Perparesite tona reale dhe sendergjia e reformave

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 15 vite më parë

Mustafa Nano
Perparesite tona reale dhe sendergjia e reformave

Sapo u bë e njohur, se dy partitë më të mëdha po synojnë të bëjnë ndërhyrje në frymën e në strukturën e kushtetutës, lindi menjëherë një reagim i fortë i një numri faktorësh politikë, institucionalë e mediatikë, ku bjenë në sy më së shumti Presidenti i Republikës, LSI-ja, eksponentë të rëndësishëm të partisë demokratike, ekspertë të çështjeve kushtetuese e zëra autoritarë në lëmin e opinion-bërjes. Asnjëherë tjetër më parë nuk është bërë tok një kor i tillë për të kundërshtuar një nismë të caktuar politike. Dhe në këtë mes, nuk është vetëm përmasa numerike që bën përshtypje; është dhe fakti, që një pjesë e mirë e atyre që po e ngrejnë zërin, kanë për tipar idiosyncratic kompetencën dhe - të paktën, krahasuar me të tjerët - një minimum dinjiteti e vetrespekti në sjelljen publike. Nuk është se duhen përjashtuar këtu motivimet ngushtësisht personale të njërit apo tjetrit syresh, por motivime kësodore janë në fund të fundit pjesë e lojës dhe e dialektikës demokratike. Dhe kështu kori i kundërshtarëve nuk ka se si të mos dëgjohet. Kjo e bën reagimin të shfaqet në formën e një presioni të fortë ndaj dy partive të mëdha, gjë që i ka bërë përfaqësuesit më të lartë të këtyre të fundit ta përdredhin disi gjuhën e ligjërimin e tyre. Shkurt, këmbëngulja e PD-së dhe e PS-së nuk është më e ajo e fillimit.

Gjëja më pak e kuptueshme në gjithë këtë histori është vendosmëria e PS-së për të kryer së bashku me PD-në një seri reformash institucionale e kushtetuese, të cilat nuk janë e nuk ka arsye të jenë në rendin e ditës. Arsyetimi, sipas të cilit është mirë që momenti i ndërhyrjeve në kushtetutë në funksion të ndryshimeve të kodit electoral të shfrytëzohet për të bërë edhe ndërhyrje të tjera të nevojshme, mund të hahet deri në një farë mase. Por kur ballafaqohemi me ngutin, me të cilin po bëhen këto ndërhyrje të tjera, e me natyrën e këtyre ndryshimeve, gjithçka rezulton e papërligjur.

E keqja nuk është tek përcaktimet kushtetuese që rregullojnë zgjedhjen e Presidentit të Republikës, pasi këto përcaktime nuk janë aty për ta bërë të vështirë e problematike zgjedhjen e kryetarit të shtetit; përkundrazi, janë aty për të nxitur e inkurajuar konsensusin mes palëve, me synimin për të zgjedhur një personalitet politik nga njëra anë të dalluar për qasje institucionale në punën e vet, e nga ana tjetër të aftë për të thithur consensus bi-partisan. Kjo nuk u kuptua në momentin e duhur, gjë që na vuri të gjithëve përballë dy opcioneve njësoj të refuzueshme, të cilat nuk e kanë burimin tek kushtetuta, por tek politika: ose duhej të dështonim në zgjedhjen e Presidentit, ose duhej ta zgjidhnim këtë të fundit nëpëmjet një arrogance të shumicës e nëpërmjet një pazari të ndyrë parlamentar. Politika gjeti karar të ndalej tek opcioni i dytë, dhe për pasojë, Presidenti i Republikës e ka emrin Bamir Topi (me që ra fjala, zoti Topi do bënte mirë të mos nakatosej më shumë se sa duhet në debatin politik lidhur me ndërhyrjet në kushtetutë, së pari sepse nuk është në tagrin e tij ta bëjë këtë gjë duke bërë diversion tek ndonjëra prej palëve politike, e së dyti sepse nuk është mirë për të që të na shpalosë merakun e shtirur për agresionin ndaj ligjit themeltar të shtetit pikërisht në rrethanat kur një aksion politik rreket të lëndojë postin që mban e ambicjen për ta mbajtur atë post sa më gjatë e me çdo kusht).

Kthehemi tek PS-ja, e cila ngjan të jetë - për çudinë e të gjithëve - i vetmi entitet politik kompakt në këtë histori. E vërteta është se PS-ja nuk ka asnjë arsye qoftë në një optikë egocentrike, qoftë në një optikë parimore, të rendë plot qejf pas aksionit politik të ndryshimeve të mëdha kushtetuese. Siç e thashë më sipër, zgjedhja lapërdhare e Bamir Topit në krye të shtetit nuk erdhi prej ndonjë mëkati kushtetues, por erdhi prej pacipësisë së politikanëve. Nëse PS-ja, me të ardhur në pushtet, do të jetë e vendosur për të adoptuar një sjellje të re e për të gjurmuar - me çdo kusht e kundër pulsioneve arrogante brenda radhëve të saj - konsensusin rreth një personaliteti politik, momenti i zgjedhjes së Presidentit mund të shndërrohet, jo në një konflikt, por në një festë të vërtetë kombëtare. Më tej, edhe sikur ta merrnim të mirëqënë se procedura parlamentare e kushtetuese e zgjedhjes së Presidentit të Republikës bart fiziologjikisht një burim konflikti e sherri (të kuptohemi, këtë supozim po e sjell nëpërmjet një mundimi të kotë empathik për ta parë ngjarjen edhe me një palë gjyslykë, që unë nuk i përdor. Në fakt, procedura nuk bart fiziologjikisht asgjë të këtij lloji), PS-ja nuk ka pse të jetë kaq e ngeshme, sa të merret me çështje që u përkasin kohëve, kur do të shfaqet Godot-ja. Në vend të kësaj nisme, Edi Rama do të bënte mirë të dilte e të deklaronte se, me të ardhur në pushtet e me t‘u përballur me sfidën presidenciale të radhës, do dinte t‘i bënte nder kushtetutës e logjikës institucionale të funksionimit të shtetit duke zgjedhur në fronin e kreut të shtetit, jo një fajkua të vetin, por një personalitet të krahut tjetër të dalluar për qasjet e veta hëm maverick-e, hëm institucionale. E ç‘është më e rëndësishmja, në vend të tentativave për të bërë rikonstruktimin ose/edhe të pamundur, ose/edhe të rremë të të gjithë ngrehinës shtetërore, Edi Rama do të bënte mirë të fokusohet veç tek një çështje: zgjedhjet e lira e të ndershme në respekt të të gjitha standarteve të njohura ndërkombëtare. Ky duhet të jetë shqetësimi përparësor i opozitës, i cili nuk fillon e mbaron me adoptimin e një sistemi të caktuar zgjedhor. Ky shqetësim ka të bëjë me krijimin e një infrastructure të tërë zgjedhore, pjesë e së cilës janë sjellja politike gjatë fushatës, roli i mass-medias në kohë elektorale, respektimi i heshtjes elektorale në 48 orët e fundit, eliminimi i protagonizimit politik ditën e zgjedhjeve, listat e zgjedhësve, kartat e identitetit të këtyre zgjedhësve, futja në binarë ligjorë e veprimtarisë së strukturave shtetërore e qeveritare gjatë fushatës elektorale (policia, SHISH-i, administrata publike), numurimi i votave dhe shmangja e rolit të politikës në këtë proces absolutisht teknik, transparenca e financimeve të partive, e kështu me radhë.

Çfarë po bën opozita lidhur me këtë çështje? Nuk po bën ndonjë gjë të madhe. Thjesht ka rënë dakord mbi një sistem zgjedhor të diskutueshëm nga shumëkush (sipas meje bën mirë të ngulë këmbë tek ky sistem, pavarësisht zërave kundër. Është i vetmi bashkëpunim i paqortueshëm me maxhorancën. Pjesa tjetër e bashkëpunimit bie erë të keqe). Dhe në këtë mes harron se zgjedhjet e lira e të ndershme nuk na duhen për të sjellë në pushtet Edi Ramën e partinë e tij, por na duhen si dëshmi e si provë e pjekurisë së demokracisë shqiptare; na duhen si sinjali i parë që paralajmëron fundin e një tranzicioni të gjatë e të mundimshëm prej komunizmit në demokracinë, në shtetin e së drejtës e në ekonominë e tregut; na duhen për të prodhuar më në fund një pushtet tërësisht legjitim e për t‘i lënë humbësit e zgjedhjeve të merren, jo me denoncimin e manipulimeve, por me veten e me ndërtimin e një oferte opozitare, e cila është potencialisht edhe një ofertë qeverisëse.

Zgjedhjet pra janë përparësia jonë reale. Të tjerat janë përparësi të stisura. Në mos, janë gjetje hileqare njerëzish të mbrapshtë, të cilët thjesht gjakojnë pushtet e të cilët as që duan t‘ia dinë për reformimin e njëmendtë të sistemit.


Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama