HARBONI, HARBONI, HORRA! POR FESTA S’ËSHTË E JUAJA

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 8 vite më parë

Mustafa Nano
HARBONI, HARBONI, HORRA! POR FESTA S’ËSHTË E JUAJA

Në rrjetet sociale po qarkullon një video, ku duken dy policë që keqtrajtojnë e rrahin një djalë të ri që duket se është rreth 15-16 vjeç. Njëri prej policëve është më i zellshmi. Pasi e vë në pranga adoleshentin, ai e shtyn të ecë përpara dhe e qëllon nga pas me pëllëmbë e me grushte. Shkaku? Ai djalë është kapur me një flamur në dorë që, siç kuptohet, duhet ta ketë hequr nga ndonjë shtyllë.

E kështu policët, tek të cilët në këtë rast bëhen tok ruajtësi i rendit dhe patrioti (më shumë patrioti e më pak, madje fare-fare pak, ruajtësi i rendit; ai djalë, nëse ka shkulur vërtet flamurin nga ndonjë vend, nuk është se i ka bërë ndonjë dëm kushedi se çfarë rendit publik; rendin dhe sigurinë publike e dëmtojnë ata djemtë e tjerë që pardje i morën jetën për hiçgjë fatorinos së një autobusi urban; e asnjë polic nuk mundi t’i zërë e t’i prangosë), e kështu pra policët s’e kanë për gjë ta rrahin, ta çojnë në komisariat, ku me siguri do ta rrahin sërish.

Deri vonë pasdite nuk u mor vesh pse ai djalë kish tentuar ta shkulte atë flamur nga shtylla në anë të rrugës, por disa agjenci informative bënin me dije se gjesti i tij nuk ish i natyrës antipatriotike; përkundrazi, ish një gjest patriotik par excellence; ai donte ta vinte në ballkonin e shtëpisë së tij atë flamur. Këtë e them për hir të saktësisë së raportimit, të kuptohemi. Nuk është se dua të merrem me motivet që e shtynë atë djalë t’i sulej një flamuri buzë rrugës. Edhe sikur ta kish hequr nga shtylla për të bërë një akt të thjeshtë rrugaçërie, apo për ndonjë motiv tjetër, sjellja e policëve është e papërligjur. Edhe sikur të supozojmë se ai djali ka dashur të bëjë një “rrugaçëri antipatriotike”, kjo gjë nuk do të legjitimonte asnjë rrugaçëri policore të natyrës “patriotike”.

Kush i ka parë ato pamje, krahas dhunës së ushtruar, mund të ketë vënë re dhe elementë të një skene butaforike. Ata policë të silleshin si karagjozë. “Patriotizmi” i atyre policëve ishte qesharak, ishte si “patriotizmi” që po konsumohet prej ditësh rrugëve të Tiranës nga banda civilësh, që po patrullojnë kryeqytetin si t’ua ketë ënda e pa pyetur fare për rregulla.

Këto ditë më kanë parë sytë me qindra vetë, që kanë vënë flamujt në xhamin e pasmë të makinave të tyre, duke e zënë të tërë xhamin, gjë që përbën një shkelje të rregullave të qarkullimit. Policët që rrahën atë djalin (njëri ish i qarkullimit rrugor) do duhej të ndalonin më së pari këto makina, që janë një rrezik për rendin publik e për jetën e të tjerëve. Por policëve as që u shkon në mendje ta bëjnë këtë gjë. Përkundrazi, ato flamujt të vendosur nëpër makina janë një licencë për të ecur me shpejtësi në rrugë, për të mos respektuar semaforët, për t’u rënë borive, e për të bërë çdo kundërvajtje të mundshme. Policët “patriotë” i shohin ata si të tyret, e prandaj mendja të shkon se “maska” e dekoracionit kuqezi nëpër makina do jetë përdorur këto ditë edhe nga lloj-lloj keqbërësish e delinkuentësh, të cilët nuk i ndal askush.

Beson vërtet ndokush se ndonjë polic mund të ndalojë për kundërvajtje një makinë të mbuluar nga flamujt kuqezi? Kjo do të ish si të ngriheshe kundër natyrës së gjërave. S’mund të bëjë vaki. Mos t’ju shkojë në mendje se dy vrasësit e fatorinos janë fshehur kushedi se ku! Ata janë me siguri duke bërë xhiro në Tiranën e festës, me ndonjë makinë të vjedhur të mbuluar nga flamujt kuqezi. Nga kush duhet të kenë frikë? Policët kanë punë të tjera për të bërë, për shembull të kapin në flagrancë ndonjë çun të prapë që “ngrihet kundër festës” duke shkulur ndonjë flamur që valëvitet në shtyllat e rrugëve.

Duke lënë mënjanë keqbërësit e delinkuentët që vinë vërdallë të patrazuar nëpër Tiranë me makinat e tyre që kuqëlojnë, lind një pyetje: Kush janë të tjerët që vinë vërdallë në të njëjtën mënyrë? Shihini me kujdes kur jeni në rrugë! Ju duken si patriotë? Një pakicë, po, mund të jenë njimend shqiptarë të pasionuar që lëshohen në krahët e gëzimit me rastin e kësaj feste. Por të shumtit nuk kanë lidhje me patriotizmin. Ata janë thjesht të fortët e lagjeve, që në rrethana të tjera bëjnë militantin e partisë. Janë ata që po i japin tonin këtij harbimi kolektiv. Synimi i tyre është të festojnë ditën e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, por rezultati është që po e prishin këtë ditë feste.

Po na e zvjerdhin gëzimin, ashtu siç po na e zvjerdh këtë ditë dhe kapoja i tyre. Është ai që shfaqet kudo, në Berat e në Korçë, në Elbasan e në Shkup, në Durrës e në Tiranë, në Bibliotekën Kombëtare e në Muze, duke dhënë intervista e duke prerë shirita përurimi për dhjetëra buste (ndoshta do ta shohim dhe duke therur ndonjë dash a qengj nesër a pasnesër). E duke mbajtur fjalime, kuptohet. Nuk lë rast pa mbajtur fjalime, me anë të të cilave vlerëson figura të historisë, bën revizionimin e optikave të vjetra mbi ta e mbi ngjarje që lidhen me ta, jep konkluzione, hap shtigje të reja për historianët e oborrit qeveritar, etj. Kudo që shkon të fanepset ai, vjedhësi i festës.

Është tamam kështu: Sali Berisha na ka vjedhur festën, ndërsa të vetët, banditë gjithfarësoji, përfshirë dhe policët rrugaçë (si këta të dy që përmenda në krye), na kanë vjedhur mjedisin urban, si për të na dhënë idenë se tok me Berishën, madje për shkak të Berishës, po feston i gjithë populli (kur shoh këtë horrllëk, më bëhet më e besueshme ajo fraza që rreket t’i përkufizojë patriotët thjesht e vetëm si “njerëz që dinë të ngrenë zërin kundër qeverisë së vendit të tyre”). E në këtë sfond të bëhet se ne të tjerët nuk kemi lidhje me 28 Nëntorin, e me 100-vjetorin, e nuk është çudi që ndonjërit t’i vijë turp që nuk ka një flamur në makinë, apo në ballkonin e shtëpisë. Personalisht, nuk do të habitesha asnjë çikë po të merrja vesh, se ndonjë të paflamurosur e ka ndaluar policia në rrugë e i është hakërryer: “Pse s’ke flamur në makinë? Si është puna me ty? Pa hajde pak me ne në komisariat!”

Kjo e fundit është një shaka, kuptohet. Por vjedhja e festës nuk është shaka. As pandehmë. As fantazi. Është e vërtetë. Kjo që po ndodh është kulmi i pacipësisë. Pasi kanë bërë plaçkë pa fund nga pasuria publike, pasi s’kanë lënë gjë të prekshme pa e bërë të tyren, tani po na vjedhin dhe festat, simbolet, simbolikat, ngjarjet, personazhet, historinë, të drejtën për të qenë patriotë. E po i njohin vetes të drejtën për të shtruar në dru medemek antipatriotët, etj., etj.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama