Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pikëpyetja e nxehtë e këtij behari

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 11 vite më parë

Fatos Baxhaku
Pikëpyetja e nxehtë e këtij behari

Në një emision politik të njohur të mbrëmjes, një showman i famshëm i yni, i improvizuar kohët e fundit edhe si analist politik popullor, u nxeh keq një natë pas humbjes dramatike të PD-së, për të cilën kishte bërë tifo herë hapur dhe shumë herë të tjera fshehur. Ai pak a shumë u nervozua kur dikush nga kampi tjetër politik guxoi e tha se kishte ardhur momenti që PD-ja të bënte një analizë të thellë të gjërave që kishte bërë, të atyre që kishte lënë pa bërë, të atyre që kishte pasur ndërmend të bënte. “Ç’është kjo autokritikë – u nxeh analisti showman – autokritika është një term i kohës së komunizmit! Krerët e PD-së dhanë dorëheqjen, kjo qe e gjitha”. Analisti showman, si të gjithë analistët tek e fundit, sigurisht që kishte të drejtë. Termi autokritikë është një term thellësisht formal. Në kohë të komunizmit, në kohën e babait të këtij analisti, autokritika përdorej me mjeshtëri për t’ua hedhur edhe një herë kritikave që vinin nga lart e nga poshtë. Ishte një lumë fjalësh boshe, një kokë e penduar, një shikim i përhumbur dhe ia hidhje edhe një herë situatës së nderë. Analisti ka të drejtë. Nuk është vendi për autokritika të kohës së babait të tij, porse ama që është koha që vetë PD-ja, anëtarët e saj, drejtuesit e saj, por edhe të tjerë që marrin sadopak vesh nga politika të bëjnë një analizë të kësaj që ndodhi në zgjedhjet e fundit. Këtë duhet ta pranojë edhe ai vetë dhe të tjerë që mendojnë si ai. Jo vetëm se kjo i bën mirë një partie, e cila është historike tashmë në këto troje, jo vetëm se duke shpjeguar PD-në dhe humbjen e saj shpjegojmë edhe fitoren e atyre që do të na qeverisin të paktën në këta katër vjet, por edhe sepse kështu do të kuptojmë edhe më mirë mekanizmat politike, psikologjinë politike të politikanëve dhe të masave të gjera.

Si shpjegohet që PD humbi në këto përmasa dramatike? Kjo është pyetja më e nxehtë e këtij behari postzgjedhor. Përgjigjja më e parë mund të ishte që PS, Edi Rama dhe të tijtë bënë një fushatë zgjedhore aq të mbarë, sa që kaluan tej çdo parashikimi. Ka gjasë, porse kjo lë pa shpjeguar plot e plot gjëra.

Meqë në këto ditë, vetë PD është në një fazë diskutimi me rastin e zgjedhjes së kreut të ri, mbase një mendim ndryshe sikurse është ky i autorit të këtyre radhëve, i cili nuk është i rreshtuar në asnjë parti, mund të ndihë ndokënd që ta vrasë më shumë mendjen në vend që të pranojë parulla stereotipa që të mpijnë arsyen, të mbyllin gojën dhe të shndërrojnë në një militant besnik përjetë të partisë.

PD humbi sepse pak nga pak, që nga 1996, por edhe më pas u shndërrua nga kampione e lirisë, sikurse e shpalli veten në fillim, në kampione të postdiktaturës dhe të lirisë së gënjeshtërt. PD humbi sepse u shndërrua në njeri-parti, ose më saktë në një joparti. Strukturat qendrore nuk funksiononin, mblidheshin rrallë e tek, sa për formë. Edhe atëherë kur mblidheshin dëgjohej fjalimi i Berishës dhe pastaj çdo gjë kthehej nga fillimi. Zërat ndryshe u mbytën, njësoj si në një parti të tipit bolshevik. Pushteti partiak dhe ai shtetëror u përqendrua vetëm në një grusht njerëzish. Të tjerët ishin vetëm sfondi i partisë, njësoj si lule plastike pa jetë, në një ceremoni mortore.

Propaganda e PD-së, sidomos në muajt e fundit, u përqendrua vetëm në prerje shiritash që inauguronin rrugë. Rrugët janë enët e gjakut të një vendi, këtë e dinë të gjithë, bukur fort! Porse a mjafton kjo? A mjafton që të ndërtojmë rrugë? A e dimë se ku çojnë këto rrugë? Cilat janë hallet e njerëzve që jetojnë në fund të tyre? Si ndihen ata? PD u mor me rrugët – ana më spektakolare e të gjitha propagandave – dhe harroi njerëzit e thjeshtë. Shumë prej tyre që deri dje i kishin sytë dhe veshët tek ajo (ose tek Ai, sepse u bënë thuajse e njëjta gjë) u zhgënjyen. Nuk po trajtoheshin më si qenie njerëzore, por si pako që duhej të udhëtonin mbi rrugët e reja, sikur të ishin thasë me miell apo me çimento. Meqë ra fjala, të gjithë diktatorët më të njohur janë mburrur me rrugët hijerënda. Hitleri ishte shpikës i Autobahn, autostradave që përdoren sot e kësaj dite në Gjermaninë e Merkelit. Musolini po ashtu u mburr me bonifikimet, me rrugët e reja dhe me digat e larta. Megjithatë njerëzimi sot i kujton për raportin që ata patën me lirinë e individit dhe jo për gjë tjetër. Krahasimi në këtë rast mbase është pak i tepruar. Por vetëm pak ama, sepse thelbi është i njëjtë. Njerëzit që e kujtojnë veten si Mesia i vendit të tyre, që duan me çdo kusht, me çdo mjet që të hyjnë me se s’bën në histori përdorin kësisoj gjigantizmash për t’ua mbushur mendjen turmave. Hera-herës kanë sukses. Herë të tjera, sikurse ndodhi te ne, jo.

Berisha, (ose po njësoj PD) humbi sepse sikurse ndodh rëndom pushteti i tij personal nisi të gërryhej nga vetë të tijtë. Akuzat për fëmijët, për rrethin e tij të ngushtë, nepotizmi në emërimin e nëpunësve shumë herë goxha të lartë. Të gjitha këto, me dijeninë, apo pa dijeninë e tij krijuan një kastë, e cila ngjalli reaksion jo vetëm në rrethin e opozitarëve.

Berisha, (ose po njësoj PD) humbi edhe se krijoi një sistem frike ndër nëpunësit e shtetit. Nuk kam parë njerëz më të dyzuar se sa disa miq e shokë që nga mësues, mjekë, teknikë, administratorë, tagrambledhës e të tjerë të ngjashëm me ta. Nga njëra anë, secili kishte bindjen e tij qoftë djathtas apo majtas, nga ana tjetër, nuk guxonin të flisnin. Madje u duhej edhe të përgjigjeshin kur njerëzit e PD-së u trokisnin në portë dhe u kërkonin që jo vetëm të votonin për ta – kjo as që kishte pikë dyshimi – por edhe që të jepnin adresat dhe numrat e telefonave e të gjithë atyre që do të votonin për aleancën e PD-së. Një dhunim absurd i lirisë së mendimit, fjalës, votës bash e në shekullin XXI. Shpeshherë vihej në diskutim edhe bluza që kishe veshur. Kush e ka dëgjuar në pragzgjedhje, herë me tërë mend e herë me si gjysmë shaka, pyetjen: Përse ke veshur bluzë të kuqe? Imagjinoni pak sikur të visheshe në shtet me mavi…

Kjo mënyrë e gënjeu edhe vetë Berishën. Sheshet që mbusheshin me anë të frikës së humbjes së vendit të punës asesi nuk e tregonin kahjen e elektoratit. Berisha besoi se entuziazmi i turmës në këmbët e tij ishte shenjë e fitores. Gaboi. Pagoi sistemin që ai vetë kishte ngritur.

Sigurisht që problemet pas disfatës së PD janë kryesisht të vetë njerëzve që militojnë në të. Porse askush nuk mund të thotë me bindje të plotë se PD nuk është një pasuri e madhe e asaj pak demokracie që kemi arritur. Njerëzit e saj, idealet me të cilat ajo është deklaruar, lideri i saj historik, të gjitha këto do të vijë një ditë dhe do të gjykohen nga historianët gjakftohtë – nëse do të arrijmë t’i shpikim në vendin tonë gjaknxehtë – porse vendit, sot më tepër se kurrë i nevojitet një opozitë e fortë, moderne, jofisnore e krahinore që drejtohet sipas fshatrave e klaneve, fiseve, krahinave, lumenjve, kodrave dhe gërxheve, por sipas principit të lirisë dhe të meritës. Humbja e merituar e PD-së duhet të jetë edhe një objekt reflektimi për vetë PS fitimtare. Nganjëherë fitorja ngre gracka të rrezikshme, sidomos kjo e përmasave të tilla. Nëse fitimtarët nuk do të përfshihen nga marrëzia e madhështisë, atëherë kanë hedhur një hap shumë të rëndësishëm përpara. Se si përfundon kur harron truallin ku ke vënë këmbët, tashmë e kanë të qartë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama