Qeveri që nuk e di ku ndodhet e ku do të arrijë...

Shkruar nga: Kastriot Islami  
Botuar më: 6 vite më parë

Kastriot Islami
Qeveri që nuk e di ku ndodhet e ku do të arrijë...

Kjo qeveri është e paaftë të programojë dhe të ndërtojë. Qeveri pa program qeverisës. Pa program 100-ditor. Pa plan veprimi. Pa kalendar veprimesh. Pa projekte. Që vetëm akuzon paraardhësin dhe kërkon të shkatërrojë për ta nisur gjithçka nga zeroja. Që vepron në mënyrë të kundërligjshme, arbitrare, agresive, hileqare dhe diversive ndaj opozitës, madje edhe kur kërkon "konsensus", siç është rasti për reformën territoriale. Deri tani kjo qeveri gjithçka e ka bazuar në: i) akuza ndaj së kaluarës; ii) në shkatërrimin e gjithçkaje të realizuar më parë e mosrespektim të shtetit ligjor dhe iii) ka tentuar menaxhimin e emergjencave përmes akteve normative. Bazuar në këtë filozofi, erdhi në Kuvend, u shqyrtua dhe miratua pa prezencën e opozitës akti i dytë normativ për buxhetin e vitit 2013. Ky është rasti më tipik i paaftësisë për të programuar sepse brenda një muaji kjo qeveri bëri dy ndryshime të programit vjetor buxhetor, gjë që është unike në historinë 23-vjeçare të demokracisë shqiptare. Përfundimi është i qartë: Një qeveri e paaftë që shkatërron, dhe kur niset për të bërë diçka nuk e di ku do të arrijë, dhe kur është diku nuk e di se ku ndodhet… Ky është vetëm një shembull, por ka edhe shumë të tjerë që rrezikojnë stabilitetin ekonomik e social të vendit dhe kanë përcjellë mesazhe konfuze drejt partnerëve europianë…

 

1. Paqartësi, pasaktësi, papërgjegjshmëri…


Nga një "skanim" i shpejtë i aktit të dytë normativ të buxhetit 2013 evidentohen një seri veprimesh të gabuara dhe mangësish nga e gjithë struktura qendrore e sektoriale që merret me financat dhe ekonominë. Në mënyrë të koncentruar gjithë veprimi qeveritar mund të cilësohet si paqartësi, pasaktësi dhe papërgjegjshmëri e veprimit qeverisës. Së pari, qeveria, deri në fund të janarit 2014, pra pas afërsisht një muaji pasi është mbyllur buxheti i vitit 2013, është e paaftë të japë shifra të sakta jo vetëm për të ardhurat, por edhe për shpenzimet për çdo zë buxhetor, ndërkohë që shifrat në tabelën e aktit normativ janë arbitrare. Së dyti, të ardhurat nga Doganat e Tatimet janë të pasakta dhe deklarimet për to janë spekulative sepse të ardhurat fiskale për 11 muajt e vitit 2013 janë shumë më të ulëta se ato të vitit 2012, por edhe nga shifrat e planit të ulur me aktin e parë normativ. Së treti, pavarësisht se borxhi u rrit me 400 milionë dollarë në vitin 2013, ende sështë shlyer asnjë detyrim ndaj firmave investuese, madje për shkak të mosrimbursimit të TVSH-së në periudhën shtator-dhjetor 2013, kjo qeveri ka rritur detyrimet ndaj biznesit. Së katërti, akti normativ ishte i panevojshëm sepse përpjekja për të justifikuar urgjencën e aktit normativ me rritjen e paparashikuar të të ardhurave është e paargumentuar, sepse kjo rritje pritej qëkur u hartua akti i parë normativ dhe si reaksion ndaj rritjes së akcizës. Së pesti, vlera 4 miliardë lekë që në mënyrë arbitrare mendohet se do të rriten të ardhurat në muajin dhjetor 2014 (ende sështë e qartë se sa do të jetë vlera e saktë e të ardhurave për dhjetorin 2013 dhe për të gjithë vitin 2013), ka të bëjë me sjelljen e shumë mallrave të akcizës, të tilla si naftë, cigare, alkool etj., në sasi atipike dhe aspak me performancën e sistemit fiskal.


2. Paaftësi dhe mungesë profesionalizmi…


Nëse për aktin e parë normativ të qeverisë së re për buxhetin 2013 mund të përdorej justifikimi se buxheti 2013 ishte një program i qeverisë së mëparshme dhe kishte nevojë të korrigjohej, asnjë argument nuk ekziston për të justifikuar ardhjen e aktit të dytë normativ, që ndryshon vetëm një muaj më pas dokumentin programues njëvjetor të buxhetit. Arsyet e vërteta që shpjegojnë përse qeveria u ndodh në një emergjencë të krijuar nga paaftësia e saj janë: i) parashikimi në mënyrë joprofesionale dhe pa bërë asnjë analizë i të ardhurave, shpenzimeve dhe deficitit për periudhën shtator-dhjetor 2013, të vendosura me aktin normativ të 24 tetorit 2013; ii) parashikimi me hile i të ardhurave më të ulëta dhe i një deficiti buxhetor më të lartë; iii) parashikimi pa asnjë prioritet i shpenzimeve, por thjesht për të pasur luksin e shpenzimeve qeveritare dhe lënë pa papaguar njerëzit në nevojë apo ato me aftësi të kufizuara; iv) qëllimi i mbrapshtë për të lënë pa plan mobilizues Doganat e Tatimet, thjesht që të fillonin e kryenin spastrimet në administratën e tyre dhe të mburreshin me tejkalimin fiktiv të një plani tashmë të ulur apo të merreshin me akte të tilla si ky i fundit, i futjes së duarve në serverin e të dhënave për biznesin; vi) mungesa e eksperiencës dhe diturive për të parashikuar rritjen e shpenzimeve për shkak të rritjes së të ardhurave nga plani i ulët pa pasur nevojë që kjo të bëhej me akt normativ. Por e gjithë kjo situatë lidhet edhe me mungesën e njohurive në fushën e menaxhimit të financave publike nga ana e Kryeministrit, por edhe me paaftësinë e të gjitha hallkave sektoriale që merren me menaxhimin e financave për të zotëruar, menaxhuar e kontrolluar në dinamikë informacionin për të ardhurat e shpenzimet.

 

3. Qeveri e akteve normative…

 

Përmes këtij akti normativ, i dyti brenda një koheshumë të shkurtër, që prek dokumentin programor vjetor më të rëndësishëm, buxhetin e shtetit, tanimë janë të qarta për publikun disa veçori të kësaj qeverie: i) paaftësia për të programuar, madje as për të realizuar një ushtrim të thjeshtë buxhetor në harkun kohor të një-dy muajve; ii) mungesë e kontrollit të situatës financiare, përderisa sot e kësaj dite, një muaj pas përmbylljes së vitit 2013, nuk ka ende një vlerë të saktë të projeksionit të të ardhurave për vitin 2013 dhe të shpenzimeve për çdo zë buxhetor; iii) mungesë përgjegjshmërie e serioziteti në përcaktimin e vlerës për të ardhurat nga Doganat e Tatimet mbi bazën e një analize profesionale, por gjithçka është përcaktuar në mënyrë spekulative, për të krijuar idenë e një suksesi fiktiv e imagjinar; iv) demagogji dhe mungesë transparence për të treguar të vërtetën e rritjes fiktive të të ardhurave për shkak të planit të ulur të të ardhurave dhe nga rritja e sasisë së mallrave të akcizës në dhjetor 2013 për shkak të rritjes së akcizës së naftës, cigareve, alkoolit etj.; v) keqpërdorim i instrumentit të aktit normativ me argumentin fals të urgjencës, përderisa nuk ishte vënë në rrezik as deficiti apo as borxhi, ndërkohë që alibia e rritjes së të ardhurave si pasojë e skenarit të uljes së tyre përmes aktit të parë normativ mund të rialokohej pa nevojën e aktit normativ. Përfundimisht mund të thuhet se nisur nga paaftësia për të programuar, kjo qeveri po e drejton vendin përmes akteve normative duke krijuar çdo ditë e më shumë perceptimin se kjo është veçse qeveri e paaftë për të ndërtuar e menaxhuar dhe vetëm reaktive ndaj emergjencave, pra duke bërë evidente keqqeverisjen.

 

4. Ekonomia drejt recesionit dhe vendi drejt krizës…


Ndërkohë që dy aktet normative për buxhetin e vitit 2013, në harkun kohor të një muaji, evidentojnë qartas paaftësinë programuese dhe menaxhuese të financave publike, shqetësimi kryesor lidhet me ecurinë e buxhetit dhe të ekonomisë gjatë vitit 2014. Konkretisht, vetëm nga analiza e këtyre dy akteve normative për buxhetin 2013, dyshimet më të mëdha mund të shtrihen për programin buxhetor të vitit 2014, sepse: i) askush nuk siguron se sa herë do të ndryshohet ky buxhet gjatë vitit 2014; ii) si do të zbatohet ky buxhet dhe a do të jetë nën kontroll menaxhimi i tij; iii) dhe çfarë ndikimi do të kishte ky program buxhetor për situatën ekonomike të vendit. Këto veprime gjithashtu kanë rritur ndjeshëm dyshimet se vendi mund të zhytet në recesion dhe eventualisht në situatën e një krize të thellë, gjë që tanimë është paralajmëruar nga Komisioni Europian, i cili e sheh ekonominë tonë në vitin 2014 si më problematikja në të gjithë rajonin. Edhe në planin e retorikës politike, ky veprim i heq përfundimisht kësaj qeverie alibinë se "fajin e ka paraardhësi", i cili, sipas saj, bënte ndryshim të buxhetit në mes të vitit, ndërkohë që kjo qeveri e ka ndryshuar buxhetin dy herë për dy muaj.


5. Statusi i vendit kandidat në rrezik…


Të gjitha këto rreziqe vijnë fatkeqësisht kur Shqipëria ka ngelur në klasë për të marrë statusin e vendit kandidat dhe kur departamenti që merret me çështjet ekonomike e vendos Shqipërinë në vendin e fundit në Europë përsa i përket rritjes ekonomike dhe e përcakton si vendin që pasi ka përballuar krizën globale e europiane me rritje ekonomike më të lartën në rajon kur pjesa më e madhe e Europës ishte në recesion apo me rritje minimale, ka gjasat të jetë vendi me rritjen më të ulët në rajon dhe Europë. Ndërsa rreziqet "e brendshme" për shkak të keqqeverisjes rrisin shanset që ekonomia jonë të zhytet në recesion e më tej në një situatë me pasoja të rrezikshme e të paparashikueshme. Humbja e shansit për marrjen e statusit të vendit kandidat për të tretën herë veçse është një rrezik i shtuar me ndikim në zhytjen e vendit në një krizë ekonomike, por pasoja më e rëndë është se duke mos marrë statusin, kemi humbur të gjitha ato privilegje e mekanizma asistence që do të mund të na ndihmonin të përballonim një situatë recesioni dhe të dilnim sa më shpejt prej saj…


6. Në vend të një përfundimi: Duhet konsensus real sa nuk është vonë…


Situata në vend, në të gjitha aspektet, është e brishtë. Ekonomia është shumë pranë recesionit. Pa konsensusin real dhe substancial maxhorancë-opozitë, marrja e statusit të vendit kandidat dhe hapja e negociatave mund me shumë gjasa të shtyhen përsëri. Njësia e Inteligjencës së "The Economist" e ka klasifikuar Shqipëri si një vend me mundësi trazirash më 2014-n për shkak të keqqeverisjes, uljes së të ardhurave dhe polarizimit social, të cilat janë qartësisht prezente. Maxhoranca, duke qenë cilësisht shumë e brishtë e plot tensione të brendshme, pavarësisht se nga ana sasiore duket në pozita konfortabël, sillet në mënyrë arbitrare dhe jo rrallëherë agresive, veprime të cilat nxisin konfliktin politik e vrasin konsensusin. Akti normativ ishte një nga shembujt që provojnë të gjitha këto teza. Për rrjedhojë, nëse kjo qeveri realisht kërkon të shmangë një situatë krize të ngjashme me atë greke, del më se e nevojshme të përsëritet mesazhi i një bashkëpunimi të vërtetë e efikas midis maxhorancës e opozitës, i një konsensusi thelbësor në vend të përpjekjeve për të keqpërdorur një maxhorancë numrash që në një situatë të brishtë vidhistet shumë shpejt e lehtësisht.


Është koha për një bashkëpunim real e konsensus thelbësor për të realizuar një plan veprimi për të pesë drejtimet që BE kërkon për hapjen e negociatave, i cili do të shërbente për të garantuar marrjen e statusit të vendit kandidat në qershor 2014. Ky konsensus real nuk mund të arrihet pa hequr dorë: i) nga goditja e institucioneve kushtetuese; ii) nga goditja për interesa të ngushta e administratës publike; iii) nga zëvendësimi i luftës së vërtetë kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit me gjuetinë e shtrigave, me gjoja luftën e korrupsionit me paketa të kritikueshme nga të gjithë partnerët ndërkombëtarë, nga veprimet arbitrare e dhunës ndaj lirive themelore të njeriut e të pronës dhe individëve. Shkurtimisht e përmbledhtas, është koha për një bashkëpunim real e konsensus substancial për të shmangur mesazhet konfuze në drejtim të gjithë partnerëve tanë europianë… Për më tepër që recesioni është pothuajse prezent, kurse kriza me shumë gjasa do të instalohej në tremujorin e tretë të 2014-s…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama