Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Loja win-win larg syve te publikut

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 16 vite më parë

Mustafa Nano
Loja win-win larg syve te publikut

Ajo që po ndodh është shumë paradoksale: ndryshimet në Kushtetutë janë kryer tanimë, e megjithatë po zhvillohet një debat i bujshëm dhe i sofistikuar lidhur me to. Kemi dëgjuar e lexuar këto ditë opinionet e atyre që janë kapur në befasi nga ndërhyrjet në Kushtetutë, por kemi dëgjuar e lexuar edhe opinionet e atyre që kanë punuar për (i kanë përgatitur) këto ndryshime, siç janë - po kufizohem vetëm tek pak protagonistë - Kastriot Islami, Fatmir Xhafaj, Ylli Manjani. Këta të fundit sigurisht kanë optikën e tyre, e cila ngrihet mbi një sërë argumentesh e motivimesh të natyrës teorike e praktike, por e gjithë magjia e fuqia e tyre bindëse është e njollosur dhe e komprometuar prej faktit, që gjithçka po bëhet e njohur aposteriori. Këta pra nuk morën pjesë në debatin që do të paraprinte ndryshimet e ndërhyrjet në Kushtetutë (nuk kishte se si të merrnin pjesë, përderisa nuk e hapën fare këtë debat), gjë që e bënë fare mirë me ndryshimin e sistemit elektoral.

Mund të mos biem dakord gjithë ditën me këtë element të reformës elektorale, por nuk mund të mohohet, që procesi ndoqi iter-in e vet burokratik, procedurial e politik (afërmendsh, tek ky iter bën pjesë edhe debati që i paraprin procesit apo që e shoqëron procesin); në fund, pasi procesi kalon nëpër të gjitha fazat e veta, do të jetë politika ajo që do të vendosë. Ne të tjerët mund t‘i bjemë këmbës sa të duam, por nuk mund t‘ia kundërshtojmë e nuk mund t‘ia marrim politikës atributin e kompetencën e vendimmarrjes; me kusht amá, që vendimmarrja të jetë transparente e në përputhje me udhëzimet ligjore e kushtetuese. Në këto rrethana mund të dalin zëra, që e konsiderojnë vendimin të gabuar, të padrejtë, madje dhe të rrezikshëm, por këto zëra, së bashku me vullnetet politike e humane të bartësve të tyre, nuk kanë fuqi ta çbëjnë vendimin. Nuk do të ishte as e drejtë ta kishin këtë fuqi.

Por ajo që ndodhi me sistemin elektoral, nuk ndodhi me ndërhyrjet e tjera kushtetuese, të cilat u bënë pothuaj incognito e larg syve të opinionit publik. Autorët e këtyre ndryshimeve, në komentet post-factum që bëjnë, ndërsa ekspozojnë një thes me arsyetime juridike e politike, nuk para pëlqejnë të shpjegohen lidhur me debatin e munguar. Ndonjë syresh arrin ta pranojë këtë gabim me gjysmë zëri e me dy -tre fraza, por pastaj fap, u kthehet sërish arsyetimeve të natyrës juridike, politike, ligjore, kushtetuese, teorike e praktike, të cilat - e thashë edhe pak më sipër - në kushtet e një debati do të kishin shumë kuptim. Këto argumenta amá nuk kanë asnjë kuptim, kur dalin në shesh, jo për të përgatitur, por për të legjitimuar një vendim. Dhe është ky paradoks që shënon anomalinë e parë të madhe në këtë aksion politik. Ky debat pra vjen si kofini pas të vjelave; me fjalë të tjera vjen atëherë, kur nuk i lipset askujt.

Anomalia e dytë - këtu po lë mënjanë konsideratat mbi thelbin e vendimit të marrë nga parlamenti, të cilat i kam shprehur në një rast tjetër - lidhet me një të vërtetë, që është pëshpëritur gjatë gjithë kohës. Tash së fundi është pranuar nga autorët e ndryshimeve. Fatmir Xhafaj, në një intervistë të gjatë të publikuar në më shumë se një të përditshme, zbulonte ca sekrete të negociatave PS-PD, dhe thosh se u ndodhëm nën presionin e berishianëve: ose do të duhej të binim dakord me idenë e tyre për të bërë ndryshimet e shumëpërfolura në Kushtetutë, ose do të duhej ta hiqnim mendjen prej variantit spanjoll të ligjit elektoral. Më tej, Kastriot Islami në numrin e djeshëm të "Shqip"-it, teksa fliste mbi teknikat e negociatave e teksa u jepte munxët negociatave të para si një "zero-sum game" (ku njëra palë fiton atë që humbet tjetra), na bënte me dije se ok-i i socialistëve mbi ndryshimet në Kushtetutë, që kanë të bëjnë me mocionin e besimit të kryeministrit e me zgjedhjen e Presidentit të Republikës, është dhënë si kapar për Berishën, në mënyrë që të merrej nga ky i fundit ok-i për variantin spanjoll. Dhe këtë mënyrë të negociuari, Islami e quan "win-win". Sipas meje, ky i fundit bën një ngatërresë. Dhe është e sigurtë, që nuk e bën nga padija.

Në negociatat e para si lojë "win-win" apo "zero-sum", edhe unë, ashtu si Islami, jam për lojën e parë. Por kur flitet për negociatat, nënkuptohet që ato - këtu është ngatërresa - kanë një objekt të caktuar. Dhe në negociatat në fjalë të inicjuara nga socialistët e Edi Ramës, objekti ishte reforma elektorale. Pikërisht lidhur me këtë objekt ka kuptim të flitet për lojë "win-win". Si? Shumë thjesht: socialistët janë partizanë të ligjit elektoral spanjoll, pasi janë të bindur se kanë qar prej këtij ligji (kjo punë e qar-it të socialistëve është e diskutueshme, por ky është një diskutim më vete). Nga ana tjetër, demokratët, duke qënë se nuk kundërshtojnë idenë e rishikimit apo ndryshimit të ligjit elektoral, nuk mund të bjenë dakord symbylltazi me socialistët, të cilët e kanë hallin të çojnë ujë tek mulliri i tyre. Dhe kështu, ndërsa mund të bjenë dakord me idenë e ligjit spanjoll, do të këmbëngulnin për ta shqiptarizuar pakëz këtë ligj, me synimin që të kthejnë gjysmën e ujit për në mullirin e tyre.

Kjo ka ndodhur? A mos vallë, i gjithë diskutimi është reduktuar tek përpjekjet e palëve për të nxjerrë qar të barabartë nga ky ligj? Jo, ka ndodhur tjetër gjë. Të dyja palët kanë qënë absolutisht dakord me variantin spanjoll, pasi kanë qënë të sigurta që ky variant nuk penalizonte në mënyrë të veçantë e apriori asnjërën prej palëve. Por nga ana tjetër, të dyja palët kanë qënë të sigurta mbi një avantazh të përbashkët: largohen nga skena partitë e vogla. Pra loja "win-win" ka qënë e garantuar qysh në start. Atëherë, pse dreqin është hapur loja?

Dhe këtu vimë tek shpjegimi i Fatmir Xhafës, i cili na e thotë gjithë të vërtetën me një gjuhë të troçtë, larg arsyetimeve të rafinuara të Kastriot Islamit. Berisha e kuptoi që socialistët, të kapur nga makthi i Ilir Metës, e donin ligjin spanjoll më shumë se sa e donte vetë ai. U shtir si i çinteresuar për pasojat apo avantazhet që mund të ketë ky ligj mbi partinë e tij dhe mbi atë vetë, dhe u tha socialistëve: po bie dakord me këtë që kërkoni ju, e që mua nuk është se më intereson në mënyrë të veçantë, por në këmbim dua të më jepni votat për dy ndërhyrje në Kushtetutë. Socialistët, pasi kanë analizuar kërkesën e Berishës, mund të kenë arritur në një përfundim të thjeshtë: Ne nuk kemi ç‘t‘i bëjmë Berishës deri në vitin 2009. Do të koracohet si Kryeministër gjatë kësaj periudhe që i ka mbetur? Epo mirë, le ta marrë këtë koracë. Pas një viti, ajo do të jetë koraca e Edi Ramës.

Ja, këtë tip negociatash, Kastriot Islami e quan lojë "win-win". Duhet uruar për të mirën e Islamit e të partisë së vet, që kjo të mos rezultojë një lojë "zero-sum", në fund të së cilës Rama të ketë humbur atë që do të fitojë Berisha. Por deri sa të vijë koha që të marrim vesh këtë gjë, këto negociata meritojnë vetëm një emër: ‘shkëmbim në natyrë‘.


Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama