Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Patriotizmi i Berishës, kakofonia e PS dhe AK

Shkruar nga: Kastriot Islami  
Botuar më: 12 vite më parë

Kastriot Islami
Patriotizmi i Berishës, kakofonia e PS dhe AK

Mesazhe nga SHBA. Vëmendje në Bruksel. Reagime nga vendet fqinje. Gjithçka lidhet me retorikën nacionaliste/patriotike që, me sa duket, po projektohet për të qenë prezente në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2013.  Burimi i kësaj retorike prej disa kohësh është AK. PS kakofonike dhe inkoherente është futur në këtë lojë tërësisht e paqartë, duke ëndërruar ta heqë me çdo mjet Berishën nga pushteti. Berisha e konsideron këtë terren avantazhin e tij dhe është i gatshëm t’i përgjigjet kësaj “sfide nacionaliste opozitare”.

Gjykoj se gjithë kjo është një retorikë e përkohshme, deri në mbarimin e zgjedhjeve të vitit 2013. Normalisht pa efekte të konsiderueshme elektorale dhe normalisht pa ndikime destabilizuese në rajon. Megjithatë, mund të ndodhë në ndonjë rast ekstrem që edhe këta kufij të kapërcehen. Ndërkohë që zhvillimi i ndjenjave patriotike do të ishte pozitiv, duhet pasur kujdes, sidomos në kontekstin e një krize ekonomike, që përmes “konkurrimit patriotik” të mos kalohet në deklarata apo sjellje ekstreme nacionaliste, që mund të rezultonin vështirësisht të kontrollueshme. Nëse do të kërkonim ta stoponim apo shteronim tërësisht këtë lloj fushate, duhej filluar nga burimi.

Kjo duket tanimë e vështirë, prandaj këto zhvillime mbeten për t’u ndjekur me vëmendje. Shqipëria, duke vendosur në një plan të ri nxitjen e ndjenjave patriotike, nuk duhet të humbasë asetin e saj të çmuar, rolin konstruktiv dhe kontributin e vyer për stabilitetin e sigurinë e rajonit. Dhe, mbi të gjitha, çdo politikan duhet të ketë parasysh se shqiptarët masivisht kërkojnë që: i) Shqipëria të jetë një anëtare dinjitoze e NATO-s dhe kontributore sigurie e stabiliteti; ii) të bëhet sa më shpejt pjesë e BE dhe të ndërtojë marrëdhënie partneriteti me të gjitha vendet e saj; iii) të ruajë e të forcojë marrëdhëniet strategjike me SHBA dhe iv) të jetë promotore e proaktive në bashkëveprimin dhe bashkëpunimin rajonal. Këto dëshira/ndjenja/objektiva të shqiptarëve mund të realizohen me sukses në bashkëjetesë me patriotizmin pozitiv, por janë në kundërshti me nacionalizmin, sidomos me atë të vjetër ballkanik.

1.Në vend të hyrjes….

Ndërkohë që AK ka artikuluar teza nacionaliste/patriotike qysh prej themelimit të saj, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, në këtë konkurrim janë futur pothuajse të gjitha partitë politike kryesore (përveç LSI-së, që ka qenë e kujdesshme në trajtimin e temave të lidhura me çështjen kombëtare). Le t’u referohemi debateve të fundit….

2. Berisha dhe Majko bashkë për “Prevezën”,  Rama kundër Berishës, por hesht para Majkos…

Berisha, ndër të tjera, përmendi në një kontekst historik Prevezën, duke ngjallur emocionet patriotike të të gjithë shqiptarëve në rajon. Menjëherë Pandeli Majko tha se për pjesën e deklaratës së Berishës që ka të bëjë me Prevezën, PS është në konsensus të plotë. Kurse Rama, në daljen e tij javore para deputetëve, tha, ndër të tjera: “Të përmendësh Shqipërinë që u shtrika deri në Prevezë, do të thotë që o je i papërgjegjshëm me fatet e vendit tënd, ose të jesh qëllimkeq ndaj tij. Sepse një përçartje e tillë e cenon rëndë kauzën tonë kombëtare në sytë e të gjithë botës. Dhe cenon drejtpërdrejt gati si në mënyrë të qëllimshme bashkimin tonë kombëtar në truallin e Europës së Bashkuar. …

Nga ana tjetër, të përmendësh Prevezën duke provokuar në mënyrë të papërgjegjshme dhe pa lidhje fqinjët…”. Pra, Rama e goditi rëndë Berishën për papërgjegjshmëri, si qëllimkeq, që provokon marrëdhëniet me fqinjët dhe që cenon në mënyrë të qëllimshme bashkimin kombëtar, për përçarjtje…. Por Rama heshti përballë Majkos. Kështu filloi “konkurrimi nacionalist/patriotik” midis dy forcave kryesore politike.

Kancelaritë perëndimore e të vendeve fqinje, veçanërisht ato në Greqi, që e ndjekin me shumë vëmendje situatën në Shqipëri, mbajtën shënim se çfarë tha Berisha, por edhe artikulimet e PS (Ramës, Majkos etj.) për çështjen kombëtare. Ndërsa se çfarë tha Berisha, e kanë të qartë, ata e kanë të vështirë të kuptojnë nëse është i vërtetë qëndrimi i Ramës kundër Berishës apo thjesht Rama me heshtjen e tij ndaj Majkos bashkëndan të njëjtin mendim me të dhe për përfitime elektorale hesht përballë Majkos, ndërkohë që Rama i dërgon Athinës mesazhin se është kundër Berishës. Kjo është shumë e trashë, përmes së cilës nuk mashtrohet as Athina dhe as ka ndikim te zgjedhësit shqiptarë. Kjo ka vetëm një emër: minimalisht çoroditje dhe maksimalisht paaftësi në politikën e jashtme, marrëdhëniet rajonale apo çështjen kombëtare.

3. Rama sulmoi Berishën për Prevezën dhe propozoi që “qeveria të dhurojë shkollë dhe të ndërtojë spital në Preshevë….”

Deklarata e Berishës për Prevezën ishte tërësisht në kontekstin historik dhe u pasua nga një sqarim i qartë dhe i shpejtë për “as një pretendim territorial”. Pavarësisht kësaj, Rama lëshoi të gjithë breshërinë e kritikave ndaj Berishës (shih më lart). Nëse do të mbetej këtu, Rama do të ishte në pozitat e një opozitari “politikisht korrekt” me Athinën. Por, me sa duket, këtu do të fillonte edhe dilema e tij, sepse duke artikuluar qëndrimin kundër Berishës për Prevezën dhe ndrequr marrëdhëniet me Athinën, do të perceptohej jo patriot në trojet shqiptare, sidomos ato në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e Luginën e Preshevës.

Prandaj u hodh në Preshevë duke sugjeruar që në buxhetin e vitit 2013 dhe në vijim të parashikohej “ndërtimi i një spitali” dhe “dhurimi i një shkolle”. Me këtë ide shfaqej nacionalist/patriot me Preshevën. Berisha dhe Majko, duke konvergjuar për Prevezën, duket sikur u dërgojnë një mesazh pozitiv çamëve, kurse Rama me kritikat ndaj Berishës duket sikur ndreqet me Athinën me koston negative të perceptimit jo pozitiv të çamëve. Kurse me propozimin e Ramës për Preshevën, duket sikur Rama fiton simpatinë e shqiptarëve të Preshevës, ndërkohë që as Berisha dhe as Majko nuk e kanë kundërshtuar këtë ide.

Po të bëhet bilanci elektoral, Rama rezulton i humbur. Kryesorja është se Rama rezulton inkoherent dhe PS kakofonike, ndoshta edhe qëllimisht dyshohet. Kjo vjen për shkak të kompleksit të inferiotitetit të Ramës ndaj Berishës dhe të paaftësisë së tij për t’u mirëkuptuar apo kundërshtuar Majkon.

Nëse Rama kërkon t’i dërgojë një mesazh qetësues Athinës duke u shprehur kundër “Berishës nacionalist” dhe një mesazh shqetësues Beogradit duke u shfaqur si nacionalist, duhet të jetë i sigurt se edhe Athina, edhe Beogradi, edhe Presheva do ta kuptojnë që Rama po bën lojë elektorale duke qenë pro Athinës e kundër Beogradit. Kalkulimi elektoral integral i këtij konkurrimi nacionalist/patriotik në këtë rast e nxjerr Ramën të humbur.

4. Rama sulmon Berishën për nacionalizëm anakronik, dhe heshtazi mbështet referendumin e AK për bashkimin kombëtar

Rama kërkoi të shfaqej korrekt me trajtimin e çështjes kombëtare, duke sulmuar ashpër gjithçka tha Berisha gjatë këtyre ditëve. Por, deri tani Rama nuk ka thënë asnjë fjalë as për tezat nacionaliste të AK-së, as për idenë e fundit të saj për një referendum për bashkimin kombëtar. Heshtur e ka pranuar idenë e referendumit, përderisa nuk e ka kundërshtuar. Nëse Rama do t’i qëndronte me konsekuencë kritikave ndaj Berishës për çështjen e bashkimit kombëtar me një arsyetim të thjeshtë ai duhet të ishte kundër referendumit për bashkimin kombëtar. Rama fsheh kokën si struci duke heshtur ndaj idesë së referendumit për bashkimin kombëtar sepse gjykon se AK përbën në mënyrë indirekte për PS-në një shans për të fituar elektoralisht kundër Berishës.

Bile Rama para disa kohësh jo vetëm nuk kundërshtoi tezat e AK-së, por u shpreh e gatshme për koalicion me të, mjaft që kjo të shërbente për të rrëzuar Berishën dhe për t’u bërë Kryeministër. Drejtues të lartë të PS-së, sa herë pyeteshin për koalicion me AK, përgjigjeshin pa asnjë hezitim “përse jo?” dhe shpreheshin se PS është e hapur, pa paraqitur asnjë rezervë. Bile ishte AK që më vonë u shpreh se nuk pranonte të bënte koalicion me PS sepse e njësuar me PS do të ishte në dizavantazh elektoral. Rama në këtë rast nuk është parimor.

Nuk është as konsekuent. Është naiv se kujton se të tjerët nuk e kuptojnë këtë lojë të trashë. Duhet pasur mirë parasysh se të gjithë ata zgjedhës që bëjnë pjesë në grupin e të lëkundurve apo të pavendosurve, janë shumë inteligjentë dhe arrijnë ta kapin këtë demagogji të Ramës. Bile ata mërziten dhe do të votonin kundër Ramës, po ashtu si edhe votuesit e PBDNJ-së së Dules, sepse ndiejnë që me këtë lloj demagogjie, Rama, duke mashtruar deputetët që presin të futen në listën e deputetëve, presumon të paditur edhe zgjedhësit e lëkundur. Kjo ka vetëm një emër: demagogji e trashë ose paaftësi.

5. Rama kujton se politika e jashtme është lojë fjalësh…

Rama, pasi kritikon rëndë Berishën, hedh në treg propozimin e tij për bashkimin kombëtar, duke artikuluar formulën “…bashkim kombëtar në truallin e Europës së Bashkuar…”. Dhe kujton se më ketë frazë ka gjetur zgjidhjen magjike. Pasi mendon se po çudit disa nga deputetët përballë tij me shprehje dhe gjeste, kujton se kjo do të mirëpritet edhe nga shqiptarët në rajon, edhe nga fqinjët, edhe nga ndërkombëtarët në Bruksel e Uashington. Kujton se duke bërë lojë fjalësh e përdorur gjuhë të drunjtë, po bën politikë të jashtme. Gabohet.

Shprehja e tij zbërthehet shumë kollaj. Bashkim kombëtar do të thotë Shqipëri e Madhe, kurse bashkim kombëtar në terrenin e Europës së Bashkuar do të thotë se pasi Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i ZI dhe Serbia të futen në BE, ateherë të gjithë shqiptarët nën çatinë e BE-së do të krijojnë Shqipërinë e Madhe. Nuk e di nëse këtë tezë Rama e ka shpalosur kur është takuar me zyrtarë të lartë të Brukselit dhe vendeve anëtare të BE-së dhe SHBA-ve. Nëse nga ana tjetër, duke bërë lojë fjalësh, mendon se termi “bashkim kombëtar në truallin e Europës së Bashkuar” do të thotë thjesht që në Europën e Bashkuar shqiptarët do të lëvizin të lirë brenda kësaj hapësire, dhe kjo nënkupton se do të lëvizin të lirë edhe midis 5 shteteve anëtare të BE-së ku jetojnë shqiptarët etnikë, në këtë rast nuk ka thënë asgjë, por vetëm ka bërë lojë fjalësh. Kjo nuk është politikë e jashtme dhe as patriotizëm. Këto janë vetëm shprehje demagogjike, pjesë e fushatës elektorale me kartën nacionaliste.

6. Në vend të përfundimit…

Siç thoshte edhe gazetari i gazetës franceze “Le Figaro”, tezat nacionaliste/patriotike do të jenë, me sa duket, pjesë e fushatës elektorale për zgjedhjet e vitit 2013. Sinjalet e para prej kohësh i ka dhënë AK. Rama dhe mekanizmat e tij e mbështesin indirekt. Berisha u fut në lojë me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë. Majko rezonoi me Berishën. Rama me qëndrimet e tij kundër Berishës, pro AK-së dhe heshtje ndaj Majkos, është tanimë pjesë e kësaj fushate me terma nacionalistë/patrotikë. Por, nga analiza racionale dhe e qetë, rezulton se Rama është inkoherent e jo profesional, kurse PS perceptohet kakofonike. Ka vetëm një zgjidhje, të hiqet dorë nga retorika dhe konkurrimi me terma nacionalistë.

Por edhe nëse konkurrimi me terma patriotikë do të dilte jashtë kufijve të pranueshëm dhe nuk do të respektoheshin rregullat e etikës, konkurrimi patriotik do të shoqërohej me etiketime e sharje reciproke si “tradhtarë të kombit” apo “spiun të këtij apo atij shteti”, dhe termat patriotikë do të përziheshin me terma nacionalistë, atëherë ndoshta edhe për këtë aspekt do të ishte më mirë të hiqej dorë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama