Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kur viktime e gazetarise se keqe behen vete gazetaret

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 12 vite më parë

Mustafa Nano
Kur viktime e gazetarise se keqe behen vete gazetaret

Në të përditshmen “shqiptarja.com” ka një rubrikë që quhet “lunch.com”. E bën gazetarja Mira Kazhani, dhe e gjitha është në thelb një intervistë e perifrazuar. Tek-tuk intervista riprodhohet saktësisht, por rëndom është gazetarja që perifrazon, d.m.th. që risjell me fjalët e veta pohimet e të intervistuarit. Nuk është gjetje e keqe. Sigurisht, duhet shumë kujdes, pasi perifrazimin një hap e ndan nga spekulimi, por nëse këtë kujdes e konsiderojmë të mirëqenë, gjetja funksionon. Dhe e vërteta është se “lunch.com” ka funksionuar. Në fakt, ka pasur ndonjë rast tjetër, ku gazetarja ka çalltisur vetë si ia pasur ënda, e ka dhënë konsiderata të shkujdesura, madje edhe pickuese, në adresë të ndonjë të intervistuari, gjë që nuk para është e udhës në biseda të tilla.

Dhe këto konsiderata më janë dukur si thikë pas shpine që i është ngulur ‘mikut’ të ftuar në bisedë, dhe në një moment nuk kam ngurruar t’ia them dhe Kazhanit. Unë nuk kam ndonjë simpati për ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, por nuk mund të mos provoja empati kur lexova që Kazhani e cimbiste pa shumë takt në pasazhet e veta, me të cilat shoqëronte e mbushte intervistën me të. Lexoja atë intervistë, dhe Wollfarth-i më sillej si një viktimë. Dhe kurrë s’e kisha çuar nëpër mendje se një ditë prej ditësh do të isha unë viktima e radhës.

Kish ca kohë që Kazhani ma kërkonte atë intervistë, dhe më në fund u ulëm të bisedonim në një bar. Biseduam për afro një orë. Ishte një bisedë farë e shpenguar mbi temat që donte ajo. Vura re se nuk mbante shënime, dhe prandaj në fund i kërkova t’ma dërgonte me email intervistën e perifrazuar, në mënyrë që t’i hidhja një sy, e t’ia miratoja ‘zyrtarisht’ fjalët që do të më vinte në gojë. Por ajo më siguroi se do ish shumë e kujdesshme, se ajo e dinte mirë se çfarë unë do të doja të publikohej prej atyre që i thashë, dhe në fakt, kjo ish për t’u besuar, pasi me Kazhanin njihemi prej kohësh.


Shqip

Mirëpo u tradhtova rëndshëm në mirëbesimin tim. Kur mora gazetën të nesërmen në mëngjes, pashë se intervista ish njoftuar qysh në krye të faqes me një titull që më goditi: Muç Nano thotë se “Edi Rama është alamet çuni, ndërsa Berisha është gomar”. S’po u besoja syve. Mbeta ligsht. Ishte një titull tërësisht spekulativ, e krejt vulgar. Gjatë ditës po prisja reagime nga miq të mi, dhe nja dy miqve që më telefonuan (për fat, nuk ishin më shumë) u sugjerova ta lexonin intervistën e perifrazuar të tërën, pasi në këtë mënyrë spekulimi binte, ndërsa vulgariteti dilte më i kuptueshëm, s’ka gjë se nuk më justifikonte; sidomos, përpara syve të prindërve të mi, të cilët ishin të parët që u ngutën të më thoshin se fraza “Berisha është gomar” është një teprim që s’duhej t’ia lejoja vetes. Nuk është se ata nuk e dinë se çfarë mendoj unë për Berishën. Ata e dinë që mendoj nja dhjetë herë më keq se sa kaq, por kanë pritur (gjithnjë presin, në fakt) që unë t’i vija fre gjuhës, pasi nuk mund të thuhet germë për germë in public ajo që mendohet e thuhet in private. Ata e kishin më së shumti me frazën “Berisha është gomar”, pasi për veshët e tyre (edhe për të mitë), “gomar” është një term i vrazhdë, vulgar dhe harbut.

Atëherë? E vërteta është se ky është një term që unë e kam përdorur në bisedën me Kazhanin, e kam përdorur teksa flisja për Berishën e në adresë të Berishës, por e gjitha ka ndodhur në një bisedë krejt të lirë, mes miqsh, dhe kurrë s’më kish shkuar në mendje se gazetarja do të ish magjepsur kaq shumë nga ky term ‘kaq inteligjent e kaq elegant’, sa jo vetëm do t’ma citonte ad litteram në atë pjesë të bisedës që ajo e kish shndërruar në intervistë, por dhe do ta zgjidhte për titull të shkrimit në rubrikën e saj “lunch.com”. E dini? Kur lexova atë që kish bërë Kazhani u ndjeva dhe i lehtësuar, pasi ajo nuk kish zbardhur gjithë shpërthimet e mia vulgare në bisedën me të. Mund t’më fëlliqte fare, nëse do ta bënte këtë gjë.

Por në këtë mes, nuk kam ndonjë objeksion kushedi se çfarë për të bërë kundër gazetares që më intervistoi. Në fund të fundit, më ka vënë në gojë një frazë që është e imja. Për më tepër, unë u gjenda ligsht (kur pashë titullin dhe lexova shkrimin), jo për Berishën që i meriton të gjitha fyerjet e botës, por për veten. Të kuptohemi, unë nuk pretendoj të jem njeriu më elegant i botës, sidomos kur është fjala për Kryeministrin e vendit tim; përkundrazi, unë nuk është se e mbaj gjuhën kur vjen hera që flas për të, por puna është se qasjen time vulgare në publik duhet ta zgjedh unë, e jo Kazhanët e Shqipërisë. Shkurt, jam unë që duhet ta vendos se kur duhet ta them, e nëse duhet ta them, publikisht që “Berisha është gomar”, dhe në këtë pikë më vjen shumë çudi – kjo është e vetmja keqardhje – se si intervistuesja nuk ka pasur inteligjencën për të ndarë gjuhën e mejhanes nga gjuha publike.

Por përsëris: Në këtë pikë nuk dua të dramatizoj më shumë se sa duhet. Është pjesa e parë e titullit që më shock-oi pa masë, aq sa nuk arrija të kuptoja se si ka mundësi që gazetarët mund të bëjnë një spekulim kaq të trashë e të lig. Gjatë intervistës del e qartë ajo që kam thënë në përgjigje të pyetjes se ç’mendoj për Ramën. “Nuk dua të flas asnjë fjalë për Ramën deri në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm; nuk dua të flas as mirë, as keq. Do të flas për të pas zgjedhjeve. Nëse i fiton këto zgjedhje e nëse bëhet kryeministër, do ta ndjek në çdo hap e në çdo akt me lupën time kritike”, i kam thënë gazetares, që më ka riprodhuar saktë mendimin. “Po nëse ai humbet zgjedhjet?”, pyet ajo. “Nëse ai humbet, askush s’do të ketë nevojë e arsye të merret me Ramën. Rama është alamet çuni, dhe është në gjendje të kuptojë se duhet ta lërë politikën e kreun e PS-së, nëse humb këto zgjedhje”, ia ktheva. Dhe pikërisht nga mesazhi im, se “Rama është alamet çuni, pasi do dhe di të largohet po humbi zgjedhjet”, gazetarja kish veçuar frazën “Rama është alamet çuni” për ta vënë në titull, e për të krijuar kontrastin e fortë me frazën tjetër timen “Berisha është gomar”.

Ja, kjo është herë pas here gazetaria shqiptare. Gazetari e leshit! (Dhe kjo frazë e fundit është vulgare, por është vulgare se dua unë, e jo sepse do dikush tjetër.)

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama