Greqi, Itali dhe Francë: Bumerangu i të majtëve…

Shkruar nga: Kastriot Islami  
Botuar më: 7 vite më parë

Kastriot Islami
Greqi, Itali dhe Francë: Bumerangu i të majtëve…

Para një viti, Holande ishte presidenti socialist që fitoi përballë presidentit të qendrës së djathtë, Nikola Sarkozi. Holande fitoi, sepse kryesisht humbi Sarkozi, por edhe sepse u përpoq të shpaloste një program “ideologjik” alternativ antikrizë, ambicioz e me premtime vështirësisht të realizueshme. Një program që “përplasej” për më tepër me piketat kryesore të qeverisjes Merkel, një qeverisje e djathtë e suksesshme në Gjermani dhe që i duhej të mbante mbi kurriz edhe të gjithë krizën e euros, që niste me Greqinë dhe përfshinte edhe shumë vende të tjera të eurozonës. Pas një viti, gjithçka flet negativisht për performancën e presidentit Holande. Arsyet janë të shumta dhe nuk ia vlen të numërohen, por është fakt se tre nga katër francezë janë të zhgënjyer dhe të mërzitur me Presidentin socialist, sepse kriza po thellohet, papunësia po rritet dhe asnjë nga premtimet nuk po realizohet.

Dikush do të thoshte se “ç’na duhet se çfarë ndodh me Holande në Francë?” Po ajo që ndodhi në Greqi me Pasok dhe Papandreun, a na duhet? Hiç fare nuk na duhet, se atje situata ishte ndryshe! Po në Itali që socialisti Bersani fitoi si koalicion, por nuk e la partia e Bepe Grilos që të bëhej kryeministër dhe vështirë të parashikohet ardhja e kësaj qeverisjeje, por edhe e vetë të majtëve. As kjo nuk na intereson, se në Shqipëri nuk ka Bepe Grilo, Kreshniku nuk bëhet dot Bepe! Sigurisht që ky është një këndvështrim, që minimalisht do ta klasifikoja naiv, ekstremisht subjektiv. Gjithçka ka ndodhur në fqinjët tanë, por edhe përtej përbën, një kujtesë-kambanë, që duhet mbajtur mirë parasysh.

Bumerangu ndaj të majtëve…

Holandesë së majtë nuk i mjaftoi të “hiqte qafe” Sarkozinë e djathtë, as Bersanit të majtë të “hiqte qafe” Berluskonin e djathtë dhe as Papandreut të majtë të “hiqte qafe” Karamanlisin e djathtë. Ata, të majtët, vetë individualisht apo partitë e tyre, u gremisën në humnerën ku kërkuan të hidhnin kundërshtarët e tyre të djathtë. Madje, paradoksalisht për krizën e shfaqur apo të thelluar në kohën që qeverisnin të djathtët, votuesit më shumë fajësojnë të majtët, sesa të djathtët. Arsyeja është shumë e thjeshtë: votuesit u zhgënjyen nga të majtët që, për të marrë pushtetin, jo vetëm ia paraqitën krizën më të thellë e më të madhe se ç’ishte, por edhe i premtuan se do t’ia zgjidhnin me programe ideologjike kundër të pasurve, por kriza jo vetëm nuk u zgjidh, por edhe u thellua. Ekonomistët e dinë se është më mirë të nxjerrësh nga varfëria të varfrit, sesa të shpasurosh të pasurit, prandaj zgjidhjet “ideologjike” dështuan pothuajse kudo. Por e majta, me sa duket, nuk ka alternativë tjetër më të mirë se e djathta. Dhe, për të bërë diferencën, iu drejtua zgjedhjes ideologjike.

Kriza “goditi” të majtën, meqë ajo nuk e zgjidhi krizën…

PASOK në Greqi ka përfunduar partia e katërt me rreth 14 për qind, duke humbur dy të tretat e votuesve të saj tradicionalë. Bersani me shumë gjasa do të largohet nga skena politike pasi nuk mundi të siguronte shumicën për t’u bërë kryeministër. Holandenë në Francë nuk e duan 75 për qind e francezëve, vetëm një vit pasi ka fituar kundër kandidatit të djathtë Sarkozi, ndërkohë që kuotat e Sarkozisë po rriten, duke filluar ta konsiderojnë si të vetmin që mund ta nxjerrë vendin nga kriza. Berluskoni po mbijeton, madje duke pasur në dorë të gjitha fijet e së ardhmes së afërt politike në Itali. Kurse Samaras, duke zëvendësuar Karamanlis, qeveris vendin, pasi ka bërë të dështojë Papandreu, ndoshta edhe për shkak të luftës së brendshme për pushtet midis tij dhe zëvendësit të tij, Venizellos. Mesazhi është i qartë: duhet program realist antikrizë dhe jo zgjidhje “ideologjike”, duhet ekip i besueshëm profesionalisht, por edhe me mbështetje politike që realizon programin antikrizë. Pra, nuk mjafton që duke luajtur me emocionet e njerëzve dhe duke nxitur thellimin e krizës të fitohet, sepse një fitore e tillë ka rezultuar edhe në Greqi, edhe në Itali, edhe në Francë, si fitore e Pirros duke u kthyer në bumerang fatal.

Presidenti i majtë me mbështetjen më të ulët të të gjitha kohërave…

Në Francë, si asnjëherë më parë, Presidenti socialist Holande refuzohet nga mbi 76 për qind e qytetarëve. Konkretisht shprehen 24 për qind pozitivisht për drejtimin e Holande, ndërkohë që 62 për qind përgjigjen negativisht. Madje, i krahasuar me të gjithë presidentët e mëparshëm, Holande rezulton me mbështetjen më të ulët: për De Gol mbështetja është 89%, për Pompidu 83%, për Valeri Zhiskar d’Estë 57%, për Miteran 55%, për Shirak 58%, për Sarkozi 48%, ndërsa për Holande vetëm 29%. Pra, vetëm një vit pas zgjedhjes është gati 2-3 herë më pak i vlerësuar se të gjithë presidentët e Francës.

Votuesit e majtë kundër Presidentit dhe Kryeministrit të majtë…

Por më e çuditshmja është se Presidenti socialist, Holande, ka humbur simpatinë te votuesit e majtë. Konkretisht, për Presidentin Holande mbështetja e simpatizantëve socialistë, nga marsi në prill, ka rënë nga 77 për qind në 64 për qind, pra me 13 për qind. Po e njëjta gjë ka ndodhur edhe me Kryeministrin Ajrolt, mbështetja ndaj të cilit ka pësuar ulje nga 73 në 59 për qind, pra me 14 për qind. Pra, Presidenti dhe Kryeministri kanë filluar të konsiderohen pjesë e problemit nga vetë votuesit e majtë, sepse mbi 40 për qind e tyre nuk i mbështesin më.

Berluskoni del fitimtar nga kriza… i humburi i “madh”, Bersani i majtë..

U duk sikur kriza italiane do të fundoste Berluskonin dhe më në fund të majtët e Bersanit do të qeverisnin vendin. Gjithçka shkoi në drejtimin e kundërt. Ndonëse partia e Bersanit doli e para në zgjedhje, Bersani nuk arriti të bëhej kryeministër. Për më tepër të majtët nuk arritën të bënin president asnjë figurë të majtë, madje dështoi edhe kandidatura e Prodit, se partia e Bersanit u përça. Më tej, frenat e lojës i mori në dorë Berluskoni. Ai pranoi si kryeministër numrin dy të partisë së Bersanit, Enriko Letën, të birin e Xhani Letës, një prej këshilltarëve të Berluskonit. Tani me këtë qeveri të “koalicionit të madh”, Berluskoni rezulton fituesi i “madh”. Pasi rrëzoi dhe eliminoi ish-kryeministrin Monti, pasi pengoi kandidatin e majtë Prodi të bëhej president, pasi pengoi kundërshtarin e majtë Bersani të bëhej kryeministër, tani kontrollon qeverinë që mund ta rrëzojë në çdo kohë, për më tepër që kryeministër është djali i një “mikut” të tij, që është njëkohësisht zëvendësi i Bersanit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama