Rama, nxënësi i zellshëm i Jorgos

Shkruar nga: Kastriot Islami  
Botuar më: 7 vite më parë

Kastriot Islami
Rama, nxënësi i zellshëm i Jorgos

Jorgo Papandreu, më 18 mars 2012 (sot është përvjetori i parë), pas tetë vjetësh (2004-2012) në krye të PASOK dhe dështimit në krye të qeverisë dyvjeçare (2009-2011), zëvendësohet nga kundërshtari i tij Vangjel Venizellos, që zgjidhet kryetar i PASOK.  Një nga përfundimet më të hidhura të analistëve perëndimorë për qeverisjen greke 2009-2011 është se “Papandreu arriti ta transformojë Greqinë nga një vend ëndrrash në një rast tipik për të mos u ndjekur…” Jorgo ishte “mësuesi” prej të cilit Rama mësonte se çfarë duhej bërë për të “fundosur” kundërshtarin në situatë krize. Prej të cilit Rama mësonte se çfarë metodash duhen aplikuar për të “hequr qafe” kundërshtarët e tij në parti.

Prej nga Rama gjente qetësinë apo melhemin për të kuruar plagët e humbjeve e të dështimeve. Jorgo, ndonëse e pastroi partinë, ndonëse e “fundosi” kundërshtarin në kulmin e krizës dhe ndonëse fitoi aksidentalisht zgjedhjet, dështoi, u rrëzua dhe u detyrua të largohej nga kundërshtarët brenda partisë. Ai nuk drejton më PASOK-un, që aktualisht ka përfunduar partia e katërt në Greqi. Me shumë ironi është pritur caktimi i tij si pedagog për të dhënë leksione “mbi krizën greke” në Universitetin Harvard (ndër titujt e bujshëm kanë qenë: 1)”Më vështirë të jesh tani student sesa profesor në Harvard”; dhe 2) një student me pankartë në dorë ku shkruhej: “Me ndihmoni!!! Mësuesi im në Harvard ishte Jorgo Papandreu. Unë nuk kam të ardhme”). Prej 2006-s, Papandreu është kryetar i Internacionales Socialiste, duke ndihmuar së fundmi Ramën të kooptohej si nënkryetari i 36-të i tij, me idenë naive të një mbështetjeje që i jepet Ramës për t’u bërë kryeministër!!!





I. “Rama 2005-2013” në rrugën e “Jorgos 2004-2012”

Jorgo qëndroi në krye të PASOK 8 vjet (2004-2012), kurse Rama mbush 8 vjet në verën e vitit 2013 (2005-2013). Ai dha dorëheqjen nga kryeministër i detyruar nga kundërshtari i tij, ministri i Financave, Vangjel Venizellos, i cili më 18 mars 2012 fitoi edhe postin e kryetarit të PASOK. Rama mori shumë mësime nga Jorgo, por ai nuk i konsideron më interesante “leksionet” e tij, madje fati i Jorgos e mundon dhe lodh tmerrësisht. Fillimisht modeli i Jorgos drejt marrjes së pushtetit i shfaqej në trajtën e një engjëlli udhërrëfyes. Por në krye të qeverisë dyvjeçare Jorgo dështoi, ndonëse skema e tij për të fituar pushtetin me risk dhe kosto pothuajse zero u duk sikur “funksionoi”. Pas dështimit të Jorgos, Rama ndihet krejtësisht i tronditur. Ai çdo natë tmerrohet nga fantazma e tij, e cila për më tepër e këshillon që këtë radhë më mirë të zgjedhë humbjen se fitorja e çon drejt dështimit, po ashtu siç dështoi “mësuesi” i tij. Rama, në vend që të nxirrte mësime nga dështimet e “mësuesit” të tij, lëviz në drejtimin e kundërt, i thellon gabimet e tij, duke nxirë situatën, duke bllokuar integrimin dhe duke spastruar masivisht socialistët, pra duke lëvizur në drejtimin e fitimit të pushtetit me kosto dhe risk saktësisht zero. Rama vuan fatin e keq të “mësuesit” të tij, madje gjasat janë që fati i tij të jetë më i zymtë sesa i “mësuesit” të tij të adhuruar, për t’u rrokullisur menjëherë drejt humbjes së zgjedhjeve më 23 qershor 2013, pa mundur të shijojë as fitoren afatshkurtër.

II. “Rama 2013” versus “Berisha 2005”

Rama është ende i pasigurt për të përcaktuar si objektiv “fitoren” me koston e bashkëndarjes së përgjegjësive të pushtetit dhe riskun e kthimit në jetën e piktorit. Rama, nëse do të synonte realisht “fitoren për të gjithë të majtët” i) do të bashkonte të gjithë socialistët me kontribute, me merita e eksperiencë dhe me integritet, ii) do të gjente një formulë për të përfshirë të gjithë aleatët tradicionalë dhe të rinj në listën e PS, iii) do të bashkonte të majtën duke ofruar një formulë të sinqertë bashkëpunimi e bashkëqeverisjeje me LSI; iv) do të përqendrohej te një program antikrizë në vend që ta nxinte situatën e të artikulonte një program bosh të interpretuar si “monolog” me dekor shurdhmemecësh, ku të paditurit me shumicë rrinë në tribunë dhe pak të diturit në lozhë; v) do të punonte për integrimin, në vend që të bllokonte ëndrrën e shqiptarëve, e të tjera e të tjera. Ky do të ishte projekti politik i fitores, projekt gjithëpërfshirës, projekt debati e pjesëmarrjeje për të gjithë ku do të bashkëndaheshin përgjegjësitë dhe mbi të gjitha projekt bashkëqeverisjeje me të gjithë faktorët dhe aktorët e së majtës. Rama po i qaset objektivit të humbjes, sepse po bën saktësisht atë që s’duhej bërë. Berisha fitoi në 2005 vetëm se përcaktoi si objektiv të vetëm fitoren. Vetëm fitoren përmes bashkimit të të gjithëve me koston maksimale të bashkëndarjes së pushtetit me të gjithë aktorët e faktorët që garantonin fitoren e sigurt. Vetëm fitoren me riskun maksimal të largimit nga drejtimi i PD dhe nga politika. Berisha nuk u zvarrit midis fitores të gjithë për vete me kosto/risk zero dhe humbjes së shoqëruar me hilen për të tentuar radhës tjetër, sërish për të gjithë fitoren i vetëm dhe për vete.

III. Rama synon një fitore me kosto dhe risk zero…

Rama në realitet ka si objektiv të tij të brendshëm “fitore me kosto/risk zero”, por është i bindur se këtë radhë kjo është e pamundur të arrihet. Konkretisht dy elemente të kostos/riskut që Rama këtë radhë e ka të pamundur t’i zerojë janë i) eliminimi total i LSI apo, ndryshe, fitore e maxhorancës qeverisëse vetëm me mandatet e PS, dhe ii) spastrimi i plotë PS nga të gjithë socialistët me kontribute/eksperiencë. Rama projekton “më i sigurt” një fitore me kosto/risk zero për zgjedhjet e vitit 2017 i) kur PD do të ishte konsumuar plotësisht për shkak të mandatit të tretë dhe Berisha nuk do të mund të ishte më në krye të PD, ii) kur LSI do të mund të ishte konsumuar deri në shuarje dhe iii) kur në PS të kishte përfunduar procesi i spastrimit total nga socialistët me eksperiencë dhe Rama të kishte partinë me klientelën e tij. Rama gjykon se një pushtet i fituar me kosto/risk zero jep mundësi për t’u menaxhuar pa probleme dhe mbi të gjitha për t’u mbajtur shumë gjatë. Prandaj, sipas tij, është më mirë të zerohen të gjitha elementet e kostos/riskut para se të synohet fitorja e pushtetit. Kjo është një analizë mediokre dhe totalisht e gabuar, por mbi të gjitha lënguese për socialistët. Pas 2013-s, në çdo rast, dukuria Rama dhe gjurmët e saj nuk do të ekzistojnë më. Dhe nëse Rama do të qëndronte me forcë në krye të PS, me shumë gjasa socialistët nuk do të kenë më partinë e tyre kaq të madhe dhe Rama nuk do të mund të ëndërronte më postin e Kryeministrit.

IV. Synimi kryesor i Ramës, i gjithë pushteti vetëm për vete…

Në themel të sjelljes së Ramës qëndron objektivi për të fituar i vetëm dhe të gjithë pushtetin vetëm për vete. Arsyeja lidhet me karakterin e tij për të zotëruar gjithçka i vetëm dhe me kompleksin e inferioritetit, nga i cili buron frika për të bashkëndarë pushtet me të tjerët. Rama, i drejtuar nga ky synim, arrin në përfundimin se nuk i duhet as LSI, as aleatët dhe as socialistët me eksperiencë, vetëm se nuk mundet të bashkëndajë pushtet me asnjë prej tyre. Të vetmit me të cilët ndihet momentalisht i qetë për të bashkëndarë pushtetin janë mjaftistët. Rama dhe të zgjedhurit e tjerë prej tij i konsideron të përkohshëm, sepse vetëm mjaftistët plotësojnë një kriter të rëndësishëm, vetëm ata e shikojnë atë “nga poshtë-lart” dhe këtë Rama e konsideron sukses. Rama vlerëson se socialistët, aleatët e lësëistët do ta pengonin në rast fitoreje ta kishte/menaxhonte/mbante pushtetin i vetëm, ndërkohë që në rast humbjeje vetëm pak nga socialistët e mbetur do ta bezdisnin. Kjo situatë asimetrike e orienton Ramën drejt spastrimit total të PS nga socialistët dhe, meqë këtë radhë e ka të pamundur ta spastrojë PS totalisht nga socialistët, preferon më shumë humbjen sesa fitoren. Arsyeja është e thjeshtë për të, një fitore përmes bashkimit të të gjithëve është më e keqe se një humbje në krye të partisë së tij personale, të spastruar nga “armiqtë” socialistë.

V. Mjeti kryesor i Ramës për të arritur synimin, spastrimi i PS nga socialistët

Rama këtë radhë është i detyruar të ruajë vetëm pak “kokrra” socialistësh thjesht për të maskuar procesin e spastrimit dhe për të mos bërë të dukshëm synimin e tij të humbjes, sepse në realitet ai nuk ka besim tek asnjëri prej tyre, pavarësisht se ata kanë qëndruar në rresht gjatë një opozite të vështirë. Shqetësimi se qoftë ndonjë prej tyre mund të dilte nga rreshti në rastin e një fitoreje të ngushtë nga PS, gjë që ka shumë gjasa, e tmerron dhe kjo mjafton për ta zhvendosur Ramën nga opsioni i fitores në atë të humbjes. Rama vlerëson se, në rast humbjeje, ato pak “kokrra” që do t’i shpëtonin spastrimit, nuk do të mund të krijonin masë kritike për të realizuar largimin e tij nga drejtimi i PS, ndërkohë që në opsionin e fitores, qoftë edhe vetëm pak “kokrra” nuk do ta lejonin të qeveriste i vetëm të gjithë pushtetin. Fitorja me të gjithë ata që do t’i shpëtojnë spastrimit i duket e dyshimtë dhe si një fitore e Pirros që do t’ia varroste përfundimisht ëndrrën për kryeministër. Kurse humbja i jep kohë për të realizuar radhës tjetër fitoren me kosto/risk zero. Në këtë rast vetëm humbja ia qetëson vuajtjet dhe i duket sikur i zbut dilemat, sepse në thelb nuk është i sigurt se mund të ketë një radhë tjetër.

VI. Rama përdor alibinë e fitores thjesht si “opium” për spastrimet…

Rama po përpiqet të eliminojë maksimalisht zhurmat që mund të vijnë për shkak të aplikimit të skemës së spastrimeve. Së pari, ai po përpiqet të aplikojë skemën në mënyrë makiavelike, duke mbushur “kutizat” e kandidatëve me personazhe të reja, deri në atë masë sa ditën e fundit të afatit ligjor secili të kuptojë se në qarkun ku ai ka qenë deputet nuk ka më vend për emrin e tij. Së dyti po e shoqëron procesin e spastrimeve me bombardimin e mjedisit me alibinë e fitores, sepse kështu ka shumë gjasa që zhurma e spastrimeve të mos dëgjohet nga euforia e fitores dhe entuziazmi i militantëve. Rama, duke përhapur “alibinë e fitores”, gjykon se jo vetëm do t’i mbyllej goja cilitdo që do të reagonte në rast se nuk do të ishte më në listën e kandidatëve për deputet (militantët janë gati të bëjnë kurban cilindo kur janë nën efektin e opiumit të alibisë së fitores), por edhe në varësi të karakterit të personit që do të bëhej kurban, Rama mund të mashtronte lehtësisht cilindo duke premtuar “pozicione interesante” që ofron fitorja. Rama, së bashku me kasnecët e tij, do të amplifikojnë alibinë e fitores deri në afatin ligjor të dorëzimit të listave për kandidatë për deputetë. Do të dëgjohen gjatë këtyre ditëve “sondazhe” fantazmë, analiza voluntariste, opinione mediokër për fitore të sigurt dhe deklarata bombastike për Ramën kryeministër.
VII. “Të mbijetuarit” nga spastrimi, strumbullar i largimit të Ramës …

Rama gjykon gjithashtu se, në rastin e humbjes së zgjedhjeve, e ka më të lehtë arritjen e synimit të tij në 2017-n. Mendon se ka ende katër vjet për të bërë spastrimin total të PS nga socialistët. Ka shpresë që LSI në qeverisje do të konsumohej në kufijtë e zhdukjes apo të rrudhjes në atë masë sa t’i kërkonte Ramës një marrëveshje me “çmim mediokër”. Pra, humbja i jep shpresë për projektin e tij të fitores me kosto/risk zero. Rama synon të realizojë këtë radhë një spastrim mjaftueshmërisht të thellë, aq sa të mos ketë zhurma të mëdha dhe të sigurohet që radhës tjetër operacioni i spastrimit total me kosto zero të jetë më i lehtë. Në funksion të arritjes së këtij qëllimi, Rama po i  “pret krahët dhe rrënjët” asaj duzine socialistësh që nuk do të mund t’i “presë kokën” (=spastrojë) këtë radhë. Por të gjithë të “mbijetuarit” e kanë të qartë këtë skemë, ndonëse e pranojnë këtë “kompromis” me dhimbje e shpirt nën dhëmbë dhe, në rast humbjeje, me shumë gjasa do të shpërthejnë e hakmerren vetëm për shkak të këtij lloj keqtrajtimi. Ata jo vetëm nuk mund të jenë totalisht të motivuar në këto zgjedhje dhe më shumë presin dështimin e Ramës, sesa besojnë deklaratat e tij për fitoren alibike. Prandaj ata duhet të jenë sa më shumë… Me sa duket, për shkak të gabimeve të Ramës me shpalljen e kandidaturave dhe të konflikteve pothuajse kudo, presioni i krijuar do të çojë pa asnjë dyshim në rritjen e numrit të”mbijetuarve”… Me siguri të gjithë këta do të shndërrohen në strumbullar të largimit të Ramës pas humbjes në 2013-s. Ashtu siç ndodhi me Jorgon që kundërshtarët e tij, që i kishin mbijetuar spastrimit, e larguan edhe nga qeveria, edhe nga partia.
VIII. Në vend të përfundimit

1. Rama adhuronte e imitonte modelin Papandreu, derisa miku i tij lëvizte drejt fitores dhe arriti të fitonte pushtetin. Pas dështimit të Papandreut, Rama tenton t’i largohet modelit të mikut të tij si djalli temjanit, por pa shumë sukses. Ai për më tepër nuk ka nxjerrë asnjë mësim nga dështimi i modelit të mikut të tij dhe jo vetëm nuk po korrigjon gabimet që e çuan Jorgon në dështim pas fitores, por me spastrimet në parti dhe tentativat për ta fituar të gjithë pushtetin i vetëm po i thellon ato. Për rrjedhojë, Rama nuk do të mund as të fitojë zgjedhjet.

2. Rama nuk ka si synim fitoren në zgjedhjet e 23 qershorit 2013.  Artikulimi i fitores është thjesht alibi, sepse Rama duke synuar të fitojë i vetëm pushtetin dhe të gjithin për vete, in ekstremis vetëm me klientelën e tij të ngushtë, është i bindur se këtë radhë kjo lloj fitoreje është e pamundur.

3. Rama vlerëson se këtë radhë duhet të realizojë spastrimin më të thellë të mundshëm të PS nga socialistët, duke ëndërruar që në 2017-n të paraqitet në zgjedhje me partinë e tij personale. Rama është i bindur se vetëm një fitore me kosto/risk zero, pra me një parti personale dhe mundësisht pa prezencën e LSI në spektrin politik, është ajo që i garanton një pushtet të vetin dhe afatgjatë.

4. Rama, për të maskuar veprimet spastruese dhe për të zhurmuar kundërshtitë, po përhap me intensitet të lartë “alibinë e fitores”, të cilën e konsideron si anestezinë e përshtatshme për kurbanin masiv. Kjo i duhet gjithashtu për të vazhduar procesin e “promovimit” të personazheve ekstrapartiakë.

5. Rama, nëse do të synonte realisht fitoren i) duhet të bashkonte të gjithë socialistët me kontribute, merita e eksperiencë, ii) duhet të gjente formulën adekuate për të përfshirë të gjithë aleatët në listën e PS dhe iii) duhet të bashkonte të majtën, duke ofruar një formulë të sinqertë bashkëpunimi e bashkëqeverisjeje me LSI. Ky do të ishte i vetmi projekt i fitores, gjithëpërfshirës e transparent. Rama po bën ekzaktësisht të kundërtën, kjo mjafton për të arritur në përfundimin se synimi i vërtetë i Ramës për në 23 qershor s’është fitorja. Ose për të qenë më i saktë, Rama me ose pa dashje po punon për humbjen. Nuk është pa ndikim edhe fati i keq i “mësues” Jorgos.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama