Maxhoranca “obeze”, në përballje me BE, SHBA dhe OSBE

Shkruar nga: Kastriot Islami  
Botuar më: 6 vite më parë

Kastriot Islami
Maxhoranca “obeze”, në përballje me BE, SHBA dhe OSBE

Dy projektligjet e propozuara për luftën ndaj korrupsionit janë paraqitur me arrogancë në Kuvend nga “maxhoranca obeze”, pa bërë asnjë analizë, pa asnjë konsultim me publikun, me shoqërinë civile, me organizmat asistues ndërkombëtarë dhe në mungesë të plotë vullneti për të realizuar një proces gjithëpërfshirës me opozitën. Ky është një projekt demagogjik dhe spekulativ që veç korrupsionin nuk e lufton, madje do të ulte efektshmërinë e luftës ndaj tij. Synimi i vetëm rezulton krijimi i një klime terrori dhe realizimi i gjuetisë së shtrigave ndaj biznesmenëve, mësuesve, mjekëve e tjerë, të cilët mjafton të etiketohen si kundërshtarë të “regjimit të një milion shuplakave”. Natyrisht edhe ndaj të gjithë kundërshtarëve politikë brenda maxhorancës aktuale, të cilët janë apo mendohet të jenë të pakënaqur dhe kundërshtues të mënyrës së qeverisjes. Këto dy projekte janë antikushtetuese. Janë të pakonsultuara me misionet ndërkombëtare. Nuk bazohen në analiza dhe studime. Të gjithë këto sa më sipër e të tjera, i thonë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë misionet ndërkombëtare që asistojnë Shqipërinë prej disa vitesh në reformimin e sistemit të Drejtësisë. Por kjo maxhorancë shfaqet arrogante dhe mospërfillëse jo vetëm ndaj gjykimeve e propozimeve të opozitës, por në realitet këtë radhë ajo rezulton edhe në një përballje arrogante e refraktare me vlerësimet, komentet dhe opinionet e BE, SHBA dhe OSBE. Kjo është një kambanë tjetër alarmi për demokracinë në Shqipëri, një kambanë alarmi për dhunimin e të drejtave të njeriut. Duket si marrëzia e radhës…

1. OSBE/SHBA, “JO” projektit të pakonsultuar me misionet ndërkombëtare…

Problemi këtë radhë është jo thjesht shpërfillja e opozitës nga maxhoranca, por se projektet e paraqitura nga qeveria po përballen me gjykimin, vlerësimet e kritikat profesionale dhe realiste të BE, OSBE dhe OPDAT-SHBA, një mision amerikan që merret me çështjet e Drejtësisë. Dhe kjo ndodh pikërisht për një ligj që duhet të miratohet me tre të pestat e votave të Kuvendit, të cilat kjo maxhorancë i disponon, duke paralajmëruar madje se do t’i përdorë ato në mënyrë arrogante, duke shpërfillur, por edhe duke akuzuar opozitën për mungesë vullneti për të luftuar korrupsionin!!! Ndërkohë arroganca arrin deri në atë pikë sa në debatin maxhorancë-opozitë nuk mund të gjendej asnjë hapësirë bashkëveprimi dhe jo më bashkëpunimi, aq sa për këtë projekt kaq të rëndësishëm të mos mund kishte as mirëkuptim për të emëruar dy bashkërelatorë, siç e parashikon rregullorja e Komisionit. Argumenti mediokër në këtë rast ishte revanshist, se “kështu na e keni bërë dhe kështu do t’jua bëjmë…”, një nga sindromat e demokracisë shqiptare. Fatmirësisht që këtë rradhë BE, OSBE dhe SHBA, në mënyrë direkte apo indirekte, i kanë thënë “JO” këtij projekti. Natyrisht, opozita nuk ka rrugë tjetër veçse të rezonojë me këtë gjykim të shëndoshë, profesional e realist… dhe të shpresojë në reflektimin e kësaj maxhorance. Por, me sa duket, pa shpresë…

2. OSBE/SHBA: “JO” modelit që nuk bazohet në një analizë dhe studim…


Modeli i propozuar është voluntarist, i pastudiuar dhe pa asnjë analizë paraprake të efektshmërisë së mekanizmit të “sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë” për rastin e krimeve të rënda, por edhe të mundësive që krijon legjislacioni në fuqi për të thelluar luftën ndaj korrupsionit. OSBE, në komentin e saj është shumë e qartë kur deklaron se ekziston “shqetësimi mbi efektshmërinë e modelit të zgjedhur”… dhe më tej shton se “raporti shpjegues nuk ofron informacion që tregon se sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive kanë rezultuar të suksesshëm në luftën kundër krimit të organizuar e trafikimit, dhe për këtë arsye i njëjti model mund të përdorej edhe në luftën kundër korrupsionit…”. Kjo tezë hedh poshtë të gjitha “argumentet alibike” që ka paraqitur qeveria për të justifikuar paraqitjen e këtyre dy projektligjeve.


3. OSBE/SHBA: “JO” projektit që nuk përqendrohet tek aksioni…”


OSBE në reagimin e saj shprehet po ashtu se “… kuadri ligjor nuk mund të shihet si arsyeja e deritanishme e dështimit të luftës kundër korrupsionit…”. E thënë më shkoqur, kjo do të thotë se “ligjet në fuqi për të luftuar korrupsionin mjaftojnë”, ato janë shumë të mira sepse janë të hartuara me ekspertizën më të mirë perëndimore dhe nuk është mungesa e tyre që pengon realizimin me sukses të luftës kundër korrupsionit. Edhe kjo analizë, sipas OSBE, mungon. Për rrjedhojë, bie kështu argumenti i qeverisë për të justifikuar shpikjen e “goditjes mu në zemër të korrupsionit” në kuadër të filozofisë rilindëse të “fillimit nga zero” dhe arritjes së këtij qëllimi përmes së ashtuquajturës “rrugë të vetme” të luftimit të korrupsionit. Ndryshe nga pretendimi, që i konsideron dy projektet si “rruga e vetme” për të luftuar me sukses korrupsionin shqiptar, më të tmerrshmin në Europë, nga leximi i komentit të OSBE rezulton se qasja e qeverisë mund të cilësohet si një nga rrugët e gabuara përmes së cilës lufta ndaj korrupsionit nuk do të ishte efikase… Konkretisht, në komentin e OSBE thuhet se “një luftë serioze ndaj korrupsionit do të përqendrohej së pari te aksioni, dhe jo te reforma thjesht ligjore…”.


4. OSBE/SHBA: “JO” një projekti antikushtetues dhe të rrezikshëm ….


Në komentin e saj OSBE hedh dyshimin, por me sa duket edhe dërgon mesazhin e qartë se “ligji është i diskutueshëm nga një këndvështrim kushtetues dhe nuk mund t’i qëndrojë një shqyrtimi kushtetues nëse çohet ndonjëherë para Gjykatës Kushtetuese”, pra aludimi është eksplicit se ky është një projekt që do të binte ndesh me parimet kushtetuese. Nëse kjo do të thuhej nga opozita, atëherë maxhoranca do të lëshonte rrufetë populiste se “opozita e frikësuar nga lufta e ashpër ndaj korrupsionit është kundër saj, prandaj është kundër përfshirjes së korrupsionit në të njëjtën listë me terrorizmin dhe krimin e organizuar”. Por pikërisht këtë nuk e thotë opozita, por e thotë fuqimisht ekspertiza e OSBE. Për më tepër, ky ligj përbën një rrezik shumë të madh alarmues për biznesmenët, individët e thjeshtë apo edhe punonjës të rëndomtë të administratës publike (mjekë, mësues etj.), mjafton të konsiderohen nga maxhoranca aktuale si kundërshtarë politikë, që edhe “pasi të deklarohen të pafajshëm në një proces penal, pasuritë e tyre do të mbeteshin të konfiskuara”!!!! Nuk po flas se nuk më intereson shumë goditja ndaj disa politikanëve të pakënaqur brenda maxhorancës, pavarësisht se cilës përbërëse i përkasin.


5. OSBE/SHBA: … “JO” projektit për gjueti shtrigash me akuza politike…


Lidhur me projektligjin “Mbi ndryshimet e ligjit nr. 10192, të datës 3 dhjetor 2009, ‘Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë’”… në komentet e OSBE thuhet se “…Nisma duket shumë e orientuar drejt ndikimit politik sesa drejt arritjes së rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit…”. Pra në mënyrë të qartë shprehet shqetësimi se këto ndryshime çojnë në përdorimin e “luftës kundër korrupsionit” si gjueti shtrigash kundër kundërshtarëve politikë, sidomos atyre brenda maxhorancës me mendim apo veprim ndryshe. E thënë në një mënyrë tjetër, ky është një ndryshim që do të çonte në akuza selektive politike kundër të gjithë kundërshtarëve politikë të Kryeministrit, si brenda ashtu edhe jashtë maxhorancës.  Kurse OPDAT-SHBA në komentin e saj shton se “centralizimi i hetimeve mund të sjellë gjithashtu rritjen e mundësive për kontroll politik të vendimmarrjes së Prokurorisë”, pra edhe në këtë aspekt ky mekanizëm mund t’i shërbejë qëllimit për realizimin e gjuetisë së shtrigave.


6. OSBE/SHBA: …”JO” përfshirjes së korrupsionit së bashku me terrorizimin…


Një nga momentet më të diskutueshme është pa dyshim përfshirja e “korrupsionit” në një kategori me terrorizimin dhe krimin e organizuar e trafikimin, për të cilat “…ligji mbi sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive përbën një përjashtim nga rregullat e përgjithshme…”, përjashtim “në skajet e respektimit të Kushtetutës”, përsa i përket respektimit të të drejtave themelore të njeriut (të drejtës së pronës), por i justifikuar me rrezikun shumë të lartë të krimeve të rënda të kryera nga një kategori e rrezikshme kriminelësh. Në komentet e saj OSBE deklaron se në këtë rast “përfshirja dhe e korrupsionit ndër krimet që mbulon ky ligj do të kthente përjashtimin në rregull”, jo vetëm se në rastin e korrupsionit do të krijohej “disproporcionalitet i pajustifikuar në respektimin e të drejtave themelore të njeriut, deri në dalje jashtë kufijve të kushtetutshmërisë”, por, mbi të gjitha, duke pasur si qëllim kryesor gjuetinë e shtrigave ndaj kundërshtarëve politikë, do të dëmtonte rëndë si luftën kundër korrupsionit, ashtu edhe “kredibilitetin e efektshmërinë e mjeteve dhe procedurave të zakonshme në luftën kundër krimit të organizuar”.


7. Në vend të përfundimit…


Së pari, askush nuk është apo nuk do ta kishte të mundur të shprehej kundër aplikimit të një lufte të ashpër dhe efikase kundër korrupsionit, ndonëse kjo maxhorancë jo vetëm nga përbërja, por edhe nga mënyra se si është krijuar apo historiku i shkëmbimeve të akuzave për korrupsion midis drejtuesve të saj, e ka të pamundur ta realizojë me drejtësi dhe efikasitet këtë luftë, për të mos thënë se është e dështuar që në nisje. Së dyti, për të gjitha qeniet racionale nuk ka asnjë dyshim se legjislacioni në fuqi dhe mekanizmat institucionalë ekzistues e lejojnë realizimin e një lufte efikase ndaj korrupsionit nëse vullneti për ta zbatuar atë me rigorozitet do të ishte maksimal. Por edhe për më naivët është e qartë se ndryshimet e propozuara jo vetëm nuk do të ishin efikase, por duke qenë spekulative ato kanë për qëllim “gjuetinë e shtrigave” me fokus kundërshtarët politikë, më shumë ata në gjirin e maxhorancës se ata të opozitës. Fatmirësisht, këtë e thonë edhe ekspertët ligjorë të OSBE dhe ata amerikanë që kanë ardhur në Shqipëri me misionin për të reformuar sistemin e Drejtësisë. Së treti, askush nuk do të ishte apriori kundër përmirësimit të legjislacionit në fuqi nëse do të gjykohej se kjo do të ishte e nevojshme dhe efikase. Për rrjedhojë, të gjitha qeniet e arsyeshme, bazuar në një analizë profesionale të statistikave të luftës kundër korrupsionit dhe të legjislacionit në fuqi, do të kërkonin t’i jepnin prioritet fuqizimit të mekanizmave institucionalë ekzistues që do të garantonin suksesin e tyre në këtë betejë të vështirë. Edhe këtë, fatmirësisht e thonë ekspertët ligjorë të OSBE dhe OPDAT të SHBA.

 

Së pesti, argumentet e artikuluara të maxhorancës për vullnet të lartë politik për të luftuar korrupsionin janë naive, mediokre dhe qesharake, pra në gojën e tyre tingëllojnë të pabesueshme, sepse minimalisht “obeziteti elektoral” i kësaj maxhorance mbështet në korrupsionin elektoral, në blerjen e votës. Së gjashti, synimi për të mos përfshirë opozitën në këtë projekt dhe vendosur atë në pozita diskriminuese dhe më tej për ta akuzuar si të korruptuar e kundërshtuese është veçse një qasje naive, spekulative dhe e dështuar. Dhe së fundmi, kjo maxhorancë jo vetëm gjithnjë e më arrogante me opozitën, ndodhet aktualisht e realisht përballë e kundërshtuese me arrogancë ndaj BE, OSBE e SHBA, mesa duket e vendosur për t’i shkuar deri në fund “marrëzisë” së saj… Dhe ky është problemi themelor në këtë debat të radhës….

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama