Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

…Vendi drejt recesionit…

Shkruar nga: Kastriot Islami  
Botuar më: 11 vite më parë

Kastriot Islami
…Vendi drejt recesionit…

Rama në opozitë ka luftuar me të gjitha mjetet për të mos lejuar rritjen e borxhit. Madje ai propozoi që  ngurtësimi  i borxhit në vlerën 60 për qind e PBB të përcaktohej si tavan në Kushtetutë. E kundërta ndodhi sa u ul në karrigen e Kryeministrit. Akti i tij i parë, me natyrë ekonomike, do të ishte pikërisht akti normativ për rishikimin e buxhetit, përmes të cilit Rama jo vetëm nuk e ul borxhin, jo vetëm nuk e mban të pandryshuar, jo vetëm nuk e rrit në mënyrë të moderuar, por e thellon atë nga 63.8% në rreth 73-74%, pra e thellon “gropën” e borxhit publik me rreth 10 për qind të PBB, ose e rrit vlerën e tij me mbi 15 për qind krahasuar me vlerën në fillim të vitit 2013. Pra vetëm në katër muaj qeveria “Rama”, e paaftë për të grumbulluar të ardhurat nga Tatimet e Doganat dhe e orientuar për rritjen e shpenzimeve të “luksit”, rrit deficitin me mbi 330 milionë dollarë. Ky akt jo vetëm që e çon në mbi 12.5 milionë lekë (të vjetër) borxhin e çdo familjeje shqiptare, por kjo “gropë” thithëse mund të çojë në krizë e më tej në recesion ekonominë e vendit, pa pasur asnjë ide se si mund të dilej prej andej. Përgjegjës nëse ndodh kjo krizë do të jetë vetëm Rama, pavarësisht përpjekjeve titanike që ka filluar që tani për t’ia transferuar këtë përgjegjësi opozitës.

Borxhi i çdo familjeje shqiptare, mbi 15 mijë dollarë…


Borxhi publik, me aktin normativ të qeverisë, arrin në vlerën prej 68.6 për qind të PBB dhe pritet që me buxhetin e vitit 2014 të shkojë mbi vlerën 73-74 për qind të PBB. Kjo do të thotë që nga 100 lekë prodhim shqiptarët kanë 74 lekë borxh. Kjo rritje do të rrisë borxhin për frymë në vitin 2014 deri në mbi 15 mijë dollarë. Përmbledhtas, nga analiza e aktit normativ del se: i) plani i rishikuar i të ardhurave nga Doganat e Tatimet rezulton për vitin 2013 sa 84 për qind e planit fillestar; ii) plani i të ardhurave për periudhën shtator-dhjetor 2013, në vend që të rritej për shkak të mbarimit të periudhës elektorale (siç ka ndodhur në shtator-dhjetor 2005) do të ulet në mënyrë drastike, madje edhe më shumë se në periudhën janar-gusht 2013; iii) plani i rishikuar i shpenzimeve totale rezulton sa 99 për qind e planit fillestar; dhe iii) plani i rishikuar i deficitit rritet me 41.4 për qind nga vlera fillestare. Pra, e thënë shkurt: ulet në mënyrë drastike plani i të ardhurave për dogana/tatimet, nuk preken shpenzimet, madje ato të “luksit” për qeveritarët rriten dhe gjithçka përballohet me thellimin e “gropës” së deficitit e të borxhit. Pra qeveria merr borxh për shpenzime luksi duke lënë rehat doganat. Por problemi është gjetiu: Në kuadrin e një krize globale dhe europiane, dhe veçanërisht të krizave të thella në Itali e Greqi, Shqipëria me miratimin e këtij akti rrezikohet të zhytet në recesion (rritjen ekonomike negative) prej nga dalja do të ishte e paparashikueshme.

Ulja e të ardhurave dhe thellimi i borxhit, superpesimiste dhe panikndjellëse…


Perceptimi se buxheti i rishikuar është pesimist e negativist dhe agresiviteti vijues i ish-opozitës radikale deri në dhunë verbale kanë rritur psikologjikisht ndjenjën e panikut e të frikës së qytetarëve e të bizneseve nga përfshirja e vendit në krizë. Për rrjedhojë, akti normativ ka rritur shanset që “gropa” e borxhit të vazhdojë të thellohet dhe kriza e recesionit të afrohet me shpejtësi. Publiku ka kuptuar se ky akt me pak shifra, por me shumë paqartësi e pasiguri, ka në themel dy elemente të rëndësishme: i) uljen drastike të të ardhurave totale me rreth 39 miliardë lekë dhe atyre nga Doganat e Tatimet me mbi 35 miliardë lekë; ii) rritjen “historike” të deficitit me rreth 35 miliardë lekë, pra po në atë masë sa do të jetë mosrealizimi i Doganave dhe Tatimeve. Procesi i përcaktimit të këtyre shifrave nuk ka qenë transparent për publikun dhe llogaritjet për vlerat e rishikuara e të ardhurave nuk kanë krijuar besim. Po ashtu, ekspertët kanë pasur opinione të ndryshme për metodikën e llogaritjes dhe shifrat e të ardhurave, duke vënë në dyshim vlerat e tyre shumë të ulëta.


Veprimet qeverisëse, në drejtim të kundërt me premtimet e “Rilindjes”…


Akti normativ shfaqet kontradiktor, madje në sytë e 800 mijë votuesve të majtë, të cilët: i) rreth 2 vjet më parë dëgjuan programin e PS për Rilindje; ii) rreth 4 muaj më parë ishin të angazhuar pas një fushate ku premtohej  Rilindja; iii) dhe vetëm 40 ditë më parë, kur dëgjuan programin qeverisës të Rilindjes dhe tani përballen me aktin që u thellon borxhet. Ky akt është kontradiktor sepse ndryshe nga premtimet për Rilindje: a) ngjall të qytetarët ndjenjën e panikut për të ardhmen e buxheteve familjare e të bizneseve; b) krijon premisat për një krizë ekonomike e financiare të ngjashme me atë greke. Jo vetëm ata që nuk e kanë votuar maxhorancën aktuale, por edhe ata që kanë votuar pro saj, ndihen të shqetësuar për krizën eventuale në të cilën mund të futet vendi.

Rehatllëk për grumbullimin e të ardhurave nga Doganat/Tatimet…


Në këta 22 vjet, qeveri të majta e të djathta kanë hartuar buxhete dhe kanë rishikuar buxhete. Ato janë cilësuar si nga qeveria apo edhe nga opozita si buxhete: i) motivuese kur shifrat e buxhetit kane qenë pak më të larta sesa lejonte realiteti; ii) realiste kur shifrat e buxhetit kanë qenë afër realitetit, pothuajse të përputhura me realitetin; iii) konservatore kur shifrat kanë pasqyruar një situatë të shtrënguar, por që ruante gjendjen ekonomike stabël duke e mbrojtur atë nga ndikimet e krizës ekonomike, globale dhe europiane. Por asnjëherë nuk është diskutuar e miratuar në Parlament një projektbuxhet kaq demotivues ose që krijon “rehatllëk” për grumbullimin e të ardhurave nga Doganat/Tatimet. Të ardhurat për periudhën tetor-dhjetor planifikohen me rreth 4 miliardë lekë më pak në muaj, e thënë ndryshe, ato ulen në afërsisht 75% të planit mujor fillestar, ndërkohë që në 9 muajt e parë të vitit kur ishte: i) fushata elektorale e zgjedhjet; ii) periudha qershor-gusht e “qeverisjes në detyre” dhe iii) kalimi i pushtetit (shtator 2013) realizimi i planit ishte në nivelin rreth 93 për qind. Mesazhi i përcjellë nga ky akt është: “Grumbulloni nga Tatimet e Doganat sa të mundni sepse paratë për shpenzimet do t’i marrim borxh”, pra gropa e borxheve do të thellohet sepse qeveria “Rama” nuk mbledh dot të ardhurat, por shpenzimet do të vazhdojë t’i kryejë pa shkurtime e veçanërisht ato për “luks” me rritje. Kjo qasje që projekton krizën bën përgjegjës vetëm Ramën.


Proces jotransparent dhe metodikë joadekuate për rishikimin e buxhetit…


Procesi i përcaktimit të shifrave të të ardhurave nuk ka qenë transparent për publikun dhe llogaritjet për vlerat e rishikuara të të ardhurave (totale, tatimore dhe nga Doganat e Tatimet) nuk kanë krijuar besim. Po ashtu, ekspertët kanë pasur opinione të ndryshme për metodikën e llogaritjes dhe shifrat e të ardhurave, duke vënë në dyshim vlerat e tyre shumë të ulëta, janë pesimiste e demotivuese. Vlerat e të ardhurave të paraqitura në aktin normativ, me sa duket janë llogaritur duke ekstrapoluar diferencat (Fakt 2013 – Fakt 2012), të llogaritura për 8 muajt, janar-gusht, për periudhën e mbetur shtator-dhjetor 2013. Të ekstrapolosh “diferencat” (Fakt 2013 –Fakt 2012) apo edhe (Fakt 2013 – Plan 2013) për janar-gusht, kur në këtë periudhë 8-mujore përfshihet periudha e fushatës elektorale dhe e kalimit të pushtetit, prill-gusht 2013, për periudhën e mbetur të vitit, shtator-dhjetor, është një qasje simpliste, për të mos thënë e gabuar, dhe për më tepër nuk korrespondon aspak me realitetin. Një llogaritje e tillë nënkupton se administratat e Doganave dhe Tatimeve, edhe të drejtuara në kushtet e qeverisë së re, do të silleshin njëlloj sikur të ishin administratat e mëparshme, të vendosura nën presionin e zgjedhjeve. Ky supozim është i pasaktë dhe, për rrjedhojë, shifrat e përllogaritura janë minimalisht të diskutueshme dhe në të vërtetë shumë më të ulëta sesa duhet të ishin projektuar. Kjo do të thotë të programosh më pak se ç’janë mundësitë, ose ndryshe, të hartosh një plan pesimist e demotivues. Ose kjo do të thotë të lësh në “rehatllëk” administratat e Doganave e të Tatimeve që të merren vetëm me emërime klinteliste, dhe jo me planin e të ardhurave. As ulja e ritmit të rritjes ekonomike, që supozohet nga 4.5% në 1.9%, nuk e justifikon planin shumë të ulët të të ardhurave për periudhën shtator-dhjetor 2013.


“Luks” shpenzimesh për Kryeministrin, ministrat…


Ndërkohë që të ardhurat totale ulen me 38.8 miliardë lekë ose rreth 12 për qind krahasuar me buxhetin fillestar, ato nga Tatimet e Doganat, me 35 miliardë lekë apo rreth 16 për qind, shpenzimet totale ulen vetëm me 4.2 miliardë lekë, ose me rreth vetëm një për qind, krahasuar me shifrën e tyre në buxhetin fillestar. Nga ana tjetër, buxheti i Kryeministrisë dhe ministrive rritet me 3.2 miliardë lekë, apo me rreth 1.25 për qind nga vlera fillestare. Filozofia është e qartë: 1) Drejtuesit e Tatimeve e Doganave nuk kanë përse shqetësohen për planin (plani për tetor-dhjetor 2013 do të jetë sa 75 për qind e planit që ishte parashikuar në buxhetin fillestar të 2013-s), i cili ulet me 16 për qind nga vlera fillestare; 2) shpenzimet do të bëhen sipas planit fillestar duke u ulur me vetëm një për qind në total, por duke rritur shpenzimet administrative (shpenzime “luksi” për Kryeministrin, ministrat etj.), për dikasteret qendrore me rreth 1.25 për qind nga vlera fillestare; 3) i gjithë ky operacion do të realizohet vetëm duke thelluar “gropën” e deficititme 35 miliardë lekë, apo me një vlerë 42 për qind më të lartë sesa vlera fillestare, pra pa asnjë shtrëngesë për shpenzimet.

Midis krizës dhe një suksesi iluzor të sajuar…


Rama ka kërkuar një rishikim të buxhetit sepse ka synuar një objektiv të dyfishtë, bazuar në filozofinë: “Na e latë gjendjen keq. Nëse ajo shkon edhe me keq, fajin e ka opozita, kurse po shkoi jo keq, suksesi i takon vetëm maxhorancës”. Pra në çdo rast maxhoranca synon të dalë e “fituar”, e kjo me kosto zero. Sipas kësaj filozofie, Rama synon në rastin e një krize eventuale apo situate ekonomiko-financiare të përkeqësuar, kryesisht për shkak të paaftësisë së grumbullimit të të ardhurave nga Doganat e Tatimet, t’ia transferojë tërësisht përgjegjësinë qeverisjes së mëparshme. Ky do të ishte skenari i krizës nga e cila Rama nuk e ka aspak të qartë se mund të dilej, por që kërkon të dalë vetë pa asnjë përgjegjësi. Realizimi i të ardhurave në muajin shtator me një deficit prej 6.3 miliardë lekësh nga shifra e parashikuar është sinjali i parë negativ që e çon vendin drejt krizës dhe recesionit. Nga ana tjetër, nëse të ardhurat do të grumbulloheshin me një ritëm më të lartë sesa ai i rishikuar (që është shumë i ulët), dhe nëse shpenzimet do të kryheshin sipas planit të rishikuar, deficiti e borxhi do të rezultonin me ulje nga vlera e rishikuar, dhe në këtë rast maxhoranca, në mënyrë të bujshme e plot triumfalizëm, do të fliste për sukses që në tre muajt e parë të qeverisjes. Në realitet nuk do të ishte e vështirë të kuptohej se ky është veçse skenari i një suksesi imagjinar apo iluzor, të sajuar përmes manovrash. Më shumë probabël fatkeqësisht duket skenari i krizës.


Kriza dhe recesioni nga rehatllëku për Doganat/Tatimet e “luksi” i qeverisë…


Nuk është e vështirë të arrihet në përfundimin se vendi mund të futej në skenarin e krizës apo të recesionit: i) nëse nuk grumbullohen të ardhurat nga Doganat e Tatimet; ii) nëse për shkak të mosgrumbullimit të të ardhurave dhe mosreduktimit të shpenzimeve, sidomos të atyre të “luksit”, rritet në nivele të paarsyeshme deficiti e stoku i borxhit; iii) nëse për shkak të rritjes së deficitit e borxhit përtej disa limiteve të arsyeshme, vendit i rritet kostoja e borxhit dhe rritja ekonomike frenohet, atëherë ekonomia do të futej përmes një spiraleje krize, në recesion, pa pasur mundësi të vetëdalë. Ky akt normativ veçse e legjitimon këtë trajektore.


Në vend të përfundimit: si mund të shmangej kriza…?


Kriza e recesionit duket shumë probabël, dhe përgjegjës për këtë do të ishte vetëm Rama, pavarësisht përpjekjeve për t’ia transmetuar më së koti këtë përgjegjësi opozitës. Duke përfunduar do të thosha se skenari i krizës do të shmangej vetëm nëse: i) do të abandonohej dogma mbi të cilën është hartuar ky akt, ose e thënë ndryshe nëse abandonohet teoria e “fillimit nga zeroja”; ii) do të shmangen veprimet që rrisin perceptimin pesimist; iii) do të ndalohen retorika negativiste e dhuna verbale; iv) qeverisja vendoset në shinat e një progresi apo performance të përmirësuar apo rritur mbi bazamentin e arritjeve të deritanishme. Pranimin e arritjeve të deritanishme dhe sfidat e progresit e të përmirësimit të performancës mbi themelet e tyre e gjejmë të evidentuar qartësisht në dokumentin më të rëndësishëm për Shqipërinë, Raportin e Progresit të KE, por edhe në deklaratat e FMN-së apo Bankës Botërore, të cilat duhet të ishin kuadri i plotë mbi të cilën do të duhej të ishte ngritur e gjithë filozofia për të hartuar aktin normativ në mënyrë që të shmangej jo vetëm skenari i krizës, por edhe mos të humbnin seriozitetin me skenarin e suksesit imagjinar e iluzor të sajuar. Sidoqoftë, e rëndësishme mbetet që të shmanget futja e vendit në spiralen e krizës e të recesionit, sepse skenarin e suksesit imagjinar, duke mos qenë i rrezikshëm, është më e lehtë për ta demaskuar. Fatkeqësisht, qeveria me miratimin e aktit normativ ka shumë pak hapësirë për të shmangur skenarin e krizës. Për rrjedhojë, urgjentisht duhet që ekonomia dhe financat të vihen nën “monitorimin” e FMN-së, që nesër të mos jetë vonë. Nëse konceptimi i buxhetit 2014 dhe zbatimi i tij që në fazën fillestare nuk vendoset nën monitorimin e FMN-së, ai veçse do të përshpejtonte ardhjen dhe thellimin e krizës.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama