Reformimin e administratës nuk e pengojnë dot këta që po ikin. Por…

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 7 vite më parë

Mustafa Nano
Reformimin e administratës nuk e pengojnë dot këta që po ikin. Por…

Administrata publike në periudhën postkomuniste ka qenë e rekrutuar në një masë të madhe me një logjikë partiake dhe ky fakt përbën një nga mëkatet më të rënda e më evidente që janë kryer këto kohë. Dhe ky mëkat është nënvizuar ca më shumë gjatë dy legjislaturave të fundit. Administrata e sotme që kemi trashëgim nga ata që kanë qeverisur këtë vend për tetë vite me radhë është më e korruptuara dhe më e paafta që kemi pasur ndonjëherë.

Tani, pikërisht këta njerëz që nuk kanë pasur asnjë skrupull në tentativën për ta mbushur administratën me njerëz të tyre bazuar në një logjikë të pastër partiake, tribale e nepotike (për më tepër, duke shkarkuar njerëz sipas qejfit; janë me mijëra njerëzit e shkarkuar, që kanë ngritur padi ndaj eprorëve të tyre berishianë, kanë fituar gjyqin dhe paguhen me paratë e taksapaguesve; në terma më konkretë, janë me mijëra vende pune, për të cilat shteti ynë paguan për një kohë të caktuar dy vetë), pikërisht këta njerëz pra që e kanë shkatërruar në kuptimin literal të fjalës administratën publike, kanë gjetur tanimë kauzën e tyre në opozitë. Cila është? Gjëegjëzë e kollajtë: Mbrojtja e administratës publike.

Rama dhe socialistët do bëjnë mirë të mos e vënë fare ujin në zjarr për këta zëra. Një milion vetë kanë votuar edhe kundër kësaj administrate bashibozuke, e prandaj nuk është ky problemi. Nuk është problemi pra se mijëra vetëve në administratë do t’u vihet fshesa. Problemi është i një natyre tjetër. Dhe del i qartë nga dy pyetje.

Pyetja e parë: Si do të ndahet gruri nga egjra në administratë? Një njeri duhet larguar nga puna se është i paaftë dhe i korruptuar, dhe i padenjë për të ushtruar një detyrë a përgjegjësi publike, por jo sepse ka votuar për Berishën. Ka njerëz të administratës që janë të zotë e kanë merita, s’ka gjë se janë zgjedhur me logjikë klienteliste, partiake e tribale. Këtyre njerëzve, minimumi, duhet t’u njihet e drejta të japin prova se atë vend pune e kanë me hak, s’ka gjë se e kanë marrë për “merita” politike.

Të gjithë ata që punojnë në administratën publike janë njerëz që kanë qëndrime politike, që votojnë, që kanë pasione e simpatira për njërin a tjetrin krah, e që ndoshta marrin pjesë edhe në manifestime e tubime elektorale, dhe deri këtu jemi në rregull. Nuk jemi hiç në rregull kur këta njerëz bëjnë militantin në vendin e punës, kur kredot e tyre politike i propagandojnë aty ku punojnë, kur kërkojnë që në atë vend pune të “rekrutojnë” militantë të tjerë politikë, kur nuk mjaftohen me pjesëmarrjen në manifestime partiake nëpër sheshe, por kërkojnë të organizojnë manifestime dhe nëpër zyra e korridore. Kësaj kategorie njerëzish, edhe sikur të jenë ekspertë e specialistë të zotë (gjë që, si rregull, do duhej të ndodhte shumë rrallë), duhen flakur pa një, pa dy nga administrata publike. Kjo e fundit është për njerëz me prerje tjetër, është për njerëz që simpatitë e pasionet politike i mbajnë brenda vetes, ose i demonstrojnë gjithë elegancë në vendin e duhur dhe kurrë nuk i nxjerrin përpara pasionit për t’i shërbyer ligjit, interesit publik dhe shtetasve.

Kam parë në një rast, që nëpunës të kryeministrisë italiane përshëndesnin me dorë nga dritaret Silvio Berlusconin, teksa ikte për t’u zëvendësuar nga Romano Prodi. Ky ilustrim italian do të thotë që nëpunësi atje është totalisht i mbrojtur nga batica/zbatica e ndërrimit të pushtetit, dhe është kaq i mbrojtur, më saktë kaq i parrezikuar, sa s’e ka për gjë të dalë në dritare të përcjellë, deri dhe me lot në sy, para kamerave, kryeministrin që ikën, pa pasur frikë se mund të ngatërrohej me një militant. Askujt në atë rrethanë nuk do t’i shkonte mendja të pyeste: Po këta kanë votuar për Berlusconin?

Kjo është një gjë fare normale, s’ka gjë se neve këtu na duket si ide surreale. Dhe nuk është se s’kemi të drejtë. Ne po dalim nga tetë vite të çmendura, në të cilat kemi pasur një kryeministër që më 21 janar thosh, se “unë ndenja në Kryeministri, tok me të gjithë nëpunësit, dhe vendosëm që vetëm të vdekur do dilnim prej aty”. Të ngjeth mishin si ide: nëpunësit e Kryeministrisë merren për gardistë; jo vetëm kaq; merren për gardistë që duhet të japin jetën. Dhe mjafton ky ilustrim për të kuptuar se sa rëndë është dëmtuar deontologjia e profesionit të nëpunësit publik. Është mirë të shkëputemi menjëherë nga këto praktika obskurantiste. Administrata publike, përveç njerëzve të rinj, ka nevojë dhe për një frymëzim të ri.

Pyetja e dytë: Ok, në administratë duhet vënë fshesa, por si do të rekrutohen të tjerët? Mbi ç’kritere? Përsëris: Rama s’duhet ta vrasë fare mendjen për zërin e ngritur nga kampi tjetër. Rama ka për detyrë “to fix the broken system”, dhe askush s’mund t’i kërkojë hesap pse ai përpiqet ta rregullojë sistemin e prishur, që e ka (e kemi) peshqesh në përgjithësi nga e kaluara, e në veçanti nga këta që janë duke ikur. Ne duhet të jemi syçelët në mënyrë që Rama të mos e prishë më shumë sistemin, në mënyrë që të bindemi se e ka kuptuar se cilat janë defektet e se si rregullohen ato, dhe në mënyrë që t’i futet punës sa më shpejt për të vënë gjërat në rendin e vendin e duhur.

Këtu e ka burimin frika ime. Kam frikë pra se një nga paktet, që e ka salduar këtë koalicion të ri në pushtet, është ai mbi shqyerjen partiake, nepotike e klienteliste të administratës publike. Por edhe në mos qoftë kjo (në fakt, mendoj se është, derisa të na japin një provë se nuk është), mendja ma thotë se Rama ende nuk është i qartë në atë që do të bëjë lidhur me këtë çështje. Kjo është një nga sfidat më të mëdha e më të vështira për të gjithë ata që e kanë në mendje reformimin e administratës publike. Është një sfidë që bart kokëçarje të panumërta, që shoqërohet me presione të shumta e që prodhon kosto të të gjitha natyrave, mbi të gjitha elektorale. Vetëm një vizionar mund t’i futet kësaj pune. Dhe prapëseprapë nuk është e thënë t’ia dalë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama