Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Antiamerikanet e vetevendosjes dhe real-politika

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 11 vite më parë

Mustafa Nano
Antiamerikanet e vetevendosjes dhe real-politika

Të nesërmen e ditës, kur njerëzit e Vetëvendosjes, jashtë e brenda Kuvendit, bënë çmos të pengonin ratifikimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, gazetat publikuan një foto të pazakontë të ambasadores së SHBA-ve në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson. Kjo e fundit kish pozuar nga pozitat e viktimës. E kishin lënduar gjatë asaj proteste, teksa ajo po bënte të hynte në Parlament për të marrë pjesë në seancë, dhe ajo ish vënë para fotografëve për të demonstruar e ilustruar dhunën që ish ushtruar mbi të. Gjesti i saj shërbeu për të përcjellë një mesazh (ndoshta ky ka qenë dhe qëllimi, që ajo foto u publikua): lëvizja Vetëvendosja është një lëvizje antiamerikane. Ose në versionin më pak dramatik: Vetëvendosja nuk i ka punët mirë me amerikanët.

Le të mbetemi te ky version i dytë, që duket më afër së vërtetës. Nuk dimë që Vetëvendosja të jetë një lëvizje antiamerikane. Nuk ka lindur si e tillë, e nuk ka shenja të qarta se mund të jetë bërë e tillë në rrugë e sipër. Ndoshta thellë-thellë edhe mund të jetë antiamerikane (kush dreqin e di!), por VV-ja nga ana e saj, jo vetëm nuk është përkufizuar kështu në asnjë rast, por nuk na ka bërë as ne të tjerëve ta përkufizojmë si të tillë (ka ca gjeste të forta, në fakt, siç është letra që Kurti i ka dërguar Albright-it, ku i thotë se do përballet me njerëzit e tij, nëse vjen në Prishtinë, por duhet t’i zhveshësh nga konteksti këto gjeste që t’i quash antiamerikane).

Të kuptohemi, VV-istët nuk është se kanë bërë të kundërtën, nuk është se kanë dhënë deklarata dashurie për SHBA-të e nuk është se kanë bërë çmos të përgënjeshtrojnë zërat që flasin për një VV antiamerikane, por ndoshta është edhe në stilin e kësaj lëvizjeje të mos përgënjeshtrojë, ngaqë përgënjeshtrimi i një teze shpeshherë është një motiv për ta ushqyer atë tezë. Kurti e të vetët po njësoj janë sjellë edhe në rrethanat, kur janë “paditur” si marksistë. Nuk kanë thënë që janë marksistë, e në të njëjtën kohë nuk janë ngutur të thonë se nuk janë të tillë.

Si për të konfirmuar këtë sjellje, që nuk duket e lavdërueshme, krerët e Vetëvendosjes nuk e panë fare të udhës të bëheshin të gjallë në momentin që doli në shesh lajmi se ambasadorja e SHBA-ve ish lënduar nga aktivistët që kishin dalë në protestë. Nuk u bënë të gjallë dobare për të thënë se “u vjen keq”, se “e gjitha ka ndodhur krejt pa dashje”, dhe se “ambasadorja e SHBA-ve është lënduar jo për shkak të funksionit”, siç dhe besohet që të ketë qenë. VV-ja thjesht u mjaftua të thosh se “asnjë aktivist i tyre nuk e ka prekur ambasadoren”, dhe kaq.

Në këtë kontekst patëm vizitën në Prishtinë të Philip Reeker-it, dhe shpërthimin jo fort diplomatik të këtij të fundit. “Klounë” ishte termi që Reeker-i kish zgjedhur për të etiketuar krerët e VV-së. Zyrtarët amerikanë që mbulojnë Kosovën nuk ishin dëgjuar ndonjëherë tjetër të flisnin me këtë gjuhë të vrazhdë. Dhe duhet thënë se kjo gjuhë flet vetvetiu për llojin e natyrën e marrëdhënieve mes VV-së dhe zyrtarëve amerikanë. Janë aq të vështira dhe me aq plasaritje këto marrëdhënie, sa VV-istëve do t’u duhej shumë kohë e mund për të rigjetur telat me ta.

Apo nuk e kanë hall fare këtë gjë, e prandaj nuk shohin arsye të lodhen për të rigjetur telat? Edhe mundet. Herën e fundit që e takova Albin Kurtin, teksa po dilte nga studioja e Ilva Tares, javën e shkuar, nuk m’u duk se ish i shqetësuar nga situata e krijuar. Ish po ajo ditë, që Reeker-i e kish lëshuar gojën në Prishtinë, dhe Kurti, në ato pak sekonda që biseduam, më la të kuptoja se “për të nuk kish ndodhur ndonjë gjë kushedi se çfarë”, gjë që ai e demonstroi dhe më pas. Para dy ditësh, në një takim në Gjakovë, Kurti është shprehur se “atij i intereson e mira e Kosovës” në çdo rrethanë, pa u merakosur shumë se kështu, “perspektiva amerikane” e Kurtit bëhet edhe më e errët. Dhe në këtë pikë ia vlen të bëhet një diskutim.

Unë personalisht vijoj ta çmoj Kurtin njësoj si ditën e parë, dhe kjo që sapo thashë ka lidhje me atë vetë, e jo me kauzën e tij, që vijon të më duket gjithnjë e më e largët. Unë kam të tjera kokëçarje në aktivitetin tim publik (kauza ime është instalimi i demokracisë liberale në Shqipëri), ndërsa Kurti është duke bërë beteja në stil nacionalist (kauza e tij është sovraniteti politik, integriteti territorial i Kosovës dhe bashkimi i kësaj të fundit me Shqipërinë), e ndoshta janë kontekstet e ndryshme ku jetojmë që na i bëjnë kauzat kaq të largëta. Nuk i njoh mirë e në detaje problemet e Kosovës, frikërat, pasiguritë, perspektivën e zhvillimeve atje, hapësirat e mundësitë për të bërë beteja liberale nga pozitat e atdhetarit, apo beteja atdhetare nga pozitat e liberalit, e në këtë kuptim nuk po i jap të drejtë vetes të qortoj motivimet politike të Kurtit (ndërsa në tezën e bashkimit Shqipëri-Kosovë më ka kundër; ai e sheh si një përparësi e si një mundësi fatlume, unë e shoh hë për hë si një gjë të pakëshillueshme, edhe sikur të ish e mundur).

Por në qasjen ndaj amerikanëve ai po bën një gabim. Dhe kur them këtë nuk jam duke menduar se “po prishet e po na prish me mikun tonë të madh” (e di, s’mund të mohohet që SHBA-të, për një trill rrethanash gjeo-politike e gjeo-strategjike, e jo për ndonjë metafizikë erotike, janë në anën tonë, dhe kjo gjë duhet të shihet, sidomos nga njerëz si Albini, si një zhvillim bajagi i rëndësishëm për kombe të vogla e të dobët siç është kombi shqiptar). Nuk jam as duke menduar se “ai po prishet me kampionin e demokracisë liberale në këtë botë” (SHBA-të janë pa diskutim një demokraci liberale, por promovimin e mbrojtjen e demokracive liberale nëpër botë e bëjnë keq; e bëjnë, përveç të tjerash, me ndihmën e një diplomacie të podestá-izuar).

Kurti po bën një gabim për një arsye të thjeshtë. Politika, qysh nga momenti që ka lindur në këtë botë, ka qenë real-politikë. Me fjalë të tjera, politikanëve u duhet të bëjnë një kombinim të kauzës që kanë me nevojën e tyre n’daçi për të mbijetuar, n’daçi për të qenë imponues në mbrojtje të kësaj kauze, e prandaj u duhet të marrin në konsideratë të gjithë faktorët, që e kanë në dorë këtë mbijetesë, apo këtë forcë për t’u imponuar. Në vende të tjera, mbijetesa apo forca e dikujt në politikë varet nga, fjala vjen, mbështetja elektorale, por në vende si Shqipëria e Kosova nuk mjafton mbështetja elektorale. Duhet dhe simpatia e empatia amerikane. Kjo është e padrejtë? Sigurisht. Por kjo është real-politika. Bën vaki që Albin Kurti nuk i duron dot këto kondicionime “jashtë e kundër natyrës së gjërave”, por në këto rrethana do ish më mirë të bënte mendimtarin e lirë. E sa kohë që bën politikanin, kam frikë se do t’i duhet të marrë në konsideratë të gjithë faktorët që përcaktojnë mbarëvajtjen e karrierës së tij, e të kauzës së tij, rrjedhimisht dhe faktorin amerikan, i cili, për një ironi të gjërave, mund të qëllojë të ketë vlerë më tepër sesa votat e gjakovarëve. Përsëris: nuk do duhej të ishte kështu, por ja, që kështu është. Dhe një politikan është mirë ta dijë. Sipas meje.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama