KLD-ja qe iku, KLD-ja qe eshte, dhe sistemi qe mbetet

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 6 vite më parë

Mustafa Nano
KLD-ja qe iku, KLD-ja qe eshte, dhe sistemi qe mbetet

Kanë qenë të shumtë ata që kanë besuar se KLD-ja e mëparshme ka qenë frikshmërisht e korruptuar. Nuk di nëse kish ndonjë të vërtetë në ato që thuheshin, por di që ato që thuheshin ishin gjëra që ta hiqnin trurin. Dhe nuk kam gjetur asnjë njeri që të mos ishte në dijeni të këtyre thashethemeve. Madje, kish sa të duash që ishin të sigurt se kjo nuk ishte një punë thashethemesh. Thuhej, për shembull, se çdo emërim bëhej në këmbim të disa dhjetëra mijë eurove, e në ndonjë rast – kur vendi që kërkohej ish “me shumë lekë” – të disa qindra mijë eurove. Doni që të jem më konkret? Thuhej që një vend pune në Gjykatën e Lartë (anëtar i kësaj Gjykate) kushtonte 300 mijë euro.

Nuk e di nëse anëtarët e KLD-së së mëparshme kanë qenë në dijeni të këtij perceptimi a opinioni a bindjeje që shqiptarët kishin për punën e tyre. Nuk di pra nëse atyre u ka shkuar në vesh fakti që ekzistonin legjenda të tilla urbane, që krijonin atë nam të zi për ta, ashtu si afërmendsh nuk di që në këtë mes të bëhej fjalë vetëm për shpifje, apo në të kundërt, të kish edhe diçka/gjithçka të vërtetë. Më duhet të them ama se personalisht, këtë legjendë, e kam marrë gjithnjë me rezervë. Dhe e kam marrë me rezervë jo ngaqë kam menduar se anëtarët e KLD-së kanë qenë burra të mirë, të drejtë, të ndershëm (jo, jo, aspak; përkundrazi), por ngaqë, po ta besoja këtë gjë, nuk më mbetej gjë tjetër, veçse të vrisja veten. Ose në rastin më pak tragjik, t’i bëja m… njëherë e mirë këtij vendi.

Dhe na ndodh edhe në rrethana të tjera që ne të mos i besojmë ca gjëra, s’ka gjë se gjasat janë të shumta që këto gjëra të jenë të vërteta. Na ndodh të mos i besojmë, ngaqë nuk duam t’i besojmë, ngaqë, po t’i besonim, do mbeteshim krejt të pashpresë, e do na binte qielli mbi krye. Në rastin konkret, të besoje se një vend pune në një gjykatë jepej në këmbim të mijëra eurove ishte si të bije dakord me një denatyrim të thelbit të gjërave. Si mund të përfytyrohet që një gjyqtar, d.m.th një njeri i zgjedhur për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes palëve e për të dhënë drejtësi në këtë botë, ta blejë këtë përgjegjësi me pará? Si mund të përfytyrohet që karriera e një gjyqtari, këtij funksionari shtetëror që ka për detyrë t’u bëhet barrierë sjelljeve korruptive në shoqëri, të fillojë apo të ngrihet mbi një akt të pastër korruptiv? Siç merret me mend pra, nëse do të besohej, ky do të ishte fundi. E prandaj, unë nuk e kam besuar.

Më duhet të them, megjithatë, se ky nam i zi i KLD-së iku tok me KLD-në, e ky fakt ma lëndon pak dëshirën për të mos besuar se KLD-ja e Topit ishte aq palavike sa thuhej. Për KLD-në e Nishanit nuk thuhen më gjëra të tilla. Nuk flitet më pra që të jenë bërë emërime brenda sistemit të drejtësisë në këmbim të parave. Dikush në këto rrethana, me anë të një silogjizmi të thjeshtë, do të mund të arrinte fare kollaj, e fare pa faj, në përfundimin se janë të vërteta ato që janë thënë për KLD-në e mëparshme. Përndryshe, të njëjtat gjëra do të thuheshin e do të besoheshin edhe për KLD-në pasardhëse. Atëherë, duhet ta vëmë në bankën e akuzës KLD-në e mëparshme? Jo, nuk është e thënë, ngaqë një silogjizëm është thjesht një silogjizëm, d.m.th nuk ka fuqinë e një prove, aq më pak në aspektin juridik. Por nga ana tjetër, edhe pse nuk e vëmë dot në bankën e akuzës, paudhësitë e asaj KLD-je të vijnë përpara syve në një formë jo dhe aq legjendare. Kjo situatë e re të bën të besosh se në planin etik ka një ndryshim kolosal mes KLD-së së mëparshme e KLD-së së këtyre ditëve. Është vërtet kështu?

Tani, që publiku ka sot perceptimin se vendet e punës së gjyqtarëve nuk janë më “for sale”, ky është një ndryshim kolosal. Por duhet thënë se kjo KLD ka plot yçkla e xanxa të tjera të natyrës etike. Problemi etik mbetet sërish pra. Nuk ekziston më perceptimi se bëhen emërime në këmbim të parave, por ekziston perceptimi, madje bindja e siguria, se promovohen e merren në mbrojtje gjyqtarë të korruptuar. Dhe ky promovim a marrje në mbrojtje e individëve a strukturave korruptive brenda sistemit ndodh jo aq prej ndonjë disponimi jo fort etik të anëtarëve të KLD-së, a të drejtuesve të këtij institucioni shumë të rëndësishëm kushtetues, se sa prej një motivimi politik të tyre.

Unë nuk e di, e nuk kam se si ta di, nëse Bujar Nishani ka me Sali Berishën po atë marrëdhënie varësie e nënshtrimi që ka pasur para se të bëhej President. Mirëpo, është mirë që ai vetë ta dijë se perceptimi i publikut nuk është në favor të tij. Si zor të gjesh ndonjë shqiptar që të mos mendojë se Nishani merr urdhra nga Berisha, e merr vendime që i interesojnë Berishës. Nëse Nishani nuk e di se shqiptarët e shohin në këtë mënyrë, atij nuk i falet. Ashtu si nuk i falej Topit që nuk e dinte, nëse nuk e dinte, se shqiptarët, me të drejtë apo pa të drejtë, i kishin mbushur mendjen vetes se KLD-ja e tij bënte emërime në këmbim të parave.

Perceptimi i publikut ka rëndësi në raste të tilla, ngaqë është në lojë besueshmëria publike e kreut të shtetit. Dhe një kryetar shteti që shet, a bën sehir teksa shiten, vende pune në sistemin e drejtësisë (sa herë e përmend këtë fakt a sendërgji, më vijnë zorrët te goja), dhe një kryetar shteti që supozohet se është vegël në duart e një tjetri janë një gjë që ta përqesh idenë a shpresën për një shtet minimalisht serioz. Prandaj, Nishani (Topi u përket arkivave, shyqyr Zotit) duhet të dijë të përballet me këtë perceptim. Dhe mënyra më e mirë për t’u përballur është të kuptojë se ky nuk është një perceptim i fabrikuar nga njerëz dashakeq. Ky perceptim e ka burimin qysh në sekondën e parë, kur Nishani po zgjidhej President. Ai nuk duhet ta injorojë faktin se është zgjedhur personalisht nga Sali Berisha, dhe është zgjedhur në një klimë konflikti e karshillëku me opozitën e kohës që sot është mazhorancë, e në funksion të tahmasë së tij (Berishës) për të marrë nën kontroll të gjitha institucionet. Edhe sikur Nishani të demonstrojë se është Presidenti më i mirë në botë, ai do të vuajë se s’bën peshën e paragjykimeve për mënyrën se si u zgjodh. Mirëpo, Nishani nuk duket se e ka vënë ujin në zjarr lidhur me këtë paragjykim. Nuk ka bërë asnjë përpjekje për t’u treguar shqiptarëve se lidhjet me Berishën i ka këputur qysh në momentin që u zgjodh President. Madje, në një numër rastesh është dukur se ka pasur merak të demonstrojë të kundërtën.

Të kuptohemi, Bujar Nishani është duke ushtruar funksionin e Presidentit në rrethana të vështira. Përveç që është i rrethuar me paragjykime nga të gjitha anët, ai është shndërruar edhe në tabelë qitjeje nga ana e mazhorancës. Por kjo nuk është ndonjë gjë e re në vendin e shqipeve. Është një gjë e gabuar dhe e pajustifikueshme, por nuk është një gjë e re. Të gjithë Presidentët kanë punuar nën një presion të egër, madje shumë më të egër se sa ky që po ushtrohet mbi të, dhe kjo kulturë e presionit mbi, apo e konfliktit me, Presidentin është e mbjellë nga po ai njeri që ka dashur që në krye të Presidencës të jetë Bujar Nishani. Dhe është kjo arsyeja e dytë (e para është paragjykimi, për të cilin sapo fola) që ankesa e Nishanit mbi sulmet e mazhorancës në adresë të tij nuk bëjnë shumë efekt.

Ka dhe një arsye të tretë, që e lë pa aleatë Nishanin në këtë “betejë” me mazhorancën. Sistemi i drejtësisë është në ditët e veta më të zeza, dhe mazhoranca, posaçërisht kryeministri, është kapur pas kauzës së ndryshimit të gjërave. Nuk di se ç’mbështetje ka kryeministri në këtë “yxhym”, nuk di as se cilat janë qëllimet apo motivet e tij të vërteta, por di që kauza, pas së cilës ai është kapur, është shumë popullore. Dhe e drejtë. Të shumtët e shqiptarëve, në mos të gjithë, mendojnë ashtu si edhe kryeministri, që sistemi i drejtësisë është “ku, ku, moj nanë”, e për rrjedhojë që ky sistem nuk mund të lihet kështu si është, që duhen reforma, që duhen ndërhyrje urgjente, e që sëmundja ka shkuar aq thellë e aq gjerë sa janë të shumtë ata që shfaqen dramatikisht të gatshëm të pranojnë edhe ndonjë kirurgji të improvizuar të paparashikuar nga teoria e librat (“le të shkelet Kushtetuta; e rëndësishme është të bëhet diçka”, thonë si pa të keq shumë vetë, mes të cilëve edhe intelektualë publikë).

Presidenti do kishte bërë mirë që këtë betejë të mos ia linte në dorë mazhorancës. Duhet të mos ia linte në dorë mazhorancës qoftë edhe për faktin që institucioni që ai kryeson, KLD-ja pra, është një lojtar më i rëndësishëm se sa vetë mazhoranca në këtë betejë. Mirëpo, ai nuk e ka bërë këtë. Sistemi, në tërësi, ka mbetur po aq i korruptuar e po aq jashtë binarëve sa ka qenë në kohën e Topi-Spahiut.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama