Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Tanime eshte e sigurte Gerdeci nuk do te kete fajtore

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 17 vite më parë

Mustafa Nano
Tanime eshte e sigurte Gerdeci nuk do te kete fajtore

Eshtë e qartë tanimë për secilin prej nesh, se të gjithë prokurorët e përgjithshëm të Republikës shqiptare në periudhën postkomuniste kanë dështuar; ata nuk kanë mundur të kryejnë punën (e të ushtrojnë funksionin) e tyre në respekt të ligjeve, duke mos mundur kështu t‘u japin shqiptarëve në rrethanat e një korrupsioni kapilar atë sens të drejtësisë që po shqiptarët kanë pritur prej institucionit të ndjekjes penale në emër të shtetit e të shtetasve. Këtë funksion nuk e kanë ushtruar sidomos ndaj atyre nëpunësve, zyrtarëve, dinjitarëve e ofiqarëve shtetërorë, të cilët kanë patur nën kontroll paratë publike e të cilët janë sjellë me këto pará në mënyrën më non-chalante të mundshme. Sa më të mëdha të kenë gradat, fuqia e ndikimi i këtyre zyrtarëve, aq më të mëdha kanë skrupujt e droja e prokurorëve të përgjithshëm për të vënë në lëvizje makinën e hetimit ndaj tyre. Nëse janë zhvilluar procese penale të iniciuara nga prokurorët e Republikës, kjo ka ndodhur prej presionit të madh të opinionit public apo në rrethanat e ndonjë zullumi spektakolar. E megjithatë, këto procese ose janë mbyllur, ose janë finalizuar duke bërë kurban kundravajtës tepër të parëndësishëm e pa asnjë mbrojtje politike e shtetëtore.

Nuk duhet të kemi asnjë dyshim, se kështu do të ndodhë edhe me hetimin e shkaqeve apo identifikimin e fajtorëve të tragjedisë së Gërdecit. E vërteta është se shkaktarët e kësaj tragjedie kanë dalë zbuluar dhe se ndaj tyre është zhvilluar tanimë një gjyq i madh public, por do të ishte naivitet të besohej se këta fajtorë do të shkojnë të japin llogari në bangën e të akuzuarve. Do të ndodhë e kundërta; këta fajtorë do ta hedhin pa lagur në gjithë këtë histori. E jo vetëm kaq; ata do të vijojnë të kapardisen e të ngrefosen, pa e çarë kokën fare për viktimat e mjera e të pafajshme të kësaj tragjedie, gjë që kanë zënë ta bëjnë qysh tani, kur akoma nuk kanë zënë kore plagët e dëshpërimi i familjeve të lënduara. U ka ardhur në ndihmë edhe një një ngjarje, e cila pritej të ndodhte për motive që s‘kanë asnjë lidhje me zhvillime, suksese e arritje të brendshme. Është fjala për anëtarësimin në NATO (Shqipëria vijon të mbetet një vend i mjerë në çdo pikëpamje, rrjedhimisht ajo nuk e ka merituar të jetë anëtare e NATO-s. Por për fat të mirë e mbi bazën e motivimeve gjeopolitike ekstrashqiptare ne jemi në prag të këtij anëtarësimi). Gjithë këto ditë pra ne kemi parë pompat e mëdha shtetërore e politike, të cilat kanë synuar të na mbushin mendjen se kjo ngjarje e rëndësishme ngrihet mbi punën e mirë të bërë nga klasa politike shqiptare. Madje, më shumë se një zë është ngutur të deklarojë se "mori fund trannzicioni shqiptar"(!!!). Ndërsa Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, e kapur prej kohësh nga sindroma e protagonizmit partizan dhe shërbimit ndaj kapos, u kërkoi krejt pa pritur të gjithë deputetëve të parlamentit të dilnin në Rinas për të pritur hëm "arkitektët e arritjeve", hëm sjellësit e lajmit të madh. Çfarë farse!

Por le të kthehemi tek çështja, për të cilën po flisja, dmth tek politikanët shqiptarë, të cilët, në ndryshim nga shtetasit e zakonshëm e në dhunim të ligjeve kushtetuese, kanë një impunity të plotë; me fjalë të tjera, edhe pse bëjnë të gjitha zullumet e përfytyrueshme, atyre nuk u hyn asnjë gjemb në këmbë. Pse ndodh kjo? Kjo afërmendsh mund të ndodhë edhe prej faktit që një numur prokurorësh janë ushtarë politikë të njërës apo tjetrës parti, edhe prej faktit që vetë institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme e përfaqësuesit e tij nuk kanë kompetencën e duhur profesionale për të kryer detyrat e tyre, apo edhe prej faktit, që prokuroria, ashtu si të gjitha institucionet e tjera shtetërore, nuk kanë besueshmërinë e duhur publike. Por ndodh mbi të gjitha për një arsye, e cila nuk është komentuar e analizuar sa duhet: kulti i politikës, i politikanëve dhe i shtetarëve është aq shtypës dhe aq influent, sa prokurorëve, ashtu si dhe të gjithë nëpunësve të tjerë shtetërorë, u duket vetja si miza përballë tyre. E në këtë kuptim, duhet thënë se ata kanë faj më pak se sa duket.

Kulti i shëmtuar i politikës e i politikanëve është një kult i ngritur me mbështetjen e me amen-in e të gjithëve. Është vetë shoqëria që e prodhon këtë kult e që bashkëjeton pa asnjë lloj bezdie me të; por janë edhe disa institucione të fuqishme publike (sidozot, mass-media), që sillen në të njëjtën mënyrë. Në qëndër të çdo mundimi e kokëçarjeje mediatike për të gjurmuar lajmin e informacionin qëndron meraku e pasioni për të ndjekur çdo lëvizje të tyre e për të thithur çdo fjalë që del nga goja e tyre. Me ta hapen faqet e para të gazetave, e me ta hapen edicionet informative të televizioneve më të rëndësishme të vendit. Nuk ka rëndësi çfarë bëjnë e çfarë thonë; thjesht mjafton të bëjnë e të thonë diçka, dhe pas kësaj është e sigurtë që reporterët tanë, nëpërmjet alkimive të tyre, do të gjejnë në kuturisjet e tyre një kryelajm. Ata nisen për në Rinas, dhe kamerat e reporterët do të jenë atje; ata kthehen në Rinas, dhe një ushtri e tërë me punëtorë të mass-media-s do të jetë duke pritur në dyert e aeroportit; ata japin një konferencë për shtypin, dhe autobuzët e lëvizshëm që bëjnë të mundur transmetimin live të një ngjarjeje stacionohen pranë sallës së konferencës; ata shkojnë të bëjnë takime nëpër qytete e nëpër katunde, ata shkojnë të presin një shirit të përurimit të një palo vepre, ata hyjnë e dalin nga zyrat e tyre e nga zyrat e sho-shoqit, ata hanë dreka e darka me diplomatë apo ambasadorë, ata zhvillojnë séanca parlamentare apo mbledhje komisionesh parlamentare, ata rrihen e puthen me njëri-tjetrin, ata bëjnë mbledhje partie, ata qeshin e ulërasin, ata dalin rrugëve të rrethuar nga eskorta të zhurmshme, e në të gjitha këto rrethana pra, ndiqen nga aradhja e pafundme e kamerave, gazetarëve, reporterëve. Kjo ka bërë që ata të jenë me ne 24 orë non stop, në shtëpi, në rrugë, nëpër lokale; ata, jo vetëm kanë gjeur mundësinë të pushtojnë të gjithë hapësirën publike, por si furacakë të ndyrë po tentojnë jo pa sukses të jenë të pranishëm në çdo hap të jetës sonë. Falë përunjësisë e kapitullimit tonë, ia kanë arritur qëllimit. Ata janë Zoti ynë i kudo gjendur, dhe neve, përballë tyre, na duket vetja si qënie të pavlera, si qënie të pafuqishme, si qënie në kufijtë e mosqënies.

Dhe është ky sens përunjësie i gjithë shoqërisë shqiptare që prodhon një sens përunjësie të të gjitha institucioneve publike e shtetërore (nuk mund të ndodhë ndryshe). Është ky protagonizëm i shfrenuar në trajtën e një pranie furacake, arrogante e agresive në jetën e gjithsecilit që e bën çdo rezistencë e reagim edhe/ose të papërfytyrueshëm, edhe/ose të kotë. Merret me mend në këto kushte, se ato institucione, që në respect të detyrave e detyrimeve ligjore e kushtetuese, do të guxonin t‘i vinin fre babëzisë, makutërisë e papërgjegjshmërisë së klasës politike, do të gjendeshin pa asnjë mbështetje në këtë ndërmarrje.

Por e vërteta është se nuk vjen puna deri këtu. Institucione të tilla, për shkak të fuqisë së pakontrollueshme të politikës, nuk e çojnë nëpër mendje ndërmarrjen e aksioneve të tilla. Nuk kanë kurajo ta bëjnë këtë; nuk kanë kurajo, jo vetëm për shkak të fuqisë "divine" të politikës, por edhe për një shkak tjetër: këto institucione janë ngritur me një logjikë paternaliste prej vetë politikës, dhe kjo e fundit, ashtu si i ka bërë këto institucione, edhe mund t‘i çbëjë (pak herë ka ndodhur kjo gjë?) sa herë të dojë.

Për të folur më konkretisht, asnjë Prokuror i Përgjithshëm e asnjë grup prokurorësh nuk do të ketë fuqi e guxim të hetojë tragjedinë e Gërdecit, ku - siç e kanë treguar të gjitha të vërtetat dokumentare - janë përfshirë emra politikanësh të rëndësishëm e familjet e tyre. Këto politikanë janë më të rëndësishëm se të gjithë prokurorët, të gjithë gazetarët, të gjitha OJQ-të, të gjitha institucionet, të gjitha ligjet. Duhet thënë pra se janë naivë ata njerëz, të cilët po rreken të inkurajojnë Prokuroren e re të Përgjithshme me synimin për ta detyruar këtë të fundit për t‘i shkuar deri në fund hetimit të kësaj ngjarjeje. Janë naivë pasi nuk kanë kuptuar, që politika shqiptare është një institucion mbi të gjitha institucionet e që - rrjedhimisht - Prokurorja e re nuk ka asnjë në dorë, përveç kompleksit të inferioritetit, të përunjësisë e të frikës përballë njerëzve me pushtet të këtij vendi të mjerë e gati të pashpresë, i cili - kjo është ironi e shkuar ironisë - po futet në NATO.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama