Rilindje e bllokimit të statusit…

Shkruar nga: Kastriot Islami  
Botuar më: 7 vite më parë

Kastriot Islami
Rilindje e bllokimit të statusit…

Statusi i vendit kandidat mund të rrezikohet edhe në 2013-n. Për shkak se konsensusi i arritur për të tria ligjet mund të prishet nga ana e PS, e cila kërkon: i) të shtyjë datën e hyrjes në fuqi të ligjit të shërbimit civil; dhe/ose ii) të shmangë zbatimin e këtij ligji duke filluar nga 1 tetori 2013, përmes disa “marifeteve teknike” që gjoja duhen bërë për shkak të mungesës së akteve nënligjore, mungesa që paradoksalisht e bëkan ligjin të pazbatueshëm. Kjo me të vetmin synim, ndonëse Rama përpiqet ta fshehë atë, spastrimin dhe largimin e shpejtë të të gjithë atyre që kanë fituar statusin e nëpunësit civil dhe futjen e menjëhershme në pozicionet kyçe të përfaqësuesve të klientelës së qeverisë aktuale.


Pas “nevojës” për të amenduar ligjin e shërbimit civil, i cili ende nuk ka hyrë në fuqi, qëndron i kamufluar synimi për të spastruar administratën publike, ndërkohë që ndryshimet e arsyeshme e të nevojshme të administratës mund të kryhen edhe me ligjin e ri të shërbimit civil. Jo vetëm opozita, por as Komisioni Europian dhe vendet anëtare nuk do duhet të lejojnë që Shqipëria të futet në qorrsokakun e prishjes së konsensusit të arritur, prej nga do të bllokohej fitimi i statusit të vendit kandidat në vitin 2013 dhe administrata do të spastrohej…. Nëse kjo ndodh, statusi i vendit kandidat eventualisht do të rrezikohej edhe në vitin 2014, sepse ky vit mund të ishte jo fort i përshtatshëm për axhendën zgjeruese të BE, meqë zhvillohen zgjedhjet për Parlamentin Europian, të cilat shoqërohen me caktimin e komisionerëve të rinj. Kurse në vitin 2015 zhvillohen zgjedhjet vendore në vendin tonë dhe cilësia e tyre mund të ishte ndoshta me pasoja për fitimin e statusit.
1. Partnerët kërkojnë konsensusin maxhorancë-opozitë dhe stabilitetin e administratës publike…


Në takimin e parë të qeverisë së re në Bruksel, nga të gjithë faktorët u dhanë dy “porosi-kushte” themelore për fitimin e statusit: 1) bashkëpunimi maxhorancë-opozitë dhe 2) mosprekja e administratës publike, dy kushte që, me sa kuptohet, do të monitorohen në mënyrë skrupuloze. Në këtë kuptim, “sugjerimi” është i qartë: Shqipëria nuk duhet të humbasë momentin për fitimin e statusit të vendit kandidat në 2013-n dhe në themel të këtij suksesi/dështimi qëndron mirëkuptimi maxhorancë-opozitë dhe mosprekja e administratës. Të gjithë partnerët e kanë të qartë se PS në opozitë për katër vjet kreu veprimeve radikale dhe jashtinstitucionale, dhe për dy vjet rresht bllokoi marrjen e statusit, duke mos dhënë konsensusin për tri ligjet. Prandaj partnerët po ndjekin me shumë vëmendje veprimet e PS në drejtim të maxhorancës së re, dhe nuk besoj se do të toleronin konsensualisht “spastrimet në administratë”, sepse kështu do të  shkallmohej konsensusi i vendosur për të tria ligjet dhe, për rrjedhojë, do të bëhej i pamundur fitimi i statusit të vendit kandidat. PD është e vendosur, përmes veprimeve të saj konstruktive e integruese, të mos e lejojë një veprim të tillë me pasoja të konsiderueshme për vendin dhe shqiptarët. Shpresoj e besoj se të njëjtën qasje bashkëndan edhe LSI. Rilindja e bllokimit të axhendës integruese do të ishte me pasoja për Shqipërinë dhe shqiptarët…


2. Konsensusi maxhorancë-opozitë në themel të fitimit të statusit…


Ligji për shërbimin civil është një nga tri ligjet-kushte të Komisionit Europian, që për dy vjet rresht PS përdori për të mbajtur peng fitimin e statusit të vendit kandidat në BE. Komisioni Europian, përmes komisionerit Fyle, ka bërë me dije, konfidencialisht e publikisht, se marrja e statusit varet nga bashkëveprimi/konsensusi maxhorancë-opozitë. Madje komisioneri Fyle, përmes rrjetit social “Twitter”, duke stigmatizuar qëndrimin e PD, përjashtoi edhe mekanizmin e “referendumit” për miratimin e këtyre tri ligjeve, duke lënë si të vetmen mundësi miratimin me konsensus të tri ligjeve, pra duke i dhënë prioritet konsensusit pozitë-opozitë, dhe jo thjesht miratimit të tri ligjeve. Për rrjedhojë, partnerët europianë do t’i konsideronin të papranueshme të gjitha tentativat për të shtyrë datën 1 tetor 2013 të hyrjes në fuqi të ligjit të shërbimit civil dhe/ose “marifetet” për të ndryshuar ligjin e shërbimit civil, sepse ata e kanë të qartë se kështu do të shkatërrohej konsensusi i arritur midis maxhorancës e opozitës për fitimin e statusit dhe njëkohësisht do t’u hapej rruga spastrimeve masive në administratën publike.


3. Shkallmimi i konsensusit për tri ligjet rrezikon fitimin e statusit…


PS dha mirëkuptimin për miratimin e tri ligjeve vetëm më 31 maj 2013, pasi ishte bashkuar me LSI dhe kur ishte e sigurt se statusi nuk do të mund të merrej dot edhe pas miratimit të këtyre tri ligjeve. Por, duke pranuar këtë konsensus, me ose pa dashje, PS pranoi se “nuk do të spastronte administratën publike”, pavarësisht se tetë vjet ishte betuar se do të zhbënte “administratën e Berishës”, sepse ligji i ri shërbimit civil, duke qenë i standardeve europiane, nuk lejon spastrimin e administratës publike, ndërkohë që i ka të gjitha hapësirat për të ndërtuar një administratë të qëndrueshme, profesionale dhe efikase. PS ose nuk e ka pasur të qartë këtë fakt, ose tani që është në pushtet ka ndërruar mendje dhe kërkon të gjejë “marifete” për të mos zbatuar ligjin e shërbimit civil sepse kërkon të spastrojë masivisht administratën publike. Gjykuar në retrospektivë, me sa duket PS gjykonte se në rast fitoreje, veçanërisht ligji i ri i shërbimit civil të mos ishte në fuqi, sepse kështu nuk do t’i kishte duart e lira për të spastruar administratën publike. Konkretisht, PS përmes “marifeteve teknike” po kërkon kohë për të “zhbërë administratën publike të Berishës”: i) ose përmes shtyrjes së datës 1 tetor 2013 kur hyn në fuqi ligji për shërbimin civil deri në një datë të përshtatshme që i lejon të kryejë operacionin e menduar të spastrimeve; ii) ose përmes disa amendamenteve për të mbushur “vakumet ligjore” dhe arritur të njëjtin synim. Kjo rrugë do të çonte në shkatërrimin e marrëveshjes së arritur më 31 maj 2013 dhe, për rrjedhojë, do të ribllokonte marrjen e statusit të vendit kandidat në vitin 2013.


4.Viti 2013, një moment që nuk duhet humbur për fitimin e statusit…


PS ishte qartësisht përgjegjëse e bllokimit të konsensusit dhe, për rrjedhojë, e fitimit të statusit të vendit kandidat kur ishte në opozitë. Fatkeqësisht PS do të rezultonte shkatërruese edhe e konsensusit të arritur më 31 maj 2013 tani që është forca drejtuese e maxhorancës qeverisëse. PD është shprehur se në asnjë rast nuk do të ketë qëndrime e veprime penguese të axhendës integruese, dhe konkretisht ka dënuar çdo tentativë për shkallmimin e njëanshëm të konsensusit të arritur më 31 maj 2013. LSI ka luajtur gjatë mandatit 2009-2013 një rol moderator dhe ka investuar për arritjen e konsensusit për të tria ligjet. Për rrjedhojë, LSI do të duhet të qëndronte me konsekuencë në mbrojtje të kësaj marrëveshjeje. Prishja e këtij konsensusi do të jepte shkas që Komisioni Europian dhe/ose disa vende të BE të mos jepnin pëlqimin për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Kjo do të ishte një ngjarje shumë e rëndë për vendin, po të kemi parasysh që në vitin 2014 zhvillohen zgjedhjet e Parlamentit Europian dhe fitimi i statusit në vitin 2014 mund të komplikohej për arsye që nuk do të lidheshin me Shqipërinë. Viti 2015 është vit zgjedhor për Shqipërinë dhe cilësia e zgjedhjeve gjithnjë ka qenë një kusht për fitimin e statusit.


5. Kosto e lartë financiare për shqiptarët nga bllokimi i statusit…


Pas tentativës për shtyrjen e datës së “hyrjes në fuqi” të ligjit të shërbimit civil, ndër të tjera do të maskohej një qëllim/interes politik i trefishtë i PS: 1) preferenca e saj që statusi të merrej vitin e ardhshëm meqë marrja këtë vit (kur të gjitha kushtet janë tashmë plotësuar), do të perceptohej si “dhuratë” që u takonte kryesisht PD e LSI, kurse vitin tjetër PS mund të pretendonte për më shumë merita, të cilat mund të vinin pas përmbushjes së disa obligimeve; 2) interesi i saj imediat lidhet kryesisht me “spastrimet” e administratës, kjo për shkak edhe të presionit që bëjnë përfaqësuesit e klientelës së qeverisë aktuale për pozicionet kyçe (për të qenë të sinqertë, profesionistëve militantë të PS u janë mbyllur telefonat dhe dyert nga qeveria, pasi është tallur me dërgimin me e-mail të CV-ve në bazën e të dhënave), ndërkohë që marrja e statusit dhe hyrja në fuqi e ligjit të ri të shërbimit civil përbëjnë pengesa të pakapërcyeshme; ) PS gjykon me këtë rast se do të mund ta akuzonte PD që nuk do të jepte konsensusin për shtyrjen e datës 1 tetor 2013, si bllokuese të fitimit të statusit, duke i kthyer reston e akuzave që kjo forcë i ka bërë PS gjatë katër viteve, 2009-2013. Duhet pasur parasysh gjithashtu se të gjitha këto veprime jo vetëm do të pengonin marrjen e statusit, por do të shoqëroheshin me një kosto të lartë financiare, sepse duke iu referuar ligjit të ri në fuqi, nëpunësit civilë do ta kenë shumë të lehtë të fitojnë në gjykatë të drejtën e tyre dhe shpërblimet jo të vogla financiare. Po ashtu, shtyrja edhe një vit e fitimit të statusit do të thotë humbje e shumave të konsiderueshme që vijnë për vendet kandidate si asistencë nga fondet e BE.


6. Hyrja në fuqi e ligjit nuk mund të pengohet nga mungesa e përkohshme e akteve nënligjore.


Hyrja në fuqi e ligjit nënkupton që automatikisht subjektet të cilave u drejtohet ligji fitojnë të drejtat dhe përmbushin detyrimet, sipas ligjit të ri, madje ky aspekt nuk është i lidhur aspak me miratimin e akteve nënligjore në zbatim të tij, të cilat më shumë kanë të bëjnë me aspektin procedural të ligjit. Për nëpunësin e shërbimit civil rëndësi primare ka garancia për ruajtjen e statusit (e drejtë e nëpunësit), gjë që prodhon stabilitetin e administratës (interesi publik). Duke firmosur marrëveshjen e 31 majit 2013, PS e ka dhënë pëlqimin e saj për stabilitetin e administratës, apo e thënë më shkoqur, ka pranuar që çdo punonjës që ka fituar statusin e nëpunësit civil nuk mund të largohet nga puna për motive politike, dhe ky standard europian është pranuar nga të gjitha palët që të vendoset më 1 tetor 2013. Nga analiza e ligjit nr. 152/2013 rezulton se parimet e funksionimit të administratës publike, të drejtat dhe detyrimet e nëpunësve civilë, janë automatikisht të detyrueshme për zbatim që nga data 1 tetor 2013, për shkak se ligji nuk parashikon nxjerrjen e një akti nënligjor për detajimin e tyre. Duke qenë se këto çështje përbëjnë thelbin e ligjit dhe të vetë statusit të nëpunësit civil, janë vetë dispozitat e ligjit që kanë detajuar garancitë ligjore të qëndrimit në detyrë, të drejtat dhe detyrimet e nëpunësve civilë. Në këto kushte, në referim edhe të paragrafit 3 të nenit 107 të Kushtetutës, garancitë e qëndrimit në detyrë dhe trajtimi ligjor i nëpunësve publikë ekzistues do të rregullohen nga ligji nr. 152/2013 që nga data 1 tetor 2013. Dhe në këtë këndvështrim, shtyrja e afatit të hyrjes në fuqi të këtij ligji jo vetëm shkallmon konsensusin e arritur për fitimin e statusit të vendit kandidat, por hedh në erë edhe garancitë që do të fitojnë më 1 tetor 2013 nëpunësit e shërbimit civil dhe mund t’i humbasin nëse me shtyrjen e kësaj date fillon periudha e spastrimeve. E thënë më troç, nëse PS nuk ka ngutjen për të kryer spastrimet në administratë dhe kryerjen e emërimeve klienteliste, nuk ka asnjë pengesë nga miratimi i akteve nënligjore që ligji i shërbimit civil të zbatohet, aq më tepër që ndryshimet dhe rekrutimet në administratë duhet në bëhen të programuara sipas afateve të përcaktuara në ligj. PS, në vend që të sajojë “marifete teknike” e të krijojë alibi e pretekste për nevojën e tyre për ta bërë gjoja ligjin të zbatueshëm, duhet të merret me urgjencë me hartimin dhe miratimin e akteve nënligjore sepse vetëm kështu ligji bëhet i zbatueshëm, administrata nuk spastrohet dhe PS i ka të gjitha hapësirat për të bërë përmirësimet e duhura e të arsyeshme në administratën publike.


7. “Justifikimi” absurd për shtyrjen e afatit të hyrjes në fuqi të ligjit dhe “vakumet ligjore”…


“Justifikimi” i shtyrjes së afatit të hyrjes në fuqi të ligjit nr. 152/2013 bazuar në alibinë se nuk janë miratuar ende aktet nënligjore në zbatim të tij, është absurd dhe i pambështetur ligjërisht. Po ashtu deklarimi se data 1 tetor 2013 për hyrjen në fuqi krijon disa “vakume ligjore” që duhen “mbushur” përmes disa amendamenteve ligjore që ligji të bëhet i zbatueshëm duket absurd dhe jo bindës. Këto nuk përbëjnë “nevojë” për ta bërë ligjin të zbatueshëm, por janë “marifete” për të fituar kohë e hapësira për të spastruar administratën publike. Nëse do t’u futeshim këtyre sofizmave, atëherë do të mund të thuhej se në asnjë moment ligji nuk do të hynte dot në fuqi përderisa nuk do të ishin të miratuara aktet nënligjore. Por, nga ana tjetër, aktet nënligjore nuk mund të miratohen në asnjë rast nga Këshilli i Ministrave përpara se ligji të hyjë në fuqi. Për këtë arsye, edhe në momentin e skadimit të një afati të ri të vendosur, përsëri do të ishim në situatën që aktet nënligjore në zbatim të ligjit do të ishin të pamiratuara për shkak se nuk mund të nxirren aktet nënligjore mbështetur në një ligj, i cili ligjërisht, edhe pse i miratuar, nuk ka hyrë në fuqi. Për këtë arsye, neni 69 i ligjit nr. 152/2013 parashikon se Këshilli i Ministrave duhet t’i miratojë aktet nënligjore brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit. Nuk besoj se do të ishte korrekte juridikisht, madje do të konsiderohej absurde që të kërkohej e kundërta, që në një nen të veçantë të thuhej se ligji hyn në fuqi vetëm pas asaj date kur ka përfunduar miratimi i akteve nënligjore?!


8. Garancitë ligjore për nëpunësin civil nuk lidhen me aktet nënligjore…


Gjithashtu, po të vlerësohen aktet nënligjore që parashikon ligji për miratim, vërehet se asnjë prej tyre nuk lidhet me të drejtat apo detyrimet e nëpunësve civilë, apo me garancitë e tyre ligjore. Aktet nënligjore, në tërësinë e tyre, delegojnë miratimin e procedurave të hollësishme për pranimet, ngritjen në detyrë apo transferimet. Ligji parashikon një afat tremujor për miratimin e tyre. Pas hyrjes në fuqi të ligjit më datë 1 tetor 2013, Këshilli i Ministrave duhet të fillojë procedurat e nevojshme për miratimin e akteve nënligjore brenda afatit të vendosur nga ligji, sipas një rendi prioritar. Dhe do të ishte absurde që pa u futur ligji në fuqi të amendohej ligji sepse na qenkësh i pazbatueshëm meqë mungojnë aktet nënligjore. Kjo është një hile thjesht për të krijuar hapësirat për të spastruar administratën dhe nuk ka të bëjë aspak me zbatueshmërinë e ligjit.


9. Në vend të përfundimit: “Marifetet” për të spastruar administratën dhe kryer emërime klienteliste prishin konsensusin e arritur dhe “hedhin në erë” statusin…


Më 31 maj 2013, PS, me hir apo me pahir, më dije apo pa dije, ka miratuar ligjin e shërbimit civil, njërin nga tri ligjet që mbanin peng fitimin e statusit të vendit kandidat. Me miratimin e këtij ligji, së bashku me të dy ligjet e tjera, është hapur rruga e fitimit të statusit këtë vit dhe nuk ka asnjë pengesë tjetër për ta fituar atë në 2013-n. Kjo është vetëm meritë e maxhorancës së mëparshme PD+LSI. Miratimi i ligjit të shërbimit civil i ka dhënë stabilitet administratës publike dhe i ka garantuar të gjithë nëpunësit e shërbimit civil se nuk ka asnjë mënyrë për t’ia hequr statusin e fituar për motive politike, pra janë shmangur përfundimisht spastrimet në administratë. Pra, Rama, me dije ose pa dije, ka firmosur në favor të stabilitetit të administratës dhe kundër retorikës së tij për zhbërjen e “administratës së Berishës”. Çdo kthim mbrapa, apo e thënë ndryshe, shkallmimi i konsensusit të arritur më 31 maj 2013, përmes “shtyrjes së datës 1 tetor 2013” apo krijimit të hapësirave për spastrimin e administratës përmes “marifeteve teknike”, do të hidhte në erë fitimin e statusit të vendit kandidat në vitin 2013. Kjo do të ishte me kosto të lartë, politike e financiare, për vendin dhe për shqiptarët. E gjithë kjo kosto do të shkaktohej vetëm për interesin e përfaqësuesve të klientelës së ngushtë që pret të vendoset në pozicionet kyçe të administratës publike. Për këtë mjafton të analizohen nga ekspertët e BE të gjitha emërimet në postet kyçe të kompanive publike për të kuptuar tendencën e emërimeve të qeverisë së re. Madje asnjë profesionist, qoftë edhe militant socialist as ka përfituar deri tani dhe as do të mund të përfitonte nga këto “marifete” me kosto të lartë. Unë shpresoj se PD, LSI dhe Brukseli e vendet anëtare të BE, pra “partnerët” e Shqipërisë, konsensualisht nuk do ta lejojnë që Shqipëria të mos e fitojë statusin në vitin 2013 thjesht se Rama kërkon hapësira për të kryer spastrimet e administratës publike dhe kryer emërime klinteliste e nepotike.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama