Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shqipëria ime, në përgjigje të flamujve që refuzojnë të ulen…

Shkruar nga: Ervin Qafmolla  
Botuar më: 12 vite më parë

Ervin Qafmolla
Shqipëria ime, në përgjigje të flamujve që refuzojnë të ulen…

Shqipëria ime nuk është flamuri, Ismail Qemali, Naimi me të vëllezërit e as qirinjtë e tjerë që dritën e shkrinë në mugëtirën e kohës së tyre, sepse deshën njerëzit dhe jo mitet. Shqipëria ime nuk është Skënderbeu, shpata, përkrenarja e heroit apo topat e kalit të tij; ajo nuk është as e madhe e as e vogël.

Shqipëria, ajo që unë shoh dhe ndiej si të tillë, nuk është fodullëk idiot nacionalist i ndërtuar mbi një epërsi të supozuar biologjike përkundër Tjetrit, me të cilin ne ndajmë të njëjtin planet, të njëjtat ëndrra për një të ardhme të buzëqeshur dhe që njëlloj prekemi nga të njëjtat përmbushje e tragjedi. Asnjë krenari apo përbuzje nuk mund të ndërtohet mbi një rastësi gjenetike, sepse unë ashtu sikurse çdo shqiptar, serb apo grek, nuk zgjodhëm të ishim të tillë; thjesht qëlluam të tillë, pa asnjë meritë personale.

Shqipëria ime nuk është një nocion romantik rrëfenjash me pellazgë e klasifikimesh të tjera heroike. Shqipëria është diçka që ndodh. Ajo i përket së tashmes së njerëzve dhe ngjarjeve. Dhe si e tillë ka vendosur mbi shpatullën tonë të përbashkët, përgjegjësinë e së ardhmes.

Shqipëria ime është tokë e askujt ku elitat pordhace e të zvetënuara, tërheqin nga poltronat e pushtetit të personalizuar, fijet e trupave njerëzorë. Të tillët shpërfillin shpirtin, përbuzin mirësinë, ndyjnë mbi gjithçka të shenjtë që brezat trashëguan dhe kultivojnë vëllavrasjen dhe kanibalizmin shoqëror.

Shqipëria ime është vendi ku jetët shuhen në aksidente teknologjike, balistike apo kozmike dhe askush nuk bëhet përgjegjës, përveç të zakonshmëve, atyre që si ne janë “ordinerë”. Shqipëria ime nuk është vendi ku fluturon shqipja dykrenore; në qiell ngrihet vetëm tymi i metalurgjikëve kancerozë, smogu i fabrikave të çimentos dhe pluhuri i atyre që vetëdigjen përballë fasadës së Molokut të verbër.

Shqipëria ime, ku rinia bëhen dru për vdekje me alkool dhe drogë dhe skedina për të transcendentuar qelitë e brutalitetit publik dhe muzikës së keqe, me shpirtrat që u fluturojnë – pulëbardha tragjike mbi anijet e mbytura të aspiratave vetjake. Pa ndier keqardhje për veten, rriten, martohen dhe vdesin pa gjurmë, duke riprodhuar dhunimin në infinitin e brezave që do të vijnë. Shqipëria, vendi që ka syrgjynosur më të mirët ndër ne, duke i internuar në fast food-et e Perëndimit, apo duke i ndryrë brenda çmendinës së burgjeve të mendjes: motrat dhe vëllezërit e mi që nuk derdhin as edhe një lot përballë trekëmbëshit të vendit tim.

Unë nuk e dua Shqipërinë. Nuk e dua këtë Shqipëri me pahir timen, ku lapidarët kanë zëvendësuar sinjalistikën rrugore, ku korruptues e të korruptuar, bashkërisht vrasim bërthamën e njerëzores çdo ditë, për t’u ankuar më pas për lypësit që na trokasin në xhamin e makinës, ngaqë nuk i lejojmë më të hanë nga kazani ynë i plehrave.

Ndërkohë që flamujt valëviten mbi mjerimin, duke e shndërruar shqiponjën në një kërmangrënës të qiejve, unë nuk gjej asnjë formulim më elokuent veç neverisë dhe turpit që na hanë çdo ditë. E sa herë që vjell, unë vjell një copë atdhe. Shqipëria e maskarenjve me shumë shqiptarë që rropaten përditë me mish e me shpirt për të frenuar zhvillimin, agun, zgjimin. Shqiptarë të pasur e të varfër që rroptohen për të shtypur vëllamin e tyre. Shqiptarë që siç thoshte Fishta, gëzohen më shumë kur ngordh viçi i lopës së komshiut sesa kur u pjell viç lopa e tyre. Përmbi bagëtinë kolektive, barinjtë tanë miopë u prijnë kopeve me lopë të egra, të cilat as u binden e as rebelohen. Gjedhë të përvuajtur me një shprehi uniforme kotësie, të cilët nuk kuptojnë se liria është më së pari në mendje dhe zemra. Që nuk kuptojnë se duhet medoemos të vëllazërohemi në vuajtjen e përbashkët dhe të ringremë ngrehinën e solidaritetit njerëzor në vendin ku “përfaqësimi” është reduktuar në një term cinik dhe ku zgjedhjet janë thjesht një transvestit i demokracisë.

Ndaj, flamuri im është i zi, i një funerali që ende nuk ka ndodhur, me të vdekurit e pakallur që japin urdhra nga arkivolet televizive. Sepse askush nuk ka guximin ta shtyjë qivurin në qenef. Sepse në Shqipëri, nuk e pranojmë se fillimi është afër dhe se fundi i epokave nuk shkruhet nga vitet, por nga njerëzit prej mishi e gjaku që kanë kurajën të ngrenë zërin, kokën dhe grushtin. Në Shqipërinë tonë nuk e kemi kuptuar akoma se Tjetri jemi Ne, dhe se Ne bashkë rrëzohemi dhe po bashkë ngrihemi. Se duhet medoemos të duhemi mes nesh dhe të kuptojmë se plagët tona nuk janë krejt tonat dhe se e ardhmja nuk mund të mbetet peng i ditës, kur më në fund dhe ndoshta, “disa do të vdesin”.

Shqipëria është vendi që sot më shumë se kurrë ka nevojë për një revolucion. Jo një revolucion ’97-e, ’98-e, 2011-e, apo i çfarëdo tjetër kalibri. Sepse çdo revolucion është më së pari një revolucion i shpirtit universal. “Dinjiteti Para Bukës!” ishte slogani i revolucionit tunizian, pavarësisht se ekonomia e Tunizisë ishte rritur nga 2-8 për qind në vit gjatë dy dekadave që i paraprinë revoltës.

“I Gjithëfuqishmi na ka pajisur me një shqisë aq të fortë dinjiteti saqë nuk mundemi të tolerojmë mohimin e të drejtave dhe lirive tona të patjetërsueshme, pavarësisht përfitimeve të supozuara nga regjimet e ‘qëndrueshme’ autoritare”, shkruan presidentja e Kirgistanit, Roza Otunbajeva. “Është magjia e njerëzve, të rinj e të vjetër, burra dhe gra të feve dhe bindjeve të ndryshme politike që dalin bashkë në sheshe qytetesh dhe shpallin se u mbush kupa”.

Shqipëria jonë, sot nuk ka nevojë për histeri folklorike dhe për flamurin e turpit që na e valëvisin në surrat. Nuk na duhen shpatat e përkrenaret e as mustaqet patriotike alla Farrok Bulsara. Nuk na hyjnë në punë liturgjitë e zbehta të politikës alternative, skandalet e inflacionuara dhe as hartimet patetike të ligjëratës së sotme politiko-intelektuale. Këto nuk kanë lidhje me atdheun. Siç thoshte tregtari elbasanas Sul Domi kur komunistët shkuan t’i grabisnin florinjtë në 1945-n, cituar nga At Zef Pllumi, “Atdheu nuk janë malet, fushat e prrojet kot: atdheu asht e drejta jote, familja, nderi yt, puna e djersa jote. Kush nuk des për kto nuk des për kurgja tjetër…”.

Shqipëria e sotme ka nevojë për një ripërtëritje besimi, për një ringjallje të dinjitetit, tashmë të nëpërkëmbur prej shekujsh; për ushqimin e “magjisë njerëzore”. Ky është revolucioni i domosdoshëm i njerëzve, jo i flamujve kot. Revolucioni i atyre që kuptojnë se asgjë nuk vjen pa sakrificë dhe se një ditë do na duhet të biem si njerëz që të ringrihemi dragonj. Dhe atë ditë le të ngremë lart, flamujt tanë të krenarisë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama