Gjermania, partner strategjik…

Shkruar nga: Kastriot Islami  
Botuar më: 7 vite më parë

Kastriot Islami
Gjermania, partner strategjik…

Në festën kombëtare të Gjermanisë, më 3 tetor 2013, në Ambasadën Gjermane në Tiranë, Sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë Federale të Ekonomisë dhe Teknologjisë në Gjermani, Ernst Burgbacher, ndër të tjera, tha se Gjermania, pavarësisht krizës ekonomike që ka përfshirë globin dhe Europën, “mbetet lokomotiva e rritjes ekonomike të Europës”. Natyrisht Gjermania është edhe “lokomotiva e projektit të Bashkimit Europian”. Dhe, mbi këtë bazë, sekretari gjerman, duke iu drejtuar Presidentit dhe Kryeministrit shqiptar, të pranishëm në pritje, shtoi: “…Gjej rastin t’i ofroj Shqipërisë partneritet strategjik…” .

 

Pra, Gjermania, “donatorja kryesore në Shqipëri”, por jo vetëm, duke vlerësuar rolin e rëndësishëm që ka Shqipëria në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe mbi bazën e aspiratave integruese të shqiptarëve, gjykon se mund të ndërtohet një partneritet strategjik mes Shqipërisë dhe “lokomotivës së zhvillimit ekonomik dhe të integrimit europian”, Gjermanisë. Ishte një “ofertë” apo mesazh ndoshta në kontekstin aktual, i cili u vlerësua dhe u mirëprit. Shqipëria e shqiptarët gjithnjë e kanë ndier Gjermaninë një partner strategjik, por “shteti lokomotivë”, me sa duket, ende nuk e ka gjetur një përkufizim të tillë në dokumentet apo prononcimet politike të palës shqiptare, së paku në trajtë eksplicite. Aq më tepër kur Shqipëria, konsensualisht, këtë term ia ka ofruar tashmë SHBA, por edhe Italisë, Turqisë e Greqisë.


1.15 maj 2012, Topalli homologut turk Cilek: Turqia më shumë se partner strategjik…


Më 15 maj 2012, Kryeparlamentarja Jozefina Topallli ka deklaruar se “Turqia për ne është më shumë se një partner strategjik. Është një partner ekonomik dhe politik që ka shtuar investimet në vendin tonë. Marrëdhëniet miqësore midis Turqisë dhe Shqipërisë janë përkthyer në 10-fishim të investimeve. Vizita e presidentit të asamblesë vjen në rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë…”. Kjo është hera e parë që Turqia përcaktohet si partner strategjik.


2. Programi i Qeverisë: …Partneritet strategjik me SHBA e BE dhe Itali, Greqi, Turqi…


Termi “partner strategjik” në programin e qeverisë “Rama” përdoret si vijon: “…Vizioni ynë mbështetet mbi partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, marrëdhëniet e konsoliduara dhe strategjike me fqinjët tanë anëtarë të BE-së dhe të NATO-s, si Italia, Greqia dhe Turqia…”. Pra, partneritet strategjik me SHBA, BE, Itali, Greqi dhe Turqi. Kurse për marrëdhëniet me Gjermaninë në program thuhet: “…Vizioni ynë mbështetet mbi… zgjerimin e bashkëpunimit më të thellë e të gjithanshëm me Gjermaninë dhe Austrinë…” Pra, termi “strategjik” nuk përdoret në këtë program qeverie për Gjermaninë, Austrinë apo Francën e të tjera.


3. Intervistë e ministrit të Jashtëm në “Zërin e Amerikës”: Turqia, partner strategjik..


Pyetjes së gazetarit të “Zërit të Amerikës”: ”Zoti Bushati, mes partnerëve strategjikë tradicionalë të vendit, këtë herë qeveria e re ka përfshirë edhe Turqinë. Ku e bazoni këtë dhe a pritet të shohim një intensifikim të lidhjeve dypalëshe dhe, nëse po, në çfarë fushash?”, ministri i Jashtëm i është përgjigjur: “…Për sa i përket rajonit, qeveria ka nominuar, të themi, si një marrëdhënie më strategjike, Italinë, Turqinë dhe Greqinë dhe vizitat tona, para se të merrnim detyrën zyrtarisht, janë përqendruar kryesisht në këto vende.


4. Turqia – Partner strategjik, mbledhje të përbashkëta e këshilltarë turq në qeveri…


Më datë 5 tetor, ministri i Jashtëm i Turqisë, Davutoglu, zhvilloi një vizitë në Tiranë ku, përveç takimit me homologun Bushati, pati edhe një takim më Kryeministrin Rama. Ndër të tjera, në njoftimin për shtyp nga ky takim thuhet se “…Rama theksoi se partneriteti strategjik mes dy vendeve do të forcojë më tej edhe bashkëpunimin në të ardhmen. …Kryeministri Rama dhe ministri i Jashtëm, Davutoglu, biseduan edhe për zhvillimin e mbledhjeve të përbashkëta të dy kabineteve qeverisëse, si edhe për këshilltarët turq në fushat e energjisë, ekonomisë, shëndetësisë dhe rendit publik, që do të asistojnë nga afër sektorët përkatës”…


5. Kryetari i PD, Lulzim Basha: …Turqia, tashmë partner strategjik…


Më datë 5 tetor, kryetari i PD, Lulzim Basha, takoi në Bashkinë e Tiranës ministrin e Jashtëm të Turqisë, Dovutoglu, duke deklaruar se “Partia Demokratike dhe opozita shqiptare do të vazhdojnë të mbështesin fuqishëm partneritetin strategjik me Republikën e Turqisë dhe bashkëpunimin mes dy vendeve tona në rrafshin dypalësh dhe shumëpalësh…”. Madje, zoti Basha la të kuptohej se kjo marrëdhënie strategjike nuk është diçka e re: “…Gjatë bisedës u diskutua në lidhje me trashëgiminë e fortë të marrëdhënieve shqiptaro-turke dhe mbi partneritetin e rëndësishëm strategjik, që ekziston prej kohësh mes dy vendeve tona….”.


6. SHBA, partnerit strategjik kryesor i kërkohet asistencë…


Në intervistën e tij te ZA, ministri i Jashtëm riartikulon qëndrimin e mëparshëm, të shprehur në takimin me ambasadorin e SHBA në Tiranë, Arvizu: “…I kam kërkuar zyrtarisht qeverisë së SHBA, përmes përfaqësuesit të Presidentit të SHBA në Tiranë, që të kemi një asistencë të vazhdueshme nga pala amerikane, që do të na ndihmonte jo vetëm për të pasur një nivel bashkëpunimi strategjik; por edhe një nivel konsultimesh për qëndrimet që duhet të mbahen jo thjesht në rajon, por edhe në arenën ndërkombëtare, që do të duhet të kishin mbështetjen e SHBA për teknikat e reja të diplomacisë publike dhe për një projektim sa më të mirë të faktorit shqiptar, faktorit stabilizues dhe paqësor shqiptar në rajon…”. Pra, SHBA, partnerit kryesor strategjik i kërkohet asistencë për “projektimin” e disa elementëve të politikës së jashtme.


7. Takimet e ministrit të Jashtëm me ambasadorët e SHBA, Turqisë dhe Gjermanisë…


Ministri i Jashtëm shqiptar, pas formimit të qeverisë, ka bërë takimet e rastit me shumë nga ambasadorët e akredituar në Shqipëri dhe në faqen zyrtare të MPJ gjenden njoftimet e shtypit, ku ripërsëritet/ritheksohet “partneritet strategjik” me SHBA e Turqinë, konkretisht:


a) Datë 19 shtator 2013, takim Bushati-Arvizu. Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati, priti sot në një takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, z. Alexander Arvizu. Pas takimit, ministri i Jashtëm ka bërë një deklaratë për shtyp, ku ndërmjet të tjerave ka thënë: “…Patëm një shkëmbim pikëpamjesh mbi bashkëpunimin e dyanshëm dhe bashkëpunimin shumëpalësh, duke qenë se Shqipëria falë partneritetit strategjik me SHBA-të ka pasur fatin e madh që të jetë në një pozicion shumë më të mirë se disa prej vendeve të tjera të rajonit në rrjedhat euroatlantike…”


b) Datë 1 tetor 2013, takim Bushati – Hasan S. Aºan. Ministri i Punëve te Jashtme, z. Ditmir Bushati, priti ambasadorin e Republikës se Turqisë në Tiranë, z. Hasan S. Aºan. Në njoftimin për shtyp thuhet se “…Ministri Bushati vlerësoi zhvillimin e kontakteve në nivelet më të larta së fundi dhe shkëmbimin reciprok të mesazheve për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve. Bashkëbiseduesit vlerësuan agjendën ambicioze për ndërtimin e partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve, institucionalizimin e dialogut dhe intensifikimin e bashkëpunimit shumëdimensional shqiptaro-turk.


c) Datë 20 shtator 2013, takim Bushati-Hoffman. Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati, priti sot në një takim kortezie ambasadorin e Gjermanisë në Shqipëri, z. Helmut Hoffman. Në njoftimin për shtyp të MPJ, ndër të tjera thuhet se “…Ambasadori gjerman informoi ministrin Bushati për situatën parazgjedhore në Gjermani. Ai shprehu garancinë që Gjermania do të vijojë të jetë një mbështetëse e pakursyer e Shqipërisë në rrugën e integrimit të saj në BE. Ministri Bushati shprehu falënderimin mbi kontributin e Gjermanisë në Shqipëri në dy dekada si vendi i parë donator i BE…”. Ndonëse Gjermania është vendi i parë donator i BE për Shqipërinë, termi “strategjik” mungon jo vetëm në programin e qeverisë, por edhe në këtë njoftim për shtyp.


8. Vizita e ministrit të Jashtëm të Turqisë në Tiranë: Partneritet strategjik, mbledhje të përbashkëta qeverie, këshilltarë turq pranë qeverisë shqiptare…


Më datë 5 tetor, takimet në Tiranë me qeverinë e re shqiptare i shënon ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmed Dovutoglu. Nga njoftimi i shtypit të MPJ mësohet se “…Në takim u konfirmuan edhe një herë marrëdhëniet e shkëlqyera, të cilat do të institucionalizohen me nënshkrimin së shpejti të Dokumentit të Partneritetit Strategjik, i cili do t’i intensifikojë edhe më tej bashkëpunimet në të gjitha fushat…” Ndërkohë që në konferencën e përbashkët për shtyp, ministri turk tha se: “Biseduam për hartimin e dokumentit të partneritetit strategjik dhe në të ardhmen do të hidhen hapa në këtë drejtim. Ky projekt është shumë i rëndësishëm për ne dhe parashikon dhe mbledhje të përbashkëta mes dy qeverive. Kjo tregon rëndësinë që u kushtojmë marrëdhënieve me Shqipërinë…. Gjithmonë jemi bashkë me njëri-tjetrin. Flamujt e dy vendeve do jenë gjithmonë së bashku. Miqësia dhe bashkëpunimi vëllazëror do të institucionalizohen akoma më shumë…”.


9. Takim në Nju Jork gjatë sesionit të OKB i ministrave të Jashtëm të Shqipërisë e Greqisë: Partneritet strategjik…


Më 25 shtator 2013, thuhet në një njoftim për shtyp të MPJ se: “…Nëkuadër të sesionit të 68-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati, u takua në Nju Jork me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, z. Evangjelos Venizellos. Dy ministrat shprehën rëndësinë e intensifikimit të raporteve dypalëshe në fushën politike dhe ekonomike, në kuadër të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit reciprok si dy vende anëtare të NATO-s…. Ministri Bushati theksoi rëndësinë e ndërtimit të një raporti të ri dhe afatgjatë mes dy vendeve dhe kalimin nga një gjendje e menaxhimit të krizave në një partneritet strategjik dhe të qëndrueshëm…”. Pra, edhe me Greqinë, gjendet rasti që të theksohet “partneriteti strategjik” mes Shqipërisë dhe Greqisë.


10. Në vend të përfundimit: Gjermania – partner strategjik i Shqipërisë…


Nga takimet e para të Kryeministrit Rama dhe të ministrit të Jashtëm, para dhe pas formimit të qeverisë, lihet të kuptohet se përveç SHBA e BE, tri vende të tjera përcaktohen si partnere strategjike: Italia, Greqia dhe Turqia. Nga ana e tij, edhe kryetari i PD, Lulzim Basha, jo vetëm e mbështet fuqimisht “partneritetin strategjik me Turqinë”, por deklaron se praktikisht ky partneritet tashmë ka ekzistuar. Deri këtu gjithçka duket normale, për më tepër që gjithçka është e deklaruar dhe e miratuar në Kkuvend. Nga ana tjetër, në asnjë dokument zyrtar. Gjermania nuk përcaktohet si partner strategjik, së paku në trajtë eksplicite.

 

Ndërkohë, sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë Federale të Ekonomisë dhe Teknologjisë në Gjermani, Ernst Burgbacher, ka bërë “ofertën” e Gjermanisë si partnere strategjike të Shqipërisë. Mbetet që pala shqiptare të artikulohet në mënyrë të qartë dhe eksplicite ndaj kësaj “oferte” nga ana e “lokomotivës së zhvillimit ekonomik dhe të projektit të Bashkimit Europian”. Anëtarësimi i Shqipërisë në BE është dhe duhet të mbetet prioritet madhor e strategjik për Shqipërinë dhe shqiptarët. Bazuar në sa më sipër, gjykoj se marrëdhëniet e Shqipërisë me “lokomotivën e projektit të BE”, Gjermaninë, duhet të jenë strategjike, sepse praktikisht të tilla kanë qenë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama