Takimi i Prizrenit s’është ngjarje historike, as në përmbajtje, as në formë dhe as në simbolikë…

Shkruar nga: Kastriot Islami  
Botuar më: 7 vite më parë

Kastriot Islami
Takimi i Prizrenit s’është ngjarje historike, as në përmbajtje, as në formë dhe as në simbolikë…

Ngjarja e Prizrenit – veçse një takim i radhës midis dy kryeministrave…Fjalimet e zakonshme, plot paqartësi dhe pa vlerë për të ardhmen…Tentativa për ta konsideruar si Lidhja II e Prizrenit e bën takimin qesharak…dhe lehtësisht të kundërshtueshëm…

Marrëdhëniet midis Shqipërisë e Kosovës kanë shënuar në dekadën e fundit disa momente kulmore, të cilat në periudhën e fundit lidhen më shumë me prezencën e Shqipërisë në ngjarjet madhore të Kosovës, të tilla si çlirimi i Kosovës, pavarësimi i saj, lidhja e dy vendeve me rrugën e Kombit, e tjerë e tjerë. Sigurisht, momente të rëndësishme në të ardhmen duken ato që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në OKB, anëtarësimin e Kosovës në NATO, integrimin e dy vendeve në BE, e tjerë. Gjithçka tjetër, së paku në periudhën afatmesme, do të përfshihej në grupin e ngjarjeve të rëndësishme, por të zakonshme. Çdo përpjekje për të shndërruar ngjarje apo takime të radhës në “ngjarje historike”, aq më pak kur u mungon “përmbajtja historike” do të ishin joserioze, do të dëmtonin imazhin e dy vendeve në sytë e partnerëve tanë, mund të krijonin keqkuptime të panevojshme. Modestisht, pa shumë bujë, pa ceremoni të rënduar, pa shumë fotografi e simbolikë të ekzagjeruar, Shqipëria e Kosova kanë nevojë të rrisin bashkëpunimin gjithëplanësh duke ndërtuar të gjithë legjislacionin e standardeve europiane, duke ngritur të gjitha institucionet e nevojshme dhe duke punuar çdo ditë e sistematikisht që ky bashkëveprim të bëhet realitet dhe kjo e gjitha në kuadër të integrimit rajonal e europian.  Gjithçka tjetër do të ishte demagogji e spekulim për përfitime elektorale grupesh të caktuara politike apo individësh me pushtet, të cilat do të ishin të destinuara të dështojnë, sepse nuk ka më asnjë shqiptar naiv në hapësirën mbarëshqiptare që të gënjehet nga retorika nacionaliste e maskuar dhe impotente ndërkohë që në shumicë, shqiptarët e forcat politike janë të orientuara nga proceset integruese, europiane e euroatlantike.

1. Ngjarja e Prizrenit është veçse një takim i radhës midis dy kryeministrave…

Ngjarja e Prizrenit nuk ishte mbledhje e përbashkët e dy qeverive, sepse nuk ka asnjë bazë kushtetuese që të zhvillohet një mbledhje e përbashkët e vërtetë e dy qeverive, ku normalisht do të duhet të shqyrtoheshin e miratoheshin dokumente ligjore, të merreshin vendime apo të artikuloheshin e miratoheshin dokumente strategjike. Ky ishte vetëm një takim i radhës, pozitivisht e modestisht i vlerësueshëm, po ashtu si të gjitha takimet e nivelit të lartë midis dy vendeve, madje në mjaft aspekte shumë më pak i rëndësishëm sesa disa të tjerë të mëparshëm. Ky ishte një takim i Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga të gjithë anëtarët e kabinetit të tij, me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i shoqëruar po ashtu nga të gjithë anëtarët e kabinetit të tij, siç ndodh sa herë ka takime të nivelit të lartë dhe kryeministri apo presidenti i vendit shoqërohen nga disa ministra, ndërsa në rastin konkret ata janë shoqëruar nga të gjithë ministrat. Vetëm kaq, një takim midis dy kryeministrave dhe asgjë më shumë duhet trajtuar kjo ngjarje…

2. Kjo s’është një ngjarje historike, as në përmbajtje, as në formë e as në simbolikë…

Takimi i dy kryeministrave, pavarësisht sforcove dhe spekulimeve ekstreme mediatike, nuk është dhe nuk mund të jetë historik as në përmbajtje, as në formë dhe as në simbolikë. Ky është një takim fare i thjeshtë, një takim i radhës, dhe ndoshta më pak i rëndësishëm sesa disa të tjerë të mëparshëm por disi i veçantë, nisur nga fakti që të dy kryeministrat kanë marrë me vete të gjithë ministrat, dhe për më tepër Kryeministri i Shqipërisë i ka transportuar ministrat e tij me autobusë, duke ia bërë me dije këtë gjë prezente publikut “live”. Ky është një takim që nga përmbajtja nuk ka asgjë të veçantë për ta konsideruar historik e aq më pak për t’i dhënë simbolikën e Lidhjes II të Prizrenit…

Tentativa për të shndërruar takimin në Lidhjen II të Prizrenit, plot kundërshti…

Të dy kryeministrat tentuan përmes përzgjedhjes së vendit, qytetit tanimë historik të Prizrenit dhe fotos së përbashkët por edhe të angazhimit maksimal të mediave klienteliste, të krijonin për këtë takim simbolikën e Lidhjes II të Prizrenit. Kjo përpjekje jo vetëm rezultoi e dështuar, por realisht edhe kontroverse. Tentativa për të vendosur takimin në arshivën e ngjarjeve historike të përmasës së Lidhjes së Prizrenit punoi në drejtim të kundërt, sepse ky duke qenë vetëm një takim i dy kryeministrave dhe duke pretenduar të njëjtën gjë si Lidhja e Prizrenit, shkaktoi tek i gjithë faktori shqiptar perceptimin e përjashtimit, në vend që të jepte mesazhin e gjithëpërfshirjes, i cili ishte një nga elementët themelorë të Lidhjes së Prizrenit. Të dy kryeministrat besoj e kanë të qartë se ky takim, fjalimet dhe fotot shoqëruese apo edhe pamjet video, sado të përpiqen, nuk mund të përbëjnë elementë thelbësorë për ta klasifikuar takimin si ngjarje historike të të njëjtit dimension si Lidhja e Prizrenit. Çdo përpjekje për të arritur këtë synim do të krijonte dyshime të mëdha për inteligjencën e tyre dhe do ta bënte qesharak edhe këtë takim të radhës, që ka vlerat e tij…

4. Nga takimi nuk ka asnjë element përmbajtësor historik…

Ky takim i mediatizuar me shumë pompozitet e spekulime nuk kishte substancën adekuate, sepse nuk u nënshkrua asnjë marrëveshje që të kishte rëndësi, vlerë apo dimension historik. Konkretisht, asnjë marrëveshje që do të nxiste bashkëpunimin ekonomik nuk ishte pjesë e këtij takimi, madje paketa e re fiskale mund të thuhet se ia vështirëson prezencën disa prodhimeve kosovare në Shqipëri. Madje edhe fjalimet ishin fare të zakonshme, pa përmbajtje dhe pa asnjë mesazh afatmesëm e aq më pak afatgjatë lidhur me bashkëpunimin gjithëplanësh, e aq më pak me vlerë historike. Dy kryeministrat ishin përpjekur të kishin më shumë terma propagande e retorike në fjalimet e tyre, por edhe në këtë aspekt asgjë për të shënuar e mbetur në mendje. Ndonëse nuk përbën diçka të rëndësishme për t’u marrë në konsideratë, dhurata për Preshevën, e konceptuar më shumë në aspektin simbolik dhe si një premtim elektoral kontroversal, u perceptua me mesazhe kontradiktore po të analizohet impakti i saj real nëse kemi parasysh kontekstin e nevojave që ka ai komunitet dhe vlerën e saj. Qoftë edhe përpjekja për ta quajtur një “dhuratë humanitare” u bë objekt debatesh për të qeshur, të tilla si, kjo dhuratë është sa gjysma e shumës që kushtojnë të dyja makinat e kryeministrave, apo sa kanë kushtuar shpenzimet e këtij uikendi.

5. Retorika e paqartë dhe plot kundërshti e dy kryeministrave…

Retorika e të dy kryeministrave ishte ambigue, pra e paqartë dhe mesa duket, meqë ndodh disa herë kështu, duket se ajo është bërë në mënyrë të qëllimshme. Për shqiptarët, kryeministrat folën me një gjuhë të mbushur me terma, fjali e fjalë që maskonin “idenë e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën”.  Kurse për ndërkombëtarët, Kryeministri shqiptar përdori një gjuhë gjoja më të “qartë” kur tha se “nuk do të ketë ndryshim të kufirit Shqipëri-Kosovë”. Kjo lloj gjuhe ambigue mërziti dhe shqetësoi të gjitha palët që tanimë dinë të lexojnë e nënlexojnë edhe fjalitë pa kuptim apo me kuptim të dyfishtë. Patriotët shqiptarë u çuditën nga artikulimi i Ramës për “mos ndryshimin e kufijve” ndërkohë që me ton të lartë predikohej se do të punohet për Bashkim të Kombit Shqiptar. Kurse ndërkombëtarët mbetën të paqartë e madje disa prej tyre të trazuar nëse pas shprehjes “nuk ka ndryshim të kufijve” qëndronte çdo herë e maskuar ideja e bashkimit kombëtar… E gjitha kjo ishte jo vetëm e panevojshme por edhe pa vlerë e inefikase, përveçse interesit politik personal të dy kryeministrave për nevoja elektorale. Madje nga reagimet e para nisur nga përjashtimi në këtë “Mbledhje Historike” i shqiptarëve të tjerë, së paku të Malit të Zi dhe Maqedonisë, më shumë u dha mesazhi i përjashtimit sesa i gjithëpërfshirjes…

6. Humori “historik” për takimin…


Ky takim, nga mënyra sesi u impostua, nuk mund të mos bëhej edhe objekt humori dhe ndoshta në këtë aspekt që ndonjë detaj do të marrë dimension historik. Vajtja e qeverisë së Shqipërisë me autobus, momenti i ngjitjes së ministrave në orën 8 të mëngjesit në autobus u përcoll me humor nga shumë shqiptarë, që e konsideruan më shumë si një ekskursion apo uikend të ministrave shqiptarë një të shtunë në Prizren, së paku kjo ishte përshtypja vizive…nga e cila mund të thuhej gjithashtu se disa prej tyre e kalonin për herë të parë Rrugën e Kombit, sepse ajo ishte ndërtuar nga Berisha e ndoshta ndonjëri prej tyre shkelte për herë të parë në Prizren. Asnjërit ministër socialist nuk iu lejua të fliste as brenda dhe as jashtë mbledhjes, ndërkohë që në një mbledhje të përbashkët normalisht debatohet e jepen mendime !!!

Në vend të një këshille për të ardhmen…


Duke qenë në favor të takimeve të nivelit të lartë midis dy vendeve, Kosovë e Shqipëri, më të shpeshta por edhe më efikase, me më shumë përmbajtje e më shumë produkt, dhe duke e arkivuar si pozitiv këtë takim modest të radhës por pa ndonjë vlerë të veçantë -për të mos folur për dimension apo simbolikë historike- do të kishte qenë më efikase që ky Takim midis dy Kryeministrave të kishte qenë më modest në simbolikë, më i thjeshtë në paraqitje, por më i përgatitur dhe më i plotë në përmbajtje dhe më gjithëpërfshirës në mesazhe…Natyrisht, po t’i isha referuar Linkolnit, duhet të kisha heshtur sepse ai këshillon: “Më mirë të qëndrosh i qetë dhe t’i bësh të tjerët të mendojnë që je budalla, sesa të flasësh dhe t’ua heqësh të gjitha dyshimet”.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama