Riker ne Tirane: 'Ne zgjedhje s’mbeshtesim asnje parti'

Shkruar nga: Kastriot Islami  
Botuar më: 7 vite më parë

Kastriot Islami
Riker ne Tirane: 'Ne zgjedhje s’mbeshtesim asnje parti'

1. ZAS Riker bëri një vizitë në Tiranë. U takua me përfaqësues të lartë shqiptarë, shkëmbeu pikëpamje dhe përsëriti qëndrimet e Uashingtonit për çështjen e integrimit europian të Shqipërisë. ii) për çështjen e retorikës nacionaliste, iii) përgatitjen e zgjedhjeve në Shqipëri, iv) për hetimin dhe gjykimin e ngjarjes së “21 janarit”, v) për dialogun Beograd-Prishtinë e të tjerë.

2. ZAS Riker duhet të kishte dijeni që opozita ishte përpjekur të krijonte perceptimin e një situate të rënduar, të ngjashme me atë të vitit 1996 për sa u përket marrëdhënieve dypalëshe Tiranë-Uashington, me synimin e sigurimit të mbështetjes amerikane për zgjedhjet e 23 qershorit. Media opozitare kishte krijuar po ashtu perceptimin se SHBA po godiste Berishën për retorikën nacionaliste, deri duke përhapur “thashethemin” se Memon konspirative për Preshevën e kishin zbuluar vetë amerikanët për të goditur Kryeministrin.

3. ZAS Riker besonte se maxhoranca e priste me qetësi këtë vizitë, sepse marrëdhëniet dypalëshe mbeteshin të shkëlqyera, ndonëse ishin bërë publike disa “shqetësime” lidhur me vendimin e Gjykatës së Tiranës për ngjarjen e “21 janarit” dhe “retorikën nacionaliste”.

4. ZAS Riker ishte përgatitur të dëgjonte “argumentet e ndërlikuara shqiptare” dhe të shkëmbente mendime lidhur me përgatitjen e zgjedhjeve, temë nga e cila palët prisnin si gjithnjë të “fitonin” mbështetjen amerikane, ndërkohë që në treg ishte hedhur ideja idiote për monitorimin e zgjedhjeve nga NATO. Me profesionalizëm, në mënyrë diplomatike e transparencë, në mënyrë miqësore e parimore, në mënyrë të paanshme e pa fajësuar a mbështetur asnjë parti politike, ai përsëriti vlerësimet e qëndrimet parimore të Uashingtonit. Mesazhi më i rëndësishëm ishte: nuk mbështesim në zgjedhje asnjë parti politike.

5. ZAS Riker, duke mbështetur ambasadorin Arvizu, dha një leksion për t’u treguar të gjithëve se si funksionon administrata e shtetit më të fuqishëm të botës. Po ashtu ai u tregoi shqiptarëve se Uashingtoni në bashkëpunim të ngushtë me Brukselin mbështesin integrimin e Shqipërisë në BE dhe janë shumë të interesuar për dialogun Prishtinë-Beograd, duke kërkuar nga Shqipëria të kontribuojë në avancimin e këtij dialogu.
Mesazhi I: Bashkëpunoni me të gjitha vendet e rajonit.

6. ZAS Riker erdhi në Tiranë pasi kishte ndjekur dialogun Beograd-Prishtinë të përfaqësuar nga kryeministrat Thaçi e Daçiç. Me këtë rast, ai artikuloi jo vetëm rëndësinë e dialogut Beograd-Prishtinë, por evidentoi edhe angazhimin amerikan “për të vazhduar të inkurajojnë palët të ecin përpara në procesin e normalizimit të marrëdhënieve”, me synimin për t’i kërkuar Shqipërisë vazhdimin e politikës konstruktive në rajon.

7. ZAS Riker jo pa qëllim kujton se “SHBA kanë qenë mbështetës të fuqishëm të pavarësisë, të integritetit territorial dhe të sovranitetit të Kosovës”. Ndërkohë është e rëndësishme të kuptohet se ky dialog “mbështetet nga BE e SHBA…” dhe, për rrjedhojë, të gjithë aktorët rajonale, e veçanërisht Shqipëria, duhet të jetë në rezonancë me interesimin e tyre. Ai artikulon mesazhin se duhet “lëvizur në drejtimin e një të ardhmeje më të mirë”, e cila për Serbinë, Kosovën është në “NATO e BE…”.

8. ZAS Riker sqaron se për SHBA “është e rëndësishme që të gjitha vendet e rajonit të bashkëpunojnë për një të ardhme më të mirë”, e cila nënkupton “anëtarësimin e tyre në BE”. Mesazhi miqësor e diplomatik për të gjithë qytetarët dhe politikanët e Ballkanit Perëndimor është i qartë: …Duam që të gjithë të bashkëpunoni. Lëreni mënjanë retorikën për të kaluarën dhe punoni për të ardhmen e vendeve tuaja në BE…
Mesazhi II: Politika e jashtme e SHBA do të mbetet e njëjtë…

9. ZAS Riker sqaron se aktualisht në Uashington drejtimi i Departamentit të Shtetit po kalon nga duart e zonjës Hilari Klinton në ato të ish-senatorit Kerri, i cili gjatë katër viteve të fundit ka qenë kryetar i Komisionit të Politikës së Jashtme në Senat, gjë që tregon se ai është jashtëzakonisht i përgatitur dhe i kualifikuar për çështjet që kanë të bëjnë me politikën e jashtme. Aktualisht ai është në moshën 70-vjeçare dhe ky është një mesazh i qartë se në SHBA respektohen, vlerësohen e promovohen figurat e kualifikuara, me eksperiencë e aftësi për të drejtuar politikën e jashtme të vendit më të fuqishëm të botës.

10. ZAS Riker përmend faktin se sekretari Kerri do të nisë “marshimin e parë jashtë SHBA” duke filluar nga Europa, duke u ndalur në Londër, Berlin, Paris e Romë për të vazhduar në Ankara dhe Lindjen e Mesme, për të përcjellë mesazhin e rëndësishëm se “politika e jashtme e SHBA nuk do të ndryshojë”, sepse ajo përfaqëson “vazhdueshmërinë e politikës së jashtme të përcaktuar nga Presidenti Obama që nga mandati i tij i parë”.
Mesazhi III: Ju mbështesim për në BE, merrni përgjegjësitë tuaja…

11. ZAS Riker sqaron se “SHBA ndihmon Shqipërinë në arritjen e objektivave europiane”. Pra, një mesazh tjetër i kësaj vizite është: Ju duam anëtarë në BE dhe ju mbështesim për në BE.

12. ZAS Riker është transparent kur i përcjell publikut shqiptar vlerësimin se Shqipëria nuk i ka plotësuar objektivat për marrjen e statusit të vendit kandidat”. Mesazhi i drejtpërdrejtë për të gjithë politikanët shqiptarë është: “…Merrni përgjegjësitë për të avancuar në rrugën drejt fitimit të statusit të vendit kandidat të BE…” dhe për më tepër SHBA beson se kjo është “…rruga drejt të ardhmes më të mirë për Shqipërinë” e prandaj ju mbështet.
Mesazhi IV: Ju përshëndesim për firmosjen e marrëveshjes për TAP…

13. ZAS Riker, lidhur me projektin TAP, sqaron se “…SHBA mbështet çfarëdolloj vendimi që do të merrej nga Konsorciumi i Shah Deniz, qoftë ky në favor të TAP apo NABUCO”, mjafton që të sigurohet diversifikimi i burimeve të energjisë në Europë. Ai thotë se SHBA “nuk kanë asnjë preference”, sepse në fund të fundit më i rëndësishëm është diversifikimi i furnizimit me energji për shtetet europiane, sesa rruga nga e cila realizohet ky objektiv. Me këtë rast, z. Riker përshëndet “…nënshkrimin e marrëveshjes trepalëshe Shqipëri-Greqi-Itali për projektin TAP”.

Mesazhi V: Ndaloni retorikën nacionaliste, merruni me problemet reale.

14. ZAS Riker përsërit qëndrimin amerikan lidhur me “retorikën nacionaliste”. Ai sqaron në mënyrë gjenerike se “nuk ka asnjë surprizë, se nacionalizmi dhe retorika nacionaliste janë diçka që nuk mbështetet nga SHBA”. Ai sqaroi se kjo lloj retorike është po ashtu “shmangie nga fokusi i reformave për stabilitet, në rrugën drejt BE, për përmirësimin e ekonomisë, për krijimin e më shumë mundësive për qytetarët dhe për të punuar së bashku për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë…”.

15. ZAS Riker deklaron qartas se “SHBA janë në mënyrë të vendosur kundër çdo lloj ndryshimi të kufijve”, po ashtu i konsideron “thirrjet për bashkim të shqiptarëve…” si jo produktive. Ai sqaron se “SHBA do të artikulohet gjithnjë kundër tyre”.

16. ZAS Riker u jep përgjigje opinioneve të bazuara në teoritë konspirative se “prapa këtyre thirrjeve nacionaliste qëndrojnë amerikanët”, kur thotë se “politika amerikane ka synuar ta shikojë Europën të bashkuar, të lirë dhe në paqe…”. Ai nuk heziton t’u kujtojë të gjithë politikanëve shqiptare se “SHBA ka mbështetur”… i) pavarësinë e Kosovës, integritetin territorial dhe sovranitetin e saj; ii) anëtarësimin e Shqipërisë në NATO; iii) përpjekjet e Shqipërisë në rrugën e saj drejt Europës, por edhe iv) Serbinë në rrugën e saj drejt BE.

17. ZAS Riker evidenton sërish mbështetjen e qartë për ambasadorin Arvizu, i cili ka përcjellë në mënyrë të shkëlqyer të gjitha mesazhet nga Uashingtoni lidhur me “retorikën nacionaliste”. Edhe një herë tjetër, sqarohet se gjithçka thotë ambasadori amerikan në Tiranë është e konsultuar apo porositur nga Uashingtoni dhe nuk është thjesht reagim personal i ambasadorit. Do të ishte minimalisht naive të mendoje se politika e jashtme amerikane të mos funksiononte në mënyrë të koordinuar.

18. ZAS Riker, pyetjes provokative për të stigmatizuar kritikat vetëm ndaj Kryeministrit Berisha, i përgjigjet prerazi: “…U kërkojmë të gjithë drejtuesve në Shqipëri, por edhe të gjithë drejtuesve në rajon, të ndalojnë retorikën e panevojshme nacionaliste dhe të fokusohen në problemet reale” të qytetarëve të tyre dhe të orientohen drejt të ardhmes.
Mesazhi VI: Marrëdhëniet Shqipëri-SHBA janë të shkëlqyera…

19. ZAS Riker i përgjigjet në mënyrë pozitive dhe asimetrike pyetjes nëse “nacionalizmi shqiptar i muajve të fundit ka dëmtuar marrëdhëniet dypalëshe Tiranë-Uashington…” “…Ne kemi marrëdhënie shumë të forta dypalëshe me Shqipërinë, sepse kemi një histori të gjatë të këtyre marrëdhënieve”. Dhe ai shton më tej se “për këto arsye ne jua bëjmë prezente shqetësimet tona lidhur me retorikën nacionaliste në mënyrë transparente, me një frymë miqësie dhe me dorën e shtrirë siç e ka thënë Presidenti Obama”.

20. ZAS Riker i përgjigjet prerazi, por pa rënë pre e provokimit, insistimit për të marrë nga goja e zyrtarit të lartë amerikan përgjigjen se nëse janë AKZ, maxhoranca apo opozita njëlloj “fajtore” për “retorikën nacionaliste”: Mesazhi ynë është një për të gjithë. Ne të gjithë amerikanët flasim me të gjithë ju në mënyrë të njëjtë.
Mesazhi VII: Lërini dramat ballkanike të intrigave…

21. ZAS Riker i përgjigjet asimetrikisht pyetjes provokative, përmes së cilës gazetari synonte të provonte tezën opozitare se “ekzistonte një Memo konfidenciale nga Ambasada amerikane në Tiranë për Kryeministrin Berisha, e cila u bë publike prej ambasadorit Arvizu për të goditur qëndrimet nacionaliste të Berishës”: Ju gazetarët, por edhe të tjerë i pëlqeni dramat, sidomos dramat ku ka intriga. Por ne amerikanët nuk e bëjmë kurrë një gjë të tillë. E thënë më shkoqur: lërini këto spekulime dhe lexoni çfarë themi ne publikisht. Por fatkeqësisht këto përpjekje vazhduan edhe pas kësaj përgjigjeje, me zë dhe me figurë, duke interpretuar përgjigjen elegante të zotit Riker si provë të tezës së tyre. Absurditet…

22. ZAS Riker me këtë rast i kujton gazetarit dhe publikut shqiptar se SHBA, duke qenë jo vetëm shteti më demokratik por edhe fuqia më e madhe globale, “…nuk hezitojnë të thonë publikisht pikëpamjet e tyre”, ndërkohë që “nuk diskutojnë në publik bisedat private”.
Mesazhi VIII: Bashkëpunoni për zgjedhje të lira e të ndershme

23. ZAS Riker erdhi në Tiranë edhe për të vëzhguar përgatitjet për zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Uashingtoni dhe Brukseli janë të “shqetësuar” për zgjedhjet shqiptare, sepse prej tyre varet e ardhmja e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian. Mbi këtë bazë zoti Riker kërkoi që “të gjitha palët dhe politikanët të bashkëpunojnë për zgjedhje të lira e të ndershme”. Dhe shton se “zgjedhjet mund të jenë të suksesshme vetëm nëse bashkëpunohet; dhe do të shikohen si të tilla nga Uashingtoni e Brukseli vetëm nëse bashkëpunohet.

24. ZAS Riker i përgjigjet diplomatikisht tezës se “SHBA ia dhuroi Shqipërisë anëtarësimin në NATO”… përmes një “goditjeje” të trefishtë: i) Shqipëria ka bërë shumë reforma dhe e ka merituar anëtarësimin në NATO; ii) edhe në SHBA kemi pasur dikur probleme me zgjedhjet dhe iii) për të siguruar zgjedhje të suksesshme, duhet të punoni së bashku, siç “kemi punuar ne së bashku”.

25. ZAS Riker hedh poshtë një nga idetë më absurde se  “Komisioneri Fyle është shprehur në një takim konfidencial se do të kërkojë për zgjedhjet e 23 qershorit edhe monitorim nga NATO..” duke deklaruar se “…nuk kam dëgjuar kurrë që NATO monitoron zgjedhjet”. Madje, ai shton në mënyrë shumë optimiste se “takohem shpesh me Komisionerin Fyle dhe të gjithë bashkëndajmë shpresën se Shqipëria do të ketë zgjedhje të lira e të ndershme…”
Mesazhi IX: Për “21 janarin”, “përgjegjësi” dhe jo “futboll politik”…

26. ZAS Riker, lidhur me vendimin e Gjykatës së Tiranës për ngjarjen e “21 janarit”, ka thënë se nga SHBA “kërkohet pikërisht ajo që pritet nga publiku shqiptar, përgjegjësi dhe drejtësi”. Ambasadori Riker shpreh haptas mbështetjen për të gjitha deklaratat e ambasadorit Arvizu, duke deklaruar se ato “janë të koordinuara me Uashingtonin”.
27. ZAS Riker pohon se e “drejta jonë për të kërkuar përgjegjësi e drejtësi buron edhe nga fakti se SHBA, bazuar në një kërkesë të Prokurorisë shqiptare, ka dhënë asistencë teknike përmes FBI”, por ndërkohë shton se “kjo është një çështje tërësisht shqiptare, por ju asistojmë si miq dhe si aleatë”.

28. ZAS Riker nuk heziton të japë edhe mesazhin se “kjo nuk është një çështje politike” dhe nuk duhet politizuar e nuk duhet kthyer në “futboll politik” në zgjedhjet e ardhshme. Ambasadori Riker u kujton politikanëve shqiptarë se “tendenca e politizimit të të tilla çështjeve” dhe “përdorimit të tyre nga njëra parti kundër tjetrës” është tipike ballkanike.
Mesazhi X: Nuk mbështesim në zgjedhje asnjë parti politike…

29. ZAS Riker, si një njohës i mirë i rajonit, e ka shumë të qartë se teoritë konspirative qarkullojnë në mënyrë frekuente në të gjitha vendet e Ballkanit. Sidomos para zgjedhjeve, intensiteti dhe frekuenca e tyre shtohen eksponencialisht. Drejtues të opozitës dhe gazetarë pranë saj prej kohësh, duke interpretuar sipas qejfit të tyre ngjarjet e kohëve të fundit, përpiqen të kënaqin vetveten dhe të motivojnë militantët duke u pohuar se “Amerika është me ne” dhe “është e mërzitur me Berishën njëlloj si në 1996-1997…”.

30. ZAS Riker i përgjigjet pyetjes se “Në Shqipëri ekziston ideja se zgjedhjet parlamentare i fiton ajo forcë politike që ka një mbështetje të dukshme apo dhe të padukshme të Ambasadës dhe Shteteve të Bashkuara. Si vend i NATO-s, kjo mbështetje mund të bëhet edhe më e hapur ndoshta tani. Cilën nga forcat mbështesni dhe duket që është më afër, më e përshtatshme për pushtetin?” në këtë mënyrë: “Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin asnjë forcë politike apo parti politike…”. Ndryshe kjo do të thotë, “punoni dhe mos gënjeni as veten dhe as militantët”, sepse zgjedhjet e lira e të ndershme varen nga bashkëpunimi juaj, kurse çelësi i fitores do të jetë në duart e më të mirit

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama