Sakrificat e grevistëve dhe shurdhëria totale ndaj tyre

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 8 vite më parë

Mustafa Nano
Sakrificat e grevistëve dhe shurdhëria totale ndaj tyre

Një grevist tjetër i ka vënë flakën vetes. Quhet Lirak Bejko. Kamerat kanë mundur ta filmojnë dhe çfarë na panë sytë janë pamje që s’do donim t’i shihnim kurrë. Nuk di se sa njerëzve do t’u fanepset në gjumë, apo edhe zgjuar, ky akt vetëflijimi, por di – dhe këtë e di mirë – se më të shumtëve aq u bën.

 Unë nuk jam i interesuar për kërkesat që ish të përndjekurit kanë bërë, por kjo nuk më bën që të bëj sikur nuk shoh atë që po ndodh. E në këtë kuptim, nëse ata nuk kanë solidaritetin tim lidhur me kërkesat që kanë (nuk jam as kundër, në fakt; nuk kam ide mbi këtë çështje), ata kanë solidaritetin tim për vuajtjet që po heqin mes një shurdhërie që të frikëson.

Dy prej tyre i kanë vënë flakën vetes dhe është fat që ata janë gjallë (për Lirak Bejkon nuk kemi ende një raportim mjekësor të saktë e përfundimtar), dhe dy duzina të tjera bashkëvuajtësish janë pa ngrënë prej gati tri javësh. E megjithatë, ky fakt s’e ka penguar kryeministrin dhe të vetët të vijojnë me përpjekjet për të denigruar secilin prej grevistëve, për të shpifur në adresë të tyre, për t’u shpikur atyre prona e përfitime që s’i kanë, për t’i cilësuar si spiunë të ish-sigurimit, për të zbuluar, e për të arrestuar, miq të tyre që medemek u kanë vënë zjarrin, e për ta pagëzuar këtë grevë si të pilotuar politikisht. Këtë punë ka bërë gjithë kohën ky sojsëz. Dhe “gjëja më e pafat” për ne është se kurrë nuk ka qenë i vetëm në këtë histori. Në çdo aksion për të baltosur, linçuar e kryqëzuar kundërshtarët, ashtu si në gjithë projektin e vet për ta sunduar këtë vend si një satrap, ai është ndihmuar nga mijëra të tjera, të cilët përbëjnë establishmentin sundues.

Po ju jap një ilustrim. Pikërisht dje, teksa Lirak Bejko përfundoi në spital me 50% të trupit të djegur, një rob me emrin Florjon Mima doli përpara gazetarëve dhe recitoi (sipas Temës online) skriptin që ia kishin përgatitur: “PS-ja duket e qetë, por po përdor krahun e zgjatur me disa individë, që më vjen keq që janë pjesë e grupit të të përndjekurve. Sjellja e tyre lë shumë për të dëshiruar. U deklarua se kanë kërkesa ekonomike, ndërsa thonë që s’tërhiqen nëse nuk largojnë Berishën nga pushteti. Lind pyetja, është një protestë ekonomike kjo? Absolutisht jo. U fillua që në ‘91 me 3000 apartamente të shpërndara për ta, bursat për fëmijë, 24 miliardë lekë letra me vlerë të shpërndara po për ish të përndjekurit. Kjo ndodhi në qeverisjen e parë. Kemi shkëputje totale gjatë qeverisjes socialiste për 8 vjet. Më pas vazhduam sërish, me miratimin e ligjit ku u vendos dëmshpërblim me 20 dollarë për çdo ditë burgu. U hoqën tarifat e universiteteve për fëmijët e ish të përndjekurve, po kështu dhe bursat. Pra, nuk mungon komunikimi dhe vjen kjo ditë që shfaqemi me një imazh të tillë në sytë e botës. Për mua ai person (Gjergj Ndreca) nuk ka një kauzë”.

Ca pyetje për këtë bandill: Ky e mbështet pandehmën, apo tezën, se grevistët janë krahu i zgjatur i PS-së? Ta zëmë, se është kështu siç thua ti, që grevistët janë të lidhur me PS-në, e pastaj? Ta zëmë se greva nuk është ekonomike, por është politike, e pastaj? Ç’të duhet ty, nëse Gjergj Ndreca nuk e ka një kauzë? Si është e mundur, mor rob Zoti, që përballë një drame të tillë humane e një akti të tillë vetëflijimi, ty të shkon mendja se i vetëflijuari nuk ka kauzë, se ai përdoret nga PS-ja, se ata e kanë mendjen të rrëzojnë Sali Berishën? Cila është më e rëndësishme për ty, fakti që dikush i vuri flakën vetes, apo fakti që ky dikush qenka i përdorur? Çfarë dreqin do duhet të bëjë një qytetar i Republikës për të fituar vëmendjen tuaj, e për të gjetur gatishmërinë tuaj për ta negociuar hallin e kërkesën e tij?

E di? Të përbuz Florjon. Të përbuz njëherë si shërbëtor 24 karatësh që je; të përbuz për herë të dytë, ca më shumë në këtë rast, si shërbëtor që pranon deri dhe detyrën për të denoncuar publikisht shërbëtorë të tjerë; dhe të përbuz për herë të tretë, akoma më shumë në këtë rast, që ndër mijëra tipologji humane të ndryshme, shkon dhe i gjen shërbëtorët ndër ata njerëz që i vënë flakën vetes. Ptu!

Por ty të falet, Florjon. Nuk u falet ca të tjerëve. Kam pritur këto ditë sinjale solidariteti për këta grevistë nga dy kategori afër tyre: 1. Të djathtët dhe antikomunistët putativë shqiptarë; dhe 2. Ish të përndjekurit e tjerë. Nuk e kam fjalën për solidaritet ndaj kauzës së tyre, e cila bën vaki të jetë e diskutueshme (nuk i njoh mirë kërkesat e tyre, e as mundësitë që ka shteti shqiptar për t’iu përgjigjur një më një këtyre kërkesave), por për një solidaritet ndaj nevojës së tyre për t’u dëgjuar prej pushtetit, e për një solidaritet ndaj sakrificës që po bëjnë.

Ndër këto dy kategori, janë dëgjuar vetëm dy zëra të mekur solidarë; ai i Fatos Lubonjës dhe ai i Elsa Ballaurit. Të tjerët kanë bërë sehir nga zyrat, ndoshta dhe apartamentet, e ngrohta e të hapësirshme që kanë marrë prej këtij pushteti, sakrificën e Ndrecës, të Bejkos e të 20 të tjerëve. Nuk kam pritur të prishen me Berishën për këtë çështje (kjo është një sakrificë që s’mund t’ua kërkoj; t’u kërkosh të prishen me Berishën, rrjedhimisht të heqin dorë prej favoreve që gëzojnë, është si t’i kërkosh Ndrecës e Bejkos të vetëdigjen 120 herë), nuk kam pritur që ta mirëkuptojnë këtë grevë e këto sakrifica, por thjesht kam pritur që t’i luten e përgjërohen Berishës t’i presë grevistët në një takim, t’i dëgjojë e të negociojë një zgjidhje të mundshme me ta; kam pritur që t’u bëjnë thirrje Florjonave që t’mos i fyejnë me etiketime, që t’mos i quajnë shërbëtorë të ish-komunistëve, që të mos i mbulojnë me baltë shpifjesh, etj., etj.

Por kam pritur më kot. Asnjë prej ish të përndjekurve që e kanë marrë një zyrë, një status, një favor prej Berishës, nuk nxori qoftë dhe një fjalë dhimbjeje për grevistët e urisë. Dhe ky fakt të trondit më tepër se sa një gjëmë e madhe.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama