ministria e Kulturës) që s’u shkon mendja të printojnë një fletushkë promovimi mbi kështjellën, madje dhe ta ndërtojnë nga e para atë rrugë që sot është gjithë pluhur, gropa, ferra, plehra.

Ajo që pashë në Kështjellën e Lëkurësit më erdhi si një “shuplakë” e dytë brenda ditës. Të parën e kisha marrë orë më parë, në vendin e quajtur Syri i Kaltër. Madje, kjo shuplakë ishte edhe më e fortë. Dora e njeriut nuk ka bërë asgjë që ta nxjerrë në pah atë trill të bukur të natyrës që ne e quajmë Syri i Kaltër, e që është vërtet një sy i kaltër. Përkundrazi, ne kemi bërë çmos që Syri i Kaltër të na sillet si një sy i zgjyrosur.

Ishin me dhjetëra vetë që gjeta atje në momentin që mbërrita, dhe që të gjithë ata i kishin parkuar makinat si të mundnin nëpër zgëqe, rrëzë pemësh, poshtë hijesh, anë rrugës. Ndërkohë, natyra aty rrotull ishte si e shqyer, e nuk merrej vesh pse, ngaqë nuk kish as ndërtime pa leje, as ndërhyrje të ndonjë natyre tjetër me synimin për të shfrytëzuar territorin në mënyrë abuzive. E sikur të mos ishte mjaft kjo, e gjithë rruga që del nga rruga nacionale e përfundon te Syri i Kaltër, d.m.th syri i zgjyrosur, ishte thjesht një trase dheu, që mund të jetë hapur qysh prej kohëve që s’mbahen mend. Dhe në të dy anët e kësaj rruge kish veç plehra, letra, gazeta, hedhurina të tjera, e sidomos shishe e qese plastike. Ishte një orgji e paparë karboni, sulfuri, nitrogjeni. Veç një fushatë e përqendruar ndotjeje, me pjesëmarrje masive, mund ta prodhonte atë gjendje. Të ngjante se në një ditë të caktuar, banorët e Tepelenës, Sarandës, Gjirokastrës, Delvinës, e rrethinave, ishin organizuar, ishin zgjuar qysh në mëngjes, ishin ngarkuar me materiale sintetike, dhe ishin nisur t’i zbraznin anëve të asaj rruge të hapur si me duar (të bëhet se e kanë zanat këtë punë atyre anëve, pasi edhe në rrugën nacionale Sarandë-Gjirokastër syri të sheh të njëjtën pamje: qese e shishe plastike që gjenden të shpërndara buzë rrugës e që varen rrëpirave e degëve të pemëve).

Të vinte keq. Të vinte turp. Të vinte ndot. Nuk di ç’t’u thuash në të tilla raste atyre që ke rrotull, që mund të jenë fëmijët e tu, por mund të jenë edhe miq të huaj. Për të shpjeguar këtë situatë nuk të ndihmojnë dot variablat (ndryshoret) që ne shtiem në punë zakonisht kur na duhet të shpjegojmë pse gjërat nuk ecin mbarë: korrupsioni, tahmaja për para, individualizmi, papërgjegjshmëria e pushtetarëve, apatia qytetare, etj., etj. Jo, të duhet të shtiesh në punë një variabël tjetër, që ndonjëherë më bëhet të besoj se është një pulsion i yni shkatërrimtar, që kërkon ta bëjë dëmin më së pari mbi resurset, bukuritë e trashëgiminë tonë historike e kulturore. Duket sikur gjithë inatin e kemi me gjithçka të bukur e me kuptim që na ka bërë dhuratë natyra e na ka mbetur prej historisë.

Po e mbyll me një krahasim, dhe që të jem “me këmbë në tokë”, krahasimin po e bëj me një situatë të ngjashme a të afërt. Vetëm nja 100 km larg kufirit, në pjesën greke, afër Pargës, në majë të një kodre mbi Anthusë, është një kështjellë. Mban emrin e ideatorit që saj. Dhe ideatori ka qenë njëfarë…. Ali Pashë Tepelena, që në grykat e topave që kishin mbetur prej kohës së tij kish gdhendur një shqiponjë me dy kokë (ish një befasi për mua të mësoja se Ali Pasha e kish bërë të vetin simbolin e shqiponjës dykrenore, por herën që e kam vizituar nuk pata mundësi të merrja vesh më tepër). Kështjella në fjalë është e vogël, shumë më e vogël se sa ajo e Lëkurësit, por deri atje të çon rruga e sistemuar, e asfaltuar, e pastruar prej çdo hedhurine. Gjatë muajve të verës funksionon një si “tren” i vogël rrugor, me nja dy “vagonë”, që merr turistë në Pargë dhe i çon në kështjellë. Tek targa e “trenit” shënohet destinacioni: Ali Pasha Castle. Kjo e fundit, natën rri e ndriçuar, dhe e parë nga poshtë, të ngjan me një kurorë të bukur. Siç shihet, grekët s’e kanë për gjë të mbajnë, kurojnë, promovojnë e valorizojnë për qëllime turistike një copëz historie që s’është e tyre. Ndërsa ne…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama